Ekspertët e ekonomisë të shqetësuar nga pasojat e krizës në Maqedoni. Gjendja e pasigurisë ka frenuar investitorët dhe bizneset po hasin në mungesën e qarkullimit të kapitalit si pasojë e rënies së aktivitetit ekonomik.
Gjendja e rëndë politike në Maqedoni po influencon negativisht ekonominë e veçanërisht investimet e huaja dhe vendase në sektorin e turzimit. Po ashtu për shkaqe sigurie rrezikohet dhe kthimi i mërgimtarëve gjatë periudhë së verës në atdhe, vë në dukje Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore OEMVP, duke analizar ndikimin e krizës politike në ekonominë e Maqedonisë. “Gjendja e rëndë politike në vend, ka ndikim negativ. Rrezikohet dhe kthimi i mërgimtarëve tanë në periudhën e verës, e që janë stimul i veçantë për rritjen e konsumit të përgjithshëm në Maqedoni, si dhe në mënyrë shtesë dhe rreziku nga zvogëlimi i depozitave të tyre, që në masë të madhe kontribojnë për stabilitetin makroekonomik të vendit dhe sigurojnë stabilitet të një pjesë të rezervave devizore”, vlerëson Menderes Kuçi.
Vazhdimi i krizës politike do të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit, e sidomos në investimet e huaja.“Pasojat e gjithë kësaj do t’i bartin kompanitë dhe qytetarët, ndërsa qeveria këtë do ta ndjejë pasi arka shtetërore do të jetë e zbrazur, indikacione të cilat tashmë dhe kanë filluar të ndjehen. Vazhdimi i krizës politiko-ekonomike do t’i zbeh mundësitë për ta mbrojtur Maqedoninë nga falimentimi”, thotë kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi
Përfaqësuesit e odave ekonomike që përfaqësojmë interesin e komunitetit të biznesit, kanë paralajmëruar iniciativa të përbashkëta, të cilat do t’i dorëzohen qeverisë në drejtim të stabilizimit dhe normalizimit të krizës politike dhe ekonomike në vend.
Biznesmenët kërkojnë ndihmë
Kriza politike po reflektohet negativisht në sferën e ekonomisë, ndërsa pasojat më së shumti po i ndjejnë kompanitë e mëdha, por pa anashkaluar edhe konsumatorët e thjeshtë, thonë biznesmenët, duke kërkuar siguri politike që të mund të realizojnë parashikimet e tyre investuese në vend.“Kriza politike para së gjithash po ndihet tek oligarkët, apo tek kompanitë e mëdha ku ka ngecje në qarkullimin e kapitalit. Ngecjet në zhvillimin ekonomik po i ndiejnë edhe konsumatorët e thjeshtë, por edhe ndërmarrjet e vogla pasi në situatën e krijuar kemi ulje të kërkesave dhe rritje të shpenzimeve“, thotë biznesmeni Zore Temelkovski.
Ministri i financave, Zoran Stavreski, pranon se biznesmenëve u nevojitet stabilitet i qëndrueshëm që të mund të realizojnë projektet e planifikuara. Stavreski vlerëson se një zgjidhje e krizës politike do të ishte e mirëseradhur për bizneset vendase, por edhe për kompanitë e tjera që hezitojnë për të investuar në Maqedoni.
“Pres që rezultatet në ekonomi tani për tani nuk do të përkeqësohen, por gjithçka varet nga ajo se sa shpejtë do të tejkalohet kriza politike. Vlerësoj se është mirë që të dilet nga kjo situatë dhe bizneset të fillojnë me realizimin e parashikimeve të tyre në ekonomi“, thotë Ministri i financave, Zoran Stavreski.
Ekspertët e ekonomisë të shqetësuar nga pasojat e krizës
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Shkupit, Zoran Ivanovski, thotë se për shkak të uljes së aktiviteteve ekonomike si pasojë e krizës politike, është reale që të pritet rritja e deficiteti buxhetor, apo të mos realizohet mbushja e buxhetit sipas parashikimeve të qeverisë.“Vlerësoj se nuk do të ketë ndryshime të theksuara sa i përket politikës ekonomike në krahasim me periudhën e deritanishme. Konsideroj se është reale që të presim rritje të deficitit buxhetor“, thotë Ivanovski.
Sipas njohësit të çështjeve ekonomike Visar Ademi kriza ekonomike do të manifestohet në dy aspekte, e para duke e ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe e dyta duke ngrirë investimet e huaja në vend.“Investitorët e brendshëm duke e pasur të ulur konsumin e brendshëm do të kenë shumë më pak para në dorë që të investojnë tek kapacitetet ekzistuese të kompanive të tyre dhe do të ketë shumë më pak vende të reja pune. Kjo do të ndikojë shumë ndjeshëm në ekonomi dhe mendoj se do të ketë një lloj krize ekonomike që do të reflektohet pas pushimeve verore”, thotë Visar Ademi.
Eksperti Zoran Vitanov thotë se tanimë është i dukshëm ndikimi i krizës politike në ekonomi përmes anulimit të marrëveshjeve dhe bllokimit të investimeve nga jashtë. “Prodhimet vendase kanë mbetur të ngujuara në tregun e brendshëm. Blerësit e prodhimeve tona, të njëtet produkte i marin nga shtetet e tjera, sepse nuk kanë guxim të rezikojnë dhe të presin se çka po ndodh në Maqedoni “, deklaron Zoran Vitanov.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë në muajin shkurt të këtij viti janë regjistruar vetëm 12.6 milionë Euro investime të huaja, investimet e huaja mesatarisht kanë qenë mbi 30 milionë Euro.(Kortezi Fatos Musliu-DW)