Shkaku:Ndalimi i peshkatores italiane u bë për gjueti të paligjshme në ujërat shqiptare/
Nga Durresi: Shefqet Kërcelli/
Ne Foto: Anija “Oriku” -Roja Bregdetare duke shkuar ne vendngjarje/
Sic informon Kapiten i Rangut të III-të Urim Bulica, Oficer Drejtimi i Forcës Detare në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare {QNOD}, më datën 10 mars, ora 19.30, një nga operatorët e QNOD, diktoi një peshkatore italiane me emrin “COBRA 3”, e cila lundronte brenda ujërave tona territoriale në traversë të Karavastasë. Ndërkohë anija e Flotiljes Detare Jugore, P-132, Oriku, po patrullonte sipas planit në zonën e Bristanit për në Jug, drejt Palermos. Nisur nga situata e krijuar ju dha urdhër anijes “Oriku” të ndryshojë zonën e patrullimit dhe të marrë kursin për në Veri të Karavastasë, për të verifikuar peshkatoren e dyshuar në këtë zonë. Në orën 21.05, peshkatorja italiane ndodhej në Φ-40o 54’91”V dhe λ-19o11’43”L, rreth 2.8 milje brenda ujërave tona territoriale, duke lundruar me shpejtësi 2.5-2.8 nyje. Ndërkohë anija jonë nga VP i Sazanit lundroi për në Veri, në rajonin e dhënë. Për këtë situatë u njoftua Komandanti i FD, QBO, Oficerët e Policisë Kufitare, Peshkimit e Doganës që ndodheshin në Sallën Operacionale të QNOD. Në orën 22.10, anija jonë P-132 shkoi në rajon dhe uli skafin e saj, dhe në kordinatat, Φ -40o53’08” V dhe λ -19o10’17”L verifikoi peshkatoren italiane me emrin në bord “Cobra 3”, e cila kryente gjueti me trata fundore brenda ujërave tona. Peshkatorja kishte në përbërje të ekuipazhit 4 persona me kapitan Pjetro Di Lorenzo dhe port regjistrimi Mona Bari, Itali. Mbas pyetjeve të drejtuara nga Roja jonë Bregdetare, Kapitani i anijes italiane pretendonte se “kishin shkelur ujërat tona pa dashje, pasi po merreshin me aktivitetin e gjuetisë dhe nuk e kishin venë re këtë gjë”. Për këtë shkelje, të ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë brenda ujërave tona territoriale, peshkatorja u ndalua dhe u urdhërua që të drejtohej për në portin e Vlorës. Peshkatorja ju bind urdhërit të Komandantit të anijes “Oriku”, Kapiten i Rangut të III-të Ilir Cobo, dhe nën shoqërimin e anijes sonë dhe gomones së saj u drejtua për në portin e Vlorës. Për këtë u njoftua përsëri Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral Qemal Shkurti, që e ndoqi “non stop” operacionin si dhe shërbimi në QBO, Polici Kufitare, Oficeri i Shërbimit doganor dhe ai shërbimit të peshkimit, që të dërgojnë përfaqsuesit e tyre në Vlorë për vazhdimin e procedurave të mëtejshme me ketë peshkatore. Në orën 02.05, datë 11.03.2015, peshkatorja “Cobra 3” dhe anija P-132 “Oriku”, u bregëzuan në portin e Vlorës. Në orën 03.20 të ditës së sotme, Komandanti i anijes P-132, plotësoi dokumentacionin përkatës që mbahet në këto raste dhe ja dorëzoi peshkatoren Policisë Kufitare dhe Kapitenerisë Vlorë për të vazhduar procedurat e metejshme. Më pas anija jonë “Oriku” u largua nga porti i Vlorës për të vazhduar detyrat e radhës. Aktualisht autoritetet shtetërore në Vlorë po mbajnë procesverbalet përkatëse mbështetur në legjislacionin shqiptar për këtë ngjarje.