NGA SAIMIR LOLJA/
Më 22 Qershor 2015 mbushen 74 vjet nga dita kur ushtria gjermane sulmoi Bashkimin Sovjetik. Botimeve të deritanishme në Lindje e Perëndim iu mungojnë të dhënat për numrin, llojin, madhësitë e vendndodhjet e armatave sovjetike në vigjilje të sulmit të ushtrisë gjermane kundër Bashkimit Sovjetik. Këto të dhëna janë akoma sekret shtetëror në Rusinë e Madhe. Edhe nëpër dokumentarët e Luftës II Botërore kapërcehen njoftimet për numrin dhe vendndodhjen e armatave sovjetike të këmbësorisë, për numrin dhe llojet e armatave të tankeve, për armatat e parashutistëve, për numrin dhe llojet e armatave të aeroplanëvë, si dhe për llojin e fortikimeve në kufinjtë perëndimorë të BRSS. Në Lindje e Perëndim, librat dhe enciklopeditë e Luftës II Botërore nuk japin as të dhëna të tilla dhe as harta të vendosjes së trupave sovjetike. Fitimtarët e Luftës II Botërore duket janë marrë vesh jo vetëm për ndarjen e zonave të ndikimit, por edhe si do shkruhej më pas historia e Luftës II Botërore.
Shkrimi i mëposhtëm është mbështetur kryesisht në librin “Krye fajtori: Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën II Botërore” të autorit Viktor Suvorov [Viktor Suvorov, The Chief Culprit:
Stalin’s Grand Design to Start World War II, Naval Institute Press, 2008]. Autori ka qenë analist zgjuarsie në zbulimin ushtarak sovjetik [GRU] dhe ka kaluar nëpër duar dokumenta të arshivave ruse që edhe sot e kësaj ditë janë të mbyllura. Ai u arratis në Perëndim në vitin 1978 dhe deri më tani ai ka botuar një seri librash. Për arësye domosdoshmërie, rrjedha e fakteve dhe ngjarjeve nis që nga Lufta I Botërore.
LUFTA DHE PAQJA
Gjermania e kishte të qartë se nuk do mund të vazhdonte të luftonte nëse kishte njëkohësisht edhe Frontin
e Lindjes edhe të Perëndimit. Prandaj, zbulimi ushtarak gjerman arrin një marrëveshje me Leninin dhe e nis bashkë me shokët e tij me tren të blinduar e të mbyllur diplomatikisht nga Zyrihu i Zvicrës nëpër Gjermani, Suedi, Finlandë e deri në Petrograd të Rusisë, ku arrin më 16-04-1917. Paralel dhe i nisur nga Amerika bashkë me 300 shokë, Trocki arriti në Rusi më 04-05-1917. Bolshevikëve iu pëlqyen ndihmat e zbulimit ushtarak gjerman, sepse ato do mund të përfundonin revolucionin bolshevik në Rusi [më 07-11-1917]. Më pas, ato do të riorganizonin perandorinë e kalbur cariste (në Perandori të Kuqe) duke i vënë fuqitë e mëdha të saja në shërbim të Revolucionit Botëror. Në këmbim të ndihmës gjermane, qeveria bolshevike nënshkroi më 03-03-1918 nëpërmjet Traktatit të Brest-Litovskit daljen e saj nga Lufta. Ky traktat u nënshkrua edhe nga Perandoria Gjermane, Austro-Hungareze, Bullgaria dhe Perandoria Osmane. Si rrjedhojë, trupat gjermane kaluan nga Fronti i Lindjes në atë të Perëndimit, lufta vazhdoi edhe tetë muaj të tjerë, miliona ushtarë e qytetarë humbën jetën apo u plagosën, ekonomitë e vendeve ndërluftuese u rrënuan akoma më shumë, e nga dhimbje të tilla shoqëritë njerëzore atje u trazuan shumë.
Me këtë traktat, Rusia sovjetike lëshoi nga duart përkohësisht 56 milion banorë, 1/4 e industrisë,
shumicën e minierave të qymyrit, fusha të pamata, etj. Por përfitimet afatshkurtëra (iu dha kohë bolshevikëve të kryenin më mirë punët e brendshme të përgjakshme) dhe afatgjate qenë shumë herë më të mëdha sepse filluan përgatitjet për të sulmuar sapo të mbaronte Lufta I Botërore dhe për të ndezur revolucionin botëror në vendet e tjera, në rradhë të parë në Gjermani. Biles që në Janar 1918, me urdhër të Leninit, u krijua në Petrograd organizata komuniste gjermane Spartakus dhe shtypen në miliona kopje e dërgohen në Gjermani gazetat Die Fackel [Pishtari], Die Weltrevolution [Revolucioni Botëror] dhe Die Rote Fahne [Flamuri i Kuq]. Fundi i Luftës I Botërore shoqërohet në Rusi nga një numër i pafundëm takimesh, kongresesh e konferencash politike ku imëshohej vetëm një gjëje: Revolucionit Botëror dhe vendosjes së komunizmit në Europë. Këtij qëllimi i shërbeu edhe fillimi i përgatitjeve për mbjelljen dhe vaditjen e farërave të një lufte të re botërore, sepse për bolshevikët pas një lufte të tillë të madhe do të vinte një revolucion i madh botëror. Dhe nga ky do të lindnin republikat e bashkuara socialiste sovjetike e shkallë-shkallë do arrihej në një qeveri mbarë-botërore sovjetike me qendër Kremlinin.
Më 11-11-1918 nënshkruhet përfundimi i Luftës I Botërore. Më 13-11-1918, qeveria ruse urdhëron
Ushtrinë e Kuqe të sulmojë dhe ajo pushton vendet Balltike. Qeveria komuniste e Estonisë formohet më 29-11-1918, e Letonisë më 04-12-1918, e Lituanisë më 08-12-1918. Një dokument i Ushtrisë së Kuqe më 17-12-1918
dallonte Gjermaninë si shënjestra e rradhës, kurse Lenini ngazëllente: “Ne jemi në pragun e revolucionit botëror!”.
Ushtria e Kuqe nisi sulmin në drejtimin Poloni-Gjermani që në Shkurt 1919, por pësoi disfatë përfundimtare nga ushtria polake në Betejën e Varshavës në Gusht 1920 dhe tërhiqet. Për sovjetikët ky qe një mësim, i cili u tregoi se për të shkuar në Gjermani nuk duhej të kishte Poloni ndërmjet tyre; ashtu siç u përgatit të ndodhte pas 20 vjetësh.
THËNGJIJTË E LUFTËS
Nga ana tjetër, lufta civile i ndryshoi pak planet bolshevike, sepse Ushtria e Kuqe u tërhoq për të kositur për shumë vjet miliona njerëz në Rusinë sovjetike. Në Mars 1919, nën drejtimin e Leninit dhe Trockit, krijohet në Moskë Kominterni [Organizata Ndërkombëtare Komuniste], i cili e quajti veten “Shtab të Revolucionit Botëror” me qëllim krijimin me çdo mjet, përfshirë edhe forcën ushtarke, të “Republikës Botërore Socialiste Sovjetike”.
Organizatat komuniste nga çdo vend i botës iu bashkëngjitën këtij rrjeti fanatik, i cili financohej nga rezervat e arit të Rusisë dhe kontrollohej me rreptësi ushtarake nga Kremlini. Çdo person që bëhej anëtar i partive komuniste pranonte me vetmohim t’i shërbente revolucionit komunist botëror dhe të luftonte kundër interesave të vendit të vet, fshehtas ose haptas. Spiunazhi sovjetik u bë kështu që nga vitet 1920 e më pas shërbimi më i fuqishëm në botë, sepse vullnetarë të panumërt (e të tjerë nga larg me gjithë shpirt e mall) nga tërë bota e vunë veten në shërbim të Kremlinit; detyra e spiunazhit sovjetik qe vetëm t’i klasifikonte, t’i përzgjidhte, t’i përpunonte dhe t’i emëronte në detyrë.
Më 28-06-1919 nënshkruhet në Paris Traktati i Versajës, i cili zyrtarisht vendoste paqen në botë duke gjobitur rëndë Gjermaninë dhe duke vijëzuar kufinj të rinj për shtetet e botës. Gjermania nuk mund ta duronte atë traktat dhe pasojat e tij. Prandaj, ajo që mbetej ishte vetëm t’i bëje gati thëngjinjtë dhe t’i hidhje benzinë zjarrit gjerman. Në Mars 1921, me urdhër të Zinovievit, kryetar i Kominternit, hungarezi Bela Kun dërgohet pranë partisë komunistë gjermane me udhëzimin që të kapej pushteti. Paralel, në Gjermani shkojnë zyrtarë të tjerë sovjetikë dhe oficerë të shumtë të zbulimit ushtarak sovjetik [GRU], të cilët menjëherë filluan organizimin e forcave ushtarake të hapta dhe të fshehta të partisë komunistë gjermane. Gazeta “Die Rote Fahne” bënte thirrje për revolucion komunist. Më 24-03-1921
komunistët sulen dhe marrin kontrollin e godinave qeveritare, bashkive, bankave dhe postave të policisë në Hamburg, Laipcig, Dresden e Çemnic. Ushtria gjermane ndërhyri dhe e shtypi atë kryengritje komuniste.
Më 30-12-1922 krijohet Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) që sipas deklaratës së themelimit ishte hapi i parë drejt krijimit të Republikës Botërore Socialiste Sovjetike. Vetë ndërtimi i BRSS nuk njihte kufinj shtetërorë e kombëtarë dhe ishte një shpallje lufte tërë vendeve të tjera të botës që nuk ishin brenda BRSS. Biles, shenja shtetërore e BRSS ishte një glob bote pa kufinj shtetërorë i vulosur nga drapëri e çekani. Rusia nuk ishte nënshkruese e Traktatit të Versajës dhe si e tillë ajo ishte e pa penguar të prodhonte çfardolloj arme dhe e pakufizuar në numrin e ushtarëve. Nga ana e saj, Gjermania e kishte të pamundur të përgatitej për luftë për shkak të kufizimeve që iu vunë nga Konferenca e Paqes më 1919. Por, BRSS ishte gjithmonë gati pikërisht për ndihma të tilla.
Moska iu dha ushtarakëve gjermanë çka ata ishin të ndaluar të kishin:
tanke, artileri të rëndë, aeroplanë, fusha stërvitje dhe provash për armët, zyra projektimesh dhe hyrje në fabrikat ushtarake. Veç marrëveshjes në Nëntor 1922 për prodhimin e aeroplanave ushtarakë me firmën gjermane Junkers Flugzeugwerke, dy marrëveshje të tjera filluan zbatimin në Korrik 1923 për prodhimin e municioneve e pajisjeve ushtarake dhe ndërtimin e një uzine kimike. Më 25-04-1925 nënshkruhet një marrëveshje për krijimin e një qendre për forcat ajrore gjermane në qytetin rus Lipetsk ku do stërviteshin pilotët gjermane dhe do provoheshin aeroplanët e rinj. Qeveria ruse bleu 100 areoplanë ushtarake D-XIII nga kompania hollandeze Fokker, të cilët do të përdoreshin për stërvitjen e pilotëve gjermanë. Përgjatë viteve aty u zhvilluan dhe u provuan aeroplanët gjermanë të modeleve Heinkel He-45, He-46, He-51, Arado Ar-64, Ar-65, Junkers K-47 e Dornier Do-11. Deri në fund të vitit 1933, aty u përgatitën 450 pilotë gjermanë. Të gjitha këto kryheshin në fshehtësi, për shembull, pilotët gjermanë që stërviteshin ishin të liruar zyrtarisht nga forca ajrore gjermane Reichwehr dhe në Lipetsk mbanin emra të tjerë.
Adolf Hitleri në përfundim të Luftës I Botërore ishte një piktor i dështuar dhe një ushtar i plagosur që kthehej nga fronti. Me këshillën e një oficeri të zbulimit ushtarak gjerman dhe për të pasur një rrogë të vogël, ai i bashkëngjitet në Shtator të vitit 1919 Partisë Kombëtare Socialiste të Punëtorëve Gjermanë [Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei, shkurt Partia Naziste] thjesht për të mbledhur dijeni. Shpejt ai bëhet kryetar i kësaj partize, e cila thërriste “Proletarë të gjithë kombeve, bashkohuni” dhe kërkonte heqjen e pronës private mbi tokën, vendosjen e punëtorëve në drejtimin e fabrikave dhe shtetëzimin e industrisë. Me kalimin e kohës, kjo parti e vockël komuniste u shumua dhe u fuqizua. Më 08-11-1923 një grusht shteti ndizet në Mynih të Gjermaninë prej Partisë Naziste. Ai u organizua prej Kominternit dhe u drejtua në fshehtësi nga oficerët e spiunazhit dhe emisarët politikë sovjetikë. Edhe kjo përpjekje për revolucion socialist shtypet në mënyrë të
përgjakshme; ndërsa Hitleri plagoset dhe futet në burg. Këtu, nën ndihmën e dhënë nga Rudolf Hess, ai shkruan librin “Lufta ime” [Mein Kampf]. Në këtë libër, në Kapitullin XIV, ai shkruante se Gjermania duhej të mos shihte nga Jugu e Perëndimi por t’i hidhte sytë drejt territoreve në Lindje. Kjo shprehje njihej mirë nga politikanët sovjetikë qëkur u botua libri më 1925-1926 dhe u përdor papushim në propagandën sovjetike.
Më 1925, Stalini shprehej se Lufta II Botërore ishte e pashmangshme dhe ajo nuk duhej penguar. Sa më shumë krime të kryheshin nën urdhërat e Hitlerit, aq “më i arsyeshëm” do ishte dërgimi i Ushtrisë së Kuqe për “të çliruar” Europën. Sa më shumë të rrënohej e lodhej Europa prej luftës, aq më të lehtë do e kishte Ushtria e Kuqe përparimin e saj. Sa më e madhe të ishte pjesa e Europës së pushtuar prej gjermanëve, aq më të lehtë do e kishte Ushtria e Kuqe për “ta çliruar”. Në një Europë të pushtuar, popujt e saj do e mirëpritnin një “çlirimtar” dhe ushtria gjermane do e kishte të pamundur të mbronte tërë territorin Europian nga ushtria “çlirimtare” sovjetike.
Partia Socialdemokrate ishte kundër luftës dhe si e tillë “e pengonte” revolucionin botëror të mëvonshëm. Prandaj, nën urdhërat direkte të Stalinit e Kominternit, socialdemokratët kudo ku ishin u vunë në shënjestër për t’u shkatërruar plotësisht. Pra, ajo që mbetej ishte të ndihmohej partiza naziste e Hitlerit të vinte në fuqi në Gjermani. Rasti tjetër u paraqit në zgjedhjet parlamentare të vitit 1932. Në Korrik 1932 Partia Naziste mori 13.7 milion vota; kjo përbënte 37.3% të tërë votave por nuk mjaftonte për të siguruar shumicën absolute. Pas këtij kulmi numri i votave për Partinë Naziste filoi të bjerë. Më 06-11-1932 mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme nga të cilat doli kjo shpërndarje për partitë kryesore: Partia Naziste 11’705’000 vota, Partia Socialdemokrate 7’231’000 vota, Partia Komuniste 5’971’000 vota. Përsëri shumica absolute për të marrë pushtetin nuk ishte arritur. Po të bashkohej Partia Socialdemokrate me atë Komunistë arrihej shumica absolute dhe historia botërore do kishte qenë ndryshe. Por ndodhi e papritura: nën urdhërat e Stalinit, Partia Komuniste bashkohet me Partinë Naziste dhe si rrjedhim kjo e fundit merr në dorë drejtimin e shtetit gjerman. Kështu komunistët gjermanë prenë
falas biletat e udhëtimit të mëvonshëm drejt kampeve të përqëndrimit për veten e vet, për socialdemokratët dhe
tërë kundërshtarët politikë të Partisë Naziste.
INDUSTRIALIZIMI DHE TUFËZIMI
Më 1927, BRSS filloi zbatimin e planeve 5-vjeçare për zhvillimin industrial dhe tufëzimin e bujqësisë, por pa harruar ushtrinë. Më 1927, Ushtria e Kuqe kishte 79 tanke; më 1931, ajo kishte 4’538 tanke, kurse vetëm në vitet 1932-1933 prodhohen 21’573 avionë ushtarakë. Planet 5-vjeçare kërkonin njerëz të shumtë me çmim pothuaj zero dhe ato u gjetën “tek armiqtë e klasës, kulakët, sabotatorët, tradhëtarët e përkrahësit e tyre”. Më “të këqinjtë” e këtyre pushkatoheshin pa humbur kohë; të tjerët do të mbushnin armatën shumë milionshe të skllevërve. Që nga viti 1928, njësitë e Ushtrisë së Kuqe, në mes të dimrit, rrethonin rajone të tëra nga ku kulakët [fshatarë që prodhonin më shumë] bashkë me familjet e tyre i hypnin nëpër trena dhe i zbrisnin në fushë të hapët në Siberi, Urale e Kazakistan. Këto operacione kryheshin me urdhërin e Stalinit dhe zbatoheshin prej Molotovit.
Sipas pohimit të vetë Molotovit, 20 milion fshatarë u shpëngulën nga tokat e tyre dhe u hodhën në vende të pajetueshme. Më 27-12-1932, BRSS vuri në qarkullim letër-njoftimet vetëm për banorët e qyteteve. Dalja e tyre ndodhi në kulmin e urisë masive dhe fshatarët pa një letër-njoftim të tillë nuk iu largoheshin dot rajoneve ku ishte caktuar të pllakoste uria. Pa një dokument të tillë nuk mund të punoje, nuk mund të jetoje diku, nuk mund të lëvizje as brenda e as jashtë BRSS. Si rrjedhojë, miliona fshatarë të pa shpërmgulur bashkë me familjet e tyre vdiqën nga të pa ngrënët e të ftohtit. Edhe sot e kësaj dite, ukrainasit drithërohen po të dëgjojnë fjalën “Holodomor” [vdekje nga uria]. Në vitet e “kolektivizimit masiv” 1932-1933, vdiqën nga uria 3.5 – 5 milion vetë dhe prej të ftohtit 3 – 4 milion të tjerë. Pa armatat e skllevërve dhe pa popullatat e shpërngulura më forcë nuk do ishin ndërtuar piramidat në BRSS, nuk do ishte ndërtuar Metroja e Moskës, nuk do ishte nxjerrë ari i nevojshëm për të mbuluar financat,
nuk do ishin ndërtuar uzinat dhe qytetet e nëndheshëm, nuk do ishin zhvilluar industritë apo minierat e Siberisë dhe tërë Perandorisë së Kuqe. Qeveria planifikonte që më përpara se sa skllevër do nevojiteshin për planet e ardhshme të zhvillimit. Më pas Ministria e Punëve të Brendshme planifikonte arrestimet për të mbushur kampet e përqëndrimit, të njohur me emrin e shkurtuar GULAG [Glavnoye Upravlyeniye Ispravityel’no-Trudovih Lagyeryey i koloniy], dhe më të këqinjtë e këtyre të njohur me emrin Dal’stroy që i shërbenin nxerrjes së arit. Në fund të viteve 1920 Perëndimin e mbërtheu një krizë e paparë ekonomike dhe financiare. BRSS menjëherë filloi të blejë me çmime të ulta linja prodhimi, shpikje inxhinierike bashkë me inxhinierët, pajisje industriale dhe makineri të përparuara nga vendet e Perëndimit. Rezervat e arit të BRSS mbulonin edhe blerjet edhe zbatimin e teknologjive të përparuara. Në fillim të viteve 1930, inxhinierët amerikanë projektuan e ndërtuan në qytetin Nizhni Tagil fabrikën Uralvagonzavod [Fabrika e Vagonave Hekurudhorë në Urale]. Deri në fund të viteve 1980, ajo ishte ndërmarrja më e madhe industriale në botë dhe që kthehej menjëherë për prodhime ushtarake. Gjatë katër viteve të Luftës II Botërore, kjo fabrikë prodhoi 35’000 tanke vetëm të llojit T-34. Po të njëjtën origjinë e tipare kishte edhe fabrika e traktorëve e ndërtuar në qytetin Çeliabinsk të Uraleve.
PASTRIMI I SKORJEVE
Propaganda Lindje-Perëndim ka krijuar përrallën e “pushkatimeve të 40’000 oficerëve sovjetikë në vitet
1937-1938, si rrjedhim i të cilëve shumica e oficerëve të Ushtrisë së Kuqe më 1941 nuk kishin më shumë se një
vit në detyrë”. Në fakt mungesa e përvojës egzistonte në shumë oficerë, por arësyeja ishte se gjatë viteve 1937-
1941 Ushtria e Kuqe u zmadhua nga 1.1 milion ushtarë në 5.5 milion. Si rrjedhojë, pozitat komanduese u
mbushën shpejt e shpejt me oficerë, të cilët gradoheshin po me shpejtësi. Megjithatë ky faktor nuk ishte themelor
në disfatën që pësoi ushtria sovjetike kur u sulmua më 22-06-1941 nga ushtria gjermane, sepse ushtria sovjetike
kryente manovra ushtarake sulmuese masive të vazhdueshme, biles edhe më 21-06-1941. Në anën tjetër, gradime
të shpejta në rangjet ushtarake ndodhën edhe në ushtrinë gjermane që u zmadhua në numër në ato vite, por kjo nuk
vihet në dukje në historitë e shkruara zyrtare.
Më 1937, Ushtria e Kuqe kishte 206’000 oficerë. Nëse do ishin “pushkatuar 40’000 oficerë” më 1937-
1938 (20% e tërë oficerëve), është e pamundur të ndodhë që “më 1941 shumica e oficerëve sovjetike të kishin më
pak se një vit përvojë në detyrë”. Në Arkivin Shtetëror Ushtarak të Rusisë egziston një dokument i Zyrës së
Burimeve Njerëzore të Shtabit të Ushtrisë së Kuqe; dokumenti është në fondin 37’837, treguesi 10, kutia 142,
fleta 93. Sipas këtij dokumenti më 1937 u liruan nga ushtria 20’643 oficerë dhe më 1938 u liruan 16’118 oficerë;
domethënë gjithsejt 36’761 oficerë. Dokumenti e shkruan qartë: “u liruan”; në dokumenti nuk shkruhet “u
arrestuan apo u burgosën apo u pushkatuan”. Për 54 vjet ky dokument u mbajt i fshehur dhe vetëm pak njerëz të
këqinj e patën lexuar; pikërisht këto mashtrues raportuan për “36’761 oficerë të pushkatuar” dhe ushqyen çdo
botim zyrtar, gazetaresk e shkollor në Lindje e Perëndim. Biles dokumenti sqaron më tej se më 1937 e 1938, nga
të liruarit, u arrestuan përkatësisht vetëm 5811 dhe 5057 oficerë; domethënë gjithsejt 10’868 oficerë dhe nga këto
vetëm 1’654 oficerë u pushkatuan ose u gjendën të vdekur nëpër burgje pa iu filluar gjygjet.
Lirimet e lëvizjet nga detyra janë të zakonshme në çdo ushtri e në çdo kohë, për arësye nga më të
ndryshmet. Për një ushtri milionshe, numri i lirimeve natyrisht është i madh. Ritmi i lirimeve u rrit që në vitin
1935, sepse në këtë vit ushtria sovjetike përshpejtoi rigrupimet e nevojshme të forcave për sulmin që do të ndërmerrte në vitin 1941. Sipas një dokumenti tjetër ushtarak, 12’461 oficerë nga të liruarit e viteve 1937-1938
ishin marrë përsëri në ushtri deri më 01-05-1940.
LUFTA E SPANJËS
Më 18-07-1936, 120’000 ushtarë spanjollë (80% e ushtrisë) nën komandën e Gjeneralit Jose Sanjurjo
ngritën krye kundër Republikës Spanjolle. Gjatë një udhëtimi me një avion të vogël më 20-07-1936 ky gjeneral
humb jetën dhe komandën e ushtrisë e mori Gjenerali Francisco Franco. Në ndihmë të kryengritjes, aeroplanë
mbartës gjermanë Ju-52 dërguan për tre muaj rradhasi ushtarë e material ushtarak nga Maroku në Spanjë. Deri në
fund të Gushtit ato mbartën 7350 ushtarë e oficerë dhe artileri; 5455 ushtarë u dërguan në Shtator dhe 1157
ushtarë të tjerë u mbartën në Tetor 1936. Pa këtë urë ajrore dhe pa ndihmën e dhënë nga 150’000 ushtarë italianë,
20’000 portugezë, 90’000 marokenë, 2700 topa, 1150 tanke dhe 1650 aeroplanë, kryengritja në Spanjë do ishte
shtypur.
Më 1936, Stalini emëroi konsull të përgjithshëm në Barcelonë veteranin revolucionar V. A. Antonov-
Ovseenko. Ky filloi ta këshillonte qeverinë e Republikës spanjolle të fshihte për arësye sigurie në Moskë tërë arin
e shtetit spanjoll [më shumë se 600 ton ar]. Si rrjedhim, më 25-10-1936 anija sovjetike me 510 ton ar spanjoll u
nis nga porti spanjoll i Kartagjenës për në Moskë….dhe ky ar nuk u kthye më kurrë. BRSS dërgoi në ndihmë të
Republikës Spanjolle 2065 oficerë sovjetikë të rangjeve të ndryshme, 772 pilotë, 351 tankistë, 100 artilierë, 222
këshilltarë ushtarakë, 204 përkthyes dhe një numër oficerësh zbulimi e kundër-zbulimi, komisarësh, diplomatësh,
etj.; gjithsejt ato qenë 3000 sovjetikë. Ndonëse deti spanjoll ishte nën bllokadë, Stalini dërgoi në Spanjë 648
aeroplana, 347 tanke, 60 makina të blinduara, 1186 topa, 20’486 mitraloza dhe 497’813 pushkë; pa llogaritur
municionet, ushqimet, materialet mjeksore, pajimet ushtarake, naftën e benzinën.
Bujqit e punëtorët në BRSS grumbuluan miliona Rubla për të ndihmuar Republikën Spanjolle. Kudo u
organizuan mbledhje për t’i shqetësuar njerëzit e për t’iua mbledhur kopekët [qindarkat]. Tre vjet më parë, për
shkak të urisë masive në Bashkimin Sovjetik gjatë së cilës vdiqën miliona njerëz dhe shumë vetë mbijetuan
nëpërmjet kanibalizmit dhe ngrënies së trupave të vdekur, nuk u organizuan grumbullime të tilla njerëzish. Ndërsa
ajo uri bënte kërdinë, BRSS eksportonte miliona ton grurë të grabitur me forcë nga bujqit e vet. Më 1936, Spanja
nuk kishte kampe përqëndrimi, kurse në Bashkimin Sovjetik ato ishin shenjë krenarie.
Pozicioni i krye-këshilltarit sovjetik në Republikën Spanjolle, në vend që t’i përkiste një këshilltari të
mirëfilltë ushtarak, ishte zënë nga Drejtori i Zbulimit Ushtarak Sovjetik [GRU] Yan K. Berzin. Ky njihet edhe si
rekrutuesi dhe stërvitësi i agjentit Richard Sorge, një gjerman me qëndrim në Japoni gjatë Luftës II Botërore. Tërë
operacioni sovjetik gjatë Luftës së Spanjës qe më shumë operacion i zbulimit ushtarak sovjetik sesa operacion i
ndihmës ushtarake për Republikën Spanjolle. Gjatë asaj lufte, mijra fëmijë të komunistëve spanjollë u dërguan në
BRSS. Ato nuk u kthen më në Spanjë, por u rritën e u stërvitën për t’u dërguar si agjentë të BRSS në Amerikën
Latine dhe Afrikë në vitet e mëvonshme.
Ushtria e Republikës u formua nga pjesa e mbetur e ushtrisë spanjolle dhe nga shtatë brigadat
ndërkombëtare, të cilat u krijuan me 42’000 vullnetarë nga 54 vende të botës. Agjentët e BRSS trazuan popujt e
botës për të krijuar vullnetarë e për t’i dërguar në Spanjë. Shërbimet e spiunazhit sovjetik mbuluan tërë
shpenzimet që shoqëronin këto lëvizje njërëzish nga 54 vende të botës. Sapo arrinin në Spanjë, këtyre vullnetarëve
iu merreshin pashaportat dhe tërë dokumentat e udhëtimit. Ato u kthyen në skllevër të armatosur që nuk mund të
largoheshin më nga zotëruesit e tyre. “Çuditërisht” herë pas here shpërthente zjarr në godinat e makinat ku ishin
këto dokumenta. Zbulimi ushtarak sovjetik pronësoi kështu me dhjetra mijra pashaporta nga 54 vende të botës;
ajo do ishte një pasuri e paçmuar dhe e pazëvëdësueshme për spiunazhin sovjetik për vitet që do vinin.
Qëllimi i përfshirjes së BRSS në Spanjë nuk ishte fitorja ushtarake, por loja për të futur në luftë Britaninë
dhe Francën e kështu për të ndezur luftën midis tyre, nga njëra anë, dhe Gjermanisë, Italisë e Portugalisë, nga ana
tjetër. Propaganda sovjetike e kohës vetëm mallkonte Britaninë e Francën për “indiferencën e tyre dhe fatin e
fëmijëve spanjollë”, ndërkohë që më 07-04-1935 në BRSS kishte dalë ligji i pushkatimit që nga mosha 12 vjeç e
sipër. Britania e Franca zgjodhën politikën e mos-ndërhyrjes në luftën e Spanjës. Plani i zgjuarsisë sovjetike
dështoi, sepse Britania e Franca nuk u futën në luftë dhe Lufta e Spanjës, e cila përfundoi më 01-04-1939, nuk i kaloi kufintë e saj; e kështu lufta botërore nuk filloi. Si rrjedhim, zbatuesit e planit, V. A. Antonov-Ovseenko dhe
Yan K. Berzin, u thërriten në Moskë ku arrestohen e pushkatohen.(Vijon)