Nga Ramiz LUSHAJ/
Në ditën e sotme të 101 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, teksa kryebashkiaku i Tiranës e lideri i PD e i opozitës së djathtë në opozitë, politikani i ri Lulzim Basha, po bante homazhe në Memorialin e Adem Jasharit,(foto 1) po mendoja se burrat e shtetit të çdo kohe e të çdo moshe përveçohen e lartohen si të tillë në karierën e tyre politike e publike edhe nga sjellja shpirtërore e jetësore në gjithanshmëri e vazhdimësi ndaj figurave emblematike të kombit. Kjo duket kjart në koft se iu bën një përballje krahasimore Edi Ramës e Lulzim Bashës me qëndrimin e tyre ndaj kryeheroit të Pavarësisë së Kosovës, legjendarit Adem Jashari.
Edi Rama, prej shtatë vitesh kryebashkiak i Tiranës e prej dy vitesh kryetar i PS e përuroi më 28 nëntor 2006 Bustin e vogël të Adem Jasharit në Rrugën e Durrësit, në anë të Bllokut të Ambasadave, (foto 2) të Cilin edhe në vizitën e parë kryeministrore në Prekaz, në shtator 2013, e cilësoi si “frymëzim e motiv për rilindje”. Kjo vepër e Skulptorit të Popullit, Thoma Dhamo, qëndroi aty, ashtu, për mbi gjashtë vite. Në 100 vjetorin e Pavarësisë, Lulzim Basha, prej dy vitesh kryebashkiak i Tiranës e, aktualisht, kryetar i PD e koalicionit të Opozitës së Djathtë, i dha përmasat meritore Adem Jasharit duke ia naltue një shtatore të madhe e të bukur, vepër e të shquarit Skulptor i Popullit, Muntaz Dhrami (foto 3). Një bust kaq i vogël për një burrë kaq të madh si Adem Jashari nuk e justifikon Edi Ramën, një piktor kariere, një pedagog të Institutit të Lartë të Arteve, një ish ministër i Kulturës në tre mandate qeverisëse, kryebashkiak me dy mandate, kryetar i ma të madhes parti të majtë në opozitë(!)
Edhe diçka tjetër dëshmon diferenca të ndjeshme të Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës. Kryebashkiaku Edi Rama një muaj para përurimit të bustit të Adem Jasharit doli me vendim të këshillit bashkiak për ngritjen e tij, ndërsa kryebashkiaku Lulzim Basha, më 28 nëntor 2011, gjatë homazheve tek memoriali i Adem Jasharit (foto 4) premtoi publikisht se do të ngrinte një shtatore. Plot një vit kohë dhe ajo u përurue në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Një tjetër dallim madhor: Edi Rama e kreu ceremonialitetin e përurimit të bustit me pjesmarrje pothuaj partiake. Nga Tirana zyrtare ishin kryebashkiaku Edi Rama, njëherash kryetar i PS, Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes e kryetar i PR, ndërsa nga Kosova një delegacion i PDK i kryesuar nga kryetari i saj Hashim Thaçi e Fatmir Limaj (nënkryetar), Jakup Krasniqi (sekretar i përgjithshëm), Xhavit Haliti e Ramë Buja, antar kryesie. Lulzim Basha, në përurimin e shtatores së Adem Jasharit, më 27 nëntor 2012, siguroi një pjesmarje mbarëkombëtare e mbipartiake: kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, etj.; nga Kosova: presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, etj.; nga familja e Jasharave, Rifat Jashari, vllai i heroit; nga Maqdonia: kryetari i BDI, Ali Ahmeti, etj.; nga Lugina e Preshevës, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, etj; përfaqësues nga shqiptarët e Malit të Zi dhe nga diasporat shqiptare në botë.
Sivjet, Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës e i Partisë Demokratike, në Ditën e Pavarësisë,në këtë 101 vjetor, bani prapë homazhe tek shtatorja madhështore e Adem Jasharit. Është një ritual i tij i përvitshëm qyshse kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, është nderim e mirënjohje për Adem Jasharin e UÇK-në, është vet ndërgjegjia e përkushtimi kombëtar i tij. Krejt ndryshe ngjet me Edi Ramën ndër vite: kur ishte kryetar i bashkisë së kryeqytetit, kryetar i socialistëve e i opozitës së majtë, kryeministër i Shqipërisë, që pas përurimit të bustit u pa aty vetëm një herë.
Në të njëjtin vit, më 1998, Edi Rama kthehet nga Parisi e bahet ministër i Kulturës, ndërsa Lulzim Basha nga Hollanda shkon në Kosovë, në UNMIK-un e OKB-së. Faktikisht Lulzim Basha është nga të parët e të vetmit liderë shqiptar që iu dha kënaqësia e mundësia të shkonte shpesh në Prekaz të Drenicës, edhe para se të ndertohej tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, pasi deri në fundvitin 2004 ishte në Prishtinë. Edhe Edi Rama ka shkue disa herë tek varri i Adem Jasharit, qyshse më 28 nëntor 2008. Po të marrim në krahasim vizitat e tyre të fundit: Lulzim Basha ishte me 12 qershor 2013 në Kosovë, kur iu dha titulli i lartë “Qytetar Nderi” i Prishtinës dhe Medaljen e Artë “Shkëlzen Haradinaj” në Deçan, bani vizita tek varri i Adem Jasharit e Ibrahim Rugovës, tek Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë e në Gllogjan të Deçanit, tek busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kosovë më 13 shtator 2013 foli në Kuvendin e Kosovës po nuk e përmendi Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, ndërkohë që në fillniset e përmbyllet me Rexhep Qosjen, pati takime me liderët e Kosovës, po bani vizita vetëm tek varri i Adem Jasharit dhe i Ibrahim Rugovës. Ndaj kur fjalatha tek varri i Adem Jasharit se Prekazi është frymëzim e motiv për rilindje, duket se është ma së shumti demagogji
Mendimi, qëndrimi e veprimi edhe ndaj Adem Jasharit është një nga treguesit që dëshmon se çfarë diference të madhe kanë ndërveti Lulzim Basha me Edi Ramën, se cili është portreti e pushteti real i tyre, se cilët janë parametrat e tyre politik e publik si burrshtetas të rinj.