PRISHTINË, 26 Shtator 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri Avdullah Hoti tha sot se, Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se veprimet e Dhomave të Specializuara burojnë nga detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore dhe kushtetuese, dhe duhet konsideruar si veprime të pavarura të drejtësisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës beson se drejtësia është mbi të gjitha, dhe se duhet respektuar plotësisht.
Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të pa tjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri, përfundon deklarata e kryeministit.
Kryeministri i Kosovës deklaroi kështu ndërkohë që të arrestuarit e parë nga Specialja janë dërguar në Hagë.
Të hënën, më 28 shtator, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e të arrestuarit të parë. Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë.