Akuzat e Ramës ndaj LSI dhe PDIU: pajisën me armë njerëz, futën në llum hipotekat, burgjet dhe AKU u bë si bandë…/
Karikature nga Bujar Kapexhiu-Kortezi”Mapo”/Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer akuzat në drejtim të dy ish-aleatëve të tij gjatë mandatit të parë qeverisës, LSI dhe PDIU-së, dhe ironizimet në drejtim të Partisë Demokratike. Në mbledhjen e Asamblesë, Rama referuar partisë që drejtohej nga Ilir Meta, sot President i Republikës, tha se “kanë pajisur me armë gjithë ata njërëz që mund të kthehen ne vrasës, pasi nuk janë në gjendje që ta drejtojnë mjetin në mënyrën e duhur. Kjo do të marrë fund”.
Rama përmendi llumin e madh në burgje dhe hipoteka, ndërkohë që paralajmëroi se përgjegjësit për llumin do të dalin para ligjit.“Kemi pasur llum kriminal dhe shtetëror në burgje dhe hipoteka. Në katër vitet e shkuara llumi ka arritur në nivele të papërfytyrueshme, do bëjmë qilizëm dhe do i bëjmë thirrje gjithë forcave të afta të ndërgjegjshme, nga ushtarakët në lirim që të bëhen pjesë e proçesit e nuk do ketë emërim partie në burgje, asnjë veteriner, masazhator e këngëtar që prezantohet si polic burgu. Ja i keni tundur zgjedhësve listat e bëra nga partia në burgje, mbushur me këngëtarë, masazhatorë, me lloj lloj njerëzish, kemi gjetur këngëtar dhe në asgjencinë e burimeve natyrore, këngëtarë të dështuar. Hipotekat u bënë një llum i madh”, tha Rama.
Pas akuzave ndaj LSI-së, Rama nuk ka kursyer as PDIU-në.
“AKU është një bandë shtetërore, ajo duhet të kalojë urgjent në shërbim ndaj qytetarëve, dhe jo si është si një thertore më vete. Gjaku në rrugë është barbari. Është për të vënë kujën kur theret një qen, një qenie e pafajshme, por askush nuk vë kujen për therjen më barbare kriminale të bagëtive ë sy të fëmijëve, familjeve, pa asnjë kusht higjenik. Thertoret do të mbyllen dhe do të funksionojnë sipas standardeve. Hollanda ther disafish më shumë se ne dhe ka vetëm tre thertore. Kjo duhet të marrë fund”, tha Rama.
Kryeministri nuk la mënjanë edhe seancën e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozita u ngujua për disa orë në sallën e seancave, pas përjashtimit të Lulzim Bashës, i cili nuk pranoi të largohej.“Ne jemi i vetmi vend që therim në parlament, therrim dhe në rrugë. Në parlament theret e vërteta, se procesi që ka filluar nga opozita është thyerja e rregullave dhe kthimi i parlamentit në një klub të degraduar.Është për të qarë kur dëgjojmë opozitën se na akuzon se ne po pengojmë vetingun. Ata shpresojnë që ne ta pengojmë vetingun. Godina e vetingut është trajtuar me përparësi nga ana jonë. Miqtë tanë ambasadorë kanë mbetur të mahnitur. Kur mahniten me gjërat e mira ata nuk e thonë”, tha Rama, duke premtuar se komisioneret e vetingut do të kene pagën më të lartë.
LSI punësoi deri dhe këngëtarë në administratë
Kryeministri Edi Rama ka shpotitur rëndë ish-aleatin e katër viteve të shkuara, LSI duke thënë se futi deri dhe këngëtarë në administratë.Pa e përmendur me emër, ankronimin tregërmësh të partisë së Metës, por dhe ndonjë këngëtar, Rama tha se të tillë janë gjetur deri në agjensinë e burimeve natyrore.Shefi i qeverisë kaloi në këtë pikë teksa po fliste në Asamble rreth zullumit, siç e quajti ai në sistemin e burgjeve. Ai iu drejtuar asambleistëve në fjalën e tij duke iu kujtuar listat e punësimit të LSI-së duke premtuar vende pune në burgje në këmbim të votës. Rama tha se ky sistem do pastrohet në mënyrë tërësore, pasi aty siç tha ai, janë punësuar deri dhë këngëtarë….dhe shtoi, “sigurisht të dështuar”.
Por kush është një prej këngëtarëve të punësuar nga LSI? Ky është Klajdi Musabelli, por ama jo në burgje por në ATSH si gazetar, pasi dhe ka përfunduar studimet në fakultetin e gazetarisë.
Kështu që nuk besohet që Rama ta ketë patur për të, gjersa as ATSH-në nuk e futi në listën e institucioneve ku duhet fshesa e tepsisë.
Ndërkohë, vetë Musabelli, edhe pse prej vitesh nuk është më aktiv në skena muzikore, nuk përfshihet tek të dështuarit.