• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti nderon dëshmorët e Komunës së Prishtinës

April 18, 2021 by dgreca

–Kryekuvendari Konjufca: Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit tonë/

Prishtinë, 18 prill 2021– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë sot homazhe te varret e dëshmorëve të Prishtinës, në Velani.

“Dëshmorët e kombit e bashkojnë popullin”, tha kryeministri Kurti në shënim të kësaj Dite, duke thënë se sot bënë nderime të varret e dëshmorëve të kryeqytetit,  të cilët luftuan për  liri dhe ranë heroikisht që të ngritet edhe kauza jonë, e më pas të vijnë çlirimi, liria dhe pavarësia.

“Andaj në kthehemi e rikthehemi në këto vende në mënyrë që t’i kujtojmë ata, t’ia përkujtojmë vetes çmimin e madh që ka paguar populli ynë me gjakun e vet, për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot, por në të njëjtën kohë edhe për të përkujtuar amanetet dhe idealet e tyre që të vazhdojmë për progres, për barazi, e mirëqenie që nuk e përjashton asnjërin”, u shpreh kryeministri Kurti.

Kryekuvendari Konjufca: Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit tonë/

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, nderuan sot dëshmorët dhe martirët që ranë për liri në Komunën e Prishtinës.

Të tre krerët shtetërorë fillimisht bën homazhe dhe vendosën lule në varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, duke vazhduar më pas në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në disa fshatra të Gollakut.

“Sakrifica e dëshmorëve qëndron e palëkundur në themelet e shtetit tonë. Pa sakrificën dhe rënien e tyre, nuk do të ishte e mundshme liria e popullit tonë, as shtetësia e pavarësia e vendit tonë”, tha z. Konjucfa.

Tutje, Kryekuvendari Konjufca, së bashku me Presidenten Osmani, vazhduan me nderime tek varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Makoc të Gollakut, të një prej masakrave më të tmerrshme të luftës në Kosovë.

“Ky është një akt i qartë i gjenocidit mbi popullin shqiptar të Kosovës. Qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë, meqenëse nuk u kursyen as fëmijët, as gratë dhe pleqtë”, tha ndër të tjera Kryetari Konjufca.

Më pas, Kryekuvendari Konjufca takoi disa nga familjarët e të rënëve të Marecit, me ç’rast çmoi lart kontributin e më të dashurve të tyre dhënë për liri.

“Sa të ketë gjallë popull shqiptar, do të kujtohet dhe do të nderohet gjithmonë beteja e Marevcit, 27 dëshmorët dhe 16 martirët e rënë për lirinë e Kosovës, për shtetin tonë”, theksoi pas homazheve Kryetari Konjufca.

Ndalesa e radhës e nderimeve e kryetarit të Kuvendit ishte te Monumenti Memorial i masakrës së Dyzit dhe Koliqit.

“Pjesa më e dhimbshme në këtë situatë është se nuk ka drejtësi”, tha Kryetari Konjufca para banorëve të fshatrave Dyz dhe Koliq.

Tutje, Kryekuvendari Konjufca vlerësoi lart sakrificën e të rënëve dhe dëshmorëve nga Ribari i Vogël i Lipjanit, ku po ashtu ndaloi për të bërë homazhe.

Vazhdën e vizitave dhe nderimeve ndaj dëshmorëve, Kryetari Konjufca e përfundoi me nderime para shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, deshmorete. Prishtines, kryeministri

Ditët kot të një kryeministri të lodhur

March 5, 2021 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Qysh se janë shpallur zgjedhjet e reja, kryeministri i Shqipërisë ka marrë “shkopin” si pleqtë e qëmotit e kontrollon çifligun rreth e qark. Sa herë ndërtohet apo rindërtohet një shtëpi e dëmtuar nga tërmeti, me çelësa në dorë, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, pasi i telendis me batuta e ironi të shplara, hallexhinjtë e pastrehë, duke u thënë se vetëm ai mund t’ua ndërtojë shtëpitë,  i detyron t’i thonë “faleminderit” dhe t’i përkulen deri në tokë, shpëtimtarit të tyre çorapekuq e këpucëgrisur. 

 Shkon pothuaj çdo ditë në stadiumin e Tiranës ( jo rrallë në Rinas për pritjen e vaksinave) e rri me orë sa të vaksinohen ca pleq trutharë, që i ka harruar edhe mortja vetë. Me psikologjinë e skllavit, kjo kategori pleqsh militant,  pa dinjitet, të zhveshur moralisht, deklarojnë atë, që nuk ua kanë thënë as fëmijëve të tyre: ” Març nga ditët tona! Tu bëftë dita njëmijë shoku kryeministër!” Më i turpshëm dhe i pandershëm është qëndrimi i udhëheqësit, që gjoja i keqardhur përgjigjet: Pupu! Mos e dhëntë zoti! E ku e dinë qyqarët skllevër se udhëhqësit as i kërcet fare për ta, por lutet  të jenë gjallë deri në 25 prill? Me këto shaqje të neveritshme Rama trysnon shqiptarët, që kanë nevojë për një vaksinë apo fatkeqët e tërmetit, duke u thënë  drejtpërdrejt: Po nuk u zgjodha unë sërish kryeministër ndërtimi i shtëpive dhe vaksinimi do të ndërpritet sepse jam unë ai, që ju ka siguruar paratë e tërmetit dhe po siguroj edhe vaksinat. Ai tall prapanicën me rregulloren KQZ-së dhe injoron faktin që kjo trysni e paturp, që u bëhet nevojtarëve ditën me diell, përbën vepër penale dhe si e tillë duhet trajtuar nga prokuroria speciale. 

 Nga dreka pasi ka marrë me vete dhe ditët shtesë të pleqve trutharë, tashmë të vaksinuar,  kryeministri fillon një nga pelgrinazhet e tij të pafundme në qytetin e Vlorës. Aty “shet” për të qindtën herë pedonalen ende të papërfunduar (vetëm ai e di sa ka kushtuar) si një sukses të Rilindjes. Pas kësaj shëtitorja anëdetit, nën britmat e daullet e militantëve, fotografohet  nga toka, ajri, deti ( gjiri i Vlorës është mrekulli e natyrës) e shpërndahet si një sukses i jashtëzakonshëm i Rilindjes.  Po çfarë ofron vërtetësisht kjo shëtitore, vepër e shekullit XXI? Në 3-4 km asfalt e beton, rrethuar me pallate, që zgjaten si xhungël betoni, nga anëdeti deri mbi kodrinat, me rreth 25 mijë banorë, dikur plot gjelbërim, sot bëjnë hije disa palma kokërjepura, me kurorë sa një qeleshe e lebërve tepelenas. Në të gjithë shtrirjen e saj nuk gjen asnjë bibliotekë, kinema, amfiteatër veror, muze të natyrës apo kujtesës, vepra arti ( kyeministri ka shpallur si të tillë një karburant) të paktën për ngjarjet e viteve 1991 apo 1997, galeri artesh, kopësht fëmijësh, shkollë, miniparqe të gjelbëruar për nëna me fëmijë apo të moshuar, pa folur për parkingje automjetesh. Nga Skela deri te Tuneli derdhen ujrat e zeza ( tetë kanale të tillë) dhe era e fekaleve pas orës njëzetë të mbrëmjes kutërbon dynjanë. Në verë nga ora 10.00 deri në orën 18.00 pedonalja është e papërdorshme. Ajo ndizet nga dielli përvëlues, betoni dhe asfalti, dhe nuk ka një hije, ku të futësh kokën apo një çezmë ku të freskohesh. Atëherë ku është këtu mrekullia tokësore e ndërtuar nga Rilindja, kur njerëzit, që vijnë me pushime nuk kanë çfarë të vizitojnë dhe me se të argëtohen?! Sa për ujë të kripur, rërë, mish të pjekur në hell dhe peshk importi, gjen kudo me bollëk. E keqja më e madhe është se  nuk  ka ndonjë cm2 bosh për të ndërtuar në të ardhmen vepra sociale. Ka të ngjarë me sa thuhet, që të mbillet me pallate dhe fusha para Shkollës së Marinës. Nga droni gjithçka duket bukur, por njerëzit nuk fluturojnë, ata jetojnë, ecin e argëtohen në tokë. Pas tetë vitesh ( shtatë vite ka që vazhdon pedonalja) kryeministri premton aeroport, rrugën Orikum-Llogora, tunelin Llogora-Palasë, dhënien me PPP të portit të Skelës, duke stërpërsëritur deri në pafundësi fjalët “ rregjimi i kaluar i PD-së, nuk bëri asgjë për Vlorën.” Zotëria haron ose bën sikur, sepse  Bashkia e Vlorës qysh nga viti 1997, drejtohet nga socialistët. 

Megjithatë Rama nuk po ndihet më i sigurt në Vlorë, ndaj la aty njërën këmbë e tjerën e zgjati deri në Durrës. Me vendosjen si drejtues politik nga PD-ja, të vlonjatit Bujar Leskaj, Rama e ka humbur qetësinë dhe sigurinë. Në Vlorë ka muaj, që është  ngritur fryma kundër Rilindjes, korrupsionit dhe demagogjisë. Me punën e mençur, eksperiencën organizative, këmbënguljen si drejtues politik dhe mbështetjen e gjerë të demokratëve, kryesia e PD-së së Vlorës po del nga gjumi i rëndë tetëvjeçar i pasigurisë dhe përtacisë. Burra, gra, vajza e djem po punojnë plot besim të bindin vlonjatët se 24 vjet drejtim i majtë, Vlora nuk është ajo që duan ata dhe nuk mund të trajtohet si pronë e  socialistëve. Në fshatrat e Vlorës, që Rama i ka quajtur si bastjone të sigurta, gjendja po ndryshon bindshëm në favor të PD-së. Nga këto ndryshime, kryeministrin po e lëshojnë nervat dhe si thashethemexhi i rëndomtë fshati, përgojon në mënyrë të përsëritur, drejtuesin politik të PD-së, për jetën e tij private, duke ironizuar, se është qejfli “rakie e qoftesh” dhe shtrembëron qëllimisht mbiemrin e tij…. Lufta politike është luftë programesh, arritjesh, dështimesh, suksesesh,  vizionesh, me fakte e vepra për zhvillimin e Shqipërisë.. Një gotë raki apo verë me miqtë në një ditë pushimi apo pas një pune të lodhshme është traditë shqiptare, nuk është mëkat dhe nuk dëmton as pozitën, as opozitën, as politikën e as familjen. Nëse flasim për politikanë përdorues hashashi e kokaine, këtu punët ndryshojnë. Por kjo është një histori me të cilën duhet të ishin marrë me kohë organet e specializuara. Lufta pa princip për marrjen e mbajtjen e pushtetit dhe mungesa e argumentit e ka shndërruar Ramën në njeri agresiv, arrogant, të padurueshëm, delirant, hakmarrës, dhe gënjeshtar. Të gjitha këto cilësi, si dhe lidhjet e dyshimta me biznesin e kanë transformuar përfundimisht despot të një shteti të varfër, ku skandalet ndjekin njëri -tjetrin. Pas vizitës në pedonalen e famshme, ku vazhdon të punohet, që prej vitit 2014, kryeministri kthehet në Fier dhe hedh një sy nga spitali në ndërtim i turqve edhe ky dhuratë për kryeministrin, nga shoku i vet Erdogan. Kapanonet njëkatëshe kilometrike, që ngjajnë si dikur kazermat e Ali Rizait në Fushën e Shallvareve, ka të ngjarë të jenë gati në afatin e caktuar. Një orë më vonë, shtatë makina të policisë, gardës dhe shërbimit informativ, shoqërojnë kryeministrin e Shqipërisë me sirena e borie drejt sarajeve të Surrelit, pas një dite të lodhshme, të harxhuar fare kot.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, kryeministri

KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!???

August 3, 2020 by dgreca

-KRYEMINISTRI EDI RAMA DEKLARON: KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!?-

Nga Frank Shkreli-

“Im at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”.  Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama gjatë një debati në parliament me disa deputetë të “opozitës”, të Enjtën që kaloi.  Me thënë të drejtën e dëgjova dy tre herë deklaratën e Kryeministrit shqiptar për të qenë i sigurt se vërtetë kështu u shpreh publikisht, madje nga foltorja e Kuvendit, kryeministri i Shqipërisë — i një vendi ish-komunist me regjimin më të egër të këtij lloji në botë, për pothuaj një gjysëm shekulli, aktualisht vend anëtar i NATO-s, një aleancë ushtarake që është themeluar, pikërisht, me misionin për të mbrojtur vendet demokratike perendimore nga kërcënimet e komunizmit sovjetik dhe aleatëve të tij. 

Nuk më intereson aspak se cilat ishin ose si i kujton Edi Rama marëdhëniet me babain e tij kur i ati i shërbente regjimit komunist të Enver Hoxhës, ose cilat janë kujtimet e tija familjare tani që i ati është i ndjerë.  Gjithashtu nuk më interesojnë as marrëdhëniet e Edi Ramës ose pikëpamjet tija për ballistët, zogistët ose këdo tjetër, pasi ata të gjithë meritojnë njëri tjetrin.

Po ajo që më intereson dhe më shqetëson mua si një shqiptar i diasporës që gjithmonë dhe pa dallim ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo, e që duhet të interesojë dhe të shqetësojë çdo shqiptar, pa dallime politike, fetare ose krahinore është kur Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit  nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë –se komunistët shqiptarë, në krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia — na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”.  Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, a po simpatizant i komunizmit sot.

Është e vështirë të merret me mend një Kryeministër i cilitdo vend tjetër ish-komunist në Evropë dhe më gjërë, që sot në fillim të dekadës së tretë të shekullit 21, të deklarojë se — komunistët shqiptarë, përfshir babain e tij, që i kanë shërbyer me besinkëri njërit prej regjimeve më kriminale që ka njohur historia e njerëzimit e shekullit të kaluar – kanë qenë në anën e duhur të historisë.  Gjatë “debatit”, Z. Rama e quajti veten “socialist-demokrat”, “në kuptimin e të qenit demokrat”, tha kryeministri.  “Socialistët, ta dishë”, shtoi ai, “janë anti-fashistë dhe anti-komunistë”. Nëqoftse socialistët na qenkan “antikomunistë”, atëherë si mund të ishin komunistët në anën e duhur të historisë?  “Socialistët, nuk merren me personat, ata merren me ideologji, kjo është ndarja e madhe”, theksoi ai. Por, ai nuk tha se për cilën ideologji e ka fjalën.

Unë nuk jam i sigurt se cilën audiencë kishte parasysh, Z. Rama kur deklaroi se komunizmi shqiptar ishte në anën e duhur të historisë: drejtuar një dyzinë antarësh të Kuvendit që gjoja quhet opozitë, ish-zyrtarëve të komunizmit, sot anëtarë të Kuvendit si përfaqësues të partisë së tij në pushtet, me maska në fytyrë, sikur duan të mbulojnë të kaluarën e tyre kriminale, si ish-shërbëtorë të komunizmit, “në anën e duhur” të historisë, a po iu drejtuar mbarë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ose ndoshta vetëm donte të mobilizonte “pionerët e Enverit”?.  Unë besoj se ky mesazh patetik i Z. Rama u drejtohej votuesve shqiptarë në përgjithësi, me një sy tek zgjedhjet e ardhëshme, për të aktivizuar elementët më negativ të shoqërisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha ishte një mesazh anti-njerëzor për të gjitha viktimat anti-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe të përndjekurve të atij regjimi dhe  ndaj të gjithë atyre që kanë kaluar vitet më të mira të jetës nepër kampet e përqëndrimit e që sot sillen rrugëve të Tiranës dhe të qyteteve të tjera pa punë, pa të ardhura e pa pronë, pa pikë shprese për veten dhe familjet e tyre.  E vetmja shpresë që kanë është për tu arratisur nga Atdheu siç arratiseshin dikur nga Shqipëria komuniste, paraardhësit e tyre.  Për fat të keq, kjo deklaratë e kryeministrit shqiptar, mbi të gjitha, u bë në frymën e Vladimir Leninit, me qëllim “që të përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne.” (Lenini). 

Të thuhet se “komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, nuk është një shprehje që del nga zemra dhe mendja e një demokrati të vërtetë evropian të fillim shekullit 21.  Kjo nuk është demokraci as “politikë opinionesh e përballje ideshë”, siç pretendoi gjatë “debatit”, Z. Rama.  Ky është një debat me veten tuaj, i nderuar kryeministër!  Fatkeqësisht, kjo që ndodhë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është as shprehje opinionesh as përballje ideshë, por është një pasqyrim i falimentimit moral dhe politik i një klase politike pa parime dhe pa atdhedashuri.  Por që pasqyron edhe atë që, për shumicën e shqiptarëve tani, është një korrupsion materialist në të cilin është zhytur vendi, jo vetëm politika e ditës por edhe një pjesë e madhe e medias dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, megjithëse i rrezikshëm dhe jo kurrë si në anën e duhur të historisë.  Por, sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër.  Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur, turpërisht, me shembjen e Murit të Berlinit.  Por, kjo magjepsje, kjo nostalgji e çmendur në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit — me të kaluarën komuniste në Shqipëri — siç dëshmon edhe deklarata e Kryeministrit Rama javën që kaloi — është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e të cilave po dokumentohen nga entet përkatëse të jashtme dhe të brendshme të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarëve të regjimit enverist.

Ata që janë moralisht të falimentuar, përsa i përket krimeve të komunizmit, anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi përdorte për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa mëshirë, kundërshtarët e vet.  Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, grupe të ndryshme, një pjesë e medias dhe nostalgjikët e komunizmit– për interesa të momentit– promovojnë regjimin komunist dhe figurat udhëheqëse më të shëmtuara të komunizmit shqiptar.  Tashti këtyre grupeve iu bashkua, zyrtarisht, edhe Kryeministi i vendit me deklaratën e tij bombastike se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Një deklaratë kjo e cila u interpretua nga disa analistë si një përpjekje e qartë për të paraqitur ndryshe nga ç’ishte historia kriminale e komunizmit në Shqipëri. 

I nderuar Z. Kryeministër, në vend të glorifikimit të komunizmit, si i pari i qeverisë së vendit, të takon, je i detyruar– politikisht, moralisht, por edhe kombëtarisht — që të ndihmosh në ndërgjegjësimin dhe në forcimin e dialogut rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale komuniste në Shqipëri.  Ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, është një rol që duhet të luaj personi i juaj, si një përgjegjësi morale dhe qytetare ndaj të gjithë shqiptarëve, pa dallim.  Sa larg ishte dhe është Shqipëria nga bota perendimore sa i përket komunizmit.  Ish-Presidenti amerikan John Kennedy, si një detyrim moral dhe patriotik kishte premtuar në kulmin e përhapjes së komunizmit në botë se për të ndaluar komunizmin, Amerika ishte gati të, “paguaj çdo çmim, të bartë cilëndo barrë, të përballojë çdo vështirësi, të mbështesë çdo mik, dhe të kundërshtojë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.  Liria në Shqipëri nuk mbrohet duke promovuar komunizmin, Z, Kryeministër.

Fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve dhe shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi, në media dhe panele televizive, nga njerëz të cilët ende mbajnë detyra me përgjegjësi, në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike.  Politika ka përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend, por këta ”këmisha bardhët me kravata” siç i quante Ronald Reagan, janë një ndër shkaqet kryesore që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri.  Këta duhet të mbahen përgjegjës aq sa edhe politika, për gjëndjen e mjerueshme në vend. 

Shqipëria jonë e vogël është me krime aq të mëdha e të kobshme të epokës së komunizmit, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban.  Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, për fat të keq, duket se Tirana zyrtare ka zgjedhur rrugën e harresës, tjetërsimit të historisë dhe anashkalimit të krimeve të komunizmit, kësaj radhe me sanksionimin zyrtar të Kryeministrit të vendit.  Jeni në rrugën e gabuar!  Historia e komunizmit shqiptar, prej pothuaj gjysëm shekulli, ishte një histori tmeri, viktimash të pafajshme, kampesh pune e përqendrimi, burgjesh, arratisjesh dhe ekzekutimesh të kundërshtarëve të regjimit enverist.  Z. Kryeministër, po mbroni një trashëgimi krimesh, gënjeshtrash dhe shpifjesh.  Komunizmi ishte një kapitull i tmershëm dhe i pa njohur më parë në historinë e njerëzimit, për nga natyra e krimeve që ka kryer mbi njerëz të pafajshëm.  Si e tillë, kjo histori monstroze duhet të dënohet, në vend që të promovohet si një histori e duhur nga ana juaj.  Diktaturat e të gjitha ngjyrave, sidomos komunizmi me mbi 100-milionë të vrarë — nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet të konsiderohen as sot si një sistem i duhur në historinë e Shqipërisë, as të njerëzimit.  Deklarata juaj, javën që kaloi, se komunistët dhe komunizmi 50-vjeçar në Shqipëri — megjithë krimet e mëdha në njerëz dhe dëmet materiale për të cilat nuk fole fare — ishin në anën e duhur të historisë, është e papërgjegjshme, ofenduese për të përndjekurit e komunizmit– të gjallë e të vdekur– imorale dhe kriminale për një kryeministër të një vendi anëtar i NATO-s. 

Frank Shkreli

Në artikullin e bashkangjitur, shkruar para tre vjetësh, mund të shikoni foto-skica nga Piktori Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe pikërisht kampi famëkeq i Tepelenës.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-piktori-i-kampeve-te-vdekjes-te-regjimit-te-enver-hoxhes/

Filed Under: Emigracion, Politike Tagged With: Frank shkreli, komunistet, kryeministri, kryeministri Rama

KRYEMINISTRI NUK FOLI SHQIP ME DIPLOMATET

January 11, 2019 by dgreca

-Për cilat arsye Kryetari i qeverisë rrëzoi standartin e komunikimit Institucional me diplomatët? Gjuha na drejton kah logjika! /

1 entela Kasi2

Nga Entela KASI/

Gjuha e Kryeministrit përballë diplomatëve të akredituar në Shqipëri, përveç jashtë standardit të komunikimit diplomatik, nuk ishte shqip. Disa fjalë nga osmanishtja nuk i përdor as turqishtja moderne në komunikimin institucional. Që të flasim për gjuhën, në rastin e shqipes e cila është një prej gjuhëve të rralla të botës, kjo mbetet temë për studiuesit, shkencetarët. Gjuha është kombi. Për tenecitetin e kombeve, është shprehur Çabej, mjeshtëri. Pyetja që shtrohet është tepër e thjeshtë. Përse Kryeministri i Shqipërisë në fund të takimit me diplomatët nuk foli shqip? Thënë shqip dhe shkurt ka disa çështje.

1. Cila është arsyeja e cila e drejton Kryeministrin Rama të dalë tej standartit të komunikimit institucional, e të rrëzohet në sy të botës, duke u veshur me agresivitet dhe fyerje ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës?

2. Përse Kryeministri i Shqipërisë zgjedh fjalët e osmanishtes kur i drejtohet diplomatëve kundër Institucionit të Presidentit të Republikës?

3. Pse gjuha e Kryetarit të qeverisë, është konfliktuale?

Komunikimi jashtë çdo standardi prej Kryeministrit si institucion, nuk ndihmon aspak në integrimin Evropian të Shqipërisë, e nuk ndihmon po ashtu as Kosovën. Për cilat arsye Kryetari i qeverisë rrëzoi standartin e komunikimit Institucional me diplomatët? Gjuha na drejton kah logjika!

Filed Under: Komente Tagged With: diplomatet, ENTELA KASI, kryeministri, shqipja

Kryeministri Haradinaj takon bashkatdhetarët mërgimtarë

July 31, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj: Lidhja që bashkatdhetarët i bëjnë Kosovës me popujt ku jetojnë, gjëja më e çmuar/

2 haard mergumPRISHTINË, 31 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në vende të ndryshme të Evropës, të cilët i falënderoi për kontributin e dhënë nëpër të gjitha etapat historike të shtetndërtimit të Kosovës.Kryeministri tha se në kohërat më të vështira të viteve ’90-ta, e gjithë Kosova ka jetuar prej tyre dhe çmoi lartë kontributin e dhënë nga diaspora për lirinë e vendit.

“Ndërtimin e lirisë, si një proces shumë i vështirë, ju e keni përkrahur, sidomos rimëkëmbjen e menjëhershme të pasluftës, kur Kosova ka qenë e shkatërruar dhe keni vazhduar ta përkrahni edhe më tutje”, tha kryeministri, duke veçuar anën financiare, si një gjë shumë të çmuar për Kosovën, e cila ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të saj.Më tutje, kryeministri Haradinaj tha se gjëja më e çmuar është lidhja që bashkatdhetarët i bëjnë Kosovës me popujt ku jetojnë.

“Është me rëndësi me dërgu porosi të mira”, tha kryeministri Haradinaj, duke lutur bashkatdhetarët që këto lidhje me popujt e vendeve ku jetojnë, t’i forcojnë edhe më tutje, duke u bërë shtetas të mirë të atyre vendeve ku jetojnë.Duke përmendur faktin se Kosova është anëtare e shumë organizatave të ndryshme ndërkombëtare, qofshin ato sportive apo të fushave tjera, kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka ende probleme që duhet t’i tejkalojë, por që po punon ngushtë me shtetet aleate të shtetndërtimit të saj.Kryeministri porositi bashkatdhetarët që të mos e harrojnë atdheun e tyre dhe ta ndihmojnë atë atje ku munden, duke premtuar që do të angazhohet në përmirësimin dhe zgjidhjen e shumë çështjeve që kanë të bëjnë me diasporën tonë dhe vendin.

“Tani është koha që ne po merremi me tema të mëdha, të cilat kanë mbetur pa u zgjidhur prej vitesh. Siç është tema e ambientit. Në shtator do ta pastrojmë në mënyrë gjeneralë Kosovën, Kosovën tonë, Kosovën tuaj, siç do të merremi edhe me shumë çështje që e preokupojnë diasporën, veçmas kartoni i gjelbër”, tha kryeministri Haradinaj.

 

Kryeministri Haradinaj zhvilloi bashkëbisedim me shumë prej përfaqësuesve nga diaspora, të cilët morën pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e Kryeministrit./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, kryeministri, takon bashkatdhetaret

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë dite e mrekullueshme! Pikniku ynë Tradicional i Komunitetit ishte një sukses i jashtëzakonshëm!
  • Botimi i katërt i librit “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit” tashmë është në qarkullim! 
  • Kryeministri Kurti vizitoi Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit
  • Interesting Facts about Albanian Film Festival Fan Noli 2025
  • ULMAR QVICK – PERSONALITET I SHQUAR I KULTURËS SHQIPTARE
  • Kujtimet dhe mbresat e një viti shkollor në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • “Vatra” e “Dielli” pjesë e thelbësore e historisë dhe identitetit shqiptar në diasporë
  • MARRËVESHJA E KORFUZIT DHE QËNDRIMI I FUQIVE TË MËDHA, DY DËSHMI
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI KRYETARIT TË DEGËS LONG ISLAND DR. PAULIN MARKU PËR NDARJEN NGA JETA TË MOTRËS
  • SHQIPTARËT NË MALIN E ZI PA KANAL TË VEÇANTË TELEVIZIONIN PUBLIK
  • Piluri – Sofër e Këngës Polifonike
  • Fan Noli dhe drejtimi i qeverisë shqiptare gjatë vitit 1924
  • Uji, njeriu, jeta…
  • Kosova – Kurrë pjesë e Serbisë: E vërteta historike e mohuar me qëllim
  • NAUM PRIFTI, PËRKUJTIM NË 2 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT