• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYEMINISTRI NUK FOLI SHQIP ME DIPLOMATET

January 11, 2019 by dgreca

-Për cilat arsye Kryetari i qeverisë rrëzoi standartin e komunikimit Institucional me diplomatët? Gjuha na drejton kah logjika! /

1 entela Kasi2

Nga Entela KASI/

Gjuha e Kryeministrit përballë diplomatëve të akredituar në Shqipëri, përveç jashtë standardit të komunikimit diplomatik, nuk ishte shqip. Disa fjalë nga osmanishtja nuk i përdor as turqishtja moderne në komunikimin institucional. Që të flasim për gjuhën, në rastin e shqipes e cila është një prej gjuhëve të rralla të botës, kjo mbetet temë për studiuesit, shkencetarët. Gjuha është kombi. Për tenecitetin e kombeve, është shprehur Çabej, mjeshtëri. Pyetja që shtrohet është tepër e thjeshtë. Përse Kryeministri i Shqipërisë në fund të takimit me diplomatët nuk foli shqip? Thënë shqip dhe shkurt ka disa çështje.

1. Cila është arsyeja e cila e drejton Kryeministrin Rama të dalë tej standartit të komunikimit institucional, e të rrëzohet në sy të botës, duke u veshur me agresivitet dhe fyerje ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës?

2. Përse Kryeministri i Shqipërisë zgjedh fjalët e osmanishtes kur i drejtohet diplomatëve kundër Institucionit të Presidentit të Republikës?

3. Pse gjuha e Kryetarit të qeverisë, është konfliktuale?

Komunikimi jashtë çdo standardi prej Kryeministrit si institucion, nuk ndihmon aspak në integrimin Evropian të Shqipërisë, e nuk ndihmon po ashtu as Kosovën. Për cilat arsye Kryetari i qeverisë rrëzoi standartin e komunikimit Institucional me diplomatët? Gjuha na drejton kah logjika!

Filed Under: Komente Tagged With: diplomatet, ENTELA KASI, kryeministri, shqipja

GJUHËT INDOEVROPIANE…GJUHA SHQIPE

January 3, 2017 by dgreca

550px-gjuhet_indo-evropianeNga Prof. Xhelal Zejneli/Gjuhët indoevropiane janë grup gjuhësh të cilat për nga krijimi i tyre janë të afërta. Ky grup i gjuhëve përbën familje gjuhësore të veçantë. Që nga lashtësia fliten ose janë folur në një brez të gjerë, prej skajit perëndimor të Evropës deri në cepin lindor të Indisë dhe deri në Turkestanin kinez, në zemër të Azisë. Prej zbulimeve gjeografike e këndej, këto gjuhë fliten edhe në zonat e të shpërngulurve në Amerikën veriore, qendrore dhe jugore, në Australi, në Zelandën e Re, pastaj në Siberi dhe gjetkë. Emërtimi“gjuhët indoevropiane” për këto gjuhë  është më i vjetri dhe i pranuar nga të gjithë. Pothuajse po kaq i vjetër është edhe emërtimi “gjuhët indogjermane”, që përdoret në vendet e shprehjes gjuhësore gjermane. Në Angli ngandonjëherë shfaqet edhe emërtimi “gjuhët ariane”. Mirëpo, termi arian i përgjigjet gjuhës së indianëve dhe të iranianëve të vjetër, të cilët janë të vetmit nga indoevropianët që e kanë quajtur veten arianë.

1-gjuhet-indoevropiane

Ngjashmëria ndërmjet gjuhëve indoevropiane, në shumë raste edhe sot është evidente. Për shembull fjala “tre” në indishten e vjetër është trayah, në greqishten e vjetër treis (në të vërtetë tres), në gotishte preis, në lituanisht trys, në sllavishten e vjetër trije, në latinisht tres. Kuptohet, ka edhe shumë fjalë të tjera që shqiptohen ngjashëm në disa gjuhë të kësaj familjeje. Në bazë të tyre, gjuhëtarët kanë ardhur në përfundim se në të kaluarën e largët banorët e hapësirave të lartpërmendura kanë folur në gjuhën e lashtë indoevropiane, d.m.th. në gjuhën e indoevropianëve të parë.     

Supozohet se atdheu i parë i indoevropianëve ka qenë diku në Evropën Qendrore dhe Juglindore, por ka të tillë që e vendosin në Azinë Qendrore. Pothuajse para gjashtë mijë vjetëve fiset indoevropiane kanë filluar të shpërndahen duke kërkuar hapësira të reja për t’u vendosur. Në këtë kohë bashkësia e parë gjuhësore indoevropiane fillon të shpërbëhet. Kështu lindën më vonë edhe degët dhe nëndegët e familjes gjuhësore indoevropiane. Gjuhë të caktuara indoevropiane përfshihen në to në bazë të afërsisë së ndërsjellë, diku të madhe, diku më të vogël.

Gjuhët indoevropiane gjuhëtarët i kanë ndarë në dy grupe: në grupin satem dhe në grupin kentum. Në gjuhët që i takojnë grupit satem, velarët palatalë të indoevropianishtes së stërlashtë k, g, g h kanë kaluar në sibilantë. 

Fjala satem buron nga gjuha avestike për numrin “njëqind” – satem. Ndërsa kentum rrjedh prej fjalës latine centum për numrin “njëqind”. Ka pasur studiues të cilët ndarjen e gjuhëve indoevropiane në satem dhe në kentum e kanë vënë në dyshim.Në familjen e gjuhëve indoevropiane bëjnë pjesë gjuhët, si më poshtë: 

  1. GJUHA SHQIPE

Përbën degë indoevropiane të veçantë. Nuk është aq e afërt me asnjërën nga gjuhët e njohura indoevropiane. Sipas gjuhëtarëve eminentë evropianë, sidomos gjermanë dhe austriakë, shqipja është pasardhëse e gjuhës ilire. Flitet: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në viset shqiptare në Maqedoni, në viset shqiptare në Mal të Zi, në Çamëri. Në Ballkan, gjuha shqipe flitet prej shtatë milionë shqiptarëve. Shqipja flitet edhe në ngulimet e arbëreshëve në Kalabri dhe në Sicili, në Zarë të Dalmacisë në bregdetin kroat (lagjja Arbanasi) etj. Shqipja flitet edhe në diasporën shqiptare në Evropë, në ShBA, në Kanada, në Australi. Një numër i madh i shqiptarëve banojnë në Turqi.

Gjuha shqipe i ka ruajtur tiparet thelbësore të trashëguara nga një fazë e hershme indoevropiane, siç janë sistemi i rasave dhe zgjedhimi foljor, natyrisht, me ndryshime të dukshme të përftuara në rrjedhën e shekujve. Ajo ka edhe një fond të konsiderueshëm fjalësh të trashëguara, si: ditë, natë, dimër, ujk, ujë, punë, zemër, i lehtë, i thellë, i rëndë, jam, kam, bie, ha, pi etj. Ky fond i trashëguar arrin në rreth 2000 fjalë të parme, nga të cilat janë formuar shumë fjalë të tjera të prejardhura, të përbëra dhe të përngjitura, si p.sh.: punëtor, punëtori, punishte, punoj, punim, punonjës, punëdhënës etj. Sipas studiuesve të huaj, shqipja ndodhet pikërisht te rrënja e gjuhëve indoevropiane.  

Disa fjalë në GJUHËN ILIRE kanë shënuar shkrimtarët antikë. Emra të përveçëm vendesh e njerëzish janë ruajtur në veprat e shkrimtarëve antikë apo në mbishkrimet ilire. Për ilirët dhe Ilirinë bëjnë fjalë burimet e autorëve antikë grekë e latinë dhe bizantinë të hershëm, prej kohëve të lashta homerike deri në shekullin VII të e.s. (Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Instituti i Historish dhe i Gjuhësisë i USHT-së, 1965, vëll. I, ribotuar në vitin 2002).

Fise të veçanta ilire, panojët dhe tesprotët përmenden në poemat Iliada dhe Odisea. Emri i përbashkët ilirë del vetëm në shekullin V p.e.r. te Herodoti. Iliria e banuar nga ilirët, përmendet për herë të parë në gjysmën e dytë të shekullit IV p.e.r. nga Demosteni si fqinje perëndimore e Maqedonisë.

Nga gjuha ilire janë ruajtur pak glosa, si: sika – thika, peli – qelq (Epir), aspetos – i shpejtë (Epir), sabaja – një lloj birre etj.; emra njerëzish si Bardhyl; Dardania -dardhë, Dalmatia – delme – dele, ulkin – ujk,  bala – balë, daz – dash etj.  

  1. GJUHA ARMENE

Po ashtu është degë e veçantë. E flasin armenët në atdheun e tyre dhe jashtë tij, armenët në emigracion. Njihet në dy forma:armenishtja klasike dhe armenishtja e sotme e re. 

  1. DEGA INDO-IRANIANE

      Nëndega indiane– Gjuhët e vjetra indase: gjuhavede dhe sanskritishtja;gjuhët indase të mesme prakërt, siç janë: pali, shaurasen dhe maharashtri si dhe një numër i madh i gjuhëve të reja indase: gjuhët letrare – gjuha urde në Pakistan dhe gjuha hindu në luginën qendrore dhe perëndimore të Gangesit dhe në Rajasthan, gjuha guxharat në Guxharat, gjuha penxhap në rrjedhën e epërme të Indit, gjuha pahar në Himalaje dhe në Nepal, gjuha land në luginën qendrore të Indit, gjuha sind përgjatë rrjedhës së poshtme të Indit, gjuha marat në Maharashtri në anën e pasme të Bombeit, gjuha bihar në Bihar dhe në luginën lindore të Gangesit, gjuha orise në Orissi, gjuha bengale rreth grykës së Gangesit në Bengal.

Jashtë Indisë fliten gjuha sinkaleze në Sri-Lankë, gjuha nepale në Nepal, gjuha cigane ose rome, gjuhë e ciganëve apo e romëve evropianë.

Në Pakistan fliten sot 60 gjuhë, me gjuhën urdu si gjuhë kombëtare. Në Indi fliten sot 200 gjuhë, 14 nga të cilat mësohen. Ka dhe shumë dialekte. Gjuhë zyrtare është indishtja.

Në gjuhën sanskrit (indishtja e vjetër) është shkruar Mahabharata (Historia e madhe e Bharatas) njëri nga dy eposet e mëdha të letërsisë sanskrite në Indi, i konsideruar si një prej teksteve të shenjta hindu. Përfshin 110.000 kuplete (215.000 vargje) dhe mbase është poema më e gjatë në letërsinë botërore. Tema qendrore e saj është lufta ndërmjet dy familjeve që janë në lidhje fisnore, Kauravas dhe  Pandavas, që në fund del fituese. 

Mahabharata nuk është vepër e një poeti të vetëm, por përfaqëson një varg të tërë poezish të rapsodëve të Indisë së lashtë. Ka të ngjarë të jetë përpiluar ndërmjet viteve 400 para erës së re dhe 200 të erës së re.

Nëndegës iraniane të degës indo-iraniane i takojnë: prej gjuhëve të vjetra iraniane –gjuha avestike, d.m.th.gjuha e librave të shenjtëtë ithtarëve të Zaratustrës, gjuha e vjetër persiane me të cilën janë shkruar mbishkrimet të mbretit të Persisë – Darit dhe të trashëgimtarëve të tij; gjuhët e mesme iraniane: gjuha pehlevi, gjuhë persiane nga fisi i sundimtarëve Sasanid, gjuha part, horezmike dhe sodike e partëve dhe pasardhësi bashkëkohor i saj gjuha jagnobike në lindje të Samarkandit. Gjuha sodike ka qenë e afërt me gjuhën e vdekur skite që e kanë folur skitët.

Supozohet se nga gjuha skite rrjedh gjuha osete e sotme – gjuhë iraniane në Kaukaz. Në Azerbajxhan fliten gjuhët iraniane: gjuha tal dhe gjuha tat.

Në gjuhën kurde flasin 25 milionë kurdë të Kurdistanit, d.m.th. në Irak, në Turqi, në Iran dhe në Siri. Gjuha pashto ose afgane është gjuhë zyrtare në Afganistan, kurse gjuha baluxhe flitet në krahinën Baluxhistan të Pakistanit. Në Pamir fliten disa gjuhë pamiri.

  1. DEGA BALTIKE-SLLAVE 
  1. Nëgjuhët baltike bëjnë pjesë: lituanishtja, letonishtja dhe prusishtja e vjetër e vdekur.

      Gjuhët sllavepërbëhen prej tre grupeve: gjuhët sllave lindore, ku bëjnë pjesë:   rusishtja, ukrainishtja dhe bjellorusishtja; gjuhët sllave perëndimore, ku hyjnë: polakishtja, polapishtja e vdekur, çekishtja, sllovakishtja, gjuha luzhe e epërme, gjuha luzhe e poshtme; dhe gjuhët sllave jugore, ku bëjnë pjesë: kroatishtja, serbishtja, sllovenishtja, bullgarishtja, maqedonishtja dhe forma e vjetër e saj sllavishtja e vjetër.

Në grupin e gjuhëve sllave jugore pretendojnë të përfshihen edhe: gjuha boshnjake dhe gjuha malazeze. Sipas shkollës serbe, kroatishtja, gjuha boshnjake dhe gjuha malazeze nuk janë veçse serbishte apo dialekte të saj.

Edhe bullgarët e mohojnë ekzistimin e maqedonishtes. Sipas tyre, maqedonishtja popullore është bullgarishte.

Pesë degët e lartpërmendura të gjuhëve indoevropiane bëjnë pjesë në grupin satem.

*   *   *

Për dallim nga grupi i mësipërm i gjuhëve indoevropiane, te të cilat velarët palatalë (qiellzorë) k, g, g h kanë kaluar në sibilantë, grupi kentum i gjuhëve indoevropiane që pasojnë më poshtë, velarët palatalë i ruan si velarë.

Pothuajse të gjitha gjuhët kentum i takojnë pjesës perëndimore të hapësirës së banuar me indoevropianë.

  1. DEGA KELTE

Prej saj, deri në vitet ’70 të shekullit XX, janë ruajtur deri diku tri gjuhë: bretonishtja në Bretanjë, e cila, nën ndikimin e frëngjishtes është në zhdukje e sipër, gjuha velse dhe gjuha skoceze.Nëndegës ishullore të gjuhëve kelte i takojnë edhe gjuha man në ishullin Man dhe gjuha kornike e vdekur në Cornwall. Gjuha kelte apo gjuha e galëve në pjesë kontinentale ka vdekur në shekujt e parë të epokës sonë, por fushatat luftarake të keltëve e përhapën në tërë Galinë, në Spanjë, në Italinë veriore, në Panoninë e lashtë (hapësirë e rrafshët në Hungari dhe në Vojvodinë – Serbi), në Ballkan, deri në Azi të Vogël, ku disa emra në gjuhën kelte ruhen edhe sot, si p.sh.: krahina Galatia në Azi të Vogël.Beogradin e quanin Singidunum.

  1. GJUHËT GJERMANIKE

Ndahen në nëndegën lindore, me përfaqësuesen kryesore – gotishten e vdekur; në nëndegën veriore, me gjuhët: islandishtja, norvegjishtja, suedishtja dhe danishtja; në nëndegën perëndimore, me gjuhët: gjermanishtja me dialektet e saj të larta dhe të ulta, gjuha frige në Friesland, holandishtja në Holandë me afrikansën (gjuhë e emigracionit holandez në Afrikën e Jugut) si dhe anglishtja.

  1. DEGA ITALIKE

Në fillim janë folur gjuhët e vjetra në Italinë qendrore, si: nëndega latino-faliske me gjuhën latine, fillimisht gjuhë e qytetit të Romës dhe e krahinës së Lacisë dhe me gjuhën faliske, gjuhë e qytetit të Falerisë; nëndega osko-umbre, me gjuhën oske dhe me gjuhën umbre.Pas një kohe, latinishtja mbizotëroi mbi të gjitha gjuhët e tjera italike dhe u bë gjuhë botërore e Perandorisë Romake.Nga e ashtuquajtura latinishte vulgare (popullore) lindën GJUHËT ROMANE apo NEOLATINE të sotme, siç janë: portugalishtja, spanjishtja, katalonishtja, gjuha provansale, frëngjishtja, tre grupet e dialekteve retoromane në Alpe të cilat disa i konsiderojnë si gjuhë të veçanta: grupi grizhun, tirol dhe furlan, gjuha istroromane në zonën prej Pulle deri në Rovinj (qytete në bregdetin kroat dhe slloven) në Istrie, gjuha istrorumune në disa fshatra të Uçkës (Uçka), gjuha dalmate e vdekur në bregdetin kroat, prej Kërke deri në Dubrovnik (flitej deri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX).

Këtu përfshihen edhe do gjuhë që fliteshin jashtë Evropës, e që ishin zhvilluar mbi bazën romane, si p.sh. gjuha haite, kreole.

Në veri të Danubit ndodhet Dakia, vend i vjetër në Evropë, sot Rumania. Perandori romak Marko Ulpie Trajani (sundoi në vitet 98-117) në vitet 101-107 pas K. e pushtoi Dakinë. Banorët e saj – dakët, u romanizuan. Rumanishtja është e vetmja gjuhë neolatine e folur në Evropën lindore, e cila u zhvillua nga latinishtja që e solli aty Trajani. Romanë konsiderohen edhe moldavët, vllehtë, cincarët (arumunët).Në shekullin VI gjuha latine del nga përdorimi publik dhe mbetet të përdoret kryesisht nëpër kisha.

  1. GJUHA GREKE

Sikur shqipja dhe armenishtja, edhe greqishtja përbën një degë indoevropiane të veçantë. Dallohen: greqishtja e vjetër e cila kishte një numër të madh dialektesh; greqishtja e mesme (bizantine) dhe greqishtja e sotme (e re).

  1. DEGA ANATOLIKE

Në lashtësi, në Azi të Vogël janë folur disa gjuhë të vdekura. Në radhë të parë është hetitishtja, gjuhë e Perandorisë Hetite në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. Kjo gjuhë u zbulua në fillim të shekullit XX në pllaka argjile që u zbuluan prej arkeologëve në lindje të Ankarasë, në Turqi. Pastaj gjuhët që janë të afërta me hetitishten, si gjuha luvike, palaje; gjuhët më të reja të Azisë së Vogël, po ashtu të vdekura, siç janë: gjuha likike, gjuha lidike, mbase edhe gjuha karike.

  1. DEGA E TOKARISHTES

Në Turkestanin kinez, në lindje, janë gjetur shkrime në dy gjuhë. Emri i tyre i vërtetë nuk dihet. Në literaturë i quajnë: tokarishtja A dhe tokarishtja B.

*  *  *

GJUHËT INDOEVROPIANE TË VDEKURA

Përpos gjuhëve anatolike – hetitishtes dhe tokarishtes janë edhe do gjuhë të tjera indoevropiane të vdekura. Në Azi të Vogël, në lindje të Lidisë, Mizisë dhe Karisë janë gjetur ca mbishkrime në gjuhën frige. Sipas legjendave, frigasit në Azi të Vogël kanë ardhur prej Gadishullit Ballkanik, e që andej në Armeni, kështu që disa mendojnë se frigishtja ka qenë mjaft e afërt me armenishten.

Në Maqedoninë antike është folur maqedonishtja. Sipas studiuesve grekë, maqedonishtja ka qenë një dialekt i greqishtes së vjetër. Ka studiues që thonë se nuk dihet në mënyrë të sigurt në ka qenë ndonjë dialekt i greqishtes së vjetër apo gjuhë në vete. Çështjet që ndërlidhen me gjuhët dhe me prejardhjen e popujve, shpesh në histori janë interpretuar njëanshëm për qëllime politike.

Në krahinën e Apulisë në Italinë jugore janë gjetur mbishkrime të shkruara në mesapishte – dialekt i veçantë i ilirishtes. Ka studiues që thonë se mesapët në gadishullin italian kanë ardhur nga Ballkani.

Në rajonin e Venetit të sotëm në veri të Italisë, para ardhjes së romakëve është folur venetishtja. Një kohë të gjatë është konsideruar si një dialekt i ilirishtes. Më vonë do studiues e konsideruan si një degë indoevropiane të veçantë.

Në periudhën antike, deri në shekujt e parë të erës së re, në Iliri është folur ilirishtja. 

Trakishtja ka qenë gjuhë e fqinjëve veriorë të grekëve – trakasve. Prej trakishtes janë ruajtur vetëm disa fjalë dhe dy mbishkrime të shkurtra. Trakia në kohën antike ka qenë vend i Heladëve në veri. Sot është pjesë e Bullgarisë, e Greqisë dhe e Turqisë. Në vitin 1923, e gjithë traka në lindje të lumit Maricë në Bullgari, iu rikthye Turqisë dhe quhet Rumeli.

*  *  *

PELLAZGËT – Pellazgët kanë qenë popullsi e lashtë mesdhetare parailire dhe paragreke. Sipas autorëve antikë – Homerit, Hesiodit, Herodotit, Tukididit etj. – pellazgët kanë banuar në pellgun e Egjeut dhe në bregdetin perëndimor të Azisë se Vogël, në Peloponez, në Greqinë qendrore, në Thesali e gjetkë. Përcaktimi i karakterit etnik të kësaj popullsie ishte shtruar si çështje qysh në lashtësi, p.sh. nga Straboni.

Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare pikëpamja se nga pellazgët e ka prejardhjen populli shqiptar u përkrah si mbështetje për të treguar lashtësinë e tij.

Pikëpamjet e sotme më të rëndësishme mund të përmblidhen në dy qëndrime kryesore:

  1. Në Ballkan dhe në Mesdhe ka jetuar një popull i stërlashtë me emrin pellazg, që shërbeu si bazë për formimin e popujve të mëvonshme të kësaj treve. Gjuha e tyre – pellazgjishtjaduhet konsideruar si një gjuhë e parë indoevropiane;
  2. Në kohën e stërlashtë në Ballkan dhe në Mesdhe nuk ka pasur një popullsi të njëjtë dhe as një emër të njëjtë për të gjitha këto treva.

Ndaj, sipas disa studiuesve, emërtimet pellazgë dhe pellazgjishte janë të pasakta. Në këtë rast banorët quhen parailirë, paragrekë dhe parathrakë, kështu që përjashtohet mundësia e përcaktimit të karakterit të tyre etnik.

PELLAZGJISHTJA 

Sipas disa studiuesve, gjuha e pellazgëve është gjuhë e panjohur. Disa të dhëna për të, nxirren në mënyrë të tërthortë. Janë bërë përpjekje për të zbuluar lidhje të pellazgjishtes me gjuhë të tjera indoevropiane. E kanë afruar atë herë me ilirishten dhe nëpërmjet saj me shqipen, herë me thrakishten, herë me gjuhët gjermanike etj.

Si mbetje të pellazgjishtes janë vështruar disa fjalë të greqishtes dhe disa emra vendesh, njerëzish dhe perëndish, me disa prapashtesa të veçanta, që nuk i kanë të njëjtat tipare fonetike që e karakterizojnë greqishten.

Që në shekullin XVIII, e veçanërisht me rilindësit e shekullit XIX, nga studiues shqiptarë dhe të huaj u hodh dhe u trajtua teza e lidhjes së pellazgëve me shqiptarët dhe e pellazgjishtes me shqipen.

Për të treguar lashtësinë e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve e shtjelluan sidomos rilindësit De Rada, Dhimitër Kamarda, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri.

Në mënyrë të veçantë këtë tezë e trajtoi dhe e bëri të njohur në rrethet shkencore evropiane diplomati, filologu dhe albanologu austriak, i konsideruar themelues i studimeve shqiptare Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869).

Gjatë shekullit XX me pellazgët dhe me pellazgjishten janë marrë disa gjuhëtarë të njohur, si linguisti gjerman Paul Kreçmer (Paul Kretschmer, 1866-1956), linguisti dhe filologu bullgar Vladimir Ivanov Georgiev (1908-1986), gjuhëtari dhe studiuesi belg Albert Joris van Vindekens (Albert Joris van Windekens, 1915-1989), linguisti austriak Fric Lohner-Hytenbah (Fritz Lochner-Hűttenbach, 1930–) etj. Vindekensi pellazgjishten e quan gjuhë indoevropiane.

*   *   *

Në vitet ’60 të shekullit XX tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe e ka mbrojtur edhe pellazgologu i parë shqiptar – Prof. Spiro N. Konda, filolog, helenist dhe historian, i lindur në Korçë, i diplomuar në Universitetin e Athinës, autor i librit historiko-filologjik“Shqiptarët dhe problemi pellasgjik”, të botuar në vitn 1962 në gjuhën greke, por edhe në Korçë më 1964 në gjuhën shqipe.

Tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve e ka mbrojtur edhe pellazgologu i shquar Prof. Dhimitër Pilika (Korçë, 1923-2003, Tiranë) në librin “Pellazgët, origjina jonë e mohuar. Cilët janë pasardhësit e pellazgëve”, Botimet enciklopedike, Tiranë, 2005..Prof. Pilika studioi drejtësinë në Universitetin e Sienës në Itali. Është nip i Thimi Mitkos.

GJUHËT QË FLITEN NË EVROPË, E QË NUK I TAKOJNË FAMILJES SË GJUHËVE INDOEVROPIANE

Nuk u takojnë gjuhëve indoevropiane: gjuha baske, finlandishtja, hungarishtja, estonishtja (në Baltik).Familjes së gjuhëve indoevropiane nuk i takon as turqishtja. Gjuha finlandeze i takon grupit baltiko-fin të gjuhëve ugro-fine dhe është e afërt me estonishten. 

Gjuhën baske (baskishten) e flasin në vendin baskëve (në Spanjë dhe në Francë) rreth një milion folës. Nuk lidhet me ndonjë gjuhë të njohur dhe ndoshta është mbetje e gjuhëve para-indoevropiane të Evropës. Hungarishtja është një nga gjuhët ugro-fine dhe është e vetmja gjuhë e madhe e degës ugrike.

*  *  *

STUDIMET E PARA TË GJUHËVE INDOEVROPIANE

Qysh në lashtësi u pa se ndërmjet greqishtes dhe latinishtes ka disa ngjashmëri. Por, për paraqitjen dhe për zhvillimin e indoevropianistikës ndikoi vetëm njohja e Evropës me kulturën indiane dhe me sanskritin.Që nga fundi i shekullit XVI u vërejtën ngjashmëri të caktuara të sanskritishtes me disa gjuhë evropiane. Jehonë më të madhe patën mendimet e orientalistit anglez Viliem Xhonsit (Wiliem Jones, 1746-1794) i cili kishte shërbyer në Indi.

Poeti dhe kritiku gjerman Fridrih Shlegel (Karl Wilhelm Friedrich Schlegel, 1772-1829) dhe romantizmi i hershëm, konstatimet e Xhonsit (Jones) lidhur me sanskritin i pritën me entuziazëm.

Në këto rrethana u paraqit vepra e njohur e studiuesit gjerman Franc Bopit (Franz Bopp, 1791-1867) “Mbi sistemin e zgjedhimit të sanskritit, krahasuar me sistemin e zgjedhimit të gjuhës greke, latine, persiane dhe gjermane”. 

Kjo vepër merret si fillim i periudhës krahasimtare në historinë e gjuhësisë. Bopi është një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur. Është i pari që argumentoi se shqipja bën pjesë në trungun e gjuhëve indoevropiane. Është autor i veprës “Gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane” (1833-1852). 

Në dhjetëvjeçarët e ardhshëm indoevropianistika mori një zhvillim të hovshëm. U shtruan çështje që kishin të bënin me gjuhën para-indoevropiane, me atdheun e hershëm të para-indoevropianëve dhe me popullin para-indoevropian.

U paraqit teoria e linguistit gjerman August Shlajerit (August Schleicher, 1821-1867) – Teoria e trungut gjenealogjik të gjuhës indoevropiane si dhe Teoria e valëve (Wellentheorie) e linguistit gjerman Johan Shmitit (Johannes Schmidt, 1843-1901).

Në vitin 1861 August Shlajeri botoi veprën e tij të madhe Përmbledhje e gramatikës krahasuese të gjuhëve indogjermane. Tentoi ta bëjë edhe rikonstruktimin e gjuhës proto-indoevropiane. Filloi botimi i revistave linguistike të rëndësishme.

U paraqitën drejtimet kryesore në shkencën e gjuhësisë, siç janë komparativizmi i hershëm, natyralizmi biologjik, psikologjizmi dhe Teoria mbi botën e filozofit dhe gjuhëtarit gjerman Humbold (Karl Vilhelm, baron Von Humbold, 1767-1835).

Me veprat e gramatikanëve të rinj, kjo periudhë e formimit të gjuhësisë arriti kulmin e vet. Në vitin 1880 doli vepra e linguistit dhe leksikografit gjerman Prof. Herman Paulit (Herman Paul, 1846-1821) “Parimet e historisë së gjuhës”, me të cilën u vunë bazat teorike të shkencës së gjuhësisë. 

Gramatika krahasuese indoevropiane u bë model i studimit të familjeve të tjera gjuhësore dhe burim i rëndësishëm i njohjes së gjuhës në përgjithësi.

Në fillim të shekullit XX, me linguistin zviceran Ferdinand de Sosyrit (Ferdinand de Saussure, 1857-1913), shpejt e zëvendësoi në atë rol linguistika e përgjithshme, por ndikimi i gramatikanëve të rinj në vende të caktuara ende ishte i fuqishëm.

*  *  *

FAMILJE TË TJERA GJUHËSH

Familja e gjuhëve uralo-altaike, gjuhët hamite, gjuhët semite – Përpos familjes indoevropiane të gjuhëve, ekzistojnë edhe familje të tjera gjuhësh, si: gjuhët uralo-altaike – grup gjuhësor turan në të cilin bëjnë pjesë gjuhët: ugro-fine (hungarishtja…), samojed dhe altaike, përkatësisht manxhu-tunguze, turko-tatare dhe mongole. 

Gjuhët hamite fliten prej popujve hamit të cilët banojnë kryesisht në Afrikë, siç janë berberët, egjiptianët e vjetër, koptët etj.

Në grupin e gjuhëve semite bëjnë pjesë: gjuha babilonase, gjuha asirike, hebraishtja e vjetër, gjuha fenikase, gjuha arameike dhe gjuha sirike, arabishtja, etiopishtja e vjetër (gejez), gjuha amhar – gjuhë e Etiopisë bashkëkohore dhe disa gjuhë të tjera etiopike. 

Izraelishtja e sotme quhet ivrit.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjuhet indoevropiane, shqipja, Xhelal Zejneli

New York Times: Shqipja në mesin e tri gjuhëve më të vjetra të botës

August 24, 2014 by dgreca

SHBA- Gjuha shqipe renditet si një ndër tre gjuhet më të vjetra në botë. Ky fakt publikohet nga prestigjiozja amerikane, New York Times.
Sipas New York Times, ndër gjuhët më të vjetra në botë është armenishtja, e dyta greqishtja e më pas vjen shqipja, prej nga e rrjedhin shumë gjuhë të tjera.
Prestigjozja amerikane shprehet se ‘studiuesit kanë studiuar evoluimin e fjalëve në 103 gjuhë moderne dhe të lashta nga familja Indo-Europiane dhe kanë krijuar një pemë që sipas tyre dëshmohet lidhja mes gjuhëve të ndryshme.
Harta sic e shihni tregon 3 degë të mëdha që shpërndahen më pas në degëzime të tjera.
Ja një skicë që paraqet New York Times.(BW)

Filed Under: Kronike Tagged With: gjuhe e Vjeter, shqipja, The New York Times

Georges Leka : “Shqipja në Historinë e qytetërimit Europian “ në Paris

June 30, 2014 by dgreca

Studiuesi Georges Leka zhvilloi një takim në Paris në Galerinë Espas të qëndrës ALBinfos , organizuar nga ALBATROY dhe ALBINFOS me temë “Shqipja në Historinë e Qytetërimit Europian”, ku ishin të pranishëm njerez të njohur të artit dhe të kultures. Ky takim ku ishte i pranishëm edhe ambasadori shqiptar në Paris, Dritan Tole ishte i pari në rradhë nga cikli bisedave që vë në fokus shqipen dhe rolin e saj në Historinë e Qytetërimit Europian”.
Zamir Mati, artist i cili prej vitesh jeton në Paris, një nga organizatorët e aktivitetit i tha ATSH-se se, se studiuesi Leka, shpjegoi dhe prezantoi në këtë takim, metodën e zgjedhur duke u ndalur e mbështetur në mjaft referenca të deritanishme të historisë, gjuhës, arkeologjisë, dokumentave materiale dhe studiuesve me botimet e shumta të kësaj teme.
Ai u ndal, në rëndësinë dhe këndvështrimin shkencor larg interpretimeve politike, rënies në gjykime nacionalizmash dhe interpretimeve pasionante e delirante ku shpesh nga mosnjohja e mos respektimi i kritereve shkencore e historike shfaqen qëndrime e ide të gabuara në mjaft ndërmarje të tilla prej amatorësh…
Një rëndësi të veçantë për studiuesin Georges Leka ka edhe zhvillimi i jashtëzakonshëm i informatikës dhe teknologjisë e cila ka zhvilluar duke e demokratizuar jo vetëm pasurimin e informacionit në komunikimin e njohjen e shpejtë por edhe pjesmarrjen e mbështetjen shkencore mbi trashëgimin historik, arkeologjik të materialeve nga gjithë kultura historike botërore e njohur deri tani larg kufizimeve që kohët e mëparshme dhe politikat shovene pengonin e pengojnë herë, herë njohjen e plotë të të gjithë materialeve historike ( sidomos shkrimeve të vjetra ) ekzistuese që edhe mbahen të mbyllara padrejtësisht në arkiva apo zhduken për qëllime të këqia Një nga mjetet më të rëndësishme është edhe komunikimi e në veçanti gjuha dhe gjuhët me historinë e zhvillimit të tyre gjatë shekujve. Në këtë aspekt vlerësimi, opinioni dhe përcaktimi i deritanishëm dominant në historinë e gjuhëve për gjuhën shqipe si një gjuhë e vjetër është tepër i rëndësishëm dhe bazë e studimit për kontributin e saj në Historinë dhe qytetërimin Europian. Biseda u shoqërua me imazhe dhe figuracion të çdo pjese që përbënte metodën dhe strukturën e saj të përdorur nga Georges Leka.
Doktori i Shkencave Historike të Qytetërimeve Antike Mathieu Aref vlerësoi punën e kujdesëshme të studiuesit Georges Leka, rezultat i një studimi, njohje, e paraqitje nëpërmjet një metode të zgjedhur në të gjithë përbërësit e saj.
Ai gjithashtu theksoi se vetëm në mënyrë shkencore e kritere rigoroze në zbatimin e tyre duke u mbështetur në trashëgiminë e shkrimeve më të vjetra, referencave konkrete të autorëve antikë pa tjetër që studimet në këtë fushë do të përparojnë, pasurohet dhe do të marrë vendin e duhur më shumë historia e Pellazgëve, Ilirëve dhe Shqiptarëve vazhdimësia e tyre që na vjen e argumentuar e cituar qysh prej 2500 vjetësh prej autorëve antikë. ( zoti M. Aref është përkrahës i tezës Pellazge )
Ndërsa prof. doc. Tomorr Plangarica i atashuar në Institutin e Gjuhëve Orientale në Paris vlerësoi shtrimin e përbërësit e metodës së zgjedhur prej studiuesit Georges Leka dhe i sugjeroi që rezultatet e dëshieuara duhet të mbështen edhe më shumë në kriterin gjuhësorë edhe të interpretimit fonetik. Mjeku i njohur Kujtim Drishti vlerësoi punën e strukturuar deri tani nëpërmjet një metode shkencore ku rezultatet e së vërtetave historike nuk do të ndërtohen nga pushtetet politike por nga e vërteta shkencore dhe kjo e vërtetë shpesh herë është një paradoks i tiparit demokratik ku një person mund të fitojë me mendimin e tij mbi një shumicë konservatore dhe e mbështetur me sajesa të cilat shumë herë vështirësojnë daljen e së vërtetës.
Gjuhëtari dhe përkthyesi Agron Hasku i atashuar në Universitetin 8 të Parisit, u ndal në aspektet gjuhësore të shkimeve të vjetra të autorëve antikë dhe strukturave gjuhësore krahasuese të tyre për të ndihmuar e thelluar më tej studimet e deritanishme.
Në pjesën e fundit të bisedës u shfaq materiali filmik shkencor i prodhuar nga ALBATROYnga Georges Leka në bashkëpunim me Piktorin e Merituar Zamir Mati.
Në këtë takim zoti Mathieu Aref i dhuroi të gjithë korpusin e veprave të tij studimore bibliotekës së qëndrës ALBINFOS dhe drejtuesi i saj dashamirësi i artit e i kulturës zoti Gjergji Themeli e falenderoi për këtë gjest dhe dhuratë të çmuar.
Mati : “Roli i shqipes në historinë e Qytetërimit Europian është i qartë “
Siç tha për ATSH-në zoti Zamir Mati, “: …takimi ishte biseda e parë i ciklit prej disa të tilla që Albatroy dhe Albinfos i kërkoi të zhvillonte studiuesi Georges Leka mbi “Shqipen në Historinë dhe Kulturën e Qytetërimit Europian” ajo të tërheq me pasurinë e materialeve të gjetura dhe të paraqitura por edhe nga interesi i madh që treguan pjesëmarrësit për këtë temë tashmë të rihapur edhe si një dritare plot ajër e dritë shpresash shkencore edhe nga zoti Mathieu Aref me laurimin e tij nëpërmjet punimesh plot informacion si Doktor i shkencave të historisë dhe qytetërimeve antike nga Universiteti i Sorbonës, pas një pune dhe kërkimesh dyzet vjeçare. Pata fatin, vazhdon Mati, të prezantoja në këtë mbrëmje studjuesin Georges Leka të cilin e ndjek në punimet e tij prej shumë vjetësh njëkohësisht shoh të përbashkëta në kulturën e qytetërimit europian dhe shprehje kuptimplote të eksistencës së saj në antikitet alfabetet pothuaj të njëllojta që janë gjendur e përdorur në të gjithë pjesën lindore të pellgut të mesdheut, alfabete me të cilat mund të kuptojmë nëpërmjet gjuhës shqipe shumë shkrime të ardhura nga antikiteti … Tashmë në botën e kulturës shqiptare po lëvrojnë këto tema një grup i madh autorësh të cilët botojnë librat dhe tezat e kërkimet e tyre të cilat ndoshta po plotësojnë një mungesë të madhe në këtë fushë, gjithashtu frymëzojnë për kërkime të mëtejshme dhe organizim institucional të këtyre mendimeve. Unë nuk dua të harroj pa përmendur librat e parë për gjuhën tonë nga mësuesit e mi dhe historinë e saj që im Atë e kishte pasion dhe kështu të na i propozonte librat për ti lexuar e midis tyre të zgjidhte studimet e Eqerem Çabejt, librin plot pasion “Gjuha jonë” të Skënder Luarasit, librat e rilindasve, arbëreshëve, që flisnin për gjuhën e ëmbël. Pasionin e dashurinë për historinë e gjuhën shqipe e vazhdoi me vepra konkrete duke udhëtuar në botën e etruskëve vëllai im Ilir Mati . Po ashtu për mua atëherë merrte një vlerë të veçantë libri mitik i Historianit e gjuhëtarit Spiro Konda i diplomuar në Universitetin e Athinës në vitet 30. Im atë na shpjegonte librin plot informacione fjalësh të përbashkëta të gjuhës së vjetër shqipe e “greke të vjetër”, formim fjalësh e toponimesh dy emrash të përsëritur në gjuhën e fqinjëve, që të lejonin të imagjinoje treva të përbashkëta e historitë e tyre në mugëtirë të shekujve. Këto na lejonin ne të hynim e kuptonim më lehtësisht historitë vjetra të Homerit të përkthyera me një bukukuri stilistike të dialektit të veriut prej mjeshtrit të përkthimit të këtyre veprave nga Gjon Shllaku e Pashko Gjeçi. Tani duke ndjekur studimet më të mira për lidhjet e ndërthurje e gjuhëve të vjetra kuptojmë kjartë edhe rolin e shqipes në historinë e Qytetërimit Europian.
Takimin e përshëndeti edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Francë, Dritan Tola.

Filed Under: Kulture Tagged With: e qytetërimit Europian “, Georges Leka, në Historinë, ne Paris, shqipja

Shqipja i asht veshë per parzëm

January 10, 2014 by dgreca

Shkruan: Fritz RADOVANI/ Melbourne/

Ka disa vite që Shqipja ia ka mberthye edhe krahët e nuk e lè me lujtë vendit…/

Shqipja i asht veshë per parzëm…/

Ajo e frymzon…Ka shkrue…Edhe vazhdon me shkrue…/

Shqipja me dy krenat e veta asht kafazi i krahnorit të Tij, që e mbushë me frymë…

Ky Burrë ka dy palë mushkni…Prandej, nuk e ndijnë kurrë mungesen e frymëmarrjes…

Po, as frikën nuk e njeh! Mburoja e Tij ngjason me parzmorën e Kastriotit…

Shkrimet e Tij të duken sikur janë shkrue me ngjyren e Flamurit…

Dhe shkelqejnë nga ngjyra e puplave të krahëve të Shqipes,

Asht bash Shqipja e çerdheve të Maleve të Bajram Currit…

A e njihni kush asht?

Asht Miku i të gjithë Atyne që kanë Zemer Shqiptare,

Asht ZEQIR LUSHAJ.

Rrnosh sa Shqipja Yte… që t’ ka rrokë aq fort, o Zeqir Lushaj!

Melbourne, Janar 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: asht ves, Fritz radovani, per parzem, shqipja, Zeqir lushaj

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE
  • Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!
  • Tregimi për zonjat e suksesit shqiptar- ideja që jeton pa kohë
  • Ish-diplomati Syla, ftesë qeverive tona t’i promovojnë shtetet në SHBA, Kanada dhe Izrael

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT