• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!???

August 3, 2020 by dgreca

-KRYEMINISTRI EDI RAMA DEKLARON: KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!?-

Nga Frank Shkreli-

“Im at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”.  Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama gjatë një debati në parliament me disa deputetë të “opozitës”, të Enjtën që kaloi.  Me thënë të drejtën e dëgjova dy tre herë deklaratën e Kryeministrit shqiptar për të qenë i sigurt se vërtetë kështu u shpreh publikisht, madje nga foltorja e Kuvendit, kryeministri i Shqipërisë — i një vendi ish-komunist me regjimin më të egër të këtij lloji në botë, për pothuaj një gjysëm shekulli, aktualisht vend anëtar i NATO-s, një aleancë ushtarake që është themeluar, pikërisht, me misionin për të mbrojtur vendet demokratike perendimore nga kërcënimet e komunizmit sovjetik dhe aleatëve të tij. 

Nuk më intereson aspak se cilat ishin ose si i kujton Edi Rama marëdhëniet me babain e tij kur i ati i shërbente regjimit komunist të Enver Hoxhës, ose cilat janë kujtimet e tija familjare tani që i ati është i ndjerë.  Gjithashtu nuk më interesojnë as marrëdhëniet e Edi Ramës ose pikëpamjet tija për ballistët, zogistët ose këdo tjetër, pasi ata të gjithë meritojnë njëri tjetrin.

Po ajo që më intereson dhe më shqetëson mua si një shqiptar i diasporës që gjithmonë dhe pa dallim ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo, e që duhet të interesojë dhe të shqetësojë çdo shqiptar, pa dallime politike, fetare ose krahinore është kur Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit  nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë –se komunistët shqiptarë, në krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia — na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”.  Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, a po simpatizant i komunizmit sot.

Është e vështirë të merret me mend një Kryeministër i cilitdo vend tjetër ish-komunist në Evropë dhe më gjërë, që sot në fillim të dekadës së tretë të shekullit 21, të deklarojë se — komunistët shqiptarë, përfshir babain e tij, që i kanë shërbyer me besinkëri njërit prej regjimeve më kriminale që ka njohur historia e njerëzimit e shekullit të kaluar – kanë qenë në anën e duhur të historisë.  Gjatë “debatit”, Z. Rama e quajti veten “socialist-demokrat”, “në kuptimin e të qenit demokrat”, tha kryeministri.  “Socialistët, ta dishë”, shtoi ai, “janë anti-fashistë dhe anti-komunistë”. Nëqoftse socialistët na qenkan “antikomunistë”, atëherë si mund të ishin komunistët në anën e duhur të historisë?  “Socialistët, nuk merren me personat, ata merren me ideologji, kjo është ndarja e madhe”, theksoi ai. Por, ai nuk tha se për cilën ideologji e ka fjalën.

Unë nuk jam i sigurt se cilën audiencë kishte parasysh, Z. Rama kur deklaroi se komunizmi shqiptar ishte në anën e duhur të historisë: drejtuar një dyzinë antarësh të Kuvendit që gjoja quhet opozitë, ish-zyrtarëve të komunizmit, sot anëtarë të Kuvendit si përfaqësues të partisë së tij në pushtet, me maska në fytyrë, sikur duan të mbulojnë të kaluarën e tyre kriminale, si ish-shërbëtorë të komunizmit, “në anën e duhur” të historisë, a po iu drejtuar mbarë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ose ndoshta vetëm donte të mobilizonte “pionerët e Enverit”?.  Unë besoj se ky mesazh patetik i Z. Rama u drejtohej votuesve shqiptarë në përgjithësi, me një sy tek zgjedhjet e ardhëshme, për të aktivizuar elementët më negativ të shoqërisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha ishte një mesazh anti-njerëzor për të gjitha viktimat anti-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe të përndjekurve të atij regjimi dhe  ndaj të gjithë atyre që kanë kaluar vitet më të mira të jetës nepër kampet e përqëndrimit e që sot sillen rrugëve të Tiranës dhe të qyteteve të tjera pa punë, pa të ardhura e pa pronë, pa pikë shprese për veten dhe familjet e tyre.  E vetmja shpresë që kanë është për tu arratisur nga Atdheu siç arratiseshin dikur nga Shqipëria komuniste, paraardhësit e tyre.  Për fat të keq, kjo deklaratë e kryeministrit shqiptar, mbi të gjitha, u bë në frymën e Vladimir Leninit, me qëllim “që të përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne.” (Lenini). 

Të thuhet se “komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, nuk është një shprehje që del nga zemra dhe mendja e një demokrati të vërtetë evropian të fillim shekullit 21.  Kjo nuk është demokraci as “politikë opinionesh e përballje ideshë”, siç pretendoi gjatë “debatit”, Z. Rama.  Ky është një debat me veten tuaj, i nderuar kryeministër!  Fatkeqësisht, kjo që ndodhë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është as shprehje opinionesh as përballje ideshë, por është një pasqyrim i falimentimit moral dhe politik i një klase politike pa parime dhe pa atdhedashuri.  Por që pasqyron edhe atë që, për shumicën e shqiptarëve tani, është një korrupsion materialist në të cilin është zhytur vendi, jo vetëm politika e ditës por edhe një pjesë e madhe e medias dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, megjithëse i rrezikshëm dhe jo kurrë si në anën e duhur të historisë.  Por, sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër.  Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur, turpërisht, me shembjen e Murit të Berlinit.  Por, kjo magjepsje, kjo nostalgji e çmendur në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit — me të kaluarën komuniste në Shqipëri — siç dëshmon edhe deklarata e Kryeministrit Rama javën që kaloi — është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e të cilave po dokumentohen nga entet përkatëse të jashtme dhe të brendshme të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarëve të regjimit enverist.

Ata që janë moralisht të falimentuar, përsa i përket krimeve të komunizmit, anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi përdorte për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa mëshirë, kundërshtarët e vet.  Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, grupe të ndryshme, një pjesë e medias dhe nostalgjikët e komunizmit– për interesa të momentit– promovojnë regjimin komunist dhe figurat udhëheqëse më të shëmtuara të komunizmit shqiptar.  Tashti këtyre grupeve iu bashkua, zyrtarisht, edhe Kryeministi i vendit me deklaratën e tij bombastike se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Një deklaratë kjo e cila u interpretua nga disa analistë si një përpjekje e qartë për të paraqitur ndryshe nga ç’ishte historia kriminale e komunizmit në Shqipëri. 

I nderuar Z. Kryeministër, në vend të glorifikimit të komunizmit, si i pari i qeverisë së vendit, të takon, je i detyruar– politikisht, moralisht, por edhe kombëtarisht — që të ndihmosh në ndërgjegjësimin dhe në forcimin e dialogut rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale komuniste në Shqipëri.  Ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, është një rol që duhet të luaj personi i juaj, si një përgjegjësi morale dhe qytetare ndaj të gjithë shqiptarëve, pa dallim.  Sa larg ishte dhe është Shqipëria nga bota perendimore sa i përket komunizmit.  Ish-Presidenti amerikan John Kennedy, si një detyrim moral dhe patriotik kishte premtuar në kulmin e përhapjes së komunizmit në botë se për të ndaluar komunizmin, Amerika ishte gati të, “paguaj çdo çmim, të bartë cilëndo barrë, të përballojë çdo vështirësi, të mbështesë çdo mik, dhe të kundërshtojë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.  Liria në Shqipëri nuk mbrohet duke promovuar komunizmin, Z, Kryeministër.

Fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve dhe shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi, në media dhe panele televizive, nga njerëz të cilët ende mbajnë detyra me përgjegjësi, në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike.  Politika ka përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend, por këta ”këmisha bardhët me kravata” siç i quante Ronald Reagan, janë një ndër shkaqet kryesore që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri.  Këta duhet të mbahen përgjegjës aq sa edhe politika, për gjëndjen e mjerueshme në vend. 

Shqipëria jonë e vogël është me krime aq të mëdha e të kobshme të epokës së komunizmit, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban.  Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, për fat të keq, duket se Tirana zyrtare ka zgjedhur rrugën e harresës, tjetërsimit të historisë dhe anashkalimit të krimeve të komunizmit, kësaj radhe me sanksionimin zyrtar të Kryeministrit të vendit.  Jeni në rrugën e gabuar!  Historia e komunizmit shqiptar, prej pothuaj gjysëm shekulli, ishte një histori tmeri, viktimash të pafajshme, kampesh pune e përqendrimi, burgjesh, arratisjesh dhe ekzekutimesh të kundërshtarëve të regjimit enverist.  Z. Kryeministër, po mbroni një trashëgimi krimesh, gënjeshtrash dhe shpifjesh.  Komunizmi ishte një kapitull i tmershëm dhe i pa njohur më parë në historinë e njerëzimit, për nga natyra e krimeve që ka kryer mbi njerëz të pafajshëm.  Si e tillë, kjo histori monstroze duhet të dënohet, në vend që të promovohet si një histori e duhur nga ana juaj.  Diktaturat e të gjitha ngjyrave, sidomos komunizmi me mbi 100-milionë të vrarë — nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet të konsiderohen as sot si një sistem i duhur në historinë e Shqipërisë, as të njerëzimit.  Deklarata juaj, javën që kaloi, se komunistët dhe komunizmi 50-vjeçar në Shqipëri — megjithë krimet e mëdha në njerëz dhe dëmet materiale për të cilat nuk fole fare — ishin në anën e duhur të historisë, është e papërgjegjshme, ofenduese për të përndjekurit e komunizmit– të gjallë e të vdekur– imorale dhe kriminale për një kryeministër të një vendi anëtar i NATO-s. 

Frank Shkreli

Në artikullin e bashkangjitur, shkruar para tre vjetësh, mund të shikoni foto-skica nga Piktori Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe pikërisht kampi famëkeq i Tepelenës.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-piktori-i-kampeve-te-vdekjes-te-regjimit-te-enver-hoxhes/

Filed Under: Emigracion, Politike Tagged With: Frank shkreli, komunistet, kryeministri, kryeministri Rama

Ndodhi Sot, 5 Maj-Komunistët nderojnë dëshmorët me foto të Enver Hoxhës

May 5, 2016 by dgreca

Partia Komuniste nuk ka munguar në monumentin e “Nënës Shqipëri”, për të nderuar dëshmorët e Atdheut në ditën e tyre përkujtimore.

Me foto të Enver Hoxhës, dhe pankarta “Rroftë Partia Komuniste” ata janë përkulur para monumentit, me shenjën tipike të komunistëve, grushtin lart.

Filed Under: Komente Tagged With: 5 maj, Enver Hoxha, komunistet

Noel Malcolm: Komunistët, janë përgjegjës për të ligat e Ballkanit

July 18, 2015 by dgreca

Është trashigimia e 50 viteve të fundit, jo të 500 viteve të mëpërparshme që rëndon mbi vendet e Ballkanit teksa përpiqen të mposhtin një kulturë korrupsioni dhe klientizmit, thotë historianit Britanik./
Pyetje: Sipas raporteve të progresit të BE, vendet e Ballkanit kanë vese të përbashkëta: klasa politike të korruptuara, nepotism, klane, bashkpunim me krimin e organizuar dhe mos-funksionimi i rendit ligjor. A janë këto sjellje të përcaktuara nga e kaluara jonë? Për shembull, tendenca drejt klientizmi dhe krimit të organizaur në Italinë e jugut përshkruhet nganjëherë si trashigimi e sundimit Norman dhe Burbon.
N.M.: Si historian habitem të degjoj se faji për Mafien i vihet sundimit Norman! Kjo është të shkosh mbrapsht gjer në Mesjetë. Historia lë gjurmë në shoqëri nganjëherë në mënyrë të qartë, nganjëherë më të padukshme e të fshehtë. Unë jam skeptik ndaj gjithë këtij argumenti se na duhet të kthehemi mbrapsht një apo dy shekuj për të gjetur arsyet se pse ka korrupsion, rryshfete, apo krim të organizuar. Ne mund të shohim përreth dhe të vërejmë arsyet përpara nesh; nuk na duhet të shkojmë tek librat e hitorisë. Korrupsioni ndodh në kushte të caktuara socio-ekonomike dhe politike, kur pushteti politik është i dobët, pushteti ligjor është i dobët, dhe kur vlerat e shtetit nuk janë tejcuar në tërë shoqërinë në mënyrë tërësore, kur ka një lloj fryme ku njerëzit kujdesen vetëm për veten… dhe pagimi i taksave është dicka që e bëjnë vetëm budallenjt. Në rastin e Ballkanit, do thoja se 50 vite komunizëm janë shumë më të rëndësishme si pjesë e të kaluarës sesa 500 vjet sundim osman.
Pyetje: Duke parë sot hartën e Europës, a është Ballkani ende “sheshi ku ndajnë pazaret fuqitë e mëdha?”
N.M.: Jo në mënyrën që ka qenë në shekullin e 19të, në Kongresin e Berlinit [në 1878] për shembull. Jo në mënyrën që ka qenë në 1914 kur vrasja në Sarajevë solli gjithë sistemin e fuqive në luftë botërore.
Pyetje: Atëherë në c’mënyrë?
N.M.: Në një kuptim më të kufizuar. Nëse sheh vecanërisht politikën e Rusisë drejt Kosovës, është vështirë të shohësh ndonjë arsye bazë brenda Kosovës apo në situatën e ngushtë ballkanike që Rusia të ketë qëndrim kaq të ashpër dhe një dëshirë kaq të fuqishme për të bllokuar politikat perëndimore. Kjo është një lojë që luhet në tabelën e shahut për të tjera arsye. Është pjesë e dëshirës më të gjerë nga ana e Putinit për të shkaktuar probleme për politikën perëndimore dhe për të treguar se Rusia ende ka fuqinë për të bllokuar gjërat dhe të kërkojë kompensim në cështje të tjera ku ndoshta ata vërtetë janë të interesuar, por për gjëra që janë komplet jashtë Ballkanit.
Rusia ende po trajton Ballkanin në mënyrë instrumentale. Ata po trajtojnë Serbinë, gjithashtu, në mënyrë instrumentale. Njërëzit në Beograd që imagjonojnë se kanë ndonjë lloj vëllazërie të madhe gjaku dhe simpati të thellë sllave që u vjen nga Moska gabohen. Ata thjesht po përdoren. E kemi parë këtë gjë në manovrat ruse për tubacionet e naftës dhe blerjen e industrisë serbe të naftës për një cmim qesharak. Rusia thjesht po luan me ta. Kështu, Rusia është rasti ku shohim thjesht politikë fuqishë të mëdha. Në rastin e fuqive evropeiane, ato kanë interesa të drejtëpërdrejta. Ato dëshirojnë që një lloj gjendjeje koherente dhe progresiste të zhvillohet tek kufijtë e tyre. Dhe SHBA, mendoj, është më pranë pozicionit evropian sesa mentalitetit të Moskës.
P: Ku po shkon Ballkani? Marëveshjet që ndalën luftrat në vitet 1990 kanë rezistuar por nuk u dizenjuan për të zhvilluar këto vende. A është e ardhmja e Ballkanit në rrezik teksa bashkësia ndërkombëtare fokusohet në pjesë të tjera të globit?
N.M.: Bosnja dhe Kosova janë vërtet probleme. Ka rreziqe vecanërisht në rastin e Bosnjes. Nuk mendoj se në rastin e Kosovës ka ndonjë rrezik madhor. Rreziku i vetëm është stagnimi dhe ndalimi i progresit sa më shpejt që të jetë i mundur. Në rastin e Bosnjes ka rreziqe të mirëfillta, rreziqe të mirëfillta politike. Komenti juaj se vëmendja e fuqive perëndimore ka lëvizur tjetërkund është i vërtetë. Kjo prej shumë vitesh është e vërtetë për Amerikën; përfshirja intensive në Irak dhe Afganistan ka thither energjitë e Departamentit të Shtetit dhe kur ata shohin Ballkanin sot kanë më shumë një mentalitet të përmbajtjes së veprimtarive. Ka më shume përgjegjsi për fuqitë evropiane. Por Evropa është në një moment të parehatshëm, duke u përpjekur për herë të parë në mënyrë zyrtare të zhvillojë një politikë ndërkombëtare evropiane me përfaqsuesit e vet të politikës së jashtme dhe me pothuaj – Ministrinë e vet të Jashtme. Ky është projekt tejet i vështirë sepse tek e fundit politika e jasthme në cdo vend evropian është cështje kombëtare. Këto kombe nuk dakordohen në shumë cështje të rëndësishme. E kemi parë këtë gjë në rastin e Kosovës.
P: Kush janë rreziqet nëse ato nuk dakordohen?
N.M. Nuk mendoj se ka ndonjë crregullim serioz për Kosovën. Nuk mendoj se do shohim luftime apo tanke që vinë prej cfarëdolloj drejtimi në Kosovë.
P: Jo, por mos pranimi për të hyrë në BE përshkak të mosnjohjes nga Spanja, Sllovakia dhe Qipro. Po sikur kjo të vazhdojë për dekada?
N.M.: Kjo është cfarë unë quaj stagnim serioz. Ka rreziqe për zhvillimin ekonomik; ka rreziqe për valë njerëzish që nuk mund të gjejnë punë në Kosovë dhe derdhen në vende të tjera everopiane. Jam i sigurtë se këto rreziqe kuptohen. Rreziqet në Bosnje janë më serioze. Është një problem që ka qenë i qartë qysh nga koha e marëveshjes së Dejtonit. Nuk ka asgjë të re për tu thënë. Marëveshja e Dejtonit dështoi në zgjidhjen e problemeve themelore. Thjesht ngriu një gjendje ku kish ndodhur pastrim etnik dhe ku ata që ishin përgjegjës për pastrimin etnik ishin ende në pushtet në shumë pjesë të Bosnjes. E ngriu atë situatë dhe njerëzit në terren që po implementonin Dejtonin rrefuzuan të përdorinin pushtetin e tyre për të bashkuar Bosnjen mirëfilli.
P: A janë realiste frikat e disa kojshive rajonalë se Kosova do bashkohet me Shqipërinë?
N.M.: Ky është një rast klasik i një cështje politike ku varet si e formulon pyetjen. Nëse pyet këdo shqiptar në Shqipëri apo Kosovë, “a mendon se do ishte mirë që një ditë këta të dy të bashkohen?” shumica do thonë “Po, një ditë do ishte mirë.” Dhe nëse pyet. “A mendon se në 1913 u bë një padrejtësie historike kur u krijua versioni i parë i këtyre kufijve?” cdokush do thotë “Po.” Po nëse do pyesje në një referendum të mirëfilltë “A do donit të jetonit në një shtet të bashkuar, në mënyrë që politikat tuaja dhe ato që efektojnë jetën tuaj mund të dominohen nga politikanë të anës tjetër, jo nga vendi juaj?” ata do thonin “Jo.” Prej shumë vitesh kam pyetur shumë njerëz se si do shkonin këto referendume. Shumica e tyre më kanë thënë sinqerisht se nuk mendojnë se nesër do arrinin shumicë për palën tjetër të kufirit. Pra, në planin praktik, nuk mendoj se do ndodhë shpejt. Teorikisht mund të ndodhë, por njerëzit nuk marin vendime sot për cfarë mund të bëhet pas 50 vitesh.

P: Po për argumentin e përdorur nga Serbët e Bosnjes, sipas të cilit, “Nëse lejoni këtë gjë, pse nuk na lejoni ne ti bashkohemi Serbisë?”

N.M.: Përgjigja e thjeshtë është se Kosova është shtet i mirëfilltë i cili doli nga një status i mirëfilltë federal nga ish – Jugosllavia, ndërsa Republika Srpska nuk është shtet dhe u krijua si rjedhojë e një procesi pastrimi etnik dhe vrasjesh masive. Ky është themeli i Republikës Srpska. Nuk tingëllon mirë e thënë kaq troc, por është themeluar mbi vrasje masive. Republika Srpska ekziston në hartë sepse ushtritë pushtuan territore dhe përzunë njerëzit me tytat e pushkëve dhe majat e thikave dhe vranë shumë prej tyre.

P: Cfarë mund të bëjmë kur është se kjo mosmarrëveshje po ndalon përparimin e pjesës tjetër të Bosnjes

N.M.: E kam thënë këtë së paku qysh nga Dejtoni. Më kujtohet se e kam thënë këtë në Uashington në 1997, dhe ata më thanë “ Ti je kokë nxehtë dhe e ke gabim.” Ata më thanë se Dejtoni është marrëveshje shumë e mirë, Amerika ka investuar shumë prestigj në të, dhe do ishte e gabuar që të ndërrohej – dhe vazhduan duke e përsëritur këtë. Por qe e qartë se se po ngrinte një situatë dhe po akumulonin gjëra më të këqia në lidhje me mundësitë e Bosnjes si shtet. Tani është më e vështirë të merresh me këtë problem. Fuqitë e Përfaqsueist të Lartë ishin jashtëzakonisht të mëdhaja në atë kohë. Tashmë, shumica ë këtyre fuqive janë zhdukur… por qeveritë e Perëndimit kanë fuqinë themeltare për të thënë se kurrë nuk do pranojnë Republikën Srpska si shtet i pavarur. Këtu është në lojë prestigji i tyre. Nëse do e lejonin këtë, do cbënte themelet e marrëveshjes së paqes që formuluan vetë. Jo vetëm do cbënte të kaluarën por do hapte dhe lloj lloj precendentësh për të ardhmen. Kur lejon territore që janë krijuar nga dhuna etnike të deklarojnë veten si shtete të pavarura, cfarë ndodh? Cfarë ndodh nëse një minoritet etnik në Maqedoni përqafon dhunën? Kjo është kutia e Pandorës dhe Perëndimi e di këtë. Për këtë arsye ata duhet të jenë totalisht të qartë se Republika Srpska nuk do bëhet shtet i pavarur.

P: Duke ditur si operon Evropa dhe mentalitetin e saj, a mund të shohim Serbinë të futet në BE pa njohur Kosovën, e më pas ta bllokojë atë?

N.M.: Nëse njerëzit në Evropë janë tejet budallenj, po. Unë nuk jam ndonjë admirues i madh i BE. Nuk mendoj se është një projekt politik koherent, mendoj se shpie në politikë të jashtme shumë jo-koherente. Tek e fundit, qeveritë kombëtare kanë ide dhe preferenca kombëtare thelbësisht të ndryshme. E kemi parë mjaft qartë me … situatën e habitshme ku BE pretendon përgjegjsinë për zhvillimin e Kosovës si shtet por dërgon një mission [misioni për rendin ligjor, EULEX] që nuk e njeh Kosoën si shtet. Unë jam i shqetësuar për politikën evropiane. Unë mendoj se i hynë një rruge të gabuar në rastin e Qipros. Po shohim një prej rjedhimeve të saj tani me qëndrimin tejet të ashpër të qeverisë së Qipros kundër njohjes së Kosovës. Nëse e kujtoj drejt, ata kanë thënë se edhe nëse Serbia e njeh Kosovën, Qipro kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Kjo është e habitshme. Unë nuk jam optimisht për politikën e Brukselit. Por Bruksesli ka njerëz inteligjent dhe të mirë-infromuar… kështu që shpresoj se do formësoj politika inteligjente për këtë cështje tejet të rëndësishme.

P: Ballkani ka shumë mite dhe kjo ka bërë që disa të mendojnë se rajoni është vecanërisht i prirur për urrejtje etnike. Në disa vende të Ballkanit po rritet ksenofobia dhe disa qeveri vazhdojnë të ndërtojnë mite të reja. Cfarë mund të bëhet që këto mite mos mbajnë rajonin peng në të ardhmen?

N.M.: Miti i urrejtjeve etnike të lashta u krijua pjesërisht nga të huaj injorantë, udhëtarë në fillim të shekullit 20të e më tutje të cilët menduan se ishte më e kollajtë dhe më eksituese për lexuesit e tyre nëse ata thonin se ky ishte një lloj tornadoje urrejtjes etnike të lashta e të pashpjegueshme. I jepte tingëllim egzotik. Në historinë më të vonët vjen si manipulim i qëllimshëm dhe konfuzion i opinionit perëndimor nga njerëz të cilët donin që ata të mendonin se luftrat e e shkaktuara drejtpërsëdrejti nga politikanë, esencialisht nga Miloshevici, nuk ishin shkaktuar nga politikanët e kohëve moderne. Nga një anë ishte budallallëk e nga një anë manipulim i qëllimshëm. Në të vërtetë, këto urrejtje të lashta nuk janë më të lashta se mesi i shekullit të 19të. Ata janë produkte normale të procesit të shtet-formimit, të cilat zhvilluan nacionalizma të llojeve të ndryshme me mitet nacionaliste përkatëse dhe zhvilluan konflikte politike në terren sepse këto nacionalizma po konkuronin për territor.
Si mund ti ndalim apo ti pakësojmë? Në kuptimin më të gjerë është cësthje edukimi. Jo vetëm se cfarë futet në tekstet shkollore, por dhe cfarë njerëzit thonë publikisht, cfarë thonë politikanët dhe cfarë thuhet në media. Nuk po flas për tru-shplarje apo promovimin e ndonjë ideologjie të re, që Ballkani ka qenë përherë toka e lumtur e tolerancës. Jo, vec histori normale, kuptim normal.

P: Duke ju kthyer Kosovës, u bënë dy vjet që është e pavarur por ka patur njohjen vetëm të vendeve perendomore. Cfarë duhet të ndodhë që të njihet gjetkë?

N.M.: Fillimisht ishte e qartë se fuqitë perendimore do ndihmonin dhe do bënin pjesën më të madhe të punës në afrimin e vendeve të tjera dhe me rekomandimin e njohjes së pavarësisë. Vendet e kollajta ndërkaq janë bërë – ato vende që lehtësisht ju përgjigjën këshillës së Britanisë dhe Amerikës. Nuk mund të shkosh në shumë vende të Afrikës si fuqia e vjetër koloniale si Britania dhe tu thuash se c’duhet të bëjnë. Dhe Amerika ka pësuar dëm të reputacionit të saj në politikën e jashtme, qartazi në botën arabe por gjithashtu në Amerikën Latine. Kështu që tani i duhet Kosovës të punojë… Një faktor është presioni i politikës ruse. Rusia ka qenë tejet aktive, edhe në botën islame, duke bërë presion vendeve që mos njohin Kosovën. Në Afrikë ka probleme të tjera. Mendoj se një temë që Kosova arsyeshëm mund të nënvizojë ku bisedon me vende Afrikane dhe të Botës së Tretë është se në shumë aspekte Kosova ishte në gjendjen e një vendi dhe shoqërie të kolonizuar. Kjo është dicka me të cilën Afrikanët mund të shohin lidhje.

P: Ju keni shkruar një histori tejet të vlerësuar të Kosovës. Sa është Kosova një entitet territorial me rrënjë dhe qartazi i dalluar?

N.M.: Varet cfarë kupton me “entitet territorial me rrënjë dhe qartzi i dalluar.” Nuk është e nevojshme për një territor që të tregojë vazhdimësi egzistence si entitet politik qysh nga Mesjeta që të ketë një pretendim të vlefshëm për status të pavarur sot. Belgjika u bë Belgjikë më 1830. Shumë vende evropiane u bashkuan vonë. Shiko Gjermaninë dhe Italinë. Kështuqë, nuk mendoj se është e nevojshme të kërkohet për justifikime të gjata historike për kufijtë e caktuar shtetëror në hartë. Cfarë ka rëndësi është popullsia që banon aty, historia, ndoshta e 100 viteve të fundit. Është totalisht e qartë se… për afërsisht 50 vitet e fundit nën kushtetutën e Titos, Kosova ishte entitet politik, duke vepruar si i pavarur, duke marë vendimet për veten në kuadrin e strukturës federale, duke përfaqsuar veten drejt për drejtë në nivelin federal dhe rrjedhimisht duke patur të njëjtat të drejta për tu bërë shtet pas shpërbërjes së Jugosllavisë si Sllovenia dhe Kroacia.
P: Në ngritjen e një identiteti të ri, kushtetuta e Kosovës thotë se Kosova është së pari dhe mbi të gjitha një vend multi-etnik. A është ky modeli i duhur, një themel i mirë për shtetësinë në shekullin e 21të?
N.M.: Principi themelor se Kosova është shoqëri multi-etnike duhet thënë. Duhet thënë për cdo shoqëri në Ballkan. Thjesht, është gjendja themeltare e jetës, ne fakt, për cdo vend në Evropë.
Noel Malcolm është autor i “Bosnia: A Short History”, (1994), dhe “Kosovo: A Short History” (1998)
Intervistoi Jeta Xharra.
Shqipëroi Emin Baomari.

Filed Under: Interviste Tagged With: Ballkanit, komunistet, Noel Malcolm, per te ligat, pergjegjes

A KANË “IDEAL” KOMUNISTËT ?!

April 14, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
■HAPNI DOSJET ! Aty keni me gjetë edhe “idealin” e këtyne dy miqëve!
■Kur shkoi në Francë per studime Enver Hoxha deklaroi: “Unë do bëhëm terrorist!..”
Ky ishte “ ideali” i tij, që iu plotsue dhe u realizue mbi 500.000 viktima Shqiptarësh nga viti 1941 e deri 1985, kur drejtoi PKSh (PPSh), terror të cilin, e vazhdoi Ramiz Alia, derisa mbylli sytë tue i sherbye shovenistëve sllavë, sovjetikë, kinezë, arabë e antishqiptarë…
■E bija e Stalinit deklaroi në 1989 se: “Baba im Stalini, ishte vrasës i miljona rusëve…”
E bija e Enverit deklaroi në 1991 se: “U zgjuan kafshët…”
■Enver Hoxha deklaroi në 1967 se: “Shqipëria është shtet ateist..” dhe, në 1984 boton:
në librin “Shenime për Lindjën e Mesme”: “Shqiptarët duhet t’i referohen Kur’anit…”
■Ramiz Alia në vitin 1970 nderton në Shkoder “Muzeun Ateist” i vetmi në Botë… dhe mbasi vrasin, masakrojnë e burgosin me Enverin dhe Nexhmijen 138 Klerikë Katolik…
Me 2 Dhjetor 1992, dy presidentët anadollakë, Ramiz Alia dhe Sali Berisha shpallin: “Republika e Shqipërisë antare e Konferencës Islamike”… Nexhmia zemrohet…e heshtë: “Nuk duhet të zemrohemi, për ideal të partisë, né jemi vëllezër gjaku me turqit…”
■Në vitin 1990 kur Rinia Shkodrane kerkon heqjen e diktatorëve Stalin dhe Enver, asht ky Ramiz Ali terroristi barbar, që lanë me gjak piramidat kufitare dhe Shkodren heroike me Gjakun e Dëshmorëve të 2 Prillit 1991, Arben Broci me shokë.
■Gjaku i paster i Rinisë Shqiptare ishte “ideali” i komunistëve tradhëtarë e terroristë!
Ky ishte dhe asht “ideali” i trashigimtarëve të tyne atëherë dhe sot! A kerkoni fakte?
HAPNI DOSJET !
■Ja fjalimi i terroristit Ramiz Alia, në Byronë Politike të K.Q. të PPSh, në vitin 1989:
Shokë, pushteti ka qenë dhe do mbetet yni!
Strategjia e ndryshimit… “Partitë dhe të tjerët që do të vijnë të kontrollohen nga ne.
Sali Berisha, Fatos Nano dhe pasuesit janë dhe do të mbetën veglat tona besnike…
■Si do ta përjetësojmë komunizmin? – “Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë! Sistemi ynë tanimë është drejt kapitullimit përballë sistemit kapitalist. Kështu na lind si detyrë që të ndryshojmë strategjinë tonë. Ndryshimet do të jenë në dy drejtime kryesore: në krijimin e pluralizmit politik dhe në respektimin e të drejtave të njeriut. Me këto të fundit edhe mund të abuzohet, pasi të drejtat janë gjëra që rregullohen brenda për brenda me ligj, por pluralizmi duhet të vendoset patjetër. Le të krijojnë kundërshtarët tanë parti të djathta, të majta apo të qendrës, madje do t’i nxisim dhe ne vetë, por kryesore është që të gjitha këto parti të kontrollohen nga ne vetë. Për këtë, edhe programet e themelimit duhet t’i formulojmë ne. Për drejtimin e këtyre partive duhet të gjenden njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin, jo vetëm që është e lirë të shajë pushtetin, por këtë ta bëjë fort, sepse kështu do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të disidencës antikomuniste. Dhe e dini pse?! Sepse sapo të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren…Në zbatim të drejtave të njeriut, duhet t’u japim kompensimin në para, të burgosurit polikë t’i kompletojmë me komoditetet banimi. Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por prona vetëm në pak duar do të bjerë, pasi ligji do t’i ngatërrojë njëri me tjetrin…Kësaj kategorie mendoj që t’i japim pasaportë për t’u larguar nga Shqipëria më mirë dhe me kaq do të jenë të kënaqur. Pasuria e tyre na përket neve, sëpse ne e bëmë.
■Gorbaçovi më dërgoi disa dokumente e plane dhe po i studioj prej kohësh…Kjo është një mbledhje vetëm për ne më të besuarit, ndaj le të flasim hapur. Ne kemi kuadro sa për shtatë Komitete Qendrore, pra frika nuk duhet të ekzistojë. Shumë intelektualë do të na kundërshtojnë, por me ta do të rregullohemi duke u dhënë punë e ngritur paksa rrogën. Problem mund të jenë intelektualët pensionistë. Këtyre do t’u ofrojmë krijimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe të Punës…
■Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Është punë e tyre, ne e kemi programin dhe platformën tonë. Strategjia është e qartë dhe kemi përcaktuar rrugët për zbatimin e qëllimit misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste.
■Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjislaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë ne pushtetin politik të së ardhmes. Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, gjithnjë e sigurt, sepse për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe pasardhësit tanë. Po rastisi që të na e përvetësojnë pushtetin apo të rrezikohemi, atëhere mos u gëzofshim asnjëherë, nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë fitoret e arritura, qoftë edhe me grykën e pushkës, si në rininë tonë të hershme. Ndaj, për të mbrojtur mbajtjen e pushtetit duhet të jemi të përgatitur në të dyja anët; në rrugën paqësore dhe në atë të luftës së armatosur.
■Ne jemi të përgatitur për të dyja rrugët; kemi njerëzit e vendosur dhe guximtarë, të cilët i kemi përgatitur me sakrifica e mund për vite me radhë, por kemi edhe organet tona të dhunës. Ndaj, mjerë ata që do të guxojnë të na kundërvihen. Jua them këtë që të mbani lart moralin dhe asnjëri prej jush të mos ketë frikë. Nëse do të jetë e nevojshme, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, që ju i dini mirë se sa na kanë ndihmuar. Pavarësisht konflikteve të fundit që kemi patur me ta, duhet ta dini se na bashkon kauza e pushtetit të komunistëve, pavarësisht nga nuancat dhe përplasjet e përkohshme. Përveç aleatëve ideologjikë, do të kemi edhe mbështetjen e aleateve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha. Këta të fundit do t’i përdorim vetëm nëse do të jetë shumë e nevojshme. Shoku Enver dikur, dhe unë sot, i kemi ruajtur këto lidhje që të garantojnë pushtetin tani edhe në të ardhmen, përgjithmonë! Ju garantoj se pavarësisht nga rrethanat e vështira aktuale, sidoqë të shkojnë punët, ujë do të rrjedhë në mullirin tonë. Për këtë jeni të garantuar sot e përgjithmonë. Kërkoj nga ju që të mos keni frikë, të shtrëngoni radhët dhe të mos dekurajoheni… në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni. Ju uroj punë të mbarë, mobilizim dhe mendje të kthjellët!
■Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tona! Do bisedojmë prap…
***
■Fanari ndriçues i marksizëm – leninizmit thotë: “Shqiptarët t’i referohen Kur’anit!”…
Shikoni me kujdes foton naltë…Kush ishin ata dy…Dhe, kush po e drejton Shtetin sot!..
■Ka pasë thanë Ai Plaku i Grisë, “qeeeni që han robtë e shpiiisë… Do vraaa!!”
Vazhdon Pjesa XII…
Melbourne, Prill 2015.
* Nga cikli: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…, Pjesa XI

Filed Under: Opinion Tagged With: A KANË “IDEAL”, Fritz radovani, komunistet

NË KAMPIN E TEPELENËS, KOMUNISTËT LANË TË VDISNIN NGA URIA MË SHUMË 300 FËMIJË

January 14, 2015 by dgreca

Bisedoi : Nebil CIKA/MINERVA/
Agim Musta rrëfen për shfarosjet në kampet e internimit në diktaturën komuniste
Në emisionin “Rrno për me tregue” këtë javë ka qenë i ftuar studiuesi dhe ish-i përndjekuri i regjimit komunist Agim Musta. “Ngjarja që do të trajtojmë është shumë e dhimbshme për historinë e vendit. Bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri, madje mund të jetë e vetmja diktaturë komuniste në Europën Lindore që ka kryer të tilla krime: internimi, vrasja e fëmijëve dhe moshave të vjetra. Unë do ta përkufizoja si “holokausti shqiptar”. Krimet që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri mund të quhen të barasvlershme me krimet që ka kryer nazizmi në Gjermani. Në kampet e internimit si ai i Tepelenës dhe i Porto-Palermos kanë ndodhur vrasje makabre. Treqind fëmijë të vrarë, shumë djem të moshës së re të verbuar dhe varrosje e kufomave të të dënuarve politikë. Për të trajtuar këtë ngjarje tragjike që i ka ndodhur kombit, kam të ftuar zotin Agim Musta, një studiues i krimeve të komunizmit dhe një ish-i burgosur politik”, – tha në hyrjen e emisionit gazetari Çika.
– Zoti Musta, ç’mund të na thoni për këtë ngjarje të rëndë që i ka ndodhur vendit?
– Internimet e diktaturës në Shqipëri filluan në 22 dhjetorin e vitit 1944, sidomos në pjesën veriore të Shqipërisë. Me qindra familje nga Veriu i vendit u dhunuan dhe u plaçkitën. Komunistët u vodhën atyre çdo gjë, deri te pulat që kishin në kotec. Mundën të shpëtonin vetëm disa para që kishin fshehur në pjesët intime të trupit. Këtë gjë e pohon edhe ish-oficeri i Sigurimit Lekë Mëlyshi, vëllai i Pal Mëlyshit, Heroi i Popullit në diktaturën komuniste. Familja e Abaz Kupit ka bërë 51 vjet internim. Këto familje meritojnë të futen në librin “Gines”. Vajza e tij, Lirie Kupi, ka vuajtur 51 vjet internim: 4 vjet gjatë kohës së pushtimi fashist dhe 47 vjet gjatë kohës së diktaturës komuniste në Porto-Palermo.
– Nuk është vetëm familja Kupi, ka edhe shumë familje të tjera që janë internuar në këto kampe përqendrimi, të cilat i kanë përjetuar të dyja llojet e internimit: ato të fashizmit dhe të komunizmit. Në librin tuaj ju keni trajtuar disa lloje internimesh që janë bërë në Shqipëri. Flisni për Perandorinë Otomane, kohën e Zogut, pushtimin e Italisë dhe komunizmin. Cili është ndryshimi ndërmjet këtyre?
– Kampet italiane dhe komuniste ndryshojnë si nata me ditën. Ali Kelmendi, ish-kapter, agjent i KOMINTERN-it, që nisej me shërbim. Ai kishte ardhur në Shqipëri për misionet e tij dhe u diktua nga forcat e Sigurimit. Atë e çuan në internim në Gjirokastër. Po çfarë internimi ishte ai i Ali Kelmendit? Atë e caktuan nga prefektura e Gjirokastrës që të ushqehej në një restorant të klasit të mirë dhe të rrinte në një dhomë komode, të flinte aty. I vetmi kusht që i vunë ishte të paraqitej një herë në dit në komandën ushtarake të Gjirokastrës. Kjo gjë i bën shumë historianë dhe studiues të çuditen nga toleranca që kishte regjimi i Zogut. Në kohën e Zogut ishte me rregull që personat internoheshin vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave, duke bërë një analizë shumë të thellë. Dhe jo si në kohën e diktaturës, që edhe një kapter i thjesht i policisë kishte të drejtë të internonte njerëz. I tillë ka qenë përfaqësuesi i minoritetit grek Vasil Shahini, që e vranë komunistët në Gjirokastër më 1943. As në sasi nuk mund të krahasohet periudha e Zogut me atë komuniste. Në kohë e mbretërisë të internuarit numëroheshin më gishta, ndërsa në periudhën komuniste ishin me shumicë njerëzit e internuar. Gjithashtu kishte ndryshim rrënjësor edhe në trajtimin që u bëhej të internuarve. Trajtimi komunist ishte për shfarosje, gjë që e pohon Kadri Hazbiu në gjyqin që iu bë më 1983-shin. “Në mënyrë të paligjshme ne sekuestruam dhe përvetësuam së bashku me pushtetin lokal pasurinë e personave”, -thotë ai
– Zoti Agim, të qëndrojmë në kampet e përqendrimit. Sipas librit tuaj, por dhe sipas dokumenteve të arkivave të komunizmit, në shumë fshatra të thella të Shqipërisë kishte njerëz të internuar, por ju keni veçuar disa kampe, që mund të quhen “kampe të shfarosjes”. Bëhet fjalë për kampin e Tepelenës dhe kampin e Porto-Palermos. Më kanë bërë përshtypje një shifër që ju keni publikuar: 400 persona të vdekur, 300 prej tyre ishin fëmijë. Cilat ishin arsyet që kanë ndodhur këto vdekje? Cilat ishin shkaqet?
– Unë do t’ju tregoj një fakt, të cilin ma kanë thënë në burg. Vetë djali i Qazim Mulletit, të cilit i bëhej parodi, më ka thënë se brenda një periudhe 6-mujore ka varrosur dhe shfarosur rreth 350 fëmijë. Shumica e fëmijëve kanë vdekur nga uria. Gratë që ishin të internuara i çonin në malin e Luzatit për të prerë dru ose për të mbledhur gurë dhe i linin fëmijët pa ngrënë. Edhe ndërkombëtarët habiten tej mase kur dëgjojnë këto gjëra. As në Rusinë staliniste, që është pjella e komunizmit botëror, nuk kanë ndodhur të tilla krime makabre.
– Në libër thuhet se kampi ishte i ndërtuar në një fushë të minuar he shumë fëmijë kanë vdekur duke luajtur në fushat e minuara. Ishte e qëllimshme ngritja kampit në këtë fushë të minuar?
– Gjatë luftës italo-greke, që filloi në tetor të vitit 1940 dhe përfundoi në maj të vitit 1941, këto fusha u minuan ngaqë aty ishte një repart i madh ushtarak. Kazermat e repartit u përdorën për internimin e njerëzve nga komunistët. Pikërisht me tërheqjen italiane kishin mbetur shumë municione ushtarake të paplasura.
– Një nga detajet për kampin e Tepelenës ishte dhe zhvarrosja e kufomave të fëmijëve, të cilët i varrosën në breg të lumit. A gjenden sot gjurmë të këtyre krimeve?
– Kjo ishte metodë e komunistëve. Këtë në burg ma ka thënë vetë gjenerali i sigurimit. Në fillim kufomat i varrosnim me gëlqere të pashuar, më pas i varrosnin buzë lumenjve dhe përrenjve, me qëllim që, kur ata të vërshonin, t’i merrnin kufomat dhe t’i çonin në det. Nga këto metoda nuk janë gjetur as 20% e kufomave, pasi pjesa tjetër ka përfunduar në det.

Filed Under: Interviste Tagged With: 300 FËMIJË, komunistet, LANË TË VDISNIN NGA URIA MË SHUMË, NË KAMPIN E TEPELENËS, Nebil Cika

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dardanët…
  • DEKLARATA E PAVARËSISË – GURËTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS
  • 2 korrik 1990 – Prishtinë, Shpallja e “Deklaratës Kushtetuese”!
  • Penalizimet e kryeministrit për pyetje ndaj gazetarëve janë rast tipik shqiptar. Këto penalizime duhen refuzuar
  • Në Kroaci u zhvillua shkolla verore e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare
  • Rinjohja e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe roli i SHBA
  • 2 Korrik 1990 si revoltë ndaj sistemit komunist
  • Përkujtohet veprimtari i shquar i arsimit shqip Ahmet Gashi
  • EMËRTIMET E VENDBANIMEVE,  VLERA ETNO-KULTURORE  TË ÇDO MJEDISI
  • KËSHILLI BASHKIAK LIBOHOVË I JEP TITULLIN “MIRËNJOHJA E QYTETIT” (PAS VDEKJES) ATDHETARIT QERIM BAJRAM HAXHIU
  • LA PATRIE (1920) / IMZOT LUIGJ BUMÇI : “POPULLI SHQIPTAR, ME VULLNETIN E TIJ, NUK DO TA LËSHOJË KURRË VLORËN.” – SHKRESA DREJTUAR KONFERENCËS SË PAQES NË PARIS
  • KOSOVA PARA 32 VITEVE: DEKLARATA KUSHTETUESE PËR PAVARËSI E 2 KORRIKUT 1990
  • Plenumin i Brioneve në fokus të Shërbimit Inteligjencës Amerikane 1 Korrik 1966
  • JETA E NJË FËMIJË “KULAKU” NË DIKTATURË!
  • “MEDIA SHQIPTARE, RRUGËTIMI I VËSHTIRË DREJT LIRISË”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT