• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!???

August 3, 2020 by dgreca

-KRYEMINISTRI EDI RAMA DEKLARON: KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!?-

Nga Frank Shkreli-

“Im at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”.  Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama gjatë një debati në parliament me disa deputetë të “opozitës”, të Enjtën që kaloi.  Me thënë të drejtën e dëgjova dy tre herë deklaratën e Kryeministrit shqiptar për të qenë i sigurt se vërtetë kështu u shpreh publikisht, madje nga foltorja e Kuvendit, kryeministri i Shqipërisë — i një vendi ish-komunist me regjimin më të egër të këtij lloji në botë, për pothuaj një gjysëm shekulli, aktualisht vend anëtar i NATO-s, një aleancë ushtarake që është themeluar, pikërisht, me misionin për të mbrojtur vendet demokratike perendimore nga kërcënimet e komunizmit sovjetik dhe aleatëve të tij. 

Nuk më intereson aspak se cilat ishin ose si i kujton Edi Rama marëdhëniet me babain e tij kur i ati i shërbente regjimit komunist të Enver Hoxhës, ose cilat janë kujtimet e tija familjare tani që i ati është i ndjerë.  Gjithashtu nuk më interesojnë as marrëdhëniet e Edi Ramës ose pikëpamjet tija për ballistët, zogistët ose këdo tjetër, pasi ata të gjithë meritojnë njëri tjetrin.

Po ajo që më intereson dhe më shqetëson mua si një shqiptar i diasporës që gjithmonë dhe pa dallim ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo, e që duhet të interesojë dhe të shqetësojë çdo shqiptar, pa dallime politike, fetare ose krahinore është kur Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit  nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë –se komunistët shqiptarë, në krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia — na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”.  Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, a po simpatizant i komunizmit sot.

Është e vështirë të merret me mend një Kryeministër i cilitdo vend tjetër ish-komunist në Evropë dhe më gjërë, që sot në fillim të dekadës së tretë të shekullit 21, të deklarojë se — komunistët shqiptarë, përfshir babain e tij, që i kanë shërbyer me besinkëri njërit prej regjimeve më kriminale që ka njohur historia e njerëzimit e shekullit të kaluar – kanë qenë në anën e duhur të historisë.  Gjatë “debatit”, Z. Rama e quajti veten “socialist-demokrat”, “në kuptimin e të qenit demokrat”, tha kryeministri.  “Socialistët, ta dishë”, shtoi ai, “janë anti-fashistë dhe anti-komunistë”. Nëqoftse socialistët na qenkan “antikomunistë”, atëherë si mund të ishin komunistët në anën e duhur të historisë?  “Socialistët, nuk merren me personat, ata merren me ideologji, kjo është ndarja e madhe”, theksoi ai. Por, ai nuk tha se për cilën ideologji e ka fjalën.

Unë nuk jam i sigurt se cilën audiencë kishte parasysh, Z. Rama kur deklaroi se komunizmi shqiptar ishte në anën e duhur të historisë: drejtuar një dyzinë antarësh të Kuvendit që gjoja quhet opozitë, ish-zyrtarëve të komunizmit, sot anëtarë të Kuvendit si përfaqësues të partisë së tij në pushtet, me maska në fytyrë, sikur duan të mbulojnë të kaluarën e tyre kriminale, si ish-shërbëtorë të komunizmit, “në anën e duhur” të historisë, a po iu drejtuar mbarë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ose ndoshta vetëm donte të mobilizonte “pionerët e Enverit”?.  Unë besoj se ky mesazh patetik i Z. Rama u drejtohej votuesve shqiptarë në përgjithësi, me një sy tek zgjedhjet e ardhëshme, për të aktivizuar elementët më negativ të shoqërisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha ishte një mesazh anti-njerëzor për të gjitha viktimat anti-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe të përndjekurve të atij regjimi dhe  ndaj të gjithë atyre që kanë kaluar vitet më të mira të jetës nepër kampet e përqëndrimit e që sot sillen rrugëve të Tiranës dhe të qyteteve të tjera pa punë, pa të ardhura e pa pronë, pa pikë shprese për veten dhe familjet e tyre.  E vetmja shpresë që kanë është për tu arratisur nga Atdheu siç arratiseshin dikur nga Shqipëria komuniste, paraardhësit e tyre.  Për fat të keq, kjo deklaratë e kryeministrit shqiptar, mbi të gjitha, u bë në frymën e Vladimir Leninit, me qëllim “që të përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne.” (Lenini). 

Të thuhet se “komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, nuk është një shprehje që del nga zemra dhe mendja e një demokrati të vërtetë evropian të fillim shekullit 21.  Kjo nuk është demokraci as “politikë opinionesh e përballje ideshë”, siç pretendoi gjatë “debatit”, Z. Rama.  Ky është një debat me veten tuaj, i nderuar kryeministër!  Fatkeqësisht, kjo që ndodhë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është as shprehje opinionesh as përballje ideshë, por është një pasqyrim i falimentimit moral dhe politik i një klase politike pa parime dhe pa atdhedashuri.  Por që pasqyron edhe atë që, për shumicën e shqiptarëve tani, është një korrupsion materialist në të cilin është zhytur vendi, jo vetëm politika e ditës por edhe një pjesë e madhe e medias dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, megjithëse i rrezikshëm dhe jo kurrë si në anën e duhur të historisë.  Por, sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër.  Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur, turpërisht, me shembjen e Murit të Berlinit.  Por, kjo magjepsje, kjo nostalgji e çmendur në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit — me të kaluarën komuniste në Shqipëri — siç dëshmon edhe deklarata e Kryeministrit Rama javën që kaloi — është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e të cilave po dokumentohen nga entet përkatëse të jashtme dhe të brendshme të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarëve të regjimit enverist.

Ata që janë moralisht të falimentuar, përsa i përket krimeve të komunizmit, anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi përdorte për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa mëshirë, kundërshtarët e vet.  Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, grupe të ndryshme, një pjesë e medias dhe nostalgjikët e komunizmit– për interesa të momentit– promovojnë regjimin komunist dhe figurat udhëheqëse më të shëmtuara të komunizmit shqiptar.  Tashti këtyre grupeve iu bashkua, zyrtarisht, edhe Kryeministi i vendit me deklaratën e tij bombastike se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Një deklaratë kjo e cila u interpretua nga disa analistë si një përpjekje e qartë për të paraqitur ndryshe nga ç’ishte historia kriminale e komunizmit në Shqipëri. 

I nderuar Z. Kryeministër, në vend të glorifikimit të komunizmit, si i pari i qeverisë së vendit, të takon, je i detyruar– politikisht, moralisht, por edhe kombëtarisht — që të ndihmosh në ndërgjegjësimin dhe në forcimin e dialogut rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale komuniste në Shqipëri.  Ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, është një rol që duhet të luaj personi i juaj, si një përgjegjësi morale dhe qytetare ndaj të gjithë shqiptarëve, pa dallim.  Sa larg ishte dhe është Shqipëria nga bota perendimore sa i përket komunizmit.  Ish-Presidenti amerikan John Kennedy, si një detyrim moral dhe patriotik kishte premtuar në kulmin e përhapjes së komunizmit në botë se për të ndaluar komunizmin, Amerika ishte gati të, “paguaj çdo çmim, të bartë cilëndo barrë, të përballojë çdo vështirësi, të mbështesë çdo mik, dhe të kundërshtojë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.  Liria në Shqipëri nuk mbrohet duke promovuar komunizmin, Z, Kryeministër.

Fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve dhe shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi, në media dhe panele televizive, nga njerëz të cilët ende mbajnë detyra me përgjegjësi, në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike.  Politika ka përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend, por këta ”këmisha bardhët me kravata” siç i quante Ronald Reagan, janë një ndër shkaqet kryesore që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri.  Këta duhet të mbahen përgjegjës aq sa edhe politika, për gjëndjen e mjerueshme në vend. 

Shqipëria jonë e vogël është me krime aq të mëdha e të kobshme të epokës së komunizmit, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban.  Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, për fat të keq, duket se Tirana zyrtare ka zgjedhur rrugën e harresës, tjetërsimit të historisë dhe anashkalimit të krimeve të komunizmit, kësaj radhe me sanksionimin zyrtar të Kryeministrit të vendit.  Jeni në rrugën e gabuar!  Historia e komunizmit shqiptar, prej pothuaj gjysëm shekulli, ishte një histori tmeri, viktimash të pafajshme, kampesh pune e përqendrimi, burgjesh, arratisjesh dhe ekzekutimesh të kundërshtarëve të regjimit enverist.  Z. Kryeministër, po mbroni një trashëgimi krimesh, gënjeshtrash dhe shpifjesh.  Komunizmi ishte një kapitull i tmershëm dhe i pa njohur më parë në historinë e njerëzimit, për nga natyra e krimeve që ka kryer mbi njerëz të pafajshëm.  Si e tillë, kjo histori monstroze duhet të dënohet, në vend që të promovohet si një histori e duhur nga ana juaj.  Diktaturat e të gjitha ngjyrave, sidomos komunizmi me mbi 100-milionë të vrarë — nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet të konsiderohen as sot si një sistem i duhur në historinë e Shqipërisë, as të njerëzimit.  Deklarata juaj, javën që kaloi, se komunistët dhe komunizmi 50-vjeçar në Shqipëri — megjithë krimet e mëdha në njerëz dhe dëmet materiale për të cilat nuk fole fare — ishin në anën e duhur të historisë, është e papërgjegjshme, ofenduese për të përndjekurit e komunizmit– të gjallë e të vdekur– imorale dhe kriminale për një kryeministër të një vendi anëtar i NATO-s. 

Frank Shkreli

Në artikullin e bashkangjitur, shkruar para tre vjetësh, mund të shikoni foto-skica nga Piktori Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe pikërisht kampi famëkeq i Tepelenës.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-piktori-i-kampeve-te-vdekjes-te-regjimit-te-enver-hoxhes/

Filed Under: Emigracion, Politike Tagged With: Frank shkreli, komunistet, kryeministri, kryeministri Rama

Nuk luhet me Simbolet tona kombetare, ato jane te shenjta!

February 27, 2019 by dgreca

Kryeministri i Shqiperise shperfille, perdhose simbolet tona kombetare/

1 rama Ruset1 Falmuri Yne1 a m kul

Shkruan: Dr. Sadik ELSHANI/

Keto dite u njoftua ne shtypin shqiptar per nje postim te z. Luan Rama ne Facebook ku ai me te drejte e ngrente shqetesimin e tij per perdhosjen qe z. Edi Rama, kryeministri i Shqiperise u kishte bere simboleve tona kombetare. Dhe pas ketij njoftimi nuk u degjua me asnje fjale, thua se nuk kishte ndodhur asgje, thua se kjo eshte nje imtesi per te cilen askush nuk duhet ta çaje koken. Kryeministri i Shqiperise e ka deformuar shqiponjen tone, stemen e Republikes se Shqiperise. Ne te gjitha ambasadat shqiptare ishte vendosur nje shqiponje e bardhe, qe me teper i ngjante nje shqiponje bizantine, nje pulebardhe sesa shqiponjes sone. Pas ca ditesh kjo shqiponje eshte hequr nga ambasadat shqiptare dhe eshte zevendesuar me shqiponjen e flamurit tone, ndoshta pas reagimit te z. Luan Rama. Por ne faqen zyrtare te Kryeministrise dhe te gjitha ministrive ende qendron stema e Republikes se Shqiperise me shqiponjen e deformuar me ngjure te perhimte (gri). Ndersa perkrenarja e Skenderbeut, po ashtu ngjyre gri, eshte vendosur ne anen e majte dhe jo ne anen e djathte, siç eshte e percaktuar me ligj. Ndoshta z. Rama mendon se pasi ai dhe partia e tij jane te orientimit te majte, atehere edhe perkrenarja e Skenderbeut duhet te vendoset ne profil majtas. Kjo me kujton vendimin e nje demagogu, populisti, diktatori marksist te nje shteti te Amerikes Latine, i cili e ka ndryshuar levizjen standarde te akrepave te ores: nga e majta ne te djathte, ne drejtimin e kundert: nga e djathta ne te majte.

Simbolet tona kombetare jane te shenjta

Ne Shqiperi, si ne te gjitha vendet e tjera te botes, simbolet: pamja, forma dhe perdorimi i tyre eshte i percaktuar ne kushtetute dhe eshte i rregulluar me ligj. Neni 14 (pikat 1 – 5) i Kushtetutes se Republikes se Shqiperise i percakton qarte gjuhen zyrtare, simbolet dhe festat kombetare te Shqiperise. Ndersa keto simbole dhe perdorimi i tyre rregullohen ne hollesi me Ligjin Nr. 8926: “Per formen dhe permasat e Flamurit Kombetar, permbajtjen e Himnit Kombetar, formen dhe permasen e stems dhe menyren e perdorimit te tyre”. Dhe ja si e percakton ky ligj stemen e Republikes se Shqiperise (Neni 7, Pika 1):

“Stema e Republikës se Shqipërisë është simbol shtetëror. Ajo paraqet një shqyt, me ngjyre te kuqe gjaku, me një shqiponje ne qendër, te njëjtë me shqiponjën e flamurit kombëtar te Republikës se Shqipërisë. Ne krye te shqytit, me ngjyre te arte, është vendosur përkrenarja e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ne profil djathtas. Përmasat e shqytit janë ne raportin 1 me 1, 5 njësi”.  Po ashtu, ky ligj e percakton edhe perdorimin e kesaj steme (Neni 8, Pika 2):

“Stema e Republikës se Shqipërisë vendoset ne vulat e institucioneve shtetërore, ne aktet e tyre zyrtare, mbi emërtimin zyrtar te institucioneve shtetërore dhe ne çdo akt tjetër, qe institucioni shtetëror u drejton te tretëve. Stema e Republikës se Shqipërisë përdoret si shenje identifikimi ne mjetet e punës se institucionit shtetëror dhe ne mjediset e punës”. Pra, shihet qarte se stema e Republikes se Shqiperise e percaktuar me ligj dhe ajo qe perdor z. Rama jane krejtesisht te ndryshme. Kjo shpreh, shpalos arrogancen, mosrespektimin, mosperfilljen e simboleve tona kombetare, kushtetutes, ligjit, nga kryeministri i Shqiperise. Keto jane vetem maja e ajsbergut, simptomet e nje shoqerie, qeverie, shteti te semure. Kur kreu i qeverise nuk e respekton kushtetuten, ligjin, atehere çka pritet nga te tjeret?! Nuk thone kote: Peshku qelbet ne koke. Shqiperia per nje kohe shume te gjate eshte duke vuajtur nga keqqeverisja, ndersa shoqerine shqiptare e ka kapluar nje krize e thelle morale. Simbolet kombetare jane leternjoftimi, identiteti i nje kombi, shteti.Per shqiptaret nuk ka simbol me te shenjte se flamuri yne: Eshte flamuri qe na la Skenderbeu; eshte ky flamur qe i mban se bashku popollin dhe trojet tona padrejtesisht te ndara. Per te gjithe shqiptaret, por sidomos per ata qe mbeten jashte kufijve londineze, ky flamur eshte vete Shqiperia. Per kete flamur shume shqiptare te Kosove dhe trojeve tjera shqiptare ne ish Jugosllavi jane burgosur e jane vrare. Prandaj, askush, qofte ai edhe kryeministri i Shqiperise, nuk duhet lejuar qe ta perdhose ate! Dhe habia me e madhe eshte se shqiptaret, institucionet tona, perfshire ketu edhe dy Akademite e Shkencore, heshtin, thua se nuk eshte duke ndodhur asgje.Po ashtu, dite me pare veprimet e kryeministrit te Shqiperise, zotit Rama, lidhur me emerimin e ministrit per Europen dhe Puneve te Jashtme te Shqiperise ngjallen reagime te shumta ne shtypin shqiptar dhe ne ligjerimin publik. Dhe pikerisht per kandidatin z. Cakaj, por edhe per menyren sesi u krye ky proces. Edhe ne kete rast Kryeministri u tall me shtetin, kushtetuten. Per kete me heret e kam bere nje shkrim (“Qeverisje arrogante – tallje me shtetin, kushtetuten” – Illyria, 30 janar, 2019), prandaj nuk ka nevoje qe te zgjaem me shume per kete çeshtje.

28 Nentori nen hijen e 29 Nentorit

Meqenese ne kete shkrim po perqendrohemi per keqperdorimin, shperfilljen, perdhosjen e simboleve tona kombetare e shteterore, duhet theksuar se edhe Festa jone Kombetare, Dita e Flamurit, 28 Nentori ka disa dhjetevjeçare, pikerisht, qe nga ardhja e sistemit komunist, ka mbetur nen hijen e 29 Nentorit (edhe pas renjes se komunizmit, kur ne pushtet jane socialistet). Edhe kete Dite te Madhe, Dite te Shenjte, Kryeministri eshte duke e shperfille. Vertet, ai shkon me 28 nentor ne Vlore, veshur me dimia apo shallvare, per te vene nje kurore ne varrin e Ismail Qemalit, por me 29 nentor ai e “kalle” Tiranen me nje koncert madheshtor (Nata e Bardhe), duke e lene keshtu 28 Nentorin nen hijen e 29 Nentorit. Ne historine shumeshekullore te kombit tone nuk date me te shenjte se 28 Nentori, qe shenon kthimin e Skenderbeut ne Kruje (1443) dhe Shpalljen e Pvaresise se Shqiperise ne Vlore. Edhe me kete rast Kushtetuta e Shqiperise (Neni 14, Pika 5) eshte e qarte: “Festa Kombetare e Republikes se Shqiperise eshte Dita e Flamurit, 28 Nentori”. Nuk ka nje Feste te dyte Kombetare, nje dite me te madhe.

Shpesh ne Kuvendin e Shqiperise, qe duhet te jete nje tempull i shenjte i demokracise dhe bashkekuvendimit tone kombetar, Kryeministri perdor gjuhe jodinjitoze, duke i fyer,duke i perqeshur deputetet, veprime qe nuk i bejne nder te parit te qeverise se nje vendi. (Edhe sjellja e disa deputeteve eshte e papranueshme, por kjo eshte nje teme tjeter qe meriton nje shtjellim me te hollesishem e me kritik).

Zoti Kryeminister i Shqiperise, respektoni simbolet tona kombetare e shteterore, sepse ato jane te shenjta per te gjithe shqiptaret!

Philadelphia, shkurt, 2019

*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Sadik Elshani, kryeministri Rama, Simbolet Kombetare

Siguria kombëtare kërkon largimin e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj!

July 6, 2018 by dgreca

Për dijeni Znj.Kathleen A. Kavalec, Ambasadore e SHBA & Znj Federica Mogherini, BE/

2-elidaNga Elida Buçpapaj/Fatmir Xhafaj nuk do të duhej të ishte përfshirë në asnjë lloj qeverie, që kur për vëllain e tij ekzistonte një fletë arresti e paekzekutuar nga vitit 2002.

Vëllai i Fatmir Xhafajt akuzohej nga drejtësia italiane për përfshirje në trafik droge, ndërsa shteti shqiptar, përfshirë edhe Ministrin e Brendshëm e linte të vëllain në liri të plotë !

Vetëm ky fakt e bënte të papranueshëm Fatmir Xhafajn që kryeministri t’i besonte portofolin e kryepolicit!

Emërtimi i Famir Xhafajt në këtë post e bën pis edhe integritetin e kryeshtetarit !

Dorëzimi i të vëllait autoriteteve italiane me 16 vjet vonesë nga ana e Ministrit të Brendshëm pas ekspozimit të një telefonate, ku vëllai i Fatmir Xhafajt ishte i përfshirë në një bisedë komprometuese, e vë në spikamë shkeljen e ligjit  nga të dy vëllezërit.

I vëllai i Fatmir Xhafajt ka shkelur ligjin duke trafikuar, ndërsa Fatmir Xhafa ka shkelur ligjin duke mos ia dorëzuar për 16 vjet drejtësisë trafikantin!

Natyrisht që Fatmir Xhafajn nuk e fajëson faji i të vëllait, por e fajëson mosdorëzimi i të vëllait për 16 vite, ku Fatmir Xhafaj ka ngjitur lart e më lart shkallët e pushtetit!

Vrasja e shoferit të Ministrit të Brendshëm është fundi pa nder i karrierës politike të Fatmir Xhafajt, që do të thotë se largimi i tij nga posti i Ministrit të Brendshëm duhet të jetë i menjëhershëm.

Ministra të përlyer e përlyejnë jo vetëm figurën e tyre, por edhe qeverisjen dhe sidomos atë që i ka zgjedhur, dmth kryetarin e qeverisë, Edi Ramën, i cili zgjedh dhe  mbron njerëz të gabuar.

Kujtoni lidhjet e ngushta të Edi Ramës me Sajmir Tahirin, lidhjen e ngushtë të Edi Ramës me kryebashkiakun e Kavajës dhe tani me Fatmir Xhafajn!

Vrasja e shoferit të Ministrit të Brenshëm Fatmir Xhafaj i ngjan një trilleri mafioz nga Hollywood-i, por në fakt realiteti i frikshëm që sundon në Shqipëri e tejkalon atë.

Tek çdokush lind dyshimi se shoferi i Ministri i Fatmir Xhafajt duhet të ketë ditur më tepër se duhej.

Kjo është një pistë dyshimi që nuk e kundërshton dot askush!

Menjëherë pas vrasjes, shteti doli me variantin e vetëvrasjes të të ndjerit, pastaj shtypi botoi një deklaratë të familjes dhe në fund, për ta plotësuar skenarin, një mesazh që i ndjeri ia dërgonte nënës së tij.

Na lini të qetë, thosh familja! Natyrisht që ashtu do të thosh. Edhe vëllai tjetër i shoferit të Fatmir Xhafajt është i punësuar në Gardën e Republikës! E kush do të guxonte nga familjarët të merrej me Fatmir Xhafajn me pushtet të pakufizuar.

Sa për mesazhin e të ndjerit për nënën, vrasësit nuk e kanë patur të vështirë ose ta detyronin viktimën, ose ta shkruanin vetë atë, pra mesazhi vetëm e thellon dyshimin.

Vrasja e shoferit të Ministrit Fatmir Xhafaj ia humb totalisht Ministrit të Brendshëm besueshmërinë dhe kredibilitetin.

Gjatë regjimit diktatorial Fatmir Xhafaj ka qenë pjesë e hetuesisë së regjimit barbar! Edhe kjo e dhënë nuk duhej të tejkalohej.

Ministri Fatmir Xhafaj ngjan si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Edhe ai që e ka zgjedhur, nëse nuk e largon nga detyra ose e detyron që të japë dorëheqjen!

Edhe sikur shoferi i ndjerë të ketë kryer vetëvrasje duke qenë në shërbim të Ministrit të Brendshëm, kjo vrasje që hedh dyshime të forta, ndikon negativisht dhe shërben si terror psiqik për qytetarët, sepse ngjan si terror shtetëror, eleminim fizik nga ana e shtetit. Prandaj largimi i menjëhershëm i Fatmir Xhafajt është i detyrueshëm për t’i dhënë kredibilitet institucionit që siguron mbrojtjen e rendit publik.

Fatmir Xhafaj do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen që ditën që dorëzoi të vëllain përpara drejtësisë italiane. Sepse përmbushi një detyrim të harruar prej tij për 16 vjet!

Nëse nuk do ta jepte dorëheqjen menjëherë sa e dorëzoi të vëllain, Fatmir Xhafajn duhej ta largonte kryeministri.

Në rastin e vrasjes apo vetëvrasjes të shoferit të ndjerë të Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i pashkarkuar dhe i padorëhequr merr pamjen e një mafiozi. Dhe këtë profil i jep edhe qeverisë, edhe kryetarit të qeverisë që e ka zgjedhur dhe që e mban në krye të Ministrisë të Brendëshme!

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, Fatmir Xhafaj, kryeministri Rama

KRYEMINISTRI RAMA DHE AT GJERGJ FISHTA

June 28, 2017 by dgreca

           I nderuar Z. Kryeministër Rama ka ardhur koha që kombi shqiptar të shkëputet njëherë e mirë, me vepra dhe me mendime, nga trashëgimia ideologjike dhe nga periudha e errët komuniste, duke i dhënë At Gjergj Fishtës vendin që i takon dhe që meriton në historinë e Kombit Shqiptar.  Shqipëria me At Gjergj Fishtën është Shqipëria që dëshiron Kombi shqiptar.  Pa ‘të Shqipëria është e mangët, siç shtë shprehur Namik Resuli dhe shqiptarët, pa ‘të janë më të varfër shpirtërisht dhe kombëtarisht.  Mbrojtës më të madh të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve nuk ka pasur kombi! Ka ardhur koha që si të të tillë ta njohë edhe historia./             

1 Fishta, Bumci, berati

Ne Foto: At Gjergj Fishta, Imzot Luigj Bumçi dhe Dhimitër Berati, Paris, 1919/

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Me këtë poezi më poshtë të At Gjergj Fishtës — postuar në fejsbukun e tij — Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama falënderoi votuesit shqiptarë duke ju thënë atyre, “u rritë ndera”, për mbështetjen që i dhanë atij dhe Partisë që ai drejton, në fitoren e zgjedhjeve të së djelës që kaloi.  Janë këto vargje të përshtatshme të Poetit të madh kombëtar, që Kryeministri Rama ka zgjedhur për të falënderuar Shqipërinë dhe elektoratin e saj me këtë rast, duke  shprehur mirënjohjen e tij Shqipërisë me fjalët e Fishtës, “Për jetë të jetës të rrnoftë ty ndera.”

Nga Edi Rama Fejsbuk

AMARCORD

Dy fjale Shqipes due me ja rreshtue…

“Perëndija t’ fali i Amshueshëm,…
Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme:
N’ gjí  tand vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.”

Përzgjedhja e këtyre vargjeve të At Gjergj Fishtës nga Z. Rama, në falënderim Shqipërisë dhe shqiptarëve për fitoren që i akorduan atij dhe partisë së tij në zgjedhjet e fundit, përkon me një përvjetor tepër të rëndësishëm fishtjan, ndonëse të harruar me qëllim, të historisë së kombit shqiptar – e që është përvjetori i fjalimit të famshëm të At Gjergj Fishtës, në Konferencën e Paqës në Paris me 28 qershor, 1919 mbi “Shqyptarët dhe të drejtat e tyne”.   Është ky një fjalim klasik i mbrojtësit më të madh të interesave kombëtare, Homerit të Kombit e të racës arbërore dhe Françeskanit të madh, At Gjergj Fishtës, që deri sot besoj se mbetet një fjalim i pashoqt  dhe i pa shembullt për temën që trajton, i.e. të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta.

Ishte fati i kombit që At Gjergj Fishta jetoi dhe veproi në një periudhë jashtzakonisht kritike për ekzistencën e shtetit shqiptar.  Ai iu përgjigj thirrjeve të atdheut, kudo e kurdo i kërkohej, me pendë e me gojë, t’i shërbente të mirës dhe dobisë së Shqipërisë.   At Gjergj Fishta është një përmbledhës i visarit shpirtëror të vuajtjeve, luftërave, mundimeve e përpjekjeve për liri, pavarësi e dinjitet njerëzor të kombit shqiptar, ndër shekuj. Në veprat e Fishtës çdo shqiptar mund të gjejë të pasqyruar fatin e vet dhe të Kombit në luftërat titanike për të mbijetuar.  Aty gjenë luftërat e mëdha të drangojve ose të luftëtarëve shqiptarë, në përpjekjet e tyre për t’i zbardhur faqën kombit në luftërat kundër kulshedrës ose armiqëve të Shqiptarëve.  Albanologu italian Fulvio Cordignano ka shkruar (në ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925) se “Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtjeje për tagre të veta, mësimit kombtar mbi mbështetjen e gjuhës kombtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme.  Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vegjël; këndon sa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh”, ka vlerësuar Fishtën, albanologu Cordignano, fillim shekullin e kaluar.

Këjo mënyrë “luftarake e një fuqie të pafrigueshme” të ideve të At Gjergj Fishtës vihet re më së miri — sidomos në kritikat  që Fishta i bën politikës së Fuqive të Mëdha karshi shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të kombit shqiptar — në fjalimin që ai kishte përgatitur për t’u lexuar në Konferencën e Paqës në Paris, më 28 qershor të vitit 1919.  Në atë fjalim, që është një mbrojtje e fortë dhe bindëse në mbështetje të të drejtave të kombit të “pa-përkulun” shqiptar,  At Gjergj Fishta, përveçse u “Difton se kush janë e shka janë Shqyptarët” përfaqsuesve të Fuqive të Mëdha në atë konferencë dhe cilat janë të drejtat e tyre, ai njëkohsisht i kritikon ato, përfshirë edhe Francën ku u mbajt fjalimi, për qëndrimin e tyre kundër lirisë, pavarësisë dhe të përcaktimit të kufijve natyrorë, gjeografikë dhe etnikë të kombit shqiptar në Ballkan.  “Prej brigjeve gjimuese t’ Euksinit e me borë t’ amshueme t’Alpeve Julje, prej bigave bumulluese t’Akrokeraunvet e më karma të thepisuna të Karpateve, ene’ rijme me gjak njerit, në ato kavaljetet e kalueme të vjetra — banonte si zotnija e juej mirë e din — ajo familja e madhe trako-ilire, në nam e në za, në histori të fisevet e të kombeve.”

Fishta vazhdon duke thënë se nga këjo familje e madhe trako-ilire, “Atje ndërmjet Thesalijet e Malit të Zi, prej brigjevet lindore t’Adriatikut e më stom të Vardarit, pshtoi gjallë nji grusht njerzish, që xanë vend a mbas murojet të do maleve titanike, a se nen hije të kandshme të disa fushave gratshore e të kërthnesta – banë e përmallueshme e hyjvet të moshës prrallzore – u ban ball me fuqi kurr të përkulme të shpirtit të vet bujar e thellimeve të kavaljeteve e padrejtsive t’hipokrizisë njerzore.”  At Gjergj Fishta, “me fuqi të pafrigueshme u sjellë ndër mend fuqive të mëdha se shqiptarët, “Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ene kta flasin atë gjuhën e të Parvet të vet ma të hershëm; ene e ruejnë të pandryshuem karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshavet të vet, e sot edhe punojnë shi njat tokë që punuan të parët e tyne prehistorikë.”At Gjergj Fishta, në fjalimin e tij, shprehet për vuajtjet e mëdha të shqiptarëve nën okupues të huaj gjatë shekujve, duke thënë: “Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë rromake; mbi ta po, u lëshue e irun mnijet e gjithmonë e pabesë sfinksa sllave; rresht për katër kavaljete të gjata i ra sypri boena e barbarsisë azjatike; por me gjith kta, ata nuk ndërruan njininë e vet kombtare, e as s’lshuan doket e idealet e veta” Ai u kujtoi atyre se, “Po, ky popull i papërkulun kurrë, ene gjindet atje mbi ato maje të thepisuna, mbi ato zalli të plleshme, ku të parët e tij prefshin rrasat për me ça me to rrashtat e anmqivet, a u epshin ujë pallavet të hekurta, për me shtrue me to mbarë botën nën kambë të nji Lekës së Madh…” Dhe vazhdon. “E mirë, pra, zotni të mij, ky popull asht njaj populli i vogël shqyptar, aq pak i njoftun e qa zi i gjykuem në Evropë. I vjetër sa fosilat, sa stalagtitat e shpellave jehuese të malevetë te veta vigane, e le të thuesh, prej vet bucet të Shqypnis, ai asht sot zot autokton e i pakundërshtim i tokve të veta.  Ene Sllavi s’kishte dalë prej breshtet t’Uralit, e ene s’kje njeshë e sodmja frotë laramane neo-elenike, kur Shqyptari korrte më zagna të Ballkanit edhe mbyllë e kishte nji periudhë të historisë së vet në moshë të rruzullimit. Kush para Shqyptarit ngau qetë sinjorevet të Ballkanit? Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare…”.

Fjalimi është tepër i gjatë për qëllimet e këtij shkrimi, por nevojitë të kujtohet si një fjalim që duhej të ishte lexim i detyruar në shkollat anë e mbanë trojeve shqiptare.  Është për tu lavdëruar fakti që Kryeminsitri Rama përmend Fishtën dhe që përdori vargjet e At Gjergj Fishtës për të falënderuar shqiptarët për votën e tyre, por kjo nuk mohon faktin e tmershëm se për më shumë se 75 vjetë, përfshirë çerek shekullin e post-komunizmit, emri dhe veprat e Fishtës, zyrtarisht, mbeten ende tabu për brezat e shqiptarëve, ndërsa emri i tij përdhoset ende nga pseudo- historianët dhe nostalgjikët komunistë shqiptarë.

Ish- Profesor Namik Resuli i universitetit të Napolit, në një fjalim në Romë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Fishtës ka thënë se, “Kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë se Shqipnija pa Fishtën kishte për të qenë e mangët, ashtu si letrat tona pa penden fishtjane kishin për të paraqitë nji golle (boshllëk) të paplotsueshme.  Këndej del e qartë se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin që ai xen në panteonin e Kombit’’, ka shkruar Profesor Namik Resuli.

Ky përjashtim e mohim nga vet kombi i vet, të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat dhe interesat e tija, në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, është i papranueshëm dhe një përdhunim i historisë së shqiptarëve, nga një grup siç duket gjithnjë me influencë i Ministrisë së Kulturës në vendimarrje të tilla dhe nga historianë politikë të idoktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen Homerit të Shqiptarëve me epitet më fyese të periudhës komuniste si  “fashist” e “tradhëtar”.  Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë çështje.  Kjo heshtje zyrtare nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian.

Gjatë viteve, unë kam i bashkangjitur zërin tim të vogël e modest, një kori zërash “ushtarësh të lodhur” të cilët gjatë viteve kanë bërë thirrje për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës, si monument kulture.  Ministria e Kulturës e qeverisë së juaj, Z. Kryeministër, gjatë 4 viteve të fundit, nën drejtimin e Ministres Kumbaro ka bërë veshët e shurdhët ndaj këtyre apeleve, duke treguar -me heshtjen e saj — arrogancën dhe njëanëshmërinë e preferencave të saja ideologjike, se cilat figura të kombit duhet të kujtohen e të nderohen, e cilat jo.

I nderuar Z. Kryeministër Rama ka ardhur koha që kombi shqiptar të shkëputet njëherë e mirë, me vepra dhe me mendime, nga trashëgimia ideologjike dhe nga periudha e errët komuniste, duke i dhënë At Gjergj Fishtës vendin që i takon dhe që meriton në historinë e Kombit Shqiptar.  Shqipëria me At Gjergj Fishtën është Shqipëria që dëshiron Kombi shqiptar.  Pa ‘të Shqipëria është e mangët, siç shtë shprehur Namik Resuli dhe shqiptarët, pa ‘të janë më të varfër shpirtërisht dhe kombëtarisht.  Mbrojtës më të madh të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve nuk ka pasur kombi! Ka ardhur koha që si të të tillë ta njohë edhe historia.

Filed Under: Featured Tagged With: DHE AT GJERGJ FISHTA, Frank shkreli, kryeministri Rama

Kryeministri Rama publikon foton me Presidentin Obama

September 29, 2015 by dgreca

Kryeministri Rama së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama, kanë bërë një fotografi me presidentin Obama dhe Michelle Obama, Zonjën e Parë.

Michelle Obama ka veshur një fustan të zi me lule blu, ndërsa Linda një fustan të kuq.

Fotografia është hedhur në faqen e Facebook-ut të Kryeministri tonë, të cilën e ka cilësuar “Photo of the Day”. Kryeministri Rama ndodhet në Nju Jork për punimet e samitit të OKB.

Filed Under: Komente Tagged With: fotografi, kryeministri Rama, Presidenti Obama

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT