Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori mbrëmë pjesë në aktivitetin “Hardh Ora Poetike” kushtuar poetit Xhevdet Bajraj, të organizuar nga Hardh Fest dhe Klubi Letrar “Xhevdet Bajraj”.
Në oborrin e poetit shqiptar me famë botërore, Xhevdet Bajraj, kryeministri Albin Kurti, e vlerësoi këtë organizim si një mënyrë e mirë për ta kompensuar sadopak mungesën fizike të poetit i cili u nda nga jeta me 22 qershor të vitit 2022.
Para të pranishmëve, ai shprehu ndjesinë e të qenurit me fat që një poet kaq të madh e ka njohur personalisht.
“Pra, artistë të mëdhenj i njohim nga vepra, po kur ke arritur edhe që t’i dëgjosh direkt e t’i prekësh, padyshim se përshtypjet janë më të mëdha, e unë do të thosha posaçërisht për shkak se bëhet fjalë për Xhevdetin”, tha kryeministri Kurti.
Për vlerësimet e vargjeve të tij të cilat edhe i kujtoi gjatë këtij aktiviteti, ai tha se përveç se vargje, janë edhe këngë të prodhuara nga preokupimet sociale të cilat e bëjnë Xhevdet Bajrajn poet të madh që ka dhënë njëkohësisht zë unik, estetik e social edhe dhimbjeve të popullit edhe dashurisë për vendlindjen.
Ndërkaq, në aspektin akademik, kryeministri Kurti theksoi nevojën e studimit të këtij zëri unik, përderisa u ndje i kënaqur me themelimin e Klubit Letrar “Xhevdet Bajraj”.
“Ky zë unik i Xhevdet Bajrajt që e ka aspektin estetik e social, njëkohësisht për të dyja këto dimensione kaq të fuqishme, padyshim se është mirë që të studiohet e lëvrohet në universitetet tona, nëpër akademitë tona dhe jo vetëm tonat”, shtoi kryeministri.
Në kuadër të festivalit ‘’Hardh Fest’’, përveç Orës Poetike kryeministri Kurti vizitoi edhe panairin e verës, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.