-Në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) është zhvilluar sot pasdite ceremonia e dorëzimit të certifikatave grupit të parë të pjesëmarrësve në trajnimin për zhvillimin e politikave publike dhe udhëheqje/
PRISHTINË, 9 Shkurt 2016-B.Jashari/ Në Prishtinë, në Auditoriumin e Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK) është zhvilluar sot pasdite ceremonia e dorëzimit të certifikatave grupit të parë të pjesëmarrësve në trajnimin për zhvillimin e politikave publike dhe udhëheqje, ku morën pjesë edhe kryeministri kosovar Isa Mustafa dhe ambasadori i SHBA, Greg Delawie.
Njoftimi dërguar nga Ambasada e SHBA në Prishtinë bën të ditur se, Zhvillimi i Politikave Publike dhe Trajnimi për Udhëheqje është pjesë e programit Lidershipi Transformues (TLP) – Trajnimet Intensive dhe Kurset e Shërbimit Publik. Ky është një program intensiv i cili ofron trajnime të specializuara për udhëheqje, analizë të politikave publike, vendimmarrje të bazuar në dëshmi dhe vlerësim të programit.
Grupi i dytë i vijuesve të trajnimit të TLP-së Zhvillimi i Politikave Publike dhe Trajnimi për Udhëheqje është planifikuar të fillojë kah fundi i shkurtit me më shumë se 180 pjesëmarrës.
Universiteti Amerikan në Kosovë implementon komponentën TLP – Trajnimet Intensive dhe Kurset e Shërbimit Publik, në mbështetje të programit më të gjërë të Lidershipit Transformues të USAID-it.
Në ceremoni, sipas njoftimit dërguar nga Kryeministria kosovare, kryeministri Isa Mustafa vlerësoi rolin e USAID-it dhe të Universitetit Amerikan në programin e lidershipit transformues, duke theksuar nevojën për përgatitje të kuadrit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie ka folur për rëndësinë që shërbyesit civilë kanë në përparimin e një vendi.
Presidenti i Universitetit Amerikan në Kosovë, Winfred Thompson, ka falënderuar kryeministrin Mustafa dhe USAID-in që i dhanë mundësi këtij institucioni të bëhet pjesë e këtij projekti të rëndësishëm.