-Qeveria e Kosovës përkrah përmirësimin e jetës së të gjithë banorëve/
PRISHTINË, 10 Qershor 2016-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës përkrah përmirësimin e jetës së të gjithë banorëve, tha kryeministri Isa Mustafa gjatë vizitës sot në komunën e Graçanicës, ku u prit nga kryetari Vladeta Kostiç me bashkëpunëtorë. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Mustafa shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi si dhe nga ministri i Kthimit dhe i Komuniteteve, Dalibor Jevtiç.
Kryeministri Mustafa pas takimit tha se gjatë kësaj vizite është njoftuar nga kryetari i komunës për çështjet aktuale. “Kemi biseduar edhe më përpara, por kemi biseduar në selinë e qeverisë dhe jemi munduar t’i koordinojmë punët sa i përket përkrahjes në kërkesat aktuale që i ka komuna e Graçanicës. Është një komunë, e cila ka arrit që të plotësojë qëllimin për çka është themeluar, ka punuar mjaft në ndërtimin e infrastrukturës, në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Por, po ashtu ka nevojë për një përkrahje edhe më të madhe të qeverisë qendrore dhe të ministrive, edhe në fushën e ndërtimit të infrastrukturës, në fushën e ndërtimit të një rruge, e cila e anashkalon qendrën dhe mundëson që të lidhet drejtpërdrejt me rrugën për Gjilan. Mundësisht të krijohet një komunikim shumë i mirë i kësaj komune me Prishtinën, i Graçanicës, por edhe i fshatrave përreth”, tha kryeministri Mustafa. Më tej, kryeministri Mustafa tha se kjo komunë ka nevojë për përkrahje edhe sa i përket deponisë dhe zgjidhjes së atij problemi për qytetarët. “Veçmas biseduam për perspektivën ekonomike të kësaj komune, sepse ka një zonë themi kushtimisht ekonomike shumë të mirë e cila shtrihet përgjatë dy anëve të rrugës që shkon për Lipjan dhe Ferizaj dhe që po ashtu do të ketë një komunikim të mirë me autostradën e cila shkon për Shkup. Ne shohim arsye të madhe që ta përkrahim këtë komunë në mënyrë që të ketë investime këtu, të ketë punësim dhe që qytetarët e Graçanicës të kenë perspektivën e tyre të jetës në Kosovë, në këtë komunë dhe të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa. Kryetari i Graçanicës, Vladeta Kostiç, tha se gjatë takimit me kryeministrin është biseduar në mënyrë shumë konstruktive dhe e ka informuar me të gjitha problemet me të cilat përballet qeverisja lokale në komunë. “Ne gjithashtu e njoftuam kryeministrin me planet tona. Këto janë disa projekte infrastrukturore të cilat janë të arritshme në afat të shkurtër kohor, në një periudhë afatmesme”, tha Kostiç. Kryetari i Graçanicës po ashtu tha se i kanë paraqitur problemet me të cilat ballafaqohet komuna, duke veçuar problemin me buxhetin e vogël. “Ne kemi dhënë disa sugjerime për zgjidhjen e këtyre problemeve tona urgjente. Ne shpresojmë se Ministria e Financave dhe qeveria e Kosovës dhe vetë kryeministri do të kenë mirëkuptim për problemet tona, dhe unë jam i kënaqur që kjo vizitë sipas vlerësimit tim ishte shumë e suksesshme”, tha Kostiç, kryetar i komunës së re kosovare të Graçanicës me shumicë serbe.Në Republikën e Kosovës me gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare, ndërsa 10 komuna janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.Një komunë, Mamusha në rajonin e Prizrenit, është e banuar me shumicë nga komuniteti pakicë turk.