Tiranë/30/Tetor/2014 Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Takimi në zyrën e kreut të shtetit zgjati rreth një orë, Pavarësisht se nuk ka ende asgjë zyrtare lidhur me takimin e tyre, mendohet se në fokus të kenë qenë çështjet më të rëndësishme për momentin, siç është Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë dhe plotësimi i vendeve vakante në Këshillin Mbikqyrës. Lidhur me këtë të fundit, pas mbylljes së aplikimeve online të kandidatëve, Kuvendi në seancën e sotme, votoi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për në Bordin drejtues të Bankës së Shqipërisë.
Gjithashtu pjesë tjetër e diskutimeve mendohet të kenë qenë dhe dhënia fund e ngërçit sa i përket anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ku sërish Kuvendi rrëzoi emrat e propozuar nga Presidenti Nishani.
Për këtë çështje edhe kryeparlamentari Ilir Meta ditën e djeshme, u kërkoi palëve të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin si dhe kërkoi nga ata vendosjen e kritereve shtesë për përzgjedhjen e anëtarëve.
Edhe më herët krerët e shtetit kanë zhvilluar takime mes tyre lidhur me çështjet më të rëndësishme, mes të cilave edhe guvernatori i ri i BSH, që siç kanë theksuar të dyja palët, do të zgjidhet në konsensus mes tyre.