Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ishte me 2 prill në qytetin e Shkodrës, ku e shoqëruar me drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore, deputetët e qarkut, të shoqatës antikomuniste, etj., nderoi aktin heroik të katër dëshmorëve të demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, të cilët më 2 prill 1991, humbën jetën gjatë demontratës së zhvilluar në sheshin përpara ish-Komitetit të Partisë së Punës.
Në shenjë respekti për veprën e tyre, në prani edhe të familjarëve të katër dëshmorëve, si dhe të shumë qytetarëve shkodranë, pranë memorialit kushtuar katër dëshmorëve të demokracisë u bënë homazhe dhe u vendosen kurora me lule. “Në Shkodër, të gjithë bashkë, siç e shikoni, unë jam e rrethuar nga familjarët e katër dëshmorëve të 2 prillit. Ne kujtojmë atë ditë të veçantë, kur Shkodra u ngrit dhe me një besim dhe shpresë të pabesueshme, duke menduar dhe realizuar hapjen e një epoke të re, një epoke të lirë dhe të një epoke ku secili mund të bënte atë që do të dëshironte”, tha zonja Topalli në prononcim për mediat. “Me nderimin më të madh për katër djem të rinj, për katër shkodranë të dashur e të nderuar që sakrifikuan jetën e tyre, ne jemi sot këtu, jemi një vend anëtar i NATO-s, ku të rinjtë lëvizin të lirë pa viza. Vendi ynë është një ndër vendet me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, ne kemi kapërcyer krizën, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera që na rrethojnë dhe do të ecim, përpara me besim të plotë. Unë jam shumë optimiste që edhe më 23 qershor, shkodranët dhe jo vetëm shkodranët, shqiptarët, do të dijnë të zgjedhin atë që është më e mira për vendin e tyre. Sot, Shqipëria është më e mirë, ne e dimë që ka shumë probleme të tjera për të zgjidhur, kemi bërë shumë punë, por shumë të tjera na presin përpara”, tha Topalli.