Të Shtunën me 24 Shtator 2016, Kryesia e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” zhvilloi një takim pune me Shkëlqesinë e Tij, Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Përveç këshilltarëve të presidentit në takim mori pjesë edhe Shefja e Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara, ambasadorja Besiana Kadare.
Takimi zgjati për dy orë. Kryetari i Vatrës, fillimisht e falenderoi presidentin Nishani, për vlerësimet maksimale që i ka bërë në vazhdimësi Vatrës dhe për këtë takim pune. Njehemi të vlerësuar, tha dr. Buçaj, jo vetëm pse Federata e Shqiptarëve të Amerikës është nderuar me dekoratën më të lartë, Urdhërin e Flamurit, por edhe për vlerësimin e lartë, që u është bërë martirëve të saj themelues, që lanë Amerikën për t’i shërbyer Shqipërisë, dhe si shpërblim u anatemuan nga diktatura komuniste, u pushkatuan, u burgosën, u internuan, nuk u dhanë as dy pëllëmbë tokë për varre, edhe pse mbrojtën me jetët e tyre kufijtë e Shqipërisë.
Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij z. Bujar Nishani, shprehu kënaqësinë personale dhe institucione për takimin me Kryesinë e Vatrës. Ai tha se Vatra, ashtu si e tërë diaspora shqiptare, ka qenë në qendër të vëmendjes të institucionit, që ai drejton. Vatra mbetet kontributorja kryesore në diasporë dhe përbën një vlerë historike Kombëtare. Ju vatranët, tha presidenti, mbeteni pjesa kryesore në Kolonën e cështjes Kombëtare. Vatranët meritojnë vlerësim maksimal për qëndrimet në trajtimin e çështjes kombëtare. Qëndrimet tuaja në mbrojtje të drejtave të Shqiptarëve në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, përgjatë të gjithë historisë, kanë qenë dhe mbeten, shtylla e punës tuaj.
Kontributi i Vatrës ka qenë historik, jo vetëm në mbrojtjen e kufijëve të Shqipërisë, por edhe në mbajtjen gjallë të identitetit kombëtar; po ashtu meritë ka Vatra edhe në rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, theksoi presidenti. Vatra ka inspirua miqtë tanë amerikanë për të qenë miqtë dhe aleatët tanë më të mirë.
Zëri i Vatrës do të dëgjohet me respekt nga institucioni i Presidencës, premtoi presidenti Nishani.
Duke iu përgjigjur vlerësimeve të presidentit Nishani për Vatrën, kryetari Buçaj tha: Faleminderit z. President! Ka qenë dikur mendimi se Vatra e ka kryer misionin e saj dhe duhet të pushojë. Koha po e tregon se misioni i Vatrës nuk është i kufizuar në kohë. Ajo është trashëgimia më e vlefshme e historisë sonë kombëtare, jo vetëm në SHBA. Çështja Kombëtare-Kolona e Vatrës, ka nevojë për kontributin e vatranëve, për sot dhe në të ardhmen. Vatra do të jetë e dobishme për Kombin shqiptar, derisa të kemi fqinj sllavë e grekë. Po ashtu ne besojmë se fryma e Vatrës do të ketë ndikim në rritjen e frymës demokratike në Shqipëri dhe në të gjitha trojet kombëtare.
Më pas kryetari Buçaj shprehu brengën e Vatrës dhe të vatranëve për gjendjen e rënduar ekonomike në Shqipëri, për mbulimin e vendit me parcela droge, shtimin e kriminalitetit, mosdënimin e “të korruptuarëve të mëdhenj”, dhe kthimin e korrupsionit në epidemi për vendin, për ngecjen e Reformës në Drejtësi dhe për pengesat që po hasen për nisjen reale të vetingut etj. Largimi masiv apo tendenca për të ikur me çdo kusht nga Shqipëria, është treguesi real i qeverisjes së vendit dhe i klasës politike shqiptare, që po e mbanë vendin në një tranzicion të frikshëm. Në optikën e Vatrës opozita dhe pozita duhet të bashkëpunojnë për të mirën e vendit dhe qytetarëve. Bashkëpunimi është i domosdoshëm dhe normë demokracie, por edhe domosdoshmëri për të zgjidhur problemet tona kombëtare të mbetura pezull. Koha shkon, nesër do të jetë vonë.
Më pas u diskutua për probleme konkrete, shqetësime të Vatrës: Si çështja Çame përmes retorikës dhe reapolitikës, problem i të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe dekorimi i Kryeministrit Gjukanoviq, të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Samiti i qeverisë dhe pozicioni i Presidencës, tendenca për të polarizuar e për të futur konfliktualitetin në diapsorë, mosshërbimi i duhur konsullor për shqiptarët e Amerikës, mungesa e një Ministrie të Diasporës, kur gjysma e popullsisë jeton në ëmrgim, sfidat dhe përballja e Shqipërisë me terrorizmin etj. Po ashtu Kryesia e Vatrës paraqiti një protestë për keqtrajtimin e Bustit të Faik Konicës dhe mosruajtjen nga keqbërsit të varrit të tij në Tiranë, ku siç dihet Vatra është kontributore në kthimin e eshtrave në Prtill 1995. (Hollësi nga takimi mund t’i lexoni në Diellin e printuar)