Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha u prit përzëmërsisht nga kryetari i Parlamentit të Republikës së Kosovës z.Glauk Konjufca. Në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer institucional mes Vatrës dhe Parlamentit të Kosovës e konkretizuar me “Memorandum Mirëkuptimi” nënshkruar më 21 Nëntor 2022, u diskutua për bashkëpunimin e fuqishëm mes dy institucioneve për avancimin e mëtejshëm të axhendës mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare të Vatrës në interes te shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi. Kryetari Konjufca vlerësoi dhe falënderoi Vatrën dhe mërgatën e Amerikës për angazhimin dhe punën e shkëlqyer në interes të kombit tonë. Kryetari i Vatrës vlerësoi arritjet dhe reformat në Kosovë dhe çmoi diplomacinë parlamentare.
Pikë e rëndësishme e diskutimit ishin zgjedhjet në Amerikë dhe bashkëpunimi i frytshëm që Vatra dhe Republika e Kosovës do të kenë me administratën e Presidentit Trump dhe institucionet amerikane në dobi të kombit shqiptar e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.