Nga Qamil S. Llashtica-Toronto/
Me datën 11 dhe 12 prill të vitit 2015 kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” me seli në Nju Jork, – dr. Gjon Buçaj vizitoi degën e “Vatrës” në Toronto të Kanadës. Kjo degë në këtë qytet u themelue para afër dy vjetësh si themelatë e parë e këtillë në shtetin kanadez, pas viteve ’90, pasi me pare Vatar ka pase dy dege ne Kanada. Me këtë rast i informojme lexuesit se formimin e degës së Torontos e ndihmoi drejtpërdrejti dega e Detroidit. Asokohe në Kuvendin Themelues të degës sonë mori pjesë kryetari i saj z.Alfons Grishaj me vatranët – bashkëpunëtorë e tij.
Me kryetarin z.Buçaj kishte ardhun edhe i biri i tij, z. Lekë Buçaj. Ky djalosh i gjatë dhe mjaft simpatik, le e rritë në Amerikë, e flet shqipen për mrekulli; prania e tij në këtë mbledhje i entuziazmoi sidomos vatranët kosovarë. Ishte Leka i cili mori pjesë në fushatën ajrore të pranverës së vitit 1999 mbi Kosovë, prandaj unë u detyrova ta përqafoj tri herë këtë djalosh guximtar. Ndërsa ai vetë thotë se “ato ishin ditët ma të lumtuna të jetës sime – ditët e bombardimit”, Leka insiston të sqarojë se ishte pjesë e nji ekipi që fluturonte mbi Kosovë në kohën e bombardimevet, në mbështetje të bombarderavet, jo si pilot dhe aeroplani i këtij ekipi nuk lëshonte bomba, megjithëse kryente nji shërbim të randësishëm, të natyrës informative.
Me rastin e ardhjes së kryetarit të “Vatrës” në këtë qytet, mikpritësit e këtushëm organizuen nji takim pune të dielën me 12 prill. Në mbledhje merrte pjesë kryesia e degës së “Vatrës”, shumë nga anëtarët e saj si dhe mjaft simpatizues, disa nga të cilët në këtë rast u antarsuen në “Vatër”. Në mesin e të antarsuemëve ishte edhe atdhetari dhe veprimtari i njoftun i këtij qyteti, z.Faik Shabani, i lindun në Tërnovcin e madh të Kosovës. Ishte këtu edhe televizioni shqiptar i Kanadës “Pasqyra Shqiptare”, me këtë rast dr. Buçaj dha nji intervistë të shkurtë për shikuesit e këtij televizoni në Kanadë, ku spjegoi qellimin e kësaj vizite dhe se çka pritej me u realizue mbas kësaj vizite. Kryetari i Degës së “Vatrës” në Torontos, z.Tony Sufaj, e falenderoi ngrohtësisht z.Buçajn që kishte marrë mundimin me na vizitue neve këtu në Toronto. Ai foli për përpjekjet e vatranëve, punën dhe organizimin e tyne mbrenda këtyne dy vjetëve, për synimet, masovizimin e popullarizimin e “Vatrës”, në rajonin e gjanë të Torontos në të cilin llogaritet se jetojnë rreth 30-40 mijë shqiptarë. Sekretari i degës z. Roland Isai – nji veprimtar i shquem ndër shqiptarët e këtushëm, e hapi mbledhjen dhe i uroi mirëseardhje mysafirit të nderuem. Ai ma shumë foli për nevojën e organizimit në drejtimin politik e diplomatik, si këshilltar i kryeministrit kanadez që asht ai ka raporte të mira dhe vajtje-ardhje me shumë deputetë provincial, federal dhe lidhje të ndieshme në ministrinë e jashtme kanadeze. Z. Isai ka nji përvojë dhe aftësi të madhe oratorike, politike e diplomatike; ai kërkoi që edhe shqiptarët e Amerikës të punojnë ma shumë me politikanët, diplomatët, kongresistët e senatorët dhe në përgjithësi me gjithë popullin mik amerikan, krejt kjo për mbarvajtjën e çashtjes shqiptare.
Autori i këtij shkrimi, që asht nënkryetar i kësaj dege, ma shumë foli për shtrirjen e “Vatrës”, aktivitetet, veprimtarinë dhe punën patriotike me shqiptarët e Sanxhakut, Bosnës, Hercegovinës, Dalmacisë, etj. Këta shqiptarë të hapsinave shumë të mëdha janë gjysmë ose bukur shumë të asimiluem. Sa i përket Sanxhakut këtu ndjenja e përkatësisë shqiptare asht mjaft e dukshme ndërsa te ata të Bosnjës, etj po forcohet ndjenja se i përkasin gjakut ilir dhe kjo në këtë stad asht e mjaftueshme. Të punohet me ta si në emigracion ashtu edhe në vend, atje duhet të depërtojnë sa ma thellë shkencëtarët, studiuesit, gazetarët, kronistat, sidomos televizionet e Prishtinës, dhe të vërrshojnë drejt veriut e veriperëndimit, të gjejnë njerëz, informatorë, pleq, fakte, t’i fotografojnë dhe shënojnë vendet e ngjarjeve tragjike, të gjinden vendet dhe fushëbetejat ku luftuen vullnetarët shqiptarë për mbrojtjen e kufive dhe të kësaj popullate prej kohës së krizës lindore 1876-78 e deri në ditët e sotme. Këta janë njerëzit tanë, ata kanë humbun vetëm gjuhën. Akademitë dhe instuticionët shkencore shqiptare duhet të jenë shumë ma aktiv në këtë drejtim, për mos me thanë shumë ma agresiv.
Dr. Buçaj në ekspozenë e tij gjithpërfshirëse kapi shkurtimisht nji epokë mjaft të gjatë, që nga koha e Rilindjes Kombëtare madje edhe ma heret, me të cilën krenohet kombi i jonë, e deri më sot. Ai dhe të gjithë folësit e maparëm nuk e lanë pa e përmendun, pa u falun e pa u përkulun para figurave madhore të kombit tonë F.Konica e F.Noli. Gjatë kësaj kohe ma shumë se 100 vjeçare janë formue me dhjetëra ndoshta edhe me qindra organizata shqiptare patriotike që janë quejtun me emna të ndryshëm, si: grupe, klube, bashkësi, bashkime, shoqëri, shoqata, komitete, komunitete, gazeta, parti, etj. Mjerisht nji pjesë e madhe e tyne kanë pasun jetë jo aq të gjatë, janë krijue e mbas disa muejsh apo vjetësh janë shue dhe kanë pushue veprimtarinë e tyne për arsyena të ndryshme, ndërsa “Vatra” dhe gazeta “Dielli” i qëndruen fortunave dhe stuhive mbi njishekullore dhe sot janë dhe veprojnë pashkëputshëm, prandaj duhet t’i bashkohemi “Vatrës” se ajo ka tregue vitalitet dhe u ka ba ballë dallgëve të kohës. Ajo ka ba shumë për Shqipninë por na ka mbetun edhe shumë punë me ba. Ma vonë dr. Buçaj na e tërhoqi vërejtjen seriozisht tue e thanë se “jetojmë në nji kohë të mbarsun me rreziqe, nuk dihet çka sjell e nesërmja, gjendja në Ballkan, në Europë ashtë relativisht në paqë, por duhet qyshë tash të mendojmë dhe të jemi të bashkuem dhe të përgaditun për çdo të papritun.
Fjalën e morën edhe mjaft të pranishëm të cilët, në rradhë të parë, e falenderuen dr. Gjonin dhe dhanë fjalën se për atdhe janë të gatshëm të bajnë çdo gja që asht e mundshme.
Në fund, kryetari i “Vatrës” së këtushme z.Tony Sufaj, këtë takim e vlerësoi mjaft të suksesshëm dhe të frytshëm, e falenderoj përzemërsisht kryetarin e “Vatrës” qendrore dr. Gjon Buçajn për vizitën që ia bani kësaj dege dhe i uroi atij jetë të gjatë dhe rrugë të mbarë.