• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARTIA E VATRANËVE ËSHTË KOMBI

March 6, 2020 by dgreca

– DEGA E VATRËS NË TORONTO SYNON SHTIMIN E ANËTARËSISË-/

Dega e Vatrës në Toronto, u mblodh me 1 mars 2020, nën drejtimin e kryetarit Toni Sufaj,  dhe diskutoi rreth problematikës të pas Kuvendit të Michiganit. Mbledhja nisi me 3 anëtarësime të reja: Ervin Vukelaj, Arbana S. Arthërtore dhe Aurel Shotaj. Anëtarëve të  rinj iu urua miresardhja në Vatrën Shqiptare, ku vatranët e konsiderojnë veten të barabartë si anëtarët e një familjeje të madhe.

Kryetari i Vatrës, z. Toni Sufaj përcolli atmosferën bashkuese të Kuvendit që u organizua me 19 Janar në Teqenë “Baba Rexhebi” në Detroit dhe i njohu pjesmarrësit me vendimet e rëndësishme të Kuvendit dhe frymën vatrane, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me frymën përçarëse të individëve apo të ndonjë grupimi, që po lufton ta ndajë Vatrën. Kjo, tha z. Sufaj, nuk ka për të ndodhur dhe kushdo, që ndahet nga federata, ashtu si në të kaluarën ka për të mbetur minorancë. Vatra, vërtetë e sheh anëtarësinë të barabartë si në një familje të madhe, por ajo është kundër familjaritetit përçarës, ku një apo dy familje tentojnë të grumbullojnë rreth vetes individë të pakënaqur.

        Kryetari i degës së Vatrës bëri thirrje për të shtuar anëtarësinë duke i kërkuar çdo anëtari të kryesisë së degës që të afrojë vatranë të rinj, që kanë dëshirë të jenë në Vatrën e Shqiptarizmit dhe të punojnë për çështjen Kombëtare.

            Gjatë mbledhjes së zgjeruar të kryesisë u kërkua që të gjenden rrugët për të afruar sa më shumë elementin femër, ç’ka i mungon degës. Po ashtu u vu theksi edhe në një punë më të kualifikuar të degës për ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave Kombëtare dhe të rritjes të bashkëpunimit me komunitetin.

       Dega e Vatrës në Toronte do të luftojë që në të ardhmen të organizojë më shumë veprimtari bashkuse në komunitet dhe përmes veprimtarivë do të tërheqë rreth vetes më shumë anëtarësi.

          U diskutua për të përcjellë një frymë më miqësore mes anëtarsisë me qëllim që të shmangen fenomenet e thashethemeve, përçarjes, dizinformimit, siç ka ndodhur dy vitet e fundit me dy degë apo me individë që i kanë fryrë zjarrit të përçarjes së Vatrës, kanë keqpërdorur emrin dhe Kushtetutën e Vatrës, kanë shkelur Kushtetutën e saj, kanë prezantuar në media dhe rrjetet sociale frymën përçarëse dhe akuza të pabaza për vetë Vatrën.

        Dega e Vatrës në Toronto u apelon të gjithë vatranëve që të ndjehen dhe të veprojnë të bashkuar rreth Federatës Vatra, me Kryetarin Elmi Berisha, Kryesinë e re dhe Këshillin e dalë pas Kuvendit të Detroitit. Atmosfera dhe respekti provatran është rritur. Vizita e Kryetarit Berisha në Departamentin e shtetit së bashku me stafin e tij, vizitat e Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan z. Eliot Engel në Vatër, vizitat e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, vizitat e shumta të personaliteteve dhe institucioneve në Vatër, tregojnë se Vatra e pas Kuvendit është në rrugë të mbarë, të kundërtën mund ta thonë e pretendojnë vetëm ata që nuk e duan Vatrën për shqiptari’, por vetëm për interesat e tyre.

Z. Muharrem Gashi kërkoi që krahas shtimit të anëtarësisë të merren edhe opinionet e vatranëve të rinj për ta bërë më aktive degën dhe më të shtrirë në komunitet. Miro Sufaj kërkoi që vatranët të jenë shembull për komunitetin dhe çdo shqiptar i mirë ka të drejtë të bëhet anëtar i Vatrës, pavarësisht mendimeve e opinioneve;- në Vatër nuk ka  Parti Politike, Partia e Vatrës është Kombi Shqiptar. I rëndësishëm është fakti që në Vatër dhe me Vatrën duhet të jesh i sinqertë, i dashur dhe i respektuar;  të respektosh të tjerët, të mos merresh me thashetheme e shpifje.

Ne, vatranët, pa përjashtim, duhet ta duam dhe ta ruajmë Vatrën siç na e lanë të parët, ta duam- jo për veten tonë, jo vetëm për familjet tona, por për Kombin tonë. Vatra është fortesë Kombëtare që për 108 vite nuk e kanë rrëzuar dot përçarësit dhe intrigantët.

Filed Under: Featured Tagged With: Dega e Vatres, Toronto

Toronto,Koncert për shenjtërimin e Nënë Terezës

October 3, 2016 by dgreca

 

2-ruku-em-indianen

1-me-priftin1-ok-koncert2-vajzat-1Një koncert për Shenjtoren Nënë Terezë, që bashkoi Shqiptarë e indianë, katolikë, krishterë e muslimanë, të gjithë moshat e të gjithë trëvat . Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze si dhe Misioni Katolik “E lumja Nanë Terezë” në Toronto nën kujdesin e Don Xhovanit, mikpritës I këtij eventi, organizuan një koncert për të nderuar Shenjtërimin e Nënë Terezës, që u zyrtarizua më datën 4 Shtator 2016 në Vatikan, një ngjarje e madhe historike për gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. E veçanta e këtij koncerti është përfshirja e shumë pjesëmarrësve për ti dhënë këtij koncerti një kuptim më të madh bashkëpunimi e për të shprehur mirënjohjen e pakufishme për jetën dhe veprën e ndritur të Nënë Terëzës, e cila bëri që Shqiperia një vend I vogël të ketë një Shenjtore të madhe. Moderimin e beri Ylli I kinematografisë, shqiptaro kanadezja Ana Gola e cila e filloi me thënjen e nënë Terezës: By blood, I am Albanian. By citizenship, an Indian. By faith, I am a Catholic nun. As to my calling, I belong to the world. As to my heart, I belong entirely to the Heart of Jesus.Ana ftoi pjesëmarrësit për të dëgjuar Hymnin e nënë Terezës të kënduar nga e madhja Inva Mula. Pasi falenderoi në emër të SHBSHK pjesëmarrësit në këtë koncert që janë te shumtë në numër duke filluar me aktorin e mirënjohur Xhemi Aga, ish nënkryetar I kësaj shoqate, regjisorin Ervin Meço, Korin e femijëve të Torontos nën drejtimin e palodhur të znj.Ina Xoxa, korin e fëmijëve të kishës katolike drejtuar nga znj. Florinda Gjergji, grupin e shoqatës Indiano-Kanadeze, “Rhythm” të mundësuar nga Znj.Shashi Bahtia, lidere e këtij komuniteti. Nxënësit e shkollave shqipe në Toronto, përfaqësuar nga znj..Polina Muça, grupin e valleve “Shqiponjat e Vogla” nën drejtimin e koreografit të mirënjohur Ramazan Këllezi, president I SHBSHK. DJ ViSi I cili është I pranishëm në shumë aktivitete të shoqatës dhe në menyrë të veçantë Z.Ilir Lena producent I “Pasqyra Shqiptare” për ndihmën dhe mbështetjen e madhe që I jep kësaj shoqate duke përcjellë në çdo vater shqiptare aktivitetet e saj. Ky falenderim shumëfishohet pasi të gjithë ata që organizuan dhe punuan për këtë koncert kanë një emërues të përbashkët, janë Vullnetarë. Ana Golja, pranoi me kënaqesi edhe këtë radhë ftesën si shumë herë të tjera për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti kushtuar Nëne Terezës jo vetëm duke moderuar por edhe duke kënduar një këngë të re të saj enkas për këtë event.Koncerti u vazhdua me. Valle me motive të Tiranës me koreografi të Ramazan Këllezit nga grupi I valleve Shqiponjat e Vogla, me një Recitim për Nënë Terezën nga Henry Pasha. Një përshëndetje nga znj. Shashi Bahtia përfaqësuese e komunitetit Indian, e cila falenderoi Shoqatën Shqiptaro Kanadeze për këtë bashkëpunim dhe në veçanti Dr.Ruki Kondaj, Presidente Nderi e SHBSHK për inkurajimin dhe nxitjen për të bashkëpunuar për këtë koncert në respekt të Shenjtotes Nënë Terezë, për të cilën e ndje shumë e privilegjuar. Programi vazhdoi me grupin Rhythëm i shoqatës Indiano- te cilët interpretuan tre valle tradicionale. Valle me motive kosovare nga Shqiponjat e Vogla, e me tej Pjesa Teatrale- Një pjezës e dramaturgut Bashkim Kozeli, regji të Ervin Meços, Koreografi të Ramazan Këllezit, interpretoi grupi tetral I shoqatës, aktori i mirënjohur Xhemi Agaj, te rinjtë Marvisa Llupo,Olivia Xoxa,Scott Xoxa, Gerd Bizi dhe Sara Llupo Poezi per nene Terezen nga Fjona Brajoviq pergatitur nga Polina Muça Kori I fëmijeve të Totontos drejtuar nga Inan Xoxa, orkestroi këngët Entela Galanxhi me këngë për Nënë Terezën, I think you’re wonderful, jemi një s’jemi dy etj.Valle O kce moj çike- Grupi I valleve soliste Artes Këllezi, dhe me një mbyllje të mrekullueshme ku të gjtthë artistët dhe organizatorët sëbashku kënduan këngën tashmë shumë të mirënjohur Xhamadani Vija- Vija. ANA falenderoi pjesëmarrësit për prezencen dhe uroi të shihemi në aktivitetet e tjera të SHBSHK. FALEMINDERIT të gjtihëve që e bëtë të sukseshmëm këtë koncert për nder të Shenjtores Nënë Terezë.

1-flet

3-koncert

Filed Under: Komunitet Tagged With: koncert, Ruki Kondaj, shenjterimi i nene Terezes, Toronto

Kryetari i “Vatrës”, takim me vatranët në Toronto

April 19, 2015 by dgreca

Nga Qamil S. Llashtica-Toronto/
Me datën 11 dhe 12 prill të vitit 2015 kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” me seli në Nju Jork, – dr. Gjon Buçaj vizitoi degën e “Vatrës” në Toronto të Kanadës. Kjo degë në këtë qytet u themelue para afër dy vjetësh si themelatë e parë e këtillë në shtetin kanadez, pas viteve ’90, pasi me pare Vatar ka pase dy dege ne Kanada. Me këtë rast i informojme lexuesit se formimin e degës së Torontos e ndihmoi drejtpërdrejti dega e Detroidit. Asokohe në Kuvendin Themelues të degës sonë mori pjesë kryetari i saj z.Alfons Grishaj me vatranët – bashkëpunëtorë e tij.
Me kryetarin z.Buçaj kishte ardhun edhe i biri i tij, z. Lekë Buçaj. Ky djalosh i gjatë dhe mjaft simpatik, le e rritë në Amerikë, e flet shqipen për mrekulli; prania e tij në këtë mbledhje i entuziazmoi sidomos vatranët kosovarë. Ishte Leka i cili mori pjesë në fushatën ajrore të pranverës së vitit 1999 mbi Kosovë, prandaj unë u detyrova ta përqafoj tri herë këtë djalosh guximtar. Ndërsa ai vetë thotë se “ato ishin ditët ma të lumtuna të jetës sime – ditët e bombardimit”, Leka insiston të sqarojë se ishte pjesë e nji ekipi që fluturonte mbi Kosovë në kohën e bombardimevet, në mbështetje të bombarderavet, jo si pilot dhe aeroplani i këtij ekipi nuk lëshonte bomba, megjithëse kryente nji shërbim të randësishëm, të natyrës informative.
Me rastin e ardhjes së kryetarit të “Vatrës” në këtë qytet, mikpritësit e këtushëm organizuen nji takim pune të dielën me 12 prill. Në mbledhje merrte pjesë kryesia e degës së “Vatrës”, shumë nga anëtarët e saj si dhe mjaft simpatizues, disa nga të cilët në këtë rast u antarsuen në “Vatër”. Në mesin e të antarsuemëve ishte edhe atdhetari dhe veprimtari i njoftun i këtij qyteti, z.Faik Shabani, i lindun në Tërnovcin e madh të Kosovës. Ishte këtu edhe televizioni shqiptar i Kanadës “Pasqyra Shqiptare”, me këtë rast dr. Buçaj dha nji intervistë të shkurtë për shikuesit e këtij televizoni në Kanadë, ku spjegoi qellimin e kësaj vizite dhe se çka pritej me u realizue mbas kësaj vizite. Kryetari i Degës së “Vatrës” në Torontos, z.Tony Sufaj, e falenderoi ngrohtësisht z.Buçajn që kishte marrë mundimin me na vizitue neve këtu në Toronto. Ai foli për përpjekjet e vatranëve, punën dhe organizimin e tyne mbrenda këtyne dy vjetëve, për synimet, masovizimin e popullarizimin e “Vatrës”, në rajonin e gjanë të Torontos në të cilin llogaritet se jetojnë rreth 30-40 mijë shqiptarë. Sekretari i degës z. Roland Isai – nji veprimtar i shquem ndër shqiptarët e këtushëm, e hapi mbledhjen dhe i uroi mirëseardhje mysafirit të nderuem. Ai ma shumë foli për nevojën e organizimit në drejtimin politik e diplomatik, si këshilltar i kryeministrit kanadez që asht ai ka raporte të mira dhe vajtje-ardhje me shumë deputetë provincial, federal dhe lidhje të ndieshme në ministrinë e jashtme kanadeze. Z. Isai ka nji përvojë dhe aftësi të madhe oratorike, politike e diplomatike; ai kërkoi që edhe shqiptarët e Amerikës të punojnë ma shumë me politikanët, diplomatët, kongresistët e senatorët dhe në përgjithësi me gjithë popullin mik amerikan, krejt kjo për mbarvajtjën e çashtjes shqiptare.
Autori i këtij shkrimi, që asht nënkryetar i kësaj dege, ma shumë foli për shtrirjen e “Vatrës”, aktivitetet, veprimtarinë dhe punën patriotike me shqiptarët e Sanxhakut, Bosnës, Hercegovinës, Dalmacisë, etj. Këta shqiptarë të hapsinave shumë të mëdha janë gjysmë ose bukur shumë të asimiluem. Sa i përket Sanxhakut këtu ndjenja e përkatësisë shqiptare asht mjaft e dukshme ndërsa te ata të Bosnjës, etj po forcohet ndjenja se i përkasin gjakut ilir dhe kjo në këtë stad asht e mjaftueshme. Të punohet me ta si në emigracion ashtu edhe në vend, atje duhet të depërtojnë sa ma thellë shkencëtarët, studiuesit, gazetarët, kronistat, sidomos televizionet e Prishtinës, dhe të vërrshojnë drejt veriut e veriperëndimit, të gjejnë njerëz, informatorë, pleq, fakte, t’i fotografojnë dhe shënojnë vendet e ngjarjeve tragjike, të gjinden vendet dhe fushëbetejat ku luftuen vullnetarët shqiptarë për mbrojtjen e kufive dhe të kësaj popullate prej kohës së krizës lindore 1876-78 e deri në ditët e sotme. Këta janë njerëzit tanë, ata kanë humbun vetëm gjuhën. Akademitë dhe instuticionët shkencore shqiptare duhet të jenë shumë ma aktiv në këtë drejtim, për mos me thanë shumë ma agresiv.
Dr. Buçaj në ekspozenë e tij gjithpërfshirëse kapi shkurtimisht nji epokë mjaft të gjatë, që nga koha e Rilindjes Kombëtare madje edhe ma heret, me të cilën krenohet kombi i jonë, e deri më sot. Ai dhe të gjithë folësit e maparëm nuk e lanë pa e përmendun, pa u falun e pa u përkulun para figurave madhore të kombit tonë F.Konica e F.Noli. Gjatë kësaj kohe ma shumë se 100 vjeçare janë formue me dhjetëra ndoshta edhe me qindra organizata shqiptare patriotike që janë quejtun me emna të ndryshëm, si: grupe, klube, bashkësi, bashkime, shoqëri, shoqata, komitete, komunitete, gazeta, parti, etj. Mjerisht nji pjesë e madhe e tyne kanë pasun jetë jo aq të gjatë, janë krijue e mbas disa muejsh apo vjetësh janë shue dhe kanë pushue veprimtarinë e tyne për arsyena të ndryshme, ndërsa “Vatra” dhe gazeta “Dielli” i qëndruen fortunave dhe stuhive mbi njishekullore dhe sot janë dhe veprojnë pashkëputshëm, prandaj duhet t’i bashkohemi “Vatrës” se ajo ka tregue vitalitet dhe u ka ba ballë dallgëve të kohës. Ajo ka ba shumë për Shqipninë por na ka mbetun edhe shumë punë me ba. Ma vonë dr. Buçaj na e tërhoqi vërejtjen seriozisht tue e thanë se “jetojmë në nji kohë të mbarsun me rreziqe, nuk dihet çka sjell e nesërmja, gjendja në Ballkan, në Europë ashtë relativisht në paqë, por duhet qyshë tash të mendojmë dhe të jemi të bashkuem dhe të përgaditun për çdo të papritun.
Fjalën e morën edhe mjaft të pranishëm të cilët, në rradhë të parë, e falenderuen dr. Gjonin dhe dhanë fjalën se për atdhe janë të gatshëm të bajnë çdo gja që asht e mundshme.
Në fund, kryetari i “Vatrës” së këtushme z.Tony Sufaj, këtë takim e vlerësoi mjaft të suksesshëm dhe të frytshëm, e falenderoj përzemërsisht kryetarin e “Vatrës” qendrore dr. Gjon Buçajn për vizitën që ia bani kësaj dege dhe i uroi atij jetë të gjatë dhe rrugë të mbarë.

Filed Under: Vatra Tagged With: Gjon Bucaj, Kryetari i Vatres, Qamil S. Llashtica, takim, Toronto

QYTETI I MAJAVE

August 16, 2014 by dgreca

Rrënoja që flasin për një kulurë të lashtë dhe interesante/
Reportazh nga: Avdulla Kënaçi/
As më kishte shkuar ndërmend se një ditë do të ndodhesha ne qytetin e Majave. Populli Maja është pjesë e një kulture të mahnitëshme që lulëzoi në rajonet më të ulëta të Meksikës dhe shtetet pranë saj. Ata ndërtuan piramida dhe tempuj, zhvilluan një formë të shkruari përmes hieroglifeve dhe ishin shumë të aftë në matematikë dhe astrologji. Kisha lexuar për kulturën e tyre të lashtë, për saktësinë me të cilën matnin kohën, kalendarin pesëmijëvjeçar dhe parashkimet e tyre për fundin e botës. Kisha parë foto të zbulimeve arkeologjike dhe gjithashtu kisha ndjekur disa dokumentarë shkencorë. Por është tjetër gjë të gjëndesh, të shohësh me sytë e tu e të prekesh me dorë rrënojat e qytetit të Majave. Dhe ja ku jam, i vetmi shqiptar nga gjithë ajo turmë turistësh që sulej drejt një porte të ngushtë, tetë metra të gjatë ku mund të ecte vetëm një njeri më këmbë, jo më e lartë se 1.70 metra. Porta nuk ishte ndërtuar me qemer, as me prag guri drejtëkëndësh sikundër tek ne, por me rrasa guri të ngjeshura njera mbi tjetrën në formën e shkronjës së madhe A. Nga çasti në çast ata gurë të hollë e të gjatë dukej sikur do të nguleshin në skalpin e kokës. Midis disa guidave, nga që u ndodha për pushime në Meksikë, zgjodha qytetin Tulum, sepse ai është i vetmi vendbanim maja i ndërtuar buzë detit.
Na thanë se mund të hipnim në “tren”, për të arritur më shpejt, por preferova të eci më këmbë përgjatë xhadesë që çante përmes xhunglës. Vapës përvëluese të Tropikut nuk i shpëton dot edhe nën kurorën e pemëve me të cilat mbulohet rruga gjer në rrënoja. Tabani është gëqeror, balta tek-tuk është hedhur midis gurëve me shumë kursim. Nga të dy anët e rrugës harlisen rrënjë të përqafuara e të mpeksura me njera-tjetrën për jetë a vdekje, bimë të panjohura për mua, të cilat bëjnë një garë të çmendur për të nxjerrë kokën mbi njera-tjetrën duke kërkuar rrezet e diellit përvëlues të Tropikut. Gati çdo ditë aty bie shi i rrëmbyer, shi në të kthjellët, siç thonë, i cili vjen befasisht e me rrebesh. Por ajo tokë e paktë me origjinë humusore, nuk u jep pemëve mundësinë të rriten më të larta se katër pesë metra. Xhungla është një habitat i shkëlqyer për llo-lloj zogjësh me ngjyra-ngjyra dhe kafshë të egëra që nuk i njeh Europa. Më i rrezikshmi është tigri, formën e të cilit e ndesh edhe në përkrenaret e luftëtarëve Maja.
Nga të tria anët, qyteti Tulum ka qenë i rrethuar me mur guri të thatë, rreth 7 metra të gjerë dhe 5 metra të lartë. Ja ku duken pesë kullat e rojës dhe rrënojat e murit, ndërsa nga jug-lindja ka qenë i rrethuar nga deti me breg shkëmbor pas të cilit gjendet një liman i fshehtë. Gjatësia e gjithë vendbanimit është 400 metra dhe brinjët anësore janë nga 170 metra secila. Godinat më të rëndësishme gjenden nga ana e detit, por me front nga ana veri-lindore. Vetëm njera, ajo e patriarkut ose e mbretit ka qenë e mbuluar me material të ngurtë, ndërsa të tjerat me çati të mbuluara me gjethe kokoje të prera rripa-rripa. Sipas hamendësimeve, këtu nuk kanë banuar më shumë se 1500 vetë. Duhet të kenë qenë banorë të rëndësishëm, apo të përzgjedhur. E gjitha është një ultësirë në formë govate, jo më e lartë se 12 metra nga niveli i detit. Si e siguronin ujët? Në anën veriore gjëndet një shpellë në fundin e së cilës vezullon një pellg uji. Eshtë një cenote, apo sterrë. Vendi i gjithë është i mbushur me të tilla të cilat lidhen me njera-tjetrën me sistem kanalizimesh e diku-diku ngjajnë me pishina natyrale që mbajnë ujë të ëmbël, të kthjellët e të pastër, safir blu. Janë si oazet në shkretëtirë, më saktë, oaze në xhungël. Në një prej tyre që lidhet nën tokë me detin nga ana e gadishullit Jukatan, besohej se aty përfundonte shpirti i Majave pas vdekjes i cili sa largohej nga trupi, hynte në botën e krimit.
Po varret ku janë? Ja ku përpara shtëpisë më të madhe gjendet një pllakë në formën e një kudhëre ku brenda saj vendoseshin vazo me hirin e trupave të të vdekurve. Disa shtëpi e kanë të pozicionuar varrin direkt në qendër të dyshemesë. Me sa duket ata besonin dhe i nderonin të vdekurit si shpirtëra të gjallë dhe i mbanin gjithënjë afër, pa i zbuar kurrë nga shtëpitë.
Përpara na zbulohet një pamje mahnitëse që nuk ka të bëjë fare me kështjellat tona. Objektivët e gjithë aparatëve fotografikë të turistëve janë përqëndruar mbi Piramidën të cilën e admirojnë për madhështinë dhe arkitekturën origjinale. Ka mijëra vjet aty dhe qëndron e pamposhtur ndaj rrebesheve dhe stuhive që vijnë nga deti i Karaibeve. Koha i ka dhënë një ngjyrë gri të errët duke e bërë njësh me shkëmbijtë që mbajnë pa lëvizur peshën e saj. Që larg nga hapësirat blu, ajo duket si një kështjellë dhe kolonizatorët e parë spanjollë e thirrën El Kastello, ndërsa emrin Tulum ia vunë duke u nisur nga muret rrethues. Këtë vend majat e thërrisnin ndryshe, Zama e që do të thotë Agim. Për herë të parë spanjollët shkelën këtu më 1518. Vendasit më shumë trembeshin nga kujat që nuk kishin parë kurrë se sa nga kalorësit kuiskadorë.
Në frontin e Piramidës dallohet qartë Tempulli i Afreskeve, i ndarë në tre seksione. Niveli i parë përfaqëson botën e të vdekurve të majave. Seksioni i mesëm përfaqëson Botën e të Gjallëve, pra vetë majatë. Seksioni i tretë, që është edhe niveli më i lartë, është vendi i Krijuesit dhe Perëndisë së Erërave. Në qendër është një shtyllë me motive të gjarpërit të gdhendur. Po ajo që të bën më shumë përshtypje, në anën lindore është observatori për ndjekjen e lëvizjeve të diellit. Dallohet një kamare e cila ulërin si një sirenë kur nga deti afrohen stuhitë. Është mënyrë alarmi për t’u mbrojtur nga uragani që vjen i papritur.
Bazorelievi i Krijuesit apo Venusit, është kokëposhtë prandaj edhe e quajnë Zoti i Zhytjes sepse ai zbret nga qielli, por mund të zhytet edhe në det. Këtë figurë e gjen kudo në vendbanimet Maja. Është figura më e adhuruar, e ruajtur dhe e mbrojtur më së miri. Deri para 30 vjetësh, popullsia rrotull këtë vendbanim e ruante si vend të shenjtë dhe nuk ua zbulonin të huajve. Ishin arkeologët amerikanë ata që këmbëngulën për ta kthyer në një muze gjigand ku mund ta vizitonte e gjithë bota. Por përsëri, brenda Piramidës nuk lejohet të hyjë asnjë vizitor. (Me sa kuptohet arkeologët shpresojnë të zbulojnë të tjera sekrete të Majave). Më tej është altari ku janë bërë rituale dhe sakrifica për të fituar favore nga zotat. Në sakrificat e gjakut jo gjithmonë humbisnin jetë njerëzish, me përjashtim të atyre që me dëshirë kërkonin të falin gjakun. Kjo quhej një sakrificë personale. Shumica afronin lule, ushqime dhe objekte të ndryshme arti.
Një nga ciceronët, duke na spjeguar afresket, simetrinë dhe gdhëndjet në një shtëpi arhondi, nga ana ballore, na tregon aty pranë një pemë tropikale me lule ngjyrë gjaku. Duke përzier këto lule me pluhur qymyri në një havan përgatiteshin bojërat për afreske dhe tatuazhe, thotë ai.
Interesant ishte Sheshi i kuvendit të burrave; si nja dy metra i ngritur nga toka, në formë rrethore, ku uleshin në ledhe pjesëmarrësit, ndërsa në qendër mbi një pirg dheu qëndronte prijësi i cili drejtonte kuvendin. Gjithëçka këtu të ndez imagjinatën dhe të detyron të bësh qindra pyetje. Tulumi nuk është kot një nga destinacionet më të kërkuara në Amerikë. Korrik, bënte shumë vapë, dielli po ngrihej në zenith dhe gjithë vizitorët u tunduan nga era e freskët që vinte nga deti, poshtë këmbëve të Piramidës. Si nga një hinkë shkëmbore, një nga një zbritëm në plazh ku dallgët kishin hedhur me bujari rërë të bardhë si niseshte. I vetmi vizitor që mbante këpucë, isha unë. Tek kundroja një pemë arre koko që kishte mbirë në një të çarë shkëmbi, tek këmbët m’u përplas një dallgë. Ujët e kripur hyri brenda këpucëve. U detyrova të zhvishem dhe të zhytem në ujë, si gjithë të tjerët. Tutje shtrihej pa kufi deti i Karaibeve, dimër verë i ngohët si ujë dushi. I ktheva përsëri sytë nga gjiri i mbrojtur nga erërat dhe dallgët. Me siguri, mendova, pas atyre shkëmbinjve si qilivurë ankoronin majatë kanoet e tyre të famëshme. Dhe mallin me siguri e ngjitnin dhe e zbrisnin nga sipër me litarë. Kristo Kolombi, zbuluesi me famë botërore, 700 kilometra larg që këtej, në Honduras, hasi një kanoe që kishte ardhur prej këtej. Ky ishte një port i rëndësishëm ku këmbehej bakër, ushqime, pupla e pendë zogjsh, artefakte stërralli, objekte ari, kripë, prodhime tekstili, etj.
Tulumi ka lulëzuar nga 300 para Krishtit e deri në 900 pas erës së re. Ka pasur një rënie të lehtë në periudhën post klasike, ndërsa me pushtimin spanjoll u braktis plotësisht. Disa duan të thonë se thatësira e zgjatur i detyroi të largohen. Ka mundësi që edhe kuiskadorët i shkatërruan duke i grabitur e duke u kërkuar me dhunë arin e fshehur. Banorët vendas flasin me dhimbje e veneracion për një pllakë të shenjtë të gdhendur me një yll në mes dhe datën 564. Kur të kthehet ajo pllakë në Kankun, do kthehet edhe begatia, shpresojnë Majat e sotëm që jetojnë në gjithë Kankunin e gjer në El Salvador. Pllaka gjendet sot në Muzeun Britanik, por arkeologët thonë se ajo ka qenë e sjellë në Tulum prej diku gjetkë… Tulumi është një rrënojë arkeologjike që flet shumë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Avdulla Kenaci, QYTETI I MAJAVE, Toronto

Një sukses i jashtëzakonshëm i Prof.Pllanës në Toronto, Kanada

September 11, 2013 by dgreca

Shkruan: Dr. Ruki KONDAJ/

Më 1 shtator 2013, në Markland Wood Golf Club, 245 Markland Drive, Toronto  M9C 1R1,  midis qindra bashkëatdhetarëve të të gjitha trevave dhe të huaj, morën pjesë në promovimin e librit historik e kombëtar “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844– 1999” i Prof . dr. Nusret Pllanës, nga Kosova.

Organizatorët e këtij libri ishin: Qendra Shqiptare në Hamilton, me president Qamil Breznicën, Shoqata Shqiptaro Kanadeze e Torontos me zv/president Xhemi Agaj aktor i mirënjohur, përfaqësues të biznesit Bedri e MehdiToqani dhe Bujar Zejnullahu, konsujt e Shqipërisë në Toronto, z.Genc Tirana dhe z.Ervin Musta, Shoqatat si motra nga Londoni e St.Tomasi me presidentë Naser Berisha dhe Ramadan Maliqi, dy përfaqësues të këshillit të nderit të Shoqatës Shqiptaro –Kanadeze, prof.Kristian Bukuroshi e Z.Murat Hashani, Shkrimtari Rifat Dajti, përfaqësues i komunitetit fetar mysliman  Muhamet Osmani, z.Mustafa Ismaili –poet, etj. Ishin të pranishëm dhe drejtori i Shkollës Amerikane në Kosovë , Prof. Charles Launder, si dhe humanistja me origjinë italiane, Znj.Izabelle Belleti.

Aktivitetin e moderoi aktori i mirënjohur Xhemi Agaj i cli i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen kaq massive, dhe i ftoi në ekzekutimin e hymnit kanadez dhe shqiptar, si dhe në mbajtjen e një minut heshtjeje për viktimat e popullit tonë të pafajshëm,  që janë, hiq  më pak se 570.000 njerëz, që u vranë e u masakruan në periudhën e viteve 1844 – 1999,  dokumentuar nga Prof. Dr.Nusret Pllana në librin e tij.

Pasqyrimin e këtij realiteti nuk e bën më mire askush se sa ai që e ka jetuar atë realitet, dhe ky është vet autori, Prof. dr.N.Pllana – i cilësuar nga folësit si: humanisti, luftëtari i lirisë,  dashamirësi i fjalës së lirë, akademiku, shkencëtari dhe kryediplomati i çështjes shqiptare.

Me këtë botim studiuesi i mirënjohur dr.Nusret Pllana mbush një boshllëk të ndjeshëm në fushën e dokumentimit të historisë së popullit shqiptar, pikërisht të asaj periudhe tragjike që ka të bëjë me shtypjen dhe terrorin e regjimeve serbe në Kosovë në periudhën 1844 – 1999. Një pjesë e dokumenteve dhe fotove janë grumbulluar ose kryer nga vetë autori gjatë kohës kur ai punonte si gazetar për radion “Kosova e Lirë”.

Së pari publiku u njoh me një biografi të shkurtër të prof.dr.Nusret Pllanës, si dhe me filmin dokumentar ‘’Rrugëtimi i një libri nëpër botë’’i cili zgjati 30 minuta.

Më pas, Aktori Xhemi Agaj lexoi një pjesë nga libri « Ditar lufte »i autorit N.Pllana,  ku u dëgjua me shumë vëmendje  e emocion nga auditori.

Më tej përshëndetën folësit si ; Konsulli i nderit në Toronto z.Genc Tirana, poeti dhe dashamirësi i letërsisë shqipe nga Kosova z.Mustafa Ismaili, Prof. Charles Launder, i cili për shtatë vite ishte drejtor i shkollës Amerikane në Kosovë, humanistja italiane Izabelle Belleti,  Dr.Ruki Kondaj – Presidente  e  Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze me seli në Toronto, etj.Të gjithë folësit vlerësuan punën voluminoze të autorit bazuar në fakte reale, një pune shkencore të mirëfilltë, me vlera kombëtare e historike. Njëri  nga folësit theksoi se, atë që ka bërë Prof.Pllana në këtë libër nuk e ka bërë as shteti dhe vetë politika.

 

Mustafa Ismaili – poet, theksoi:  duke e lexuar këtë libër gjejmë një këshillë që të mos biejmë në grackën e vjetër të pushtuesit, që të mos përsëritet më: Toplica, Sanxhaku, Prekazi, Reçaku etj.

 

Prof.Charles Launder– Principal American school of Kosova, duke i dëshiruar mirëseardhje Prof.Pllanës në Toronto, ndër të tjera tha: Libri i Prof. Pllanës është një libër historik me vlera të mirëfillta shkencore. Fotot e këtij libri tregojnë një histori të dhimbshme dhe tragjike  të popullit shqiptar të  Kosovës për një kohë të  gjatë.

Përvoja ime shumëvjeçare në shkollën amerikane të Kosovës, si ligjërues,  ka një rëndësi të madhe për mua dhe familjen time, siç ka rëndësi edhe pjesëmarrja ime në këtë eveniment kulturor bashkë me popullin mik shqiptar.  Prandaj, edhe pamja e kësaj salle kaq të bukur e ka një domethënie të veçantë, sepse në ballë të saj qëndrojnë bukur tre flamuj të tri shteteve demokratike: Flamuri i Kosovës, ai i Shqipërisë, dhe Flamuri i shtetit tim – i Kanadasë.

 

Izabelle Belletti – (Humaniste), me fjalën e saj përshëndetëse për promovimin e këtij libri tha: Unë e uroj nga zemra Dr.Pllanën për këtë libër kaq të rëndësishëm, jo vetëm për historinë e shqiptarëve, duke I dëshiruar  suksese edhe më të mëdha në përhapjen e së vërtetës të popullit mik shqiptar, edhe pse kjo e vërtetë ka qenë tepër e hidhur për ta. Përmes këtij manifestimi përurues ju dëshiroj paqe dhe mirëqenie gjithë shqiptarëve kudo që janë, sepse ata e meritojnë këtë. Bile kam përshtypjen që ky popull ka shumëçka të përbashkët me popullin Italian, janë bujarë e mikëpritësa, janë dy popuj me vlera të larta historike.

 

Genc Tirana– Konsulli i R. së Shqipërisë në Toronto, pasi mori fjalën dhe i uroi mirëseardhje autorit të librit, tha: Është një kënaqësi e veçantë për mua sot, që marr pjesë në promovimin e një libri kaq historik, siç është ky libër i Dr.N.Pllanës.

Së pari,  unë do të doja ta falënderoja profesorin e nderuar për këtë inisiativë që mori për ta promovuar këtë libër në Toronto, ku ka tashmë një bërthamë intelektuale nga të gjitha trevat e Shiqpërisë, pra pa dallim. Natyrisht që ky promovim është bërë edhe në qendra tjera evropiane e botërore, por besoj se në Totonto do t’i shtohet vlera edhe më shumë, këtij projekti kaq gjigant që ka ndërmarrë Prof.Pllana për të treguar të vërtetën e Kosovës gjatë shekujve.

Ajo që më ka bërë shumë përshtypje dhe më ka lënë pa fjalë është se, pata mundësinë jo vetëm ta shfletoj, por edhe ta lexoj, mirëpo me  pamjet që ka ky libër kaq voluminoz, me 490 faqe dhe me përkthim në katër gjuhë të huaja, ka udhëtuar botën, ka marrë gjithë ato përshtypje, është një libër që nuk ka vetëm vlera historike, kombëtare e diplomatike, por ka edhe vlera të mirëfillta shkencore, prandaj Prof. Pllana nuk është vetëm historian, nuk është vetëm një akademik, por është një shkencëtar, e mbi të gjitha është një Kryediplomat i çështjes shqiptare. Libri i Prof.Pllanës ka bërë atë që siç e pam edhe nga filmimet, që nuk mund ta bëjë dot as shteti. D.m.th.ky libër u shkon të huajve, u shkon institucioneve që kanë zë për të folur për Kosovën – thesoi diskutuesja Dr. Ruki Kondaj.

 

U vazhdua me  pyetje dhe përgjigje dhe në fund ju dha fjala vetë Prof.dr.Nusret Pllanës, i cili mes duartrokitjeve të fuqishme dhe gjithë sallës të ngritur në këmbë, për respektin që tregonin ndaj tij, ai shprehu dhe falënderoi organizatorët për këtë aktivitet madhështor, i një niveli shumë të lartë, tejet profesional , surprizë për autorin, por edhe  për të gjithë pejsëmarrësit që morën pjesë në këtë eveniment tejet të rrallë, që për nga rëndësia i tejkalon përmasat e  një  promovimi të zakonshëm libri. Gjithë aktiviteti u xhirua nga z.Zef Luca dhe u fotografua nga z.Genti Hala në çdo detaj, dhe njerëzit të etur për të blerë librin dhe ata pak ekzemplarë që memzi i kishte sjell autori, për shkak të peshës së rëndë që kishin, u gjendën në radhë duke marrë edhe autografe nga autori Pllana. Nje mbrëmje e paharrueshme për të gjithë, që u kororëzua dhe me një koktej, të përgatitur me ushqime shqiptare, nga familja Qafleshi prej Kosovës.

 

Sponsorët e këtij promovimi historik ishin:

 

1. ‘’Besi Auto Collision’’ (me pronar : Bedri dhe Mehdi Toqani)

2. Agjensioni Turistik ’’Travelonly’’ (me pronar: Bujar Zejnullahu dhe Dashnor Hasku)

3. ‘’Five Star Motors’’ me pronar : Adnan Aliti

4. ‘’Brothers Auto Sale’’ me pronar : Faik dhe Agim Shabani

5. ‘’Beqiri Acconting’’ me pronar : Ylli Beqiri

6. ‘’Crown Plaster and Stuco Design’’ me pronar :
Milazim Sylejmani

7. Visar Zejnullahu – DJ VISS

8. Burim Zejnullahu – Manager në ’’Country Golf Club’’

9. Qendra e Komunitetit Shqiptarë në Kanada (me seli në Hamilton,  me kryetar Qamil Breznica)

10. Shoqata Shqiptaro-Kanadeze (me seli në Toronto me nënkryetar Xhemi Agaj)

1 Shtator 2013, Kanadë – Toronto

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Genc Tirana, Prof. Pllana, Ruki Kondaj, Toronto

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor
  • “Godita e SHBA ndaj bazave bërthamore të Iranit, ndëshkim shembullor ndaj diktatorëve gjakatarë dhe mëndjeve terrorise”
  • Shqipja Futet në Komunikimet Zyrtare të Shkollave Publike në Nju Jork – Një tjetër arritje historike për arsimin dhe familjet shqiptare në Diasporë
  • EROTIKA E VIOLINÇELËS NGA BALLKANI NË DOWN TOWN NË CHICAGO
  • Kosova – shtet i pavarur, por pjesë e pandashme e Shqipërisë kombëtare
  • Albanian Parade in New York City
  • “Të dëgjojmë zërat e tyre dhe të luftojmë për të drejtat e tyre”
  • EDHE NJЁ VEPЁR ME PESHЁ TЁ MADHE STUDIMORE PЁR EPOSIN E KRESHNIKЁVE
  • Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe kompromisi austro-rus në lindjen e shtetit shqiptar
  • Ambalazhet plastike ushqimore dhe siguria e shëndetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT