Të Enjten, 4 Shkurt 2016, Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj, vizitoi në shtëpi e tij, në Long Island z. Agim Karagjozi, president Nderi i Vatrës, ish kryetar i saj prej 18 Vitesh. Kryetari Bucaj shoqërohej nga vatrani i vjetër Zef Perndocaj, anëtar i Adovisory Board i Vatrës si dhe Editori i Diellit Dalip Greca.
Z. Agim Karagjozi gëzon shëndet relativisht të mirë. Ai u gëzua shumë nga vizita dhe tha se i mirëpret vatranët dhe bashkëpunëtorët e tij ndër vite.
Biseda ishte intersante dhe vazhdoi për më shumë se 3 orë. Z. Karagjozi solli në kujtesë veprimtaritë e Vatrës, ku vetë ai ka rreth 60 vite kontribut dhe më shumë se dy dekada në udhëheqje si kryetar apo zv/kryetar e sekretar(përfshi dhe degën e Nju jork-ut). Z. Karagjozi kujtoi me këtë rast miqësinë e Vatrës me presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën, të cilin e ka pritë disa herë me shumë bujari e përzemërsi vatarnësh në Nju Jork, por dhe presidenti Rugova e ka nderuar me pritje të ngrohtë në Prishtinë, atë dhe vatranët e tjerë.
Po ashtu ai kujtoi vizitën e delegacionit të Vatrës në Qershor 1988 në Tropojë në kohët e vështira të pas ’97-tës, ku ai dhe vatranët e tjerë që e shoqëronin, duke patur dhe ndihmën e të ndjerit Azem Hajdari, shkuan në Tropojë, vizituar të plagosurit e Luftës në Kosovë, dhuruan ilace e ndihma të tjera për Spitalin e Bjaram Currit, ndërkohë që dhuruan mijëra dollarë për Luftën e Kosovës.
Po ashtu z. Karagjozi në bisedën e nxitur nga editori kujtoi veprimtarinë e tij ndër vite, duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore, ku ai pati veprimtari direkte me Ballin Kombëtar, me Rininë e Ballit, por edhe lufta disa ditore në Kosovë në radhët e Batalionit të Ballit Kombëtar “Besnik Cano”, ku plumbat i vërshëllenin pranë në trashetë e luftës, kundër forcave sllave në drejtimin e Mihajllovicit.
Ai kujton edhe momentin prekës ku së bashku me atin e tij, nacionalist i njohur, Zyhdi Karagjozin, së bashku me udhëheqësit e tjerë nacionalistë kaluan Adriatikun, duke kënduar këngë mëmëdhetare. Madje ai kujton dhe vargjet e këngës. Më pas ai kujtoi jetën e vështirë në kampet e Italisë, emigrimin në Turqi, studimet për inxhinieri në Universitetin Robert Colege, ardhja në Amerikë dhe përfshirja e menjëhershme në veprimtaritë e Vatrës, ku ai shpesh ka udhëhequr veprimtari dhe projektet të Vatrës. Për shumë vite z. Karagjozi drejtoi edhe degën e Vatrës për NY dhe NJ, duke patur në krah publicisten e njohur Nexhmije Zajimi. Nëse Vatra sot ka një ndërtesë të saj trekatëshe, ajo është meritë e z. Karagjozi, i cili udhëhoqi për vite me radhë fushatën”Për binanë e Vatrës” dhe e ruajti me shumë fanatizëm shumën e mbledhur derisa i biri i tij biznesmeni Zyhdi Karagjozi, gjeti këtë ndërtesë(që Vatra ka sot) me cmim të ulët nga Banka dhe i bëri të gjitha veprimet falas pa marrë asnjë fitim për vete.
Z. Karagjozi në bisedë e sipër u inetersua për gjendjen e Vatrës, të Komunitetit Shqiptar në SHBA, situatën në Shqipëri dhe në Kosovë e vsiet e tjera Kombëtare. Ai tregoi brengosje të thellë për gjendjen e pashpresë në Shqipëri,me tranzicion të zgjatur, ku korrupsioni po gërryen shoqërinë, ku Vatra ka investuar mund dhe interesim të vazhdueshëm, që në fillim të viteve ’90. Po ashtu e quajti të pakuptimtë përdorimin e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës dhe uroi që gjendja të kapërcehet sa më shpejt.
– Disa nga udhëheqësit e Kosovës, më kanë zhgënjyer. Kam pasë shumë shpresë se do ta conin Kosovën përpara , por veprimet e fundit janë zhgënjyse, tha ai gajtë bisedës.
Z. karagjozi tha se e ndjek në vazhdimësi situatën në Komunitet dhe viset Kombëtare falë gazetave Dielli dhe Illyria, që vazhdon t’i lexojë me interesim dhe shprehu vlerësim për të dyja gazetat.
Z. Karagjozi premtoi nëse do të jetë mirë me shëndet ai do të marrë pjesë në festën që organizon Vatra me 14 Shkurt 2016 në nderim të Pavarësisë së Kosovës.(Dielli)