Karantina e diktuar nga Koronavirusi ka shtyrë shumë veprimtari të Komunitetit shqiptar në SHBA të planifikuara për t’u organizuar në muajin Maj. Një ndër këto veprimtari të përvitshme, ëshët dhe Dita e lIrisë Shqiptare, që organizohej në fillim të majit në përkujtim të Dëshmorit të Demokracisë Nik Mrnaçaj. Dita e Lirisë që organizohet në Kensico Dam Plaza- në Westchester, përfshinë jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal, klerikë, si dhe drejtues të organizatave të komunitetit.
Sivjet është 30 vjetori i rënies së Nik Mrnaçaj, në pamundësi për ta organizuar si çdo vit në fillim të Majit nga familja e nderuar MRNAÇAJ, Dielli po risjell përkujtimin e organizuar vitin e kaluar me 5 Maj 2019 dhe me këtë rast risjell Kujtesën: I përjetshëm Kujtimi i Nik MRNAÇAJ!
Nga Dalip Greca/Dielli
….Edhe pse e Diela e 5 Majit 2019 ishte një ditë me shi dhe erë të fortë, shqiptarët e Amerikës shkuan masivisht në veprimtarinë e organizuar në Ditën e Lirisë Shqiptare, ditë që i kushtohet, simbolit të demonstrateve antikomuniste në SHBA, Nik Mrnaçaj. Kjo ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendar për Lirinë, Demokracinë dhe Flamurin shqiptar, mbledh çdo fillim maji, në një ndër parqet më të bukur të New York-ut, në Kensico Dam Plaza- në Westchester, jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal si dhe drejtues të organizatave të komunitetit.
Kjo ditë e veçantë sjellë në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës qëndresën e nacionalistëve shqiptaro-amerikanë, demonstratat antikomuniste, që nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për mungesën e lirive dhe të drejtave, për dhunën e përgjakshme që ushtronte shteti komunist shqiptar kundër familjeve nacionaliste,bijtë e bijat e të cilave i burgoste burgjeve të diktaturës komuniste , ndërsa vetë familjet i internonte masivisht në kampet e internimit. Edhe pse familja Mrnaçaj ishte e arratisur nga Shqipëria, pjesa e mbetur në atdhe, u burgos e u internua. Tipik ishte rastii Nikollë Mrnaçaj, i cili u burgos dy herë për dy dekada, ndërsa familja u internua dhe vuajti për vite të tëra kampeve të internimit. I riu nacionalist, antikomunisti Nik Mrnaçaj, i biri i Marash dhe Mri Mrnaçaj,ishte në krye të demonstratave të shqiptarëve të Amerikës, që kërkonin të sensibilizonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mungesën e të drejtave dhe të lirive njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe rrisnin përpjekjet për t’i hequr maskën udhëheqësve komuniste që tentonin të mashtronin perendimin, me anë të Misionit diplomatik në New York. Nik Mrnaçaj humbi jetën pasi kthehej nga demonstrata antikomuniste e organizuar në Detroit me 22 Janar 1990.
***
Gazeta DIELLI e ka përcjellë kështu situatën e nxehtë të asaj kohe: Vitin 1990 kishte nisë me demonstrata të shumta në Diasporën Shqiptare të Amerikës. Dredhat e Ramiz Alisë në Shqipëri dhe urdhërat që përcilleshin në Misionin Shqiptar të Nju Jork-ut i kishin hedhur më shumë benzinë zjarrit.Me 20 Janar ishte zhvilluar një demonstratë e madhe për lirinë dhe demokracinë në Nju Jork. Demonstrata u zhvillua para Misionit të asaj që quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Mijëra njerëz, burra, gra dhe të rinj, shkruante Dielli në faqen e parë, morën pjesë në protestë. Turma e madhe u mblodh rreth orës 11 paradite dhe manifestoi me thirrje të fuqishme:” Lironi Shqipërinë”! Poshtë diktatura! Reforma për Popullin Shqiptar”!…”Demokraci dhe Liri!” …
Demonstrata e antikomunistëve demokratë shqiptarë para Kombeve të Bashkuara kishte tronditë edhe Tiranën zyrtare, e cila ende bënte qëndresë dhe i lëshonte me pikatore te drejtat e mohuara njerzore. Një demonstratë e tillë antikomuniste do të organizohej edhe në Detroit, por duket se Misioni Shqiptar në Nju Jork kishte urdhër për një antiprotestë,antimiting atje. Vetë shefi i Misionit kishte udhëtuar të nesërmen e demonstrartës së Nju Jork-ut, drejt Detroitit. Grupimi i të rinjve antikomunistë me Nik Mrnaçaj e kishin mësuar lajmin dhe u nisen për në Detroit, që t’u vinin në ndihmë bashkatdhetarëve antikomunistë, demokratë atje. Edhe pse qe një ngjarje që provokoi tension, të rinjët nuk ranë në kurthin e përplasjes vëllavrasjes, duke shmangur gjakderdhjen. Gjithësesi Misioni shqiptar dështoi në orvajtjen e vet.Por në kthim ndodhi tragjedia,për të cilën dyshohet se aksidenti ka qenë i qëllimshëm.
Gazeta e Dielli e ka regjistruar ngjarjen në numrin e saj 15 Shkurtit 1990. Ishte një kronikë e thjeshtë që përcillte dhimbje. Nën titullin”Një humbje tragjike” Dielli shkruante: Me datën 22 Janar 1990, në një aksident automobilistik, humbi jetën Nikoll Mrnaçaj, në moshën 31 vjeçare.
Komuniteti shqiptar e përcolli me dhimbje të riun nacionalist. Me 27 Janar 1990, u përcoll trupi i të ndjerit…. Shërbimet funerale u kryen në Bronx, New York, ku të riut Mrnaçaj, i dhanë lamtumirën e fundit mijëra bashkatdhetarë të komunitetit shqiptar të Amerikës. Mesha e Dritës u celebrua me datën 27 Janar 1990, në Kishën Katolike Shqiptare, nga të Pëndershmit Don Rrok Mirdita dhe Don Pjetër Popaj….
***
Veprimtaria e 5 majit 2019 u organizuar nga Familja Mrnaçaj, Shoqëria Kulturore-Artistike Kelemendi dhe Counti Ekzecutive Westchester, ndërsa moderatorë ishin Sokol Smalaj dhe Valbona Preldakaj. Fjalimet dhe përshëndetjet u gërshetuan me një program të pasur artistik, ku spikatën këngët dhe vallet e Kelmendit.U duartrokitën interpretimet e këngës”Këndojnë bylbylat këngët e veta”të kënduar nga Denis Vukaj dhe Aleksandra Hysaj, “Ç’ka ka zogu që po qanë” të kënduar nga Mikela Nonaj, kangë e vjetër popullore si dhe vallet e kërcyera bukur nga fëmijët e SH.K.A.K.
Shkurt Kronika: Hymnet Kombëtare i ka kënduar Mikela Nonaj. Lutjen fetare e ka përcjellë famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj. Ka përshëndetur dhe Djakon Marash Shkreli. Folësi kryesor në këtë ditë përkujtimore ishte presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z. Joseph DioGuardi. Ai ka kujtuar veprimtaritë që ka udhëhequr në krye të komunitetit shqiptar, lobimin për çështjen shqiptare, veçanërisht për Kosovën e okupuar nga regjimi diktatorial i Millosheviçit. Shqiptarët i janë mirënjohës ish kongresistit republikan Joseph DioGuardi, i cili e bëri aq të njohur çështjen shqiptare në Washington. Ai së bashku me Shirli Clojes DioGuardi në krye të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane shtuan miqtë e çështjes shqiptare në Kongres dhe Senatin Amerikan, duke rreshtuar në rrethin e miqëve zëra të fuqishëm të politikës amerikane si:Bob Dole, Henri Hide, Tom Lantosh, Ben Gilman, John McCain, Joseph Biden e shumë miq të tjerë.
DioGuardi vlerësoi dhe përpjekejet e komunitetit shqiptar, duke u ndalur posaçërisht edhe në demonstartat antikomuniste të shqiptarëve të Amerikës. Ai veçoi kontributin e të riut Nik Mrnaçaj, aktin e të cilit e përkujton komuniteti shqiptar çdo fillim maji.
Kanë përshëndetur edhe County Ekzekutive z. George Latimer si dhe kandidati për major në Mt. Vernon, z. Ernest Davis.
Kryetari i Fedeartës Pan-Shqiptare të Amerikës Dritan Mishto, në fjalën e tij përshëndetse ka vlerësuar aktin e Nik Mrnaçaj, i cili është bërë tashmë një simbol i demokracisë shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara dhe për çdo vit ne vijmë këtu dhe përulemi në shenjë nderimi dhe kranarie, tha ai. Kryetari Mishto i shprehu mirënjohjen familjes Mrnaçaj për kontributi e dhënë në luftën kundër sistemit komunist . Më pas ai ka prezantuar deputetin e Parlamentit të Shqipërisë, i votuar në siglën e Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, z. Endri Hasa (i cili së bashku me deputetët e tjeë të opozitës e ka dorëzuar mandatin).
Deputeti demokrat shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë veprimtari nderuse në Ditën e Lirisë Shqiptare. Z. Hasa vlerësoi kontributin e familjes Mrnaçaj dhe aktin e birit të tyre që me aktin e tij frymëzoi rininë shqiptare. Ai mbetet sot simbol i demokracisë, dhe përveçse mbanë titullin “Pishtar i demokracisë” emrin e tij e mbajnë në vendlindje, Shkolla dhe rrugë. I përjetshëm kujtimi i dëshmorit të demokracisë!
Deputeti nuk e politizoi fjalën e tij përshëndetse, por me pak fjalë tregoi se demokarcia shqiptare është në udhkryq, vendi përjeton krizë të thellë, drejtësia nuk funksionon, institucionet janë të kapura nga kreu i ekzekutivit, dhe deputetët e opozitës janë në rrugë me qytetarët për të rikthyer vlerat e demokracisë së nëpërkëmbur.
Në emër të familjes Mrnaçaj ka falenderuar folësit, pjesmarrësit, avokati Mikel Mrnaçaj, i biri i Nik Mrnaçaj…
Këtë veprimtari përkujtimore dhe nderuse e mbështeti edhe Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA, ku përveç kryetarit të saj z. Dritan Mishto, morën pjesë nënkryetari Agim Rexhaj, anëtarët e kryesisë Zef Balaj, Marjan Cubi me zonjën, editori me zonjën, Pashk Maksuti, Mihill Velaj(njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë), Gjergj Ivanaj e të tjerë. Vatra, pas takimit që pati në selinë e saj me deputetin Endri Hasa, e ftoi atë, që të bëhej pjesë e veprimtarisë përkujtimore kushtuar Nik Mrnaçaj, ku ai u prit me duartrokitje.
Në fund të veprimtarisë, familja Mrnaçaj ftoi pjesmarrësit që të ngrinin Flamurin kuq e zi në shtizën e parkut, përkrah flamurit amerikan, ku qëndroi për një javë. Familaj Mrnaçaj kishte sjellë për pjesmarrësit, ushqime dhe pije.
Westchester Caunty, Maj 5, 2019