Në Kosovë pranvera është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi/
-Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti: Masakrat në Kosovë janë e vërteta e Serbisë dhe e kaluara jonë e cila nuk kalon/-U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca: Serbia absolutisht nuk e ka marrë dënimin e merituar si shtet për të gjitha ato veprime gjenocidale, gjenocidin që e ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 98-99/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 26 Mars 2021/ Në Kosovë përkujtohen në 22 vjetor martirët e dy masakrave të forcave serbe, 241 në Krushë të Madhe të Rahovecit dhe 113 në Krushë të Vogël në rajonin e Prizrenit.
Në Krushë të Vogël përkujtohet edhe se në 26 mars 1999, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe shtëpisë me plot burra shqiptarë që i kishin vrarë ia vunë edhe zjarrin dhe po atë ditë gjenocidi bënë edhe spastrim etnik duke i dëbuar me forcë gratë dhe fëmijtë drejt Shqipërisë.
Krusha e Vogël ka mbetur fshat i grave të veja dhe i fëmijëve jetimë, si pasojë e asaj masakre.
Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi.
Është stina kur përkujtohet se, në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Në Izbicë, fshat tjetër i krahinës së Drenicës në Kosovë, përkujtohen 147 civilë shqiptarë të pushkatuar në masakrën e 28 marsit 1999, nga forcat serbe, të cilat në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve i kishin nxjerrë nga varret dhe i kishin dërguar e groposur nëpër varreza masive në Serbi.
Ndër masakrat në Kosovë që do përkujtohen në këtë pranverë është edhe ajo në fshatin Mejë të Gjakovës, e 27 prillit 1999, kur forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.
Në Kosovë ndodhi edhe masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 22 maj 1999, ku u vranë 114 shqiptarë të burgosur. Forcat kriminale serbe bënë masakra në gjithë Kosovën, edhe në Reçak, në Likoshan dhe Çirez, Obri, Poklek, Suharekë, Kralan, Goden, Rogovë, Celinë, Lubeniq, Makoc, Kotlinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Rahovec, Studime, Kaçandoll, Bajgorë, Shipol, Çabër…
Në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan nga Kosova mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, ndërsa ende nuk dihet për fatin e mëse 1600 të zhdukurve ende të pagjetur.
KRYEMINISTRI KURTI NGA HOMAZHET NË RAHOVEC: DO TË ANGAZHOHEMI SI ASKUSH MË PARË PARA NESH PËR DREJTËSI PËR KOSOVËN
Rahovec, 26 mars 2021/ Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti i shoqëruar nga presidentja në ardhje, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, deputetja Vasfije Krasniqi, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, ka bërë homazhe sot në Krushë të Madhe dhe Krushë te Vogël.
Homazhet i filluan të Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe të Komunës së Rahovecit, në 22- vjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe të mbi 243 personave.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se edhe sot e kësaj dite i kemi 64 të zhdukur, e në mesin e tyre edhe profesorin Ukshin Hoti.
Duke bërë nderime te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, dhe duke u angazhuar për të zbardhur fatin e të pagjeturve, Kryeministri Kurti theksoi se kryhet një pjesë shumë e vogël e borxhit të madh që e kemi ndaj sakrificës, humbjeve dhe vuajtjeve të popullit tonë falë të cilëve ne sot e kemi edhe lirinë edhe pavarësinë.
“Drejtësia për krimet e kryera nga Serbia mungon, dhe është obligim i yni institucional që të angazhohemi maksimalisht me Institutin e ardhshëm për Krimet e Kryera gjatë Luftës dhe me aktivizimin e Prokurorisë Speciale e të sistemit të drejtësisë në përgjithësi në mënyrë që të arrijmë që t’i shërojmë plagët e luftës duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjell drejtësi që duhet të gjykojë e të dënojë kriminelët e luftës”, tha ai.
Pas Krushës së Madhe, vazhduan për në Kompleksin e Varrezave në Krushë të Vogël të Komunës së Rahovecit.
“113 veta u vranë në Krushë të vogël, dhe ky është një shembull i gjenocidit të Serbisë në pranverën e vitit 1999. Atëherë kur ajo synonte shfarosjen e shqiptarëve, terrorin mbi neve në mënyrë që të na shporrin nga toka jonë e lashtë, ku jemi popull autokton dhe që nuk i ka dashur askujt të keqen, por vetëm të mirën për të gjithë”, Kryeministri Kurti.
Nga Krusha e Vogël, Kryeministri Kurti u zotua se do të angazhohen si askush tjetër para tyre, për drejtësi për Kosovën, për familjet e të pagjeturve, familjet e të vrarëve , për humbjet, vuajtjet e viktimat që i kemi, për dëshmorët dhe martirë, të cilët paguan çmimin e njëjtë të lirisë sonë kaq të vlefshme dhe pavarësisë sonë të shpallur këtu e 13 vjet më parë.
“Përkulemi para të gjitha këtyre varreve e familjeve të cilët përditë e ndjenjë mungesën e thellë të më të dashurve të tyre që nuk ishin vetëm anëtarë të këtyre familjeve, por shqiptarë e qytetarë të vendit ndaj të cilëve kemi borxh e obligim”, përfundoi Kryeministri Kurti.
KRYEMINISTRI KURTI: MASAKRAT NË KOSOVË JANË E VËRTETA E SERBISË DHE E KALUARA JONË E CILA NUK KALON
Suharekë, 26 mars 2021/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule te obelisku i të vrarëve të familjes Berisha në Komunën e Suharekës, dhe më pas vizitoi Muzeun e Martirëve të familjes Berisha si dhe Memorialin e kësaj familjeje. Atje u shoqërua nga deputetja dhe Presidentja në ardhje, Vjosa Osmani, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, deputetja Vasfije Krasniqi, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë të nivelit qendror dhe lokal.
Pas homazheve, Kryeministri Kurti tha se ky muze i kësaj masakre është jeta jonë, është e kaluara jonë e pashlyeshme, traumatike, që sot shënon një plagë që kullon, plagë të hapur për shkak se nuk ka ende drejtësi për viktimat dhe as gjykime e dënime të kriminelëve serbë.
“Nuk mund të kemi të ardhme të sigurt, nuk mund të kemi paqe e qetësi përderisa nuk e kemi drejtësinë e cila jo vetëm që na është mohuar sepse na është vonuar, por për shkak se nuk ka filluar ende”, shtoi Kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Kryeministër i ri, bashkë me presidenten në ardhje znj. Vjosa Osmani, do të bëjnë çmos që këtyre familjeve të cilët paguan çmimin kaq të lartë për lirinë dhe pavarësinë tonë, t’iu dalin në ndihmë dhe të jenë përkrah tyre. Edhe sa i përket traumave, humbjeve e vuajtjeve që i kanë përjetuar, por edhe sa i përket aktivizimit sa më të madh të sistemit të drejtësisë, e në veçanti të prokurorisë, në mënyrë që kriminelët e kësaj masakre dhe shumë masakrave të tjera të përfundojnë prapa grilave.
“Masakrat në Kosovë janë e vërteta e shtetit të Serbisë dhe janë e kaluara jonë e cila nuk kalon. Ajo është në të tashmen tonë, është përditë me neve, çdo mëngjes kur zgjohemi e çdo mbrëmje kur nuk na zë gjumi. 547 viktima civile janë në komunën e Suharekës, një ndër komunat më të goditura dhe 80 janë ende të pagjetur”, u shpreh tutje ai, duke thënë se Serbia pas vrasjeve që kreu këtu me forcat e saj i rrëmbeu edhe kufomat dhe u përpoq që ta varros të vërtetën por që ajo rishfaqej nëpër liqenet e saj nga kamionët të cilët nuk ngeleshin dot në thellësi të ujërave atje.
Kryeministri rikujtoi se 744 shqiptarë janë zhvarrosur nga Batajnica, një varrezë masive që sot është poligon i qitjes për policinë dhe ushtrinë atje, ndërkaq këtu janë 14 fëmijë nën moshën 15 vjeçare të vrarë. “Pra, nuk kanë dashur t’i vrasin vetëm të rriturit por edhe brezin e ardhshëm, edhe ata që vijnë më pas, prandaj të gjitha këto krime të kryera gjatë luftës përveçse janë krime të luftës, janë edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, shtoi Kryeministri Kurti.
Gjatë këtyre homazheve, Kryeministri Kurti bëri të ditur se bashkë me të ishte edhe Saranda Bogujevci, nënkryetare e kuvendit të Kosovës, e mbijetuar e masakrës së familjes së saj, masakër kjo që e ka përvjetorin e 22-të të dielën, dhe Vasfije Krasniqi e mbijetuara e përdhunimit e cila gjithashtu me kurajon e saj ka folur në emër të mijëra grave shqiptare të cilat u dhunuan gjatë luftës.
“Përulemi me nderim të përjetshëm para të gjithë atyre që u flijuan. E ardhmja e Republikës sonë varet shumë nga kjo kujtesë e kulturës kolektive”, përfundoi Kryeministri Kurti.
U.D PRESIDENTI KONJUFCA: GJAKU I TË RËNËVE TË KRUSHËS SË MADHE DHE KRUSHËS SË VOGËL QËNDRON NË THEMELET E SHTETIT TONË
U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.
U.d presidenti Konjufca ka thënë se sa herë vijmë këtu e kuptojmë edhe më mirë që Kosova i ka tri plagë, e që sipas tij, çka është më e keqja, janë plagë të hapura të Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj.
“Plaga e parë është vet masakra që ka ndodhë. Populli këtu, krushianët e kanë përjetuar tmerrin në një masakër e cila ka lënë qindra e qindra të vdekur. Plaga e dytë është që këtu ka edhe varreza të zbrazëta. Disa prej varrezave janë të zbrazëta, që na e kujton edhe njëherë se Serbia i ka rrëmbyer më të dashurit tanë dhe familjarët tanë dhe nuk i ka kthyer kurrë. Fati i tyre ende nuk është zbardhur, dhe kjo është një plagë e hapur në trupin e shtetit tonë, të populli tonë. Plaga e tretë do të thoja që është drejtësia e munguar. Nuk ka pasur drejtësi kurrë për familjarët të cilët i humbën më të dashurit e tyre, ata u masakruan, u rrëmbyen, nuk dihet për një pjesë të tyre, për fatin e tyre dhe familjaret tash e 22 vite prej asaj date jetojnë për çdo ditë me peshën, e me vuajtjen e rëndë për fatin e pazbardhur të familjarëve të tyre”, ka thënë u.d presidenti.
Ai ka kujtuar edhe intelektualin e patriotin e madh, Ukshin Hoti, “Të mos harrojmë që njëri prej personaliteteve më të shquara te kombit shqiptar ka lindur këtu, është vendlindja e tij dhe po atë fat e ka pas edhe ai, po flas për intelektualin e patriotin tonë të madh Ukshin Hoti, i cili u zhduk në muajin maj të vitit 1999 prej forcave policore të Serbisë, dhe që prej asaj date nuk dihet gjë për fatin e tij. Institucionet duhet të bëjnë dukshëm më shumë se që kanë bërë përpara për të gjitha këto që i thash, duke e përfshirë edhe zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit”, ka theskuar u.d presidenti Konjufca.
Sipas tij gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe të Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë, qëndron në themelet e lirisë të Republikës së Kosovë.
U.d presidenti Konjufca ka bërë homazhe edhe në Krushë të Vogël, në nderim të martirëve të rënë në masakrën e cila u krye prej forcave policore ushtarake dhe paramilitare të Serbisë, në mars të vitit 1999.
U.d presidenti ka thënë se Serbia absolutisht nuk e ka marrë dënimin e merituar si shtet për të gjitha ato veprime gjenocidale, gjenocidin që e ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 98-99.
“Në Serbi jo vetëm që mijëra kriminel të luftës janë të lirë e të padënuar, të patrajtuar nga drejtësia, por çka është më e keqja përmes politikës së sotme të cilën po e zhvillojnë përfaqësuesit shtetëror të Serbisë, po na tregojnë që Serbia në masë të madhe nuk është shkëputur nga ajo logjikë e atij pushteti e cila e ka shkaktuar gjenocidin në Kosovë gjatë luftës së fundit”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe veprimet e institucioneve tona kane shkaktuar pakënaqësi të mëdha ndonjëherë te familjarët e të rënëve të masakrës së Krushës së Vogël.
“Për shembull, përgjysmimi i dënimit të njërit prej kriminelëve të luftës, i cili është dënuar prej gjykatave tona për pjesëmarrje aktive në masakrën e Krushës së Vogël, ka shkaktuar indinjatë të thellë te i gjithë populli i Kosovës, por në veçanti te familjarët të cilët i kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë kësaj masakre. Ky nuk ka qenë aspak një sinjal i mirë prej anës së institucioneve tona që rastet e krimeve të luftës do të ndiqen dhe do të dënohen”, ka thënë u.d presdienti.
U.d presidenti Konjufca, duke ju bërë thirrje institucioneve tona, sistemit tonë të drejtësisë, ka thënë se “tash të gjithë e dinë se nuk ka asnjë pengesë shteti i Kosovës, gjykatat tona për t’i ndjekur, dhe për t’i dënuar ashtu siç e meritojnë të gjithë akterët si përfaqësues të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë të cilët kanë kryer masakra gjatë luftës në Kosovë”.