Nga Astrit LULUSHI/Pse bëjmë mirë? Sepse Zoti (Krisht, Budë a Mohamed) thotë kështu; janë figura të rëndësishme në histori që duhet t’i dëgjojmë. Por nuk janë as të parët e as të fundit që thonë “mos bëj keq”. Njeriu bën mirë sepse është gjë e duhur për të bërë. Është në ADN, nuk është shpirtërore, por është e nevojshme. Kur bën një të keqe, dëmton veten dhe të tjerët.
Sa herë duhet që miu në laborator të kalojë nëpër një labirinth derisa të gjejë rrugën e daljes? Sa më shumë prova aq më i shpejtë bëhet. Me kalimin e kohës, tenton ta përshkojë udhën me gjithnjë e më pak gabime derisa i eleminon të gjitha. Ndërsa lëviz, krijon një hartë të brendshme të botës së tij. Shkencëtarët përdorin studime labirinth për të ndihmuar në identifikimin e parimeve të përgjithshme në lidhje me të mësuarit dhe kujtesën. Dhe ajo që mësojnë mund të zbatohet për specie tê tjera, madje edhe për njeriun. Në lojërat në kompjuter këto parime hasen sa herë që njeriu luan duke përdorur kujtesën për të mësuar, përshtatur dhe avancuar.
Pa shqetësime, nuk arrijmë askund. Si do të ndiheshit sikur të mos u besonit më kujtimeve tuaja? Duke e përshkruar të kaluarën me ngjyra, lule a “udhëheqës të lavdishëm”, shumë njerëz sot kanë një kujtesë të qartë të diçkaje që nuk ka ndodhur; dhe kjo qartësi i çmend nga gëzimi nëse ajo kohë do të kishte mundësi të kthehej.
Kështu, Zoti krijoi Tokën dhe na lë të bëjmë me të çfarë të duam. Megjithse, sgurisht, na dha edhe disa udhëzime, një libër të tërë (Biblën e vjetër). Ne kurrë nuk mund t’i dimë plotësisht efektet e tij; kurrë nuk do të arrijmē ta prekim kuptimin e jetës, megjithatë e dimë se ka gjithmonë një qëllim, vdekjen. Njeriu nuk mund të merret me të tashmen, ndërsa gënjen a mohon bazën e saj, të shkuarën.
Neurologët thonë se kujtimet janë si zinxhirë me neurone e sinapse, dhe nganjëherë duhet vetëm një molekulë për t’i mbajtur të gjitha së bashku (fatkeqësisht askush nuk mund të parashikojë se cilën të mbajë). Truri nuk është si kuti, ku mund të mbash gjithçka të paprekur; gjërat përzihen, ngatërrohen jo në të njëjtën mënyrë dhe jo në të njëjtën kohë. Atëherë, kjo nuk ka asnjë lidhje me memorien ose trurin, por me një realitet tjetër.
Pra, kujtimi i rremë është krijuar, ku njeriu kujton diçka që nuk ka ndodhur ose e kujton ndryshe; keqinformimi, zbutja e tmerreve dhe mosdënimi i fajit ushqejnë kujtesën false, duke e bërë njeriun, që s’e ka jetuar atë kohë, të mendojē se kjo është e vërteta.