-Tubim përkujtimor në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, ku në 27 prill 1999 forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve/

– Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon se, pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999 në Kosovë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin 6027 persona të zhdukur, të lajmëru ar nga familjarët/
PRISHTINË, 26 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës -27 Prill, në mesditë, në Mejë të Gjakovës në Kompleksin Memorial organizohet tubimi përkujtimor për masakran e para 18 viteve/
Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, në 27 prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.
Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, 18 vjet pas luftës, janë ende mëse 1600 të zhdukur të pagjetur. “Atyre që na mungojnë”, me këtë emërtim, u është ngritur përmendore në sheshin kryesor të Prishtinës, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
“27 Prill – Dita e të Pagjeturve të Kosovës…vazhdojmë t’i kërkojmë…” shkruante në njoftimet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur që i vendosnin sot grupe të rinjësh nëpër kryeqytet, Prishtinë.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë ka paralajmëruar aksionin simbolik me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur, i cili do të realizohet në mbrëmjen e 27 Prillit në Sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Në luftën e para mëse 18 viteve kundër Kosovës, në fushatën e terrorit, spastrimit etnik e gjenocidit, forcat serbe të Milosheviçit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit, i cili më pastaj ka përfunduar në Tribunalin për Krime Lufte në Hagë, kanë vrarë e masakruar më shumë se 12.000 shqiptarë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, kanë dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë “përtej Bjeshkëve të Nemuna”, dhe kanë djegur mëse 400 qytete dhe fshatra.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon se, pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999 në Kosovë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin 6027 persona të zhdukur, të lajmëru ar nga familjarët.
Edhe sipas të dhënave të asociacioneve familjare të të zhdukurve të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 18 viteve mbërrinte mëse 6.000 veta. Mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi .
Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur nga familjarët në rrethojat e Kuvendit e qeverisë kosovare, në sheshin qendror të Prishtinës.