NGA RESHAT KRIPA/U vra poeti. Përse u vra? Mos vallë kishte kryer ndonjë krim? Jo. Ai shkruante vetëm vargje. Shkruante për lirinë, për atdheun, për dashurinë. A mund të vritet poeti pse shkruan vargje? Një gjë e tillë ndodhte në shtetin që pretendonte se luftonte për lumturinë e qytetarëve të vet, në shtetin që thoshte se luftonte për të drejtat e njeriut, në shtetin ku po krijohej “njeriu i ri” i socializmit që do të bëhej varrmihësi i këtij kombi. Megjithatë ai mbijetoi. Mbijetoi me vargjet e tij. Mbijetoi me idealet e tij.
Ai kishte një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donte të shkruante atë që mendonte, atë që ëndërronte. Por jetonte në një kohë ku sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarde pa asnjë vlerë.
Por nuk ia arriti qëllimit. Në morinë e madhe të atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, kishte edhe të tjerë që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur. Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve absurde në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa përdhunimin e lirisë. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë mbi vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda këtyre veprave, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. I tillë ishte dhe poeti ynë.
Dora e tij ii hidhte këto në letër. I lexonte dhe i rilexonte me vete, pa guxuar t’ia tregonte ndokujt. Në to shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në këto shkrime sundonte besimi për të ardhmen edhe atëherë kur shumëkush e kishte humbur atë. Në pjesën më të madhe këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Ato u shndërruan në “Kangë të pakëndueme”, me të cilat kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori”.
Para syve më dalin vargjet e shquara të poetit të madh rus Mikhail Lermontov:
U vra poeti! – rob i nderit –
Ndër shpifje e thashetheme u shtri,
Me etje hakmarrjeje prej vrerit,
U mposht krenar me plumb në gji.
Në shpirt poetit s’iu durua,
Dhunimin e turpshëm kur e pa,
Përkundër fyerjes u çua,
I vetëm si më parë…dhe ra!
Kështu ra dhe poetët ynë. Ra për të mos u harruar kurrë, për t’u lartësuar si një memorial madhështor në piedestalin e martirëve të këtij kombi.
10 gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të mësonte dhe nuk e linin për të mësuar, që kishte dëshirë të punonte dhe nuk e linin për të punuar, që kishte dëshirë të jetonte dhe nuk e linin as për të jetuar.
Një odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi. Pas 11 vjetësh lirohet dhe internohet në fshatin Arrëz.
24 qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosi dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.
Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek, në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuar pjesëmarrës.
Megjithatë vargjet e tij mbijetuan. Ato vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë të jashtëzakonshme:
Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni “Ndjesë pastë!”
A e dini çfarë kam hjekë,
Unë, poeti zemërzjarrtë?
Kur të pyesni: – Ku e ka vorrin?-
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: – Ai urreu mizorin! –
Thoni: – Dheu s’ka me e tretë!
Ky ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.