….Vllaznit Çuni u shkaterruen familjarisht dhe ekonomikisht.Kola vdiq në Sh.B.A., Gaci në Burrel, ku mbeti edhe pa vorr dhe Rroku s’di se ku ndrroi jetë.
Nga Bep Kuqani, New York/
Shkas per këtë shkrim u ba z. Tomë Mrijaj, i cili më viziton shpesh në këtë institucion ku jam shtrue per mjekime intensive të përditshëm kunder parkinsonit, prostatës dhe tensionit të naltë. Në vizitën e fundit që më bani para afro dy javësh, më solli nji revistë të vjeter: “Lajmëtari i të Mërguemit”, organ i Blokut Kombtar Indipendent, i vjetit 14 numër 18, të botuem në New York, në Janar 1985. Ishte e para herë që më binte në dorë nji revistë e këtij Bloku, ndaj e prita me shumë kënaqsi e kuriozitet.Ajo që më bani nji pershtypje të veçantë ishte rubrika: “Nekrologji”, ku jepeshin rastet e vdekjeve të personaliteteve shqiptare midis dy numrave të kësaj reviste.
“Nekrologjia” e atij numri fillonte me vdekjen e Luftarit të Lirisë së Blokut Indipendent, të ndjerit Kolë Çuni; ku jepej me këtë rast edhe fjala e mbajtun nga Kapidani Ndue Gjomarkaj, i cili nder të tjera kishte thanë: “Jemi mbledhë sot këtu, në këte shtëpi të permortëshme, me përshëndetë dhe me percjellë për në banesën e fundit Kolë Çunin; Luftëtarin e Lirisë së Blokut Kombëtar Indipendent, t cilin disa e patën vëlla fisi, disa të tjerë mik e dashamir, e disa shoq e bashkëpuntor vuajtjesh e sakrificash….”
Dhe Toma më tregoi se ka ndërmend me shkrue diçka për këtë hero që Bloku e dërgoi në malet e Mirditës me luftue kundër vendosjes së regjimit komunist atje; mandej më pyeti:A e ke njoftë ti shkrodranin Kolë Çuni me origjinë dukagjinase? Kjo ishte pyetja me të cilën Toma më ngacmoi që t’i pergjigjem me këte shkrim! Dhe jo vetëm kaq; por pikërisht, sot me 12 Shtator erdhi më mori Toma dhe me çoi te vorret katolike të Nju Jorkut ku prehet Kolë Çuni, tek i cili vendosëm nji tubë lule në shej’ nderimi dhe përkujtimi për jetën dhe veprën e Tij.
Iu përgjigja Tomës me kujtime të ndigjueme dhe të përjetueme personalisht: Kolë Çuni, që u ba më vonë trimi i maleve, nji ndër luftëtarët e lirisë, ndër guximtarët; që luftoi dhamb per dhamb kundër komunizmit në vitet 1945-46; kam pasë fatin me e njoftë qysh kur ishe i vogël, në klasë të parë dhe të dytë të shkollës fillore “Skenderbeg” me drejtor Zef Palin, që ma vonë u ba nji nder eksponentët krysor të Ballit Kombëtar dhe, mësues Kolë Jakovën, vëllanë e të madhit Tuk Jakova. Bahet fjalë këtu per vitet 1936-1937.Nji nder bashkë-nxanësit e mi të të njejtës klasë ka qenë edhe Lazri, ma i vogli nga të katër vllaznit: Kolës, Gacit dhe Rrokut.
Lazri mund të ishte nji vjet ose dy ma i madh se unë; por me sa duket kishte mbetë në klasë të parë si përsëritës. Ai kishte edhe nji veçanti tjeter: në njenën kambë kishte gjashtë gishta dhe këtë e dijshin të gjithë fëmijt e shkollës fillore, të cilët e thirrshin shpesh në tallje “gjashtë-gishtësh”.
Kishte nji natyrë të butë dhe ishte shumë i durueshëm, sepse nuk i përgjigjej askujt kur e thirrshin ashtu. Shtëpinë e kishin në lagjen “Ballabane”, jo larg shtëpisë së mësuesit Kolë Jakova; edhe ata katër vllazen: Tuku, Kola, Frania e Filipi.Tue kene se tre vllaznit e Lazrit këndojshin bukur, tre zanësh; unë shkojshe shpesh ndër ‘ta me i ndigjue e me këndue nga njiherë me ‘ta.
Kola i binte shumë mirë edhe kitarës,me të cilën i shoqnonte kangët. Zanin e parë e bante Gaci,që shquhej per atë za të bukur, që pak kush e kishte; zanin e dytë e bante Rroku dhe të tretin Kola, që shquhej per nji vesh shumë të hollë muzike, si nji artist i vertetë. Ishte kënaqësi me e ndigjue atë “trio vokale”, sidomos gjatë mbramjeve verore kur ishin me pushime shkollore;se edhe Kola ishte student në klasat e nalta të gjimnazit të Jeziutve (në të shtatën ose të tetën).
Unë si fëmi nuk kishem asnji kontakt shoqnor me Kolën dhe as me Gacin, për shkak të diferencave të madhe të moshave; Kola ishte 10-11 vjet ma i madh dhe Gaci 5 vjet. Afinitetin shoqnor e kishem ma shumë me Lazrin dhe shumë pak edhe me Rrokun. Kolë Çuni me linte peshtypjen e nji njeriu të dijtun njilloj si mësuesit tone dhe më impononte nji respekt të veçantë edhe si kangtar dhe kitarist si nji artist i vertetë.
Kjo ka kenë njohja ime me vllaznit Çuni në moshën e fëminisë. Por kjo nuk zgjati shumë; erdhën vitet e ngjarjeve të vrullshme që na ndane; Pushtimi nga Italia fashiste; Lufta NacionalÇlirimtare dhe vendosja e regjimit të E. Hoxhës; që unë në fillim e mendoja dhe e besoja ndryshe pushtetin komunist, si një shtet Demokratik, , që do të garantonte lirinë dhe mirëqenien e të gjithë popullit dhe jo vendosjen e nji diktature, ma të egren në Europe,që do të shtypte dhe të vorfnonte deri nën minimumin e nivelit të jetesës së të gjithë popullit. Kur i kujtoj sot ata vllazen, më ngulshon shpirti prej dhimbjes e prej malit.Per Kolën mora vesht në burg se në vitet 1945-1946* kishte zbarkue në malet e Mirditës për të luftue kundër regjimit të E.Hoxhës dhe pa dashtë me e hymnizue, thonë se luftoi si trim me “flete” maleve të Mirditës, pa iu trembe syni, si antikomunist i vendosun.Në saje të qendresës së ketyne herojve“Flamurtarë të Lirisë”dhe trima guximtarë të pa shoq si shkodrani me origjinë dukagjinase dhe të popullit të kësaj krahine të drejtueme nga dera e Kapidanit Gjon Mark Gjoni; Mirdita kje dhe mbeti kështjella e fundit që u pushtue nga komunizmi pothuejse 9 vjet mbas 29 Nandorit të vitit 1944, d.m.th. deri në vitin 1953. Gjithashtu mora vesht se guximtari Kolë Çuni ka hy në burgun e Shkodrës me letër njoftim dhe dokumenta fallco me takue vëlla Gacin, të cilit i ka sjellë edhe nji kurë të plotë ilaçesh kunder turberkulozit, nga e cila Gaci ishte prekë dhe vuante gjatë periudhës së burgut.
Dhe së treti, po në burg, flitej se Kola me Bep (Zef) Luken në sapo festojshin në Kafen e Madhe natën e Vitit të Ri 1945 – 46(!) ku ndodhej edhe kryetari i degës të punëve të brendshme (emin s’ia mbaj mend); këta të dy po e pritshin jashtë kafes për t’a vra kur të delte jashtë; por nji urdhën që moren me radio, i detyroi të terhiqeshin se do të bahej nji raprezalje e madhe që do të shkaktonte viktima të pafajshme.Asht fakt se, kur mbas disa ditësh drejtoria e burgut mori vesht se Gaci ishte takue me vllanë “diversant”në burg, e morën përsëri dhe e çuen në birucat e degës së punëve të brendëshme, ku e mbajtën afro tre muaj; natyrisht në hetuesi e jo pa tortura: por shyqyr nuk i dhanë tjetër dnim.Fati i zi i yni, solli rastin që të takohem përsëri me Gacin; por kësaj radhe në burgun e madh të Shkodrës, që komunistat e pagzuen me emnin “Burgu i Anmiqve Të Popullit”. Gacin e patën vendosë në dhomën nr. 5, që ishte fare afër WC-së burgut. Këtu, në këte dhomë të vogël, aferisht 5x3m ishin vendosë si sardelet në kuti plot 15 persona; ndër të cilët mbaj mend edhe Tomë Sheldija, At Mark Harapi (vllai i At Anton Harapit) Ernest Perdoda etj. nji tjeter dhomë e vogël, ishte dhe ajo nr. 6, që ishte përballë nr. 5, ku mbaj mend se ishin edhe rreth 12 të dënuem,ndër të cilit ishin: Mërgim Dani, Tomë Leci, Ramadan Sokoli, Gjon Ljarja, Luigj Kçira (që ma vonë u ba prift). Gaci vazhdimisht këndonte;nuk e hiqte kangën nga goja, por me za të ulët që të mos e ndigjonte roja.Në të vertetë roja e ndigjonte fare mirë, por bajshin sikur nuk e ndigjojshin, sepse edhe atyne u pëlqente me e ndigjue; megjithse ishte e ndalueme me kendue, Gacin nuk e futi në burg asnji role.Ai dinte me shumicë gjithfarë kangësh: mund të them të gjitha kangët shkodrane të kohës, nji shumicë kangësh italiane, spanjolle, greke etj. nder ma të bukurat.Në fillim të viit 1950, Gaci hartoi dhe kompozoi edhe nji kangë per ish të fejuemen të cilen e lejuen të ia kendonte në takim. E fejuemja, nji vajze fisnike e priti Gacin pese vjet edhe pse Gaci i thonte vazhdimisht: “kqyr e gjej ndonji fat tjeter se puna e ime ka mbarue) sepse ishte i denuem me 15 apo 20 vjet (nuk me kujtohet mire), por tue nga faljet dhe amnistite, i pat zbrite denimi perfundimisht ne 10 vjet. Melodine e kanges ia pat shkrue ne pentagram muzikanti Ramadan Sokoli dhe fjalet e kanges ishin keto: M’i ke faqet-o kuqe si gjaku/ Me ty o vashe më ka xanë maraku/ Mue marakun m’a kanë shtue,/ Kaçurrelat e tu./Natyra të fali bardh-o si bora,/ Unë permbas teje jeten e bora/ Te dy sytë m’i kanë verbue,/ Kaçurelat e tu./
Por Gacin nuk e lanë ma në burgun e Shkodrës:Pa mbushë dy muej mbasi u kthye nga hetuesi e dytë, e nisën në burgun e Burrelit nga frika se mos takohej prapë me “diversantin guximtar” Kolë Çunin.N’atë burg, Gacin e vendosën në dhomën nr.7,që mbahej si dhoma e të semurëve me T.B.C. N’atë dhome ai gjeti intelektualë të shquem, si Gjergj Kokoshin, Xhevat Korçën, Arshi Pipën, Xhevat Kapshticën etj. Por Gacin kjo shumë pak e ngushllonte, sepse me intelektualë të shquem kishte kenë edhe në dhomën nr.5 të burgut në Shkodër. Këtu e ndjeu vehten si të humbun për arsye se nga të afërmit e tij asnjeni nuk kishte mundësi me i shkue ne takim.Ndaj e kapi nji mërzi e madhe; filloi me ra në pesimizëm; këndonte ma rrallë dhe mbas çdo kange, kur e mbaronte i binte shputë ballit dhe ofshante:“Ah Gac shkreta!”. Megjithate vitet kalonin dhe sidomos, amnistia e vitit 1954 që ia zbriti dënimin në 10 vjet, në nji kohë kur Gaci i kishte mbushë dhe kalue dy-tre muej përmbi 8 vjet dhe tash i kishin mbetë ma pak se 2 vjet; filloi t’i rikthehet alegria, të këndojë pak ma shpesh dhe në kujtim të ish të fejuemes shkroi edhe nji kangë, me këto fjalë: Synin e gojen,/ Qafen e doren/ Besa t’i due/ Besabesi per mue/ Faqet e kuqe/ Lule burbuqe/Besa ti due/ Besa-besë per mue/ Ty kur të ndeshi/ Pse më rin pa za/ Çka e ke menden/ Me mue me ba/ Plasa i mjeri/Jam ba per seri/ Ty tuj t’kerkue/Ty tuj t’krkue/ S’di ku me t’gjetun/Pse m’ke lane vetun/ Due me t’diftue/Due me t’diftue/Ty kur të ndeshi/Pse më rrin pa za/ Çka e ke menden/Me mue me ba!/
Kur i kishte mbetë veç edhe nji vjet me plotsue dënimin; Gaci shkroi edhe nji kange kushtue qytetit ma te dashtun per ‘te: “Shkodres”: O Shkoder ilire O Keshtjellë e lirisë/ Zatetun nga malli per ty du me këndue/ Sa bukur natyra mbi ty ka qendisë/ O Shkoder nuk di me t’harrue/Me male madheshtore, gjelbërore rrethue/ Rozafa deshmija e burrave tonë/ Nuk din m’u perkulun gjithmonë ke qëndrue/ Rozafa, Rozafa e jonë/ O popull i Shkodres O i shtrejtë qytetar/ Per lirinë shqiptare e forta jehonë/Ashtu si kje motit qyteti ma i parë/ O Shkoder do të jeshë pergjithmonë./
Meloditë e të dyja këtyne kangëve ia pat hjedhë në pentagram muzikanti i njohun korçar Fotaq Filipeu, i cili aso kohe ndodhej në dhomen nr 10. Tashma, me kalimin e ditëve, të javëve dhe të muejve; po avitej edhe “Dita e Lirisë”, dita e lirimit nga burgu. I kishin mbetë edhe vetëm 3 muej që të plotësonte dënimin dhe Gaci filloi të qepte dhe inonte nji palë pantallona që i ishin hollue shumë vende-vende, por që ato ishin ma të mirat,që i kishin mbetun per diten e lirimit. Po kështu filloi të pregatiste edhe nji xhaketë, megjithse të vjeter, por që ishte ma e mira që kishte. Gjithe diten merrej me teshat: Qepte, arnonte, inonte, me kujdesin ma te madh qe te dukeshin sa ma të bukura tue këndue lehtë me atë zanin e bilbilit. Arshi Pipa (që ma vonë do t’i kushtonte nji poezi në librin e tij me titull “Libri i Burgut”) i fali nji nji këmishë, relativisht të re, me jakë të rregullt. I falën gjithashtu (nuk di se kush) nji xhup (pulover të bukur) dhe nji palë këpucë të mira. Por…
Qe: nji mbramje, para se me fjetë, ndërsa po i shtrinte pantallonat e laguna pak me ujë permbi dyshek dhe po i mbulonte me nji batanije që te flinte mbi ‘to që të hekuroseshin; kur befas e lëshoi nga dora batanijen, u ul ndejun dhe kapi kryet me shplakat e duerve tue ankue per nji dhimbje shumë të forte ne krye: (Sqaroj se qysh nga ky moment, e deri sa dha shpirt në duert e At Pjeter Meshkalles, që i ndjejti ditë e natë te kryet, tue e lutë dhe tue e ndihmue me sa mundej; m’i tregue Xhavat Meta, se une nuk kam kene ne nji dhome me ‘te). Kështu pra, tregon Xhevati, nga dhimbja e madhe, s’voinoi shumë dhe humbi vetëdijen dh era në gjendje “komo”. Ndejt dy ditë në këtë gjendje dhe në diten e trete dha shpirt; pa mujte me fol asnji fjale; pa mujt me lane asnji amanet… thone se kjo semundje quhej “menenxhit” dhe se ishte e pashërueshme. Ah, Gac Shkreta!Paska kene me të vertetë “Gac Shkreta”! pse ndrroj jetë në moshën 30 vjeçare (datën s’e mbaj mend), por muejin po: ishte mueji Mars i vitit 1956, në prak të Pranveres, kur jeta pertrihet e lulzon e gjithë natyra. “GAC SHKRETA” mbylli sytë përgjithmonë!
Në kjoftë se ka nji Njeri që meriton me e quejt “NDERI I KOMBIT”, ky asht ndër të parët KOLË Çuni, Luftëtar i Lirisë, që luftoi heroikisht me armë kundër vendosjes së regjimit të Enver Hoxhës; që i dhimbsej në shpirt Shqipnia dhe populli shqiptar për vuejtjet e përshkrueshme që do të pësonte nën diktaturën komuniste, te cilen e kundershtoi ballëpërball me te gjitha forcat e tij kunder forcave te ndjekjes se sigurimit.
Do t’ishte në nderin e Presidentit dhania e atij titulli dhe sjellja e eshtnave te tij nga Nju Jorku ku prehet ne nji varr te thjeshte, në varrezat e deshmorëve te Kombit.
Me Rrokun, pata rastin të rishifem rreth tri vjet para takimit me të ndjerin Gac në burgun e Burrelit dhe pikrisht në vitin 1953 në kampin e Vlashukut dhe u shoqnuem vazhdimisht bashke, deri sa u transferova në Puntorinë Qendrore të Artizanatit të Ministrisë së Puneve të Brendshme, në repartin e perkthimeve. Rroku ishte dënue me 10 vjet burgim dhe punë të detyrueme për agjitacion e propagandë kunder pushtetit komunist. Kishte 3 vjet deri n’atë kohë. Edhe Rroku këndonte bukur dhe i pëlqente shumë kanga e “Xhulias”, nji kancionetë italiane e perkthyeme në shqip, të cilën s’kishte natë që s’e kendonim. Rroku bante zanin e parë ndersa unë bajshe pjesën e baritonit dhe zanit të dyte, sepse kisha mesues ne korin e “Shoqnise Antoniane” te Françeskajve.
Ndërsa për Lazrin nuk munda t’a takoj ma asnjiherë qysh kur kena kenë në shkollën fillore “Skënderbeg”. Kur në 2008-tën isha për herë të fundit në Shkodër, pyeta për të dhe më treguen se ishte gjallë, ishte martue, por jetonin në nji vorfni të tejskajshme. Kaq di për vllaznit Çuni. Ata u shkatërruen familjarisht dhe ekonomikisht. Kola vdiq në Sh.B.A., Gaci në Burrel, ku mbeti edhe pa vorr dhe Rroku s’di se ku ndrroi jetë. Vetëm Lazri di që jetonte deri në 2008-tën. Por s’di ma asgja si ka përfundue edhe ai.
* Në fakt grupi i Kolës zbarkoi në Tërbun të Pukës, gusht 1949
Rrnofsh e kjofsh Bep Kucani, qe ke kujtue GAC CUNIN e pavdekshem, Yllin e Muzikes moderne Shkodrane.
Ju uroj shndet e gjithnje kjartesi mendje e zemret.
I perjetshem qofte kujtimi i tyre, , i Koles, Gecit dhe Rrokut dhe Zoti thashte qe Lazri te kete lene pasardhes dhe te jete gjalle, e jeta e tij, fale vuajtjeve shume vjecare te jete rregulluar.
Shkrim i bukur.Nji korigjim te vogel.Kola me grupin e tij u desanduen ne Terbun te Pukes ne Gusht te 1949.