Prof.As.Dr. Bernard Zotaj (Mjeshtër i Madh)/
Më 2 gusht 1949 në zonën kufitare në Juglindje të Shqipërisë me bazë në rajonet e Korçës, të Leskovikut dhe deri në Konispol të Sarandës e në Likojan, u kryen veprime ushtarake në shkallë të gjerë nga shteti i Greqisë. Këto veprime të armatosura ushtarake nuk ishin thjesht provokacion apo provokacion ushtarak (i armatosur) siç është cilësuar nga shteti shqiptar në vitin 1949, e që vazhdon të trajtohet nga historia zyrtare shqiptare, si dhe nga studiues civil dhe ushtarak, por agresion ushtarak.
Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe thuhet se provokacioni është goditje e ndeshje me armë, e organizuar qëllimisht nga një shtet… kundër një vendi të pavarur, për të krijuar shkak për ndërhyrje të armatosur e për të sjellë trazira. Shteti grek dhe Forcat e tij të Armatosura kishin vite që provokonin, kryesisht në të gjithë vijën kufitare, nga Prespa deri në kanalin e Korfuzit e që ndërmerrnin, akte të tilla, por në vitin 1949, duke filluar që nga janari ato do të përshkallëzoheshin pak nga pak, duke ardhur tek 2 gushti 1949 që në mënyrë masive nisi sulmi i armatosur kundër vendit tonë.
Po në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe theksohet se agresion i armatosur është “Sulm i armatosur i një shteti kundër një shteti tjetër për t’i pushtuar tokat e për ta nënshtruar, për të shtypur lëvizjet demokratike, revolucionare ose nacionalçlirimtare dhe për të vendosur regjime reaksionare; luftë e ashpër që bën një shtet për të depërtuar me mënyra të ndryshme në një shtet tjetër e për ta dëmtuar nga ana ekonomike, politike, ideologjike e kulturore”.
Në rezultat të ballafaqimeve të dy forcave ushtarake, por dhe të shpjegimit të fjalorit të gjuhës shqipe del se nuk ka qenë provokacion, por agresion ushtarak. Këtu kemi parasysh qëllimin, objektivat politikë, forcat pjesëmarrëse (ku pala greke i kishte të organizuara Forcat e Armatosura në të tre llojet e tyre), grupimi i forcave dhe mjeteve, pjesëmarrëse në agresion, kohështrirja, që është jo tipike për incidentet dhe provokacionet, por për një agresion, në rastin konkret me synime dhe objektiva të kufizuara (jo e përfshirë në të gjithë territorin e vendit), por të një pjese të tij dhe posaçërisht në atë që gjithmonë pala greke e quan “Epiri i Veriut”.
Agresioni ushtarak i ndërmarrë nga forcat monarko-fashiste (m-f) greke ishte një agresion ushtarak me objektiva të pjesshme dhe në përfundim edhe agresion ushtarak me objektiva vendimtar.
Analiza e veprimeve luftarake të FA greke të gushtit 1949, tregon qartë se nuk kemi të bëjnë me një incident, as provokacion, por me një luftë të armatosur me të gjitha format, metodat, qëllimet, karakteristikat dhe elementet e një agresioni ushtarak për pushtim, ku vihen përballë dy shtete dhe Forcat e tyre të Armatosura. Nuk ka rëndësi se u zhvillua në një pjesë të kufirit e territorit të vendit, por qëllimet ishin të plota, kapja dhe mbajtja e territorit të përcaktuar prej tyre. Veprimi ushtarak i armatosur grek i 2 gushtit 1949, ishte vazhdim i idesë së kahershme aneksioniste për pushtimin e të ashtuquajturit “Vorio-Epiri”. Greqia nuk kishte dhe madje nuk ka abroguar edhe sot e kësaj dite ligjin e luftës, nuk ka hequr dorë prej synimit të saj.
Forca m-f të Greqisë sulmuan Shqipërinë me mbi 70 mijë ushtarë, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gryka zjarri, kryesisht topa. Ushtria Kombëtare Shqiptare mobilizoi dhe futi në luftimet aktive mbrojtëse rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë kryen rigrupim e përqëndrim pranë rajonit të veprimeve luftarake rreth 30 mijë trupa të tjerë, në gatishmëri për të vepruar në fushën e betejës.
Veprimet luftarake edhe pse të shkëputura e si provokacion kryheshin prej shumë kohësh më përpara vazhduan me intesitet më të lartë nga 2 gushti deri në 5 shtator 1949. Me ndërprerje ato u shtrinë në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut dhe Konispolit. Shqipëria pësoi dëme në njerëz, ushtarakë dhe civilë të vrarë, si dhe dëme materiale në fshatrat pranë kufirit. Forcat m-f greke, lanë mjaft ushtarë të vrarë në territorin shqiptar, si dhe rob lufte.
Studimi i provokacione apo agresionit ushtarak të gushtit të vitit 1949 përbën një pjesë të rëndësishme të historisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe të popullit shqiptar. Trajtimi i këtij provokacioni apo agresioni është një detyrë e rëndësishme e historiografisë shqiptare në përgjithësi dhe të asaj ushtarake në veçanti. Edhe pse provokacionet apo agresioni ushtarak i gushtit të vitit 1949 nuk ka mbetur jashtë vëmendjes të historiografisë shqiptare, studimet për të, sidomos të karakterit monografiko-ushtarake kanë qenë tepër të kufizuara.
Me këtë libër është bërë një përpjekje pozitive, një kontribut i shkëputur nga mozaiku i veprës heroike të Ushtrisë Shqiptare për mbrojtjen territoriale të Shqipërisë tonë të dashur. Kështu, besojmë se do të ndihmojmë për të edukuar brezat dhe njerëzit me kulturën e domosdoshme të përkujtimit dhe vlerësimit të luftës së tyre. Detyrë që dëshirojmë ta plotësojmë me monografinë “Agresioni ushtarak-Gusht ‘49”.
Në këtë agresion ranë 87 kufitarë dhe oficerë të cilët janë Dëshmorë të Atdheut, midis tyre dhe Heroi i Popullit Memo Nexhipi, u plagosën mbi 100 ushtarë, kuadro dhe civilë, u dekoruan me “Urdhërin e Trinërisë” mbi 180 ushtarë, oficerë dhe civilë dhe Postës Kufitare të Vidohovës ju dha titulli “Hero i Popullit”.