-Me 17 Gusht 2010 ndërroi jetë në San Diego Prof. Peter Prifti, i fundmi i kohës Noliane-/*Peter R. Prifti erdhi në SHBA në moshën 15 vjeçare, në mars 1940 dhe u vendos në Filadelfia, ku jetonte babai Rafael dhe vëllai Paul.
- Kreu studimet në “Pensylvania State College”, ku studioi shkenca politike, letërsi, gjuhësi, psikollogji dhe histori.
- Më 1955 Peter Prifti u diplomua ”Master of Arts” në University of Pensylvania.
- 1958-59 kreu detyrën e Editorit të gazetës”Dielli”, më 1960 ishte sekretar i Vatrës.
- Në vitin 1965 shkoi për studime në Paris. Ai thelloi njohuritë për gjuhën frënge në ”L’Alliance Francaise”.
- Arkivi personal me 200 Dosje i Peter Priftit i është besuar Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia.
Nga Dalip Greca*
Sot me 17 gusht kujtojmë ish Editorin e Gazetës “Dielli”, ish sekretarin e Federatës Panshqiptare të Amerikës Prof. Peter Prifti. Ishte i fundmi ndër bashkëpunëtorët e Nolit. Ai ndërroi jetë me 17 gusht 2010, në San Diego në moshën 85 vjecare. Vdekja e profesor Peter Prifti u përcoll si një humbje jovetëm për të afërmit dhe miqët, por për të gjithë botën akademike shqiptare. Ai qe një ndër dishepujt e Nolit dhe një punëtor i palodhur dhe tepër i kualifikuar i çështjes kombëtare shqiptare. Shërbeu me shpirt e dije për kombin shqiptar, për Shqipërinë dhe Kosovën. Janë të njohura letrat e tij publike drejtuar presidentëve të SHBA apo sekretarëve të Shtetit për çështjen e Kosovës.Trashëgimia e tij studimore, letrare, gazetareske, përbëjnë pasuri kulturore dhe historike kombëtare.
Prof. Peter Prifti, është shprehur shpesh në të gjallë të vet se ishte me fat që e e pat njohur nga afër Ikonën e Kombit, Fan S.Nolin. Në kujtimet e veta ai shkruan:”Jam i lumtur që pata fatin e mirë ta njoh për së afërmi këtë intelektual gjigand, këtë luftëtar të paepur, këtë punëtor të palodhur, këtë burrë të madh të racës shqiptare. Ai është dhe do të jetë për mua shembull i patriotizmit të kulluar shqiptar, shembull i punës vetmohuse për të ngritur kulturën shqiptare në një nivel më të lartë dhe për përparimin e gjithanashëm të popullit shqiptar.”
Peter R. Prifti, i vëllai i shkrimtarit Naum Prifti, pat lindur në Rehovë të Kolonjës më 1925 dhe në moshën 15 vjeçare, në kohën e Luftës së II Botërore, mori rrugën për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në mars të 1940 u vendos në Filadelfia, ku jetonte babai i tij Rafaeli, që pat ardhur në SHBA më 1916 dhe vëllai Paul, që pat ardhur dy vjet para Peter-it.
Peter-i përfundoi me rezultate shumë të mira shkollën e mesme(High School) më 1944 dhe po atë vit nisi studimet universitare në “Pensylvania State College”, ku studioi shkenca politike, letërsi, gjuhësi, psikollogji dhe histori. Më 1948 Peter u diplomua në “Bachelor of Arts” dhe pas 7 vitesh, më 1955 kurorërzoi përpjekjet e gjata të studimeve universitare; u diplomua ”Master of Arts” në University of Pensylvania. Në vitin 1965 shkoi për studime në Paris për të thelluar njohuritë për gjuhën frënge në ”L’Alliance Francaise”.
Peter R. Prifti punoi për shumë vite në sektorin për studime ndërkombëtare në Massachusetts Institute of Technology në Cambridge, një nga më të famshmit e llojit të vet, nëpër të cilin kishin kaluar edhe shqiptarë të tjerë si i famshmi Gjon Mili(ish arkëtar i Vatrës), inxhinieri Kostë Mani, i ati i artistit të madh Pirro Mani e të tjerë.Peter R. Prifti u mor kryesisht me çështjet shqiptare.
Në vitin 1958 Peter Prifti mori një ftesë nga Vatra për të punuar si redaktor i gazetës “Dielli”. Ftesa i ishte bërë nga kryetari i Vatrës, nacionalisti i njohur, Kristo Thanasi, ndërkohë që gazetën e drejton gazetari veteran, editori-njëkohësisht sekretari i Vatrës për më shumë se dy dekada, Qerim Panariti. Ky nuk ishte kontakt i atypëratyshëm me Diellin dhe Vatrën; Peter Prifti kishte qenë bashkëpunëtor i Diellit prej kohësh, edhe babai edhe vëllai Paul ishin vatranë. Ai e priti me kënaqësi ftesën edhe nga adhurimi që kishte për Nolin e madh, të cilin pati rast ta vizitonte disa herë dhe ta intervistonte.
Peter Prifti punoi pa u kursyer për Diellin dhe Vatrën. Në arkiv gjendet letërkëmbimi i tij me vatranë dhe lexues të Diellit, ku me korrektësi ai vlerësonte reagimet dhe kërkesat e lexuesëve. Në arkiv po ashtu ka letërkëmbime edhe me Tiranën zyrtare dhe ambasadën shqiptare në Paris.
Editori i Diellit dhe sekretar i Vatrës
Peter Prifti fitoi vendin e editorit të gazetës Dielli në Kuvendin e vitit 1958. Në fakt pati një lloj konflikti në atë Kuvend për arsye se Qerim Panariti, që ia kishte propozuar dhe e kishte prezantuar me kryetarin e Vatrës, Kristo Thanasi, në Kuvend duket se ndryshoi mendim, jo për Peter-in, por për vete. Ai kishte paralajmëruar para kuvendit se kishte nevojë për një ndihmës dhe me sa dukej arsyeja ishte dalja në pension e gazetarit veteran që e drejtonte Diellin që nga viti 1944 dhe pagesa e pensionit e pengonte në marrjen e rrogës si editor. Por ç’kishte ndodhur? Ai kishte ndërruar mendje në çastet e fundit, pra do të vazhdonte vetë si editor dhe nuk e paraqiti kandidaturën e editorit në Kuvend. Natyrisht që Peter Prifti nisi punën si editor dhe nga ai moment Panariti ishte Managing Editor. Konfliktin e sqaroi vetë Peter Prifti në shënimet dhe komentet për Kuvendin që i botoi me 28 tetor 1958 me shënimin: Peter R. Prifti, delegat i degës 28 në Philadelphia. Detyrën e editorit paralel ai e vazhdoi edhe gjatë vitit 1959, konkretisht deri me 16 shtator 1959, por në prag të kuvendit vjetor të Vatrës, Dielli botonte njoftimin se kërkohej editor i ri. Edhe pse formalisht editori zgjidhej në çdo kuvend, kuptohet se diçka kishte ndodhur. Duket se punët nuk shkuan vaj mes dy editorëve nga që përfaqësonin breza të ndryshëm. Kohë më vonë është vetë Peter Prifti që në kujtimet e veta zbardh të vërtetën:”Pas disa muajësh në zyrën e Vatrës, Qerimi dhe unë ramë në konflikt të madh për një sërë çështjesh. Atëhere unë kërkova nga kryesia e Vatrës që të zgjidhte midis Qerimit dhe meje; përndryshe unë jepja dorëheqjen.Të alarmuar, zyrtarët e Vatrës iu drejtuan Nolit për të këshilluar me të.
“T’i mbani që të dy!”- i këshilloi Noli pa hezitim.
Sqaron Peteri: Arsyetimi i Nolit ishte se Qerimi dhe unë përfaqësonim dy breza të vatranëve, ai brezin e vjetër dhe unë të riun dhe kështu e mira ishte të punonim së bashku.” …
Kompromisi u arrit, Peter Prifti dha dorëheqjen si editor, por pranoi të mbante detyrën e sekretarit të Vatrës për vitin 1960, nderkohe qe Qerim Panariti kaloi serish editor dhe P. Chikos u emërua Managing Editor.
Gjatë kohës që ishte editor ai shquhej për stilin e veçantë të të shkruarit, për temat që trajtonte dhe argumentet që përdorte në ndihmë të ideve që parashtronte.
Në bisedat që kam bërë me Prof. Peter Priftin, kam mësuar se ai ka ndjerë kënaqësi të veçantë për kaq kohë sa ka punuar si editor i Diellit(rreth një vit e pak). Vlerësimet për punën e tij ruhen ende në arkivin e Vatrës. Vlen që të citojmë një letër të 6 majit 1959, ku lexuesi H. G. Chorrushi me banim në Kokomo, Indiana, i shkruan jë letër : I nderuar z. editor, Peter R. Prifti! Ju përgëzoj për punën tuaj përhiruese me gazetën Dielli.
Dielli na mësoi të shkruajmë emrin tonë; na mësoi patriotizmin, na mësoi të duam atdheun, na mësoi të luftojmë armiqtë e Shqipërisë me dollarët e Amerikës; Vatra dhe Dielli shpëtuan Shqipërinë nga barbarizmat greke, nga serbët dhe rebelët më 1914. Duhet thënë se gazeta Dielli hodhi poshtë turqit dhe kaurrët dhe i bëri bashkë të gjithë shqiptarët.
Komentet dhe analizat e Peter Priftit dallohen për forcën e argumentit dhe kthjellësinë e mendimeve. Në gazetën e 8 tetorit 1958, ai shkruan editorialin:”Dilema e shqiptarëve të Amerikës-Të venë apo të mos venë në Shqipëri?” Është koha kur Washingtoni ka hapur dritën jeshile për shqiptarët e Amerikës që të shkojnë në Shqipëri, por ata ende nuk po vendosnin. Dhe ai paraqet dilemat për grupime të veçanta; për ata që kanë familjet atje, për grupimin politik që i druhen shkuarjes për arsye politike, për ata që i druhen sëmundjeve, për ata që i friken ndonjë lufte dhe mund të mbeten matanë etj. Gjithësesi ai në një editorial të mëparshëm nuk e kursen këshillën për të gjithë grupimet: Kujdes, mos shkoni në Shqipëri me mendësi amerikane dhe të mos harrojnë faktin se Amerika nuk kishte përfaqsi diplomatike në Shqipëri!
Peteri shkruan: Ju bëni si të doni, por unë po shkoj….! Dhe ai shkoi në Shqipëri.
Në editorialin e 22 tetorit 1958 ai boton komentin për të ardhmen e Vatrës me titull ”Vatra në udhëkryq”. Pasi rendit faqet e arta të historisë që shkruan kolosët e saj Noli, Konica, Dako, Floqi, Chekrezi e të tjerë, analizon orientimin në kohët e reja, ku krahas brezit të vjetër, kërkonte përkujdesje për brezin e ri të lindur në SHBA, brez që nuk mund të jetonte me lavdinë e kohëve të shkuara. “Ka ardhur koha, shkruante Peter Prifti para 52 vitesh, që Vatra të marrë një udhë të re dhe të interesohet për brezin e ri dhe të ardhmen e tij në SHBA. Kjo nuk nënkuptonte harresë për brezin e vjetër. Një ide të tillë ai e shpallte absurde. Ai kërkon një brez të ri të integruar dhe të orientuar nga çështja shqiptare dhe këtë orientim duhej t’ia jepte Vatra.
Edhe si sekretar i Federatës Vatra, Peter Prifti bëri punë të kualifikuar. Ai së bashku me Peter Vangel ishin organizatorë të seminarit të parë në SHBA për Studimet Shqiptare. Seminari vazhdoi për pesë mbrëmje radhazi 8-12 gusht 1960, dhe trajtoi tema mbi politikën, kulturën, historinë, muzikën dhe gjuhën shqipe.
Në kohën kur ishte editor i Diellit, Peter Prifti botoi në disa vazhdime dhe një dramë të tij me 3 akte “Për mbrojtjen e Atdheut”. Në fakt, siç shkruan vetë, është dramatizim i librit të Foqon Postolit, botuar më 1921. Drama nisi të botohej nga nëntori i vitit 1958 deri në muajët e parë të vitit 1959. E kishte shkruar dramën në Baltimore, Meriland më 1957; një vit më vonë në Philadelphia e kishte përkthyer në anglisht.
Audiencë me Kryepeshkopin
Ruhet në koleksionet e Diellit një intervistë që editori i Diellit në vitet ’58-59, Peter Prifti i pat marrë Nolit, që ato kohë jetonte vitet e fundit të pleqërisë në Kryekishën e Shën Gjergjit. Në fakt Peter Prifti e ka emërtuar atë jo intervistë, por audiencë me Hirësinë e Tij, me Kryepeshkopin Mitropolit F. S. Noli. Atij i kishte bërë përshtypje të thellë përgjigja që i kishte dhënë Imzot Noli, njërës prej pyetjeve, që ai i kishte drejtuar: Imzot, cila është vepra juaj më e çmuar për Kombin?
Ai i qe përgjigjur:-“ Futja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 1920” sepse i dha fund copëzimit të trojeve shqiptare nga fqinjët!
Natyrisht që pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve është merita e padiskutushme e Fan Nolit, falë ortatorisë dhe diplomacisë së tij, si dhe ndikimit të madh që patën shoqëruesit e tij, por kryeveprat e Nolit janë të shumta, pat menduar atëherë gazetari që e intervistonte. Futja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve kishte sponsorizimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”.
Audienca me kryepeshkopin është botuar në gazetën Dielli në numrin e 10 dhejtorit 1958. Po hyjmë në detajet e kësaj audience për faktin se ajo jep saktësisht mprehtësinë e intervistusit dhe padyshim admirimin që kishte ai për ikonën Kombëtare Fan Noli.
Në tre paragrafet e para editori i Dielli, Peter Prifti përshkruan takimin në rezidencën e kryepeshkopit:”E takuam në rezidencën e tij në rrugën Blagden, një vend i mobiluar me modesti, ku ai ka punuar e ka jetuar për shumë vjet….Në studion e tij, syri sheh rafte të tëra me libra. Kur dikush e pyeti një herë se a ndjehej i vetmuar pa njeri pranë për të biseduar, Noli i tha:- Ata janë të gjithë miqtë e mi;unë mund të bisedoj me secilin prej tyre.”
Duke komunikuar me lexuesin e Diellit, editori Prifti shkruan:Ishim të interesuar të dinim pikëpamjet e tij për tri çështje të lidhura me njëra tjetrën: Nacionalizmi shqiptar, puna e tij krijuse dhe komuniteti shqiptar në Amerikë. Për çështjen e parë kryepeshkopi tha se kish filluar të interesohej për Nacionalizmin shqiptar në moshën dhjetë vjeç, kur lexoi përkthimin shqip të Dhjatës së Re nga Kostandin Kristoforidhi dhe pamflete të tjera propogandistike shqiptare. Kopje falas të këtyre materialeve ishin shpërndarë me shumicë në fshatin e tij të lindjes, Ibrik Tepe në Turqi. Fitoren më të madhe në betejën e tij për çështjen shqiptare Imzot Noli konsideron pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Trishtimi më i madh që ndjente ishte largimi nga Shqipëria në Dhjetor 1924.
Në vazhdën e punës për Shqipërinë ai hyri në lidhje me shumë udhëheqës shqiptarë, veçanërisht me Faik Konicën.
Opinionin e Tij për Konicën Noli e ka dhënë në parathënien e librit ”Shqipëria, Kopështi Shkëmbor në Evropën Juglindore”, ku shkruan:”Konica mund të konsiderohet si krijues i prozës moderne shqiptare.Me këshillën dhe drejtimin e tij unë përktheva disa vepra të Shekspirit, Ibsenit, Edgar Allen Poes dhe Don Kishotin e Servantesit. Vlerësimi i lartë del në kontekst, ku Imzot Noli e quan veten nxënës të Faikut.
Duke bërë fjalë për çështjen e dytë të audiencës; puna krijuse e Imzot Nolit, editori shkruan se ai ka punuar në shumë fusha; përfshirë historinë, fenë dhe muzikën.
Ishim kuriozë të dinim se cilat nga këto i interesonte më tepër sepse kishim dëgjuar mendime të kundërta. Fakt është se feja është lënda e tij më e preferuar.”Jam marrë,” tha Hirësia e Tij,”me histori, letërsi dhe muzikë me raste, por feja ka qenë puna e jetës sime, sepse e fillova karrierën time si njeri i Kishës më 1908 dhe jam akoma njeri i Kishës pas 50 vjetësh.”
Aktualisht njerëzit që çmon më shumë, Hirësia, janë krijusit e Kombit si George Washington dhe Skënderbeu dhe reformatorët e Kombit si Lincoln dhe Cromwell. Arsyeja, siç tha vetë, është se është përpjekur që të bëjë të njëjtën punë për Atdheun e tij.
Kryepeshkopi ka përkthyer në gjuhën shqipe shumë klasikë të letërsisë dhe vepra të rëndësishme fetare. Vetë Noli tha:”E konsideroj versionin ritmik të Hymneve Bizantine përfshirë në vëllimin Kremtore si më të vështirin dhe më tërheqsin e përkthimeve të mia.”
Ç’mendon ai për muzikën moderne, poezinë, oratorinë dhe diplomacinë?
Përgjigja është se i interesojnë të dyja format e këtyre arteve, si modernia ashtu edhe antikja, sepse sikurse Gëte ai është universal në shije.
Për çështjen e tretë, Komunitetin shqiptaro-amerikan sot, ai ka besim tek e ardhmja e komunitetit nëse do të ecim me kohën.Lidhur me punët e kishës ai ndjen nevojën e domosdoshme të amerikanizimit të Kishës Ortodokse. Alternativë për këtë , mendon ai, është vetëvrasja kishtare. Sipas mendimit të tij, sa më shpejt të bëhet kjo, aq më mirë është sepse ”politika e ngadaltë mund të çojë në humbjen e pariparushme të brezit të ri, i cili nuk i kupton shërbesat në gjuhën shqipe.Ai nuk e llogarit rrezikun e grekofilisë ndaj kishës. Për këtë pikë Kryepeshkopi thekson se “ne i kemi mundur ata për 50 vjetët e fundit dhe do t’i mundim edhe në të ardhmen.”
Editori shton:Ne pajtohemi me të!
Në vitin 1976 ai la Bostonin për t’u shpërngulur në San Diego në Californi, për të punuar në Universitetin e vendit si specialist i shqipes.
Në gjurmët e misterit të jetëgjatësisë të Vatrës dhe Diellit
Peter R. Prifti mbeti vatran deri në çastet e fundme të jetës. Në numrin e prillit 2010 ne botuam letrën e fundit që ai i dërgoi z. Agim Karagjozi. Një letër plot konsiderata e fjalë të ëmbla, por shkrimi i shkruar më me dashuri për Vatrën dhe Diellin mbetet ai me titull ”Misteri” i jetëgjatësisë së Vatrës dhe Diellit. Ky artikull u botua në gazetën Dielli në numrin e Janar-shtator 1994. Artikulli të intrigon që hyrje të tij: “Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik”…”Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët”… Sa herë vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto? Fjalë të tilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lartë me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë edhe sot e kësaj dite.I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inatë të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
…Stili i rrjedhshëm i artikullit të bëjnë për vete. Autori që e njeh mirë si Vatrën ashtu dhe Diellin, sjell argumentet e jetëgjatësisë: Arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra për 12 vjet, që nga 1912-1924. Me punën e shkelqyer Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronin as brezi i imigrantëve të parë, që e krijoi atë shoqatë, as brezat që e pasuan deri në ditët tona. Dielli u bë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë…Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij.Dhe sikundër ai dëshiron të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron-ndofta pa e kuptuar edhe ai vetë-të rrojë dhe moshatarja e saj, Vatra. Sipas Peter Priftit, shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë e thjeshtë, por si një institut apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron mbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Dielli për Peter Priftin është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati e gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë e deri tek imigrantët e fundit.
Në mbyllje të artikullit-esse, Peter Prifti gjen dhe një arsye semantike-gjuhësore, që spjegon misterin e jetëgjatësisë të binomit Vatra-Dielli: Fjala Vatra tingëllon bukur në vesh, pasi na sjell para syve imazhe të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala Diell na tërheq si një magnet sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. Përfundimi?- Nuk ka mister në jetëgjatësinë e Vatrës dhe të Diellit, ata janë të lidhur ngushtë me jetën e shqiptarëve të Amerikës, ndaj kanë jetëgjatësi…
Disa nga Vepra të Peter R. Priftit
- Socialist Albania since 1944(USA 1978)
- Confrontation in Kosova-The Albanian-Serb struggle, 1969-1999 (USA 1999)
- Remote Albania-the politics of isolation (Tiranë, 1stedition 1999; 2nd edition 2000)
- Gjuha është organizëm i gjallë (Shtëpia botuse Lilo-Tiranë 1995)
- Land of Albanians- A crossroads of pain and pride (Tiranë 2002)
- Mozaik shqiptar (Publicistikë-Portrete-Studime-Recensione-Pjesë teatrale)-Botoi Buzuku në Prishtinë 2003.
Me bashkëautorë
- Standard Albanian me L. Newmark dhe F. Hubbard (USA 1982)
- Spoken Albanian me L. Newmark, I Haznedari dhe F. Hubbard Vol I-II-III, USA 1980)
- Readings in Albanian me L. Newmark dhe F. Hubbard(USA 1979)
- Shënim: Edhe pse Peter R. Prifti kishte qenë aq i lidhur me Vatrën, edhe pse kishte kryer detyrën e Editorit të Diellit dhe sekretarit të Vatrës 1958-60, i vëllai, shkrimtari Naum Prifti, që po ashtu e mbajti detyrën e sekretarit për gati një dekadë, arkivin personal të vëllait prej 200 dosjesh si dhe biblioteken personale, nuk e solli në Vatër, por ia besoi shoqatës”Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. Kushdo që është i interesuar për studime rreth tij dhe veprës së tij, mund t’i gjejë materialet tek Bijtë e Shqipes.
- Kumtesë e paraqitur në akademinë përkujtimore kushtuar Peter R. Prifti, organizuar nga Vatra dhe Dielli, shtator 2010. Për realizimin e këtij shkrimi u shfrytëzua koleksioni i gazetes”Dielli” si dhe libri i studiueses Eleni Karamitri”Peter R.Prifti: në botën e dijetarëve shqiptaro-amerikanë” : studim. Author, Eleni Karamitri. Publisher, Botim i Universitetit të Shkodrës, 1997