NË KUADËR TË 550-VJETORIT TË GJERGJ KASTRIOTIT-SKENDERBE/
Nga Frank Shkreli/Me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe, revista “Shëjzat” e Ernest Koliqit në Romë kishte ribotuar në vitin 1968 tragjedinë e Ethem Haxhiademit, Skënderbeu, shkruar prej tij në vitin 1935. Revista “Shëjzat” e ribotoi në atë kohë tragjedinë e Haxhiademit, kushtuar Skënderbeut jo vetëm për të përkujtuar 550-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve, por edhe për të nxjerrur në shesh emrin dhe veprat e Etëhem Haxhiademit, të ndaluara nga regjimi komunist, përfshirë edhe tragjedinë “Skënderbeu”. Nuk ka dyshim se veprat e Haxhiademit u ndaluan nga regjimi komunist për aryse të edukimit të tij në perëndim. Siç është shprehur edhe specialisti dhe studiuesi gjerman i letërsisë shqipe (i lindur në Kanada), Robert Elsie, në “Historinë e Letersisë Shqipe, “Formimi i thellë evropian perëndimor i tij (Etëhem Haxhiademit) gjeti shprehje më të plotë në tragjeditë klasike sipas modeleve greke e latine”. Fatkeqsisht, emri i Haxhiademit si dhe vlerat kombëtare të veprave të tija vazhdojnë të mbeten në errësirën e harresës edhe tani në post-komunizëm, ashtu siç ishin të ndaluara edhe në kohën e komunizmit. Duhet të falënderojmë të huajt, siç ishte Robert Elsi i ndjerë, të cilët kanë shkruar dhe shkruajnë për shkrimtarët shqiptarë dhe veprat e tyre të ndaluara nga komunizmi enverist dhe të harruara nga Shqipëria “demokratike” e 28 viteve të fundit.
Fatkeqsisht, unë nuk di shumë për jetën dhe veprat e Etëhem Haxhiademit, përveç disa informacioneve të kufizuar që gjënden në internet mbi jetën dhe veprat e tija, por po përpiqem ta kujtoj atë për vlerat dhe kontributin e tij, por edhe si pjesë e një “amaneti” që më kishte porositur Ernest Koliqi në një letër që më kishte dërguar në fillim të viteve 1970-ata, me rastin e një nisme modeste për botimin e një reviste për të rinjtë në Nju Jork, ku më këshillonte që në rast se kjo fletore modeste do të merrej edhe me letërsi, atëherë, “Mos harro auktorët që regjimi komunist i Tiranës ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe.” Fatkeqsisht, botimi i kësaj fletorjeje nuk zgjati, vetëm disa numra, ndonëse pas pak kohe u çvendosa nga Nju Jorku në Washington për të punuar për Zërin e Amerikës dhe si përfundim botimi i saj u ndërpre për gjithmonë, duke mos pasur mundësi të plotësoja porosinë e tij. Por amanetin jam munduar t’a mbajë këto 10-15 vitet e fundit, duke kujtuar, sipas mundësisë dhe nga koha në kohë, në publicistikën tepër modeste, shkrimtarët dhe poetët mbrenda dhe jashtë atdheut, të ndaluar dhe shumë prej tyre të persekutuar, të burgosur dhe të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, siç është edhe Etëhem Haxhiademi. Është në këtë frymë pra dhe pa kurrfarë pretendimesh prej eksperti, që marrë lirinë dhe guximin të kujtoj edhe këtë dramaturg e poet të harruar dhe të strukur në errësirën e mos kujtesës, pikërisht për vuajtjet e tija dhe dramën “Skënderbeu” në këtë vit kushtuar Gjergj Kastriotit -Skënderbe, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Krye-Prijsit të shqiptarëve.
Sipas burimeve të ndryshme, Etëhem Haxhiademi ka lindur në Elbasan në vitin 1902, ku ka kryer edhe shkollën fillore, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i ka kryer në Austri dhe Gjermani. Konsiderohet si një letrar i përgatitur mirë, një prej përfaqsuesve klasikë të letërsisë shqiptare, sipas atyre që janë në gjendje të vlerësojnë veprat e tija. Në dedikimin e botimit të tragjedisë “Skënderbeu”, vlerësohet si autor i cili i dha letërsisë shqipe vëllimin e vjershave origjinale të përmbledhura në veprën me titull, “Lyra”, përfshirë edhe përkthime veprash klasike nga latinishtja. Aty thuhet se Haxhiademi mori pjesë në lëvizjen letrare shqiptare të këthesës historike dhe interesante që është periudha nga viti 1930 e më vonë, ndërkohë që ai bëhet i njohur me një numër veprash dramatike që dolën në dritë nga viti 1921 e deri më 1939. Në këtë kënd vështrim, tragjedia “Skënderbeu” shtjellon një subjekt kombëtar, “Këtë herë, tyke e ditun se popullit t’onë i pëlqejnë themat kombëtare, paraqis tragedin ‘Skënderbeu’ me protagonist heron t’onë kombëtar”, ka shkruar Haxhiademi.
Në veprat e tija, “Me ndiesi bujare pajisen vehtjet e krijueme prej tij”, ndërsa “Idealet e nalta njerzore paraqiten në veprat e tija si pikë arrijtjeje të jetës”, ka vlerësuar Ernest Koliqi në parathënien e ribotimit të tragjedisë, “Skënderbeu” nga revista Shëjzat me rastin 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut më 1968, në Romë.
Tragjedia “Skënderbeu” e Etëhem Haxhiademit përshkruan shumë fatkqësi, fyerje dhe urretje për vdekje, me të cilat është përballur Skënderbeu gjatël gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij, si prijës tokave arbërore. Intrigat e shumta për pushtet, për tu bërë vet mbret — duke u përpjekur për të prishur besëlidhjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbe me prijësit e tjerë shqiptarë — nga Moisi Golemi dhe bashshkortja e tij, Zanfina përfundojnë madje edhe në tradhëti ndaj Skënderbeut, duke i prirë një ushtrie otomane e cila më në fund mundet nga Gjergj Kastrioti — Skënderbeu dhe forcat e tij besnike. Megjithkëtë, Skënderbeu e falë dhe i jep Moisiut detyrën e tij të më parëshme, ndërsa e shoqja e Mosiut, Zanfina e dëshpëruar për ngjarjet, therë veten me thikë dhe vdes.
Tragjedia “Skënderbeu” e Etëhem Haxhiademit sjellë reagimin e Skënderbeut ndaj vetëvrasjes së Zanfinës duke përfunduar me refrenin e shkurtër në të cilin, ku megjithë tradhëtinë e madhe ndaj tij nga më të afërmit bashkpuntorë të tij, shprehet vlera e faljes dhe e pajtimit, si një prej idealeve më të larta njerëzore që paraqiten në veprat e tija, si pikë arrijtjeje të jetës për të gjithë, madje edhe në ditët e sotëme moderne, ndërkohë që Skënderbeu – megjithë tradhëtitë ndaj tij – madje shfaq edhe keqardhjen e vet për vdekjen e shoqes së Moisiut, Zanfinës:
“Ndonëse më donte të keqen, pikëllohem,
Për vdekjen e të ngratës kur mendohem.”
Përmbyllet tragjedia “Skënderbeu” me refrenin përfundimtar të Skënderbeut — si protagonisti kryesor i tragjedisë — me një dëshpërim por edhe me një premtim prej tij:
“Filluem të msohemi me pun’t’ këqija
Dhe si po shoh e mjer’ do të jetë Shqipnija.
Por unë deri sa t’rroj nuk do të kursehem
Për të mbrojtun tokën t’ime që ushqehem.
Barbarit të tërbuem sa të jem gjallë,
Do t’i vërsulem rreptësisht me pallë
Dhe gjak’i im bregoret do t’i lajë,
Që të rrojë Shqipnia dhe flamur’i saj.
Në “Historinë e Letërsisë Shqipe”, Robert Elsie ka shënuar se, “Në kohën e gjuetisë së shtrigave më 1946-1947, Haxhiademi u arrestua e u dënua me vdekje. Bibliotekën dhe dorëshkrimet ia konfiskuan. Me ndërhyrjen e njerëzve me influencë si Aleksandër Xhuvani (1880-1961) dhe Omer Nishani (1887-1954), dënimi me vdekje iu kthye me burgim të përjetshëm. Vdiq më 17 mars 1965, pasi kishte punuar për shumë vjet si përkthyes në burgun e Burrelit”.
Thuhet se vdekja e tij ndodhi nën rrethana të dyshimta, pasi sipas disa burimeve as varri nuk i dihet. Robert Elsie citon Haxhiademin të ketë shkruar se, “Mprojtja mâ e madhe qi munt t’i bahet nji shkrimtari asht t’a çojnë mësuës asè sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë ngjanë që e qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët. Po a munt të lulëzojë në këtë mënyrë literatura shqiptare?” Ethem Haxhiademi (1902-1965) i shkroi këto fjalë në vitin 1939, si parathënie në botimin e librit të tij me poezi “Lyra”. “Atëbotë, ai nuk mund ta dinte”, shkruan Robert Elsie, “Se çlirimi i vendit që sa po pushtohej, do ta mbyllte në qelitë e burgut, prej ku nuk do të dilte i gjallë. Nëse Shqipëria komuniste e dënoi, Shqipëria demokratike, duket se nuk ia hedh sytë. Për 70 vite me radhë, tekstet e tija u “zhdukën”, u strukën, humbën, nuk u lexuan, nuk u shkrua për to, nuk u përmendën…në Shqipëri, ende sot, duket sikur ka “një urdhër-ndalese a harrese” që i sillet si aureolë e zezë emrit të tij”, ka shkruar Elsie për tragjedinë e jetës së Haxhiademit.
Kujtojmë Etëhem Haxhiademin për veprën e tij “Skënderbeu” në këtë vit të shpallur prej shqiptarëve si Viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbe, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar. Por, njëkohsisht, unë e kujtoj me këtë rast edhe për të çuar në vend amanetin e marrë në vitin 1972 – që sipas mundësive — të mos harrohen, por të kujtohen autorët që regjimi komunist i Tiranës i ka përjashtuar nga historia e letërsisë shqipe dhe të cilëve, fatkeqësisht, siç është shprehur edhe studiuesi i çeshtjeve shqiptare, Robert Elsie, “Shqipëria demokratike nuk ua hedhë as sytë”
*Ribotimi “Skënderbeut” të Et’hem Haxhiademi nga Shëjzat e Ernes Koliqit në Romë më 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skëndrebeut