
Dr. Bledar Kurti/
Sot, në 96 vjetorin e lindjes, kujtojmë me respekt regjisorin dhe shkrimtarin e njohur, “Nderin e Kombit”, 𝗚𝗷𝗲𝗿𝗴𝗷 𝗩𝗹𝗮𝘀𝗵𝗶. Trashëgimia më e madhe që mund të lërë pas një intelektual dhe krijues është EMRI. Emri që lë mbi veprat, emri që lë përtej kohës si frymëzim për brezat e ardhshëm. Klubi I Librit “Gjergj Vlashi” në Durrës, që mban emrin e tij, edhe pas ndarjes së tij nga jeta, është provë e gjallë e kësaj trashëgimie, duke bashkuar intelektualët, krijuesit, edukatorët, e këdo tjetër, nga të gjitha fushat e jetës, që është i pasionuar pas librit.
In libras, veritas (Te librat gjendet e vërteta). Por përmes librave ne gjejmë edhe shumëkënd tjetër me të njëjtën mendësi e pasion për të bukurën, krijimtarinë dhe emancipimin e shoqërisë. Klubi i librit “Gjergj Vlashi” në Durrës, u krijua më 28 janar të vitit 2023.
Ishte një tjetër nismë e ndërmarrë në kuadër të nxitjes së interesimit ndaj të lexuarit. Do të donim të ndaleshim sot në një nga detajet më të rëndësishme: emërtimin e tij. Pas diskutimeve të pjesëmarrësve për nevojën e një klubi leximi në Durrës, u kalua te emri që ai do të mbajë. U diskutuan disa, por ai që la mbresë te të gjithë, ishte emri i Gjergj Vlashit. Me një duartrokitje të pjesëmarrësve, u vendos njëzëri që ky klub të mbante emrin e tij.
Gjergj Vlashi, shkrimtar, dramaturg dhe përkthyes i autorëve të rëndësishëm të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, konsiderohet si regjisori modernizues i estradës dhe një nga themeluesit e varietesë muzikore. Ai ishte personazh-kyç i tri periudhave të zhvillimit të artit të dramës dhe i teatrit shqiptar: para lufte, mbas saj, si dhe gjatë tranzicionit të pas viteve 1990.
Gjergj Vlashi lindi në qytetin antik të Durrësit me 13 korrik 1928.
Gjergj Vlashi mban tituj dhe dekorata të larta si “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2007 është nderuar me urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij si shkrimtar, dramaturg dhe si themelues i estradës shqiptare, në nderim të veprave dhe kryeveprave të vëna në skenë në mjaft qytete të Shqipërisë, duke u bërë një personalitet i pazëvendësueshëm i artit dhe letërsisë së vendit tonë”.
Gjergj Vlashi ka qenë për shumë vite, anëtar nderi i Këshillit Të Bibliotekës së qytetit. Pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë letraro-artistike të organizuara nga ky institucion.
Me dhënien e emrit të tij Klubit të librit, ai do të vazhdojë të kujtohet ndër vite dhe të përfaqësohet nga lexues të mirë, pse jo edhe studiues dhe intelektualë të spikatur durrsakë.
Do të vazhdojë të përcillet ndër vite::urtia, fjala dashamirëse, eleganca e fjalës dhe ai arsenal i vyer veprash që na ka lënë pas si në përkthime dhe në krijimtari origjinale.
Me nismën e Klubit të librit dhe mbështetjen e shtëpisë botuese “Jozef” dhe drejtuesit të saj Aurel Kaculini, u realizua ribotimi i librit “Njeriu i netëve të vjeshtës” me një parathënie të poetit, shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë Arian Leka.
Kujtojmë sot në ditën e lindjes Gjergjin tonë, pasi ai veç ka ardhur mes nesh dhe do të vazhdojë të qëndrojë.