
Me 9 Prill 2019, si sot, ka ndërruar Jetë Teki Gjonzeneli, patriot, vatran me shpirt, bir i një familje nacionaliste, që diktatura komuniste, e plasi honeve të Ferrit, duke mos ia kursyer as të parin e familjes,as bijtë.Tekiu u varros me me nderime me13 Prill. Atë ditë unë isha atje me gjithë miqtë e mi vatranë Zef Balaj dhe Asllan Bushati. E përcollëm si mik, si vatran. Në Dielli botova artikullin e mëposhtëm, që në shenjë kujtese, po e përcjell sërish së bashku me ngushëllimet drejtuar bashkshortes Finlanda, vajzës Monika, djalit Fatmir(Frank), vëllezërve Murat dhe Memisha, nipërve dhe mbesave, gjithë të dashurëve: Pusho në Paqë Njeriu i mirë Teki Gjonzeneli!
***
TEKI I DASHUR, SHPIRTI YT DO TË ENDET NË PËRJETËSI MES AMERIKËS DHE SHQIPËRISË
Nga Dalip GRECA
Të Shtunën, 13 Prill 2019, i dhamë lamtumirën e fundit njeriut tonë të dashur, ish të përndjekurit politik Teki Gjonzeneli. Shpirtvrarë, me zemra të coptuara nga dhimbja; bashkshortja Filanda(Didi), djali (Fatmiri), vajza(Monika) mbesat dhe nipat, të afërmit, vëllezërit Murat dhe Memishau, ne miqtë e Tekiut, përmes lotëve tek hidhnim dheun në gropën e hapur, gëlltisnim dhimbjen.
Murati, që ka ardhë nga Arizona, tek i jep lamtumirën vëllait për të cilin ndjehet krenar, përpiqet të artikulojë fjalë zemre, por zeri sikur nuk i bindet; në vend të fjalëve dalin psherëtima dhimbjeje: “Me torba në krah nga kampi në kamp, nga burgu në burg, duke u endur pas meje…Kështu do të mbetesh për jetë në kujtesën time, edhe po qe se rrugët e jetës nuk do të na takojnë përsëri, i dashur vëlla.”… është bashkëbisedimi i dhimbshëm me pasvdekjen e vëllait.
E ka të vështirë Murati t’i lexojë ato pak rreshta që ka shkruar. Tekiu nuk ishte vetëm vëlla për atë dhe Memishaun, pasi ka qenë edhe prind, edhe mentor.
Në kalvarin e jetës së Muratit, Tekiu ka mbajtur familjen Gjonzeneli, që kur ishte 15 vjeçar: “Ngarkonte makina me gur dhe zhavor dhe motra e madhe i mjekonte duart e tij të brishta që kullonin gjak…”
I dridhet zeri dhe trupi, duart nuk i binden të mbajë fletët, por Murati gjenë forcë të shpreh ç’ka i thotë shpirti: Gjatë të gjithë jetës im vëlla, Tekiu, ka luftuar dhe ka fituar. Është rrëzuar por është ringritur përsëri më me forcë, më me kurajo, më me guxim.
Tekiu kishte shpirt njerëzor: I dashur me këdo. Në shpirtin e tij s’kishte kurrë urrejtje, ishte altruist, përherë i gatshëm për të dhënë gjithçka për këdo që ia kërkonte ndihmën. Shtëpia e tij në Nju Xhersi ishte përherë e hapur. Kush erdhi aty dhe nuk iu hap dera? Dhe Tekiu i priste me zemër të hapur e buajri. ..
Për t’i dhënë lamtumirën kanë ardhur edhe përfaqësues nga Federata VATRA, Zef Balaj dhe Asllan Bushati, që përcolli ngushëllimet në emër të Vatranëve. Bushati kujtoi lidhjet shpirtërore të Tekiut me Vatrën dhe Diellin, pjesë e të cilëve ishte që prej më shumë se 10 vitesh. Dhurimi i bibliotekës familjare , tregon respektin e tij për Federatën VATRA dhe vatranët, tha ndër të tjera Bushati.
Mbesa e Tekiut, vajza e Monikes, ndjehet krenare për gjyshin dhe shpreh dhimbjen që do t’i mungojë pas kësaj ndarjeje, por kurrë nuk do ta harrojë gjyshin e dashur. Monika, vajza e Tekiut, shtërngon pranë vetes nënën e dashur dhe qanë në heshtje dramën e saj. Didi, ëshët mpirë nga dhimbja, por qëndron me stoicizëm.
Djali i Tekiut, Fatmiri, arrin ta mposht ngërçin që i është mbledhur në grykë dhe përcjell krenarinë për babain e tij;Natyrisht e ka të vështirë të përcjellë në pak fjali ato çfarë ndjenë për të Atin dhe çfarë ishte jeta e pasur e plot ngjarje e babait të tij. Për të birin, Fatmirin, jeta e të Atit dhe e gjithë familjes Gjonzeneli, ishte e ngjajshme me personazhet e novelave të Dikensit, madje shkrimtari i madh as nuk mund ta imagjononte një jetë të atillë, që kaloi familja Gjonzeneli, ku shtylla e shtëpisë Muhameti, babai u burgos, ndërsa nëna Zonja, u rropat në punë të vështira për t’i mbajtë gjallë fëmijët. Tekiu ishte një nga shtatë fëmijët e mbijetuar në kushte tejet të tmerrshme të diktaturës komuniste të familjes Gjonzeneli dhe iu desh të punonte që në moshën 15 vjeçare.
Fatmiri edhe pse erdhi fëmijë në SHBA, e ka brenda vetes dramën, që ka përjetuar familja e tij në Shqipërinë komuniste, por ai ndjehet krenar për të Atin, që e fitoi betejën me diktaturën. Jeta e të atit u bë më me kuptim pasi një ditë pati fat; u takua me një grua të bukur(nënën e Fatmirit dhe të Monikës), jeta e së cilës, ishte një paralele e jetës së Tekiut, por ndërsa babai i Tekiut kishte përfunduar në burg, babai i shoqes së jetës, Filandës, ishte pushkatuar! Por të dy ata e përballuan jetën duke sfiduar kushtet e ashpra.
Citoj Fatmirin: Jeta e Tekiut qe si e shumë njerëzëve të asaj gjenerate; qe e vuajtur, por edhe e pasur me dashuri. Tekiu u rrit me 6 motra e vëllezër në rrugët e Skelës në vitet 40-50. Me babain në burg politik, edhe nënën në punë të rënda, Gjonzenelajt u rritën si karakteret në novelat e Dikensit. U rritën rrugëve, edhe u doli nami në Skelë si të zotët për punë e mbijetesë.Dhuna komuniste nuk i linte ta nxjirrnin veten nga kjo gjendje e rëndë. Qamili, vëllaji i madh notoi deri në Korfuz për të përmisuar fatin e ti. Kurse tre vëllezërit e tjerë të gjithë i panë qelitë e hetuesisë dhe ferrin e burgjeve socialiste. Por këto vuajtje ushqyen lidhje të forta familjare që akoma vazhdojnë dhe nuk u çanë as nga persekutimi, as nga emigrimi…. Nje dite, Tekiu qe me fat; takoi nje vajze te bukur, e cila ishte nga rethanat jetësor me jete te ngjashme, si e tij. Ekuptoi menjehere qe kjo grua qe partnere e pershtatshme per te ngritur nje jete se bashku. E ngriten jeten bashke neper çdo vuajtje. Ata sakrifikuan per njeri tjetrin, edhe punuan fort, kudo.
Me shume pune, zgjuarsi, edhe humor, ndërtuan një jetë të mirë për atë kohë. Por nga fundi i viteve ’80, vajzat po rriteshin edhe po bëheshin gra. Tekiu e dinte mirë çfar lloj fati i priste fëmijët e tij në Shqipëri, ndaj me Didin për dore, e çmontuan jetën edhe gjithë “pasurinë” që kishin bërë në Tragjas. Sakrifikuan pleqërinë, edhe rehatinë e tyre, për të ardhmen e fëmijve.
Si emigrantë të rinj e ndërtuan jetën prap nga e para. U munduan, punuan, edhe krijuan çdo oportunitet që mundeshin për fëmijët e tyre. Por edhe ndimuan emigrantë të tjerë kur mundeshin.
Vdekja e Tekiut, imitoi jetën e ti; qe plot me dhimbje, por edhe plot me dashuri. Kanceri është një sëmundje e tmerrshme! Çdo ditë të vjedh mundësitë. Por Tekiu e përballoi me vullnet dhe humor. Një ditë, i lodhur e me dhimbje, e pyeti infermjeren:
– “Kur do vdes?”
Ajo ju përgjigj, “Zoti s’është gati për ty. Akoma është duke përgatitur dhomën për ty…”
Tekiu iu përgjigj: “Thuaj të fillojë me banjën të parën.”!
– Baba,- do të na marrë malli çdo ditë! Do na mungosh në momentet me gëzime dhe hidhërim që jeta ka. Dhe çdo herë që nipërit e mbesat e tu, arrijnë një lartësi të re jetësore; në do themi, “Oh sa qejf do të kishte babi ta shikonte!” Edhe sigurisht, lojërat e futbollit s’do jenë njësoj. Besoj se edhe Mesi “qanë” sot për Ty.
Babi, doje të vdisje në ditë me diell, dhe në ditë me diell shkove. Shpresoj se çdo ditë të jetë me diell aty ku je!
Mos ki merak për ne. Ne kemi trashëguar ngulmimin, fisnikërinë, dhe dashurinë tënde. Këto janë gurët e fondacionit të jetëve tona.
Mirupafshim Toti. Të duam për JETË!!
***
I vëllai i Tekiut, Murat Gjonzeneli, gjatë fjalës së tij përcjellëse kujtoi: Kur ndërroi jetë nëna jonë iu ndodhën pranë vetëm 8 vetë, dy prej të cilëve ishin varrmihësit, por Tekiu e kishte funeralin plot të Enjten, me 11 prill, tek i dha lamtumirën familja dhe komuniteti. Atë natë ishin aty edhe bashkvuajtësit e tij,edhe pse fizikisht nuk mundën të kapërcenin Oqeanin. Ishte aty edhe ish Kryeminstri demokrat Aleksandër Meksi që gjeti mënyrën për t’i sjellë një buqetë me lule dhe një mesazh zemre në ndarjen me Tekiun që e pat mik; ishin aty me mesazhet dhe homazhet e tyre edhe ish të përndjekurit politikë. I sollën aty edhe kujtimet e Muratit dhe Memishaut: U kujtuan Reshat Kripa, vëllezërit Çoku, edhe Enver Memishaj, edhe Profesor Sami Repishti…Homazhet për Tekiun u kryen nga bashkatdhetarët në Shqipëri dhe në SHBA. Mjafton të shohësh shkrimet-homazhe të Reshat Kripës, Enver Memishaj, dr. Prenjo Imeraj, Prof. Sami Repishti, shkrimet e gazetes”Dielli”, mjafton të shohësh qindra mesazhe e komente ngushëlluse në rrjetet sociale dhe bindesh se ç’njeri i mirë ishte Teki Gjonzeneli.
***
Lamtumirë i dashur Teki, do ta ndjej mungesën tënde!
Unë nuk arrita të mbaja fjalën time në përcjelljen tënde, edhe pse yt bir Fatmiri dhe vëllezërit e tu, Murati e Memishau, ma kërkuan këtë. Arsyen ti e merr me mend, nuk mund ta përballoja ngarkesën emocionale për shkak të problemeve kardiake, por ti e di, miku im se sa të doja e të respektoja. Isha me fat që një javë para se të ikje nga kjo botë, së bashku me Latifin, ne biseduam gjatë.
Unë ish me fat që u njoha me ty dhe familjen tënde, i dashur Teki. Ne u bëmë miq që me takimin e parë, kur unë punoja tek Illyria dhe ti erdhe në New Yorker Hotel , ku ishin zyrat e gazetës dhe së bashku me Filandën më besove ditarin “sekret” të xhaxhait të Filandës, Reshat Agaj dhe unë e pranova pa kushte dhe pa shpërblim. Ato fletë të zverdhura, të lëna amanet nga “Vëllai i pengut” përmbanin të gjithë tragjedinë e Gjonzenelëve. Dhe ne arritëm që ditarin të kthenim në libër pasi ia prezantuam më parë lexuesit shqiptaro-amerikan në SHBA, duke e botuar në disa numra si Dossier. Libri u botua dhe ribotua disa herë. Ky libër- ditar na bëri miq. Shkuam në shtëpitë e njer-tjetrit. Po ti nuk u mjaftove me kaq, gjete dhe shtëpinë e prindërve të mi në Lushnje dhe çdo verë kur vizitoje Shqipërinë shkoje dhe i shihje dhe ata, nënën time të paralizuar dhe babanë e sëmur. Gjithmonë më sillje nga Shqipëria lajme nga familja dhe librat e rinj që botoheshin në Tiranë, i bleje në dy kopje. Ti miku im u bëre dhe pjesë e Vatrës dhe e gazetës DIELLI, ku denoncoje plot kurajo neokomunizmin shqiptar dhe mosndëshkimin e fajtorëve të diktaturës, që të dënuan pa faj familjen dhe veten tënde.
Ti miku im, do të jesh i pranishëm brenda qenies time si njeri i dashur dhe i respektuar. Unë do të jetoj me kujtimet e përbashkëta. Këtu, në zyrën e Vatrës, mbi kompjuterin e punës, kam vendosur një Flamur Vlore;punuar në tezgjah nga duar vlonjate, është dhurata që më ke sjellë ti. Sa herë që do të dua të bisedoj me ty do të zbres në bibliotekën e Vatrës, ku është këndi me librat e tua dhuruar Vatrës dhe do të diskutojmë për librat dhe për Shqipërinë. Do të shoh edhe Fotografinë e madhe të Ujit të Ftohtë. Është kujtimi yt!
Lamtumirë! Shpirti yt do të endet mes Amerikës dhe Shqipërisë. I doje të dyja, edhe pse, e dyta ishte treguar NJERKË me Ty!
Lamtumirë, vëlla TEKI!
Totowa, NJ, 13 Prill 2019(Botoi:Dielli, Prill 2019)

