Nga Arben VATA/
Kuksianët rikthejnë me forcë lidhjen natyrale Kosovë – Shqipëri/
Ngjarje të tilla si ajo e Kukësit sot, normalisht që ngjallin emocione dhe debate të forta, kundërshtuese me njëra tjetrën. E para është dhuna. E vërteta është se dhuna nuk është mjeti normal për të zgjidhë problemet, por çfarë e zgjidh problemin me një qeveri të pa përgjegjshme, një qeveri anti kombëtare apo një diktaturë? Nëse nisemi me këtë logjikë, duhet të themi se protestat e dhjetorit 1990 në Shqipëri dhe ato të pranverës 1981, korrikut 1990 dhe kundërshtimi me armë kundër regjimit serb në Kosovë, ishin të dënueshme. Nëse kjo është logjika që funksionon për dikë, ta mbajë për vete. Kur thika shkon në palcë, nuk ka më vend për bisedime. Aq më tepër me një qeveri që nuk u konsultua aspak me qytetarët për këtë taksë të rëndë.
Së dyti, (dhe kësaj po i bie shumë shkurt), taksë për rrugën mund të kishte por kjo duhet të jetë e shumta 1 euro ndërsa më përpara kësaj duhet të jetë rregulluar sipas standardeve rruga e vjetër. Këto çështje janë sqaruar shumë këto ditë dhe nuk ka nevojë për mendimin tim krejt modest nga aspekti teknik dhe ekonomik i rrugës.
Se treti, protesta ishte e drejtë sepse synoi veç të tjerash të ndante Kosovën me Shqipërinë me një kufi ekonomik jo më në Morinë të Kukësit, por në Thirrë të Mirditës. Super-taksa është një barrë edhe për shqiptarët e Kosovës, të cilët për arsye ekonomike kryesisht vijnë dhe frekuentojnë plazhet e Shqipërisë.
Rama që bën demagogji me Presidentin e përbashkët dhe me teatër në zyrat e Vucic, nuk mund ti bëjë shërbim më të mirë serbëve sesa të kufizojë lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Në këto kushte, ata do të detyrohen që tregtinë dhe çdo shkëmbim tjetër ta zhvendosin gjithnjë e më shumë drejt Serbisë. Kjo është arsyeja që shumë nga protestuesit ishin edhe nga Kosova (por edhe nga Hasi dhe Tropoja).
Së katërti, kjo është një protestë personalisht kundër Rames, i cili vetëm pak ditë më parë ofendoi publikisht gjithë shqiptarët, në një fjalim konteksti i të cilit vinte në dyshim burrërinë e tyre. Gabimi i Rames është që e bëri këtë ofendim pikërisht në kohën kur Kukësi kishte paralajmëruar protesta kundër taksës së ndarjes së kombit.
Kukësi (dhe jo vetëm) ka burra o zotëri dhe këtë e ka treguar ndaj çdo padrejtësie që i është bërë në demokraci. Për ata që u kujtohet po sjell në vëmendje vitin 1993 kur banorët e kësaj zone hodhën në liqen forcat speciale nga Tirana. Luma ka hedhur në lumë 12 mijë serb, por Rama nuk e njeh mirë historinë.
Aty ku ka dhimbje, ka protestë, ka burra,kudo në Shqipëri. Aty ku ka dhimbje e thika nuk mban më, burrat ngrihen dhe diktatorët bien.
Merre seriozisht sinjalin e burrave të Kukësit, Tropojës dhe Kosovës. Nuk është protesta e një partie, por e një populli të cilit nuk mund ti hipësh më mbi kurriz.(FB)
***
Pronincim i Ministrit te Brendshem Xhafaj: Precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe antikushtetues
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në një deklaratë për median e quan protestën e sotme në Rrugën e Kombit: “Një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe antikushtetues.”
Xhafaj tha se policia shmangu realizimin e skenarëve më të rëndë kriminalë, për të cilën ishin të interesuar provokatorë të caktuar.Dhe nënvizon: Kush nxit dhunën e anarashinë do të marrë përgjigjen e merituar ligjore askush nuk mund të jetë mbi ligjin.Xhafaj tha se janë 12 efektivë të FNSh që janë lënduar lehtë ndërsa një efektiv është plagosur më rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ne përleshje individe me të shkuar kriminale
Ministri Xhafaj shtoi se mes protestuesve ka pasur dhe individe me të shkuar kriminale
Xhafaj: Manifestimi i presupozuar paqësor u kthye menjëherë në një sulm barbar kundër punonjësve të policisë së shtetit dhe kundër pasurisë publike e sasja private. Grupe individësh të papërgjegjshëm në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin elementë me të shkuar të rëndë kriminale dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime dhe paqësore të tubimit.
Shpreh gjithë mbështetjen dhe respektin për të gjithë ata qytetarë të një zone të dalluar për ndershëmëri, krenari e fisnikëri sikurse është zona e Kukësit të cilët u distancuan nga këta individë të papërgjegjshëm si edhe ndaj atyre që nxisin veç zjarrin dhe dhunën për interesa politike e nuk u bënë pjesë e atyre që pa asnjë shkak sulmuan egërsisht punonjësit e policisë së Shtetit dhe shkatërruan pasurinë publike e private.
12 efektive te lenduar, 1 rende
Xhafaj: Asnjë e drejtë e pretenduar nuk mundet të justifikojë, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë, sulmin kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shkatërrimin e pronës. Janë lënduar 12 punonjës të FNSH-së nga gurët dhe sendet e forta të hedhura nga këta individë, ndërsa një punonjës policie është plagosur më rëndë dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në spital.
U shmangen skenare te renda kriminale
Fatmir Xhafaj: Vlerësoj gjakftohtësinë dhe profesionalizmin e treguar nga punonjësit e Policisë së Shtetit në situatën e ndodhur pak orë më parë, duke shmangur kështu realizimin e skenarëve më të rëndë kriminalë, për të cilën ishin të interesuar provokatorë të caktuar.
Thirrja per distancim
Xhafaj: Publikisht jap mbështetjen e policisë së shtetit për çafrë ajo bën për të mbrojtur jetën dhe pronën e kujtdo. Jam i keqardhur dhe ju kërkoj qytetarëve, partive politike, medias dhe komunitetit të biznesit të distancohen ndaj të gjithë atyre përfaqësuesve të partive politike që i kanë inkurajuar me nëj gjuhë nxitëse protestuesit për ushtrim dhune ndaj policisë dhe shkatërrim të pronës duke sjellë në vëmendje që ky është një precendent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe antikushtetues.
Ju bëj apel autoriteteve të qeverisjes vendore në Kukës të distancohen nga këto akte të dhunshme dhe të ushtrojnë ndikimin e tyre duke qenë bashkëpunues e në ndihmë të policisë së shtetit për të mundësuar normalitetin për levizjen e lirë të qindra qytetarëve dhe transportin e mallrave sot dhe në ditët në vijim . Në cilësinë e Ministrit të Brendshëm deklaroj se policia e shtetit në zbatim të ligjit do të ketë një përgjigje të ashpër.