
Paulin Zefi/
Banesa e familjes Turkaj në Shënkoll të Lezhës përfaqëson një nga shembujt më të spikatur të arkitekturës së elitës drejtuese në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë në fillim të shek. XX. Familja Turkaj udhëhoqi Bajrakun e Nikçit në Kelmend të Malësisë së Madhe për pothuaj një shekull, nga themeluesi i kësaj “dinastie”, Gjekë Vuksani, i njohur kryesisht si Tur(k) Vuksani dhe deri te Nikollë Dedë Kaçeli (Kapedani), duke ruajtur autoritetin lokal (në Kelmend e në Bregun e Matës) dhe duke tërhequr edhe vëmendjen e vetë princit të Malit të Zi, Knjaz Nikollës ose Krajl Nikollës. Familja e Turkajve kishte lidhje miqësore me derën kapidanore të Mirditës, pasi Gjergj Kaçeli, i biri i Kaçel Turkut, i lindur në Shënkoll të Bregut të Matës më 1846, kishte dhënë motrën e tij, Marën (e njohur kryesisht si Mara Lleshja), në familjen e Gjomarkajve. Po ashtu, i sipërpërmenduri Gjegj Kaçeli ishte bashkëpunëtor i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Ded Gjon Lulit. Krahas aktivitetit patriotik dhe luftës heroike kundër pushtuesve osmanë dhe forcave serbo-malazeze, familja Turkaj dha një kontribut të shënuar edhe në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Bregut të Matës, përfshirë dhurimin e tokës për ndërtimin e Kishës së Shënkollit.
Duke u mbështetur në analizën e gjurmëve të ruajtura të Kishës së vjetër të Shën Kollit (mbi gërmadhat e së cilës është ndërtuar kisha e re që ndodhet në qendër të fshatit me të njëjtin emër), e cila afërsisht ka pasur një sipërfaqe prej 21.5 m × 9.45 m, G. Hoxha, L. Përzhita dhe F. Cavallini sugjerojnë se ndërtimi i saj mund të datojë në shek. XVIII. E, pikërisht në gjysmën e dytë të shek. XVIII vërehet një rritje e shtuar e pranisë së malësorëve të Kelmendit në Bregun e Matës, si rezultat i privilegjeve të fituara prej tyre nga Bushatllinjtë e Pashallëkut të Shkodrës (1757–1831). Përsa i përket ndërtimit të Kullës, kjo kryevepër arkitekturore i atribuohet prijësit te parafundit të familjes së Turkajve, i cili trashëgoi titullin e bajraktarit të Nikçit, Lush Llani, i lindur në Shënkoll të Bregut të Matës në vitin 1870. Ai ishte i biri i Llan Turkut dhe përmendet si një djalë trim dhe shumë aktiv në çështjet kombëtare. Së bashku me të atin, mori pjesë në Kuvendin e Pejës (23-29 janar 1899) të organizuar nga Haxhi Zeka, kuvend në të cilin u themelua Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900), e njohur edhe si “Besa-Besë.” Po ashtu, ai shquhet në aksionet kryengritëse, që zhvilluan kryengritësit bregamatas kundër administratës osmane për mospagimin e taksave në vitet 1902-1904.
Lush Llan Turku së bashku me Gjeto Cokun do të arrestohen dhe internohen në Izmir të Turqisë për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj sulltan Abdyl Hamitit II dhe pas kthimit në atdhe më 1908, Lushi organizoi lëvizjen e malësorëve të Bregut të Matës për liri dhe pavarësi, duke bashkëpunuar ngushtë me Cokajt dhe Llesh Nikë Dakën, i mbiquajtur “Leonidha i Bregut të Matës.” Lush Llani është ndër krerët më të rëndësishëm që mori pjesë në Kuvendin e Zejmenit (11 maj 1912) dhe, së bashku me krerët e tjerë malësorë, mirditorë, zadrimorë dhe ata të Lezhës, mori pjesë në çlirimin e qytetit dhe në ngritjen e Flamurit Kombëtar në Lezhë, më 3 dhjetor 1912. Po ashtu, ai u zgjodh anëtar i Qeverisë së Përkohshme. Krahas miqësisë së trashëguar familjare me Gjomarkajt e Mirditës, Lush Llani ishte po ashtu mik i Toptanëve të Tiranës, me të cilët kishte marrëveshje pronësie (në Breg të Matës e Gurrëz të Kurbinit) dhe ndërsa në verën e vitit 1914 luftoi kundër forcave dumbabiste të Haxhi Qamilit, duke dhënë një kontribut të shënuar në mbrojtjen e Princit të Shqipërisë, Wilhelm Wied. Andej nga fundi i vitit 1914 dhe në fillim të Luftës së Parë Botërore (1914–1918), kur forcat austro-hungareze po marshonin nga Durrësi në drejtim të Shkodrës përmes arave të mbjella të familjes Turkaj, ato u bllokuan menjëherë nga vetë bajraktari Lush Llani, i cili, për pasojë, u arrestua dhe u internua për plot 18 muaj në Austri.
Ndërsa në verën e vitit 1919, bashkë me trimat e Bregut të Matës, u përfshi në çetat e lirisë me Bajram Currin dhe Azem Galicën, duke rënë heroikisht në Pejë gjatë luftimeve të zhvilluara kundër ushtrisë pushtuese serbe. Përfaqësuesi i fundit i kësaj familjeje që trashëgoi titullin e bajraktarit të Nikçit, siç e kam përmendur pak më lart, ishte Nikollë Dedë Kaçeli (Kapedani). Pas vrasjes së Lush Llanit, ai e ushtroi këtë funksion deri në vitin 1945, kur vendi jonë hyri në një fazë të re politike, e cila shënoi fundin e institucioneve tradicionale dhe solli privacione e përndjekje krejtësisht të pamerituara ndaj përfaqësuesve të tyre. Megjithatë, përkundër sfidave me të cilat u përballën, trashëgimia e pasur dhe vlerat e spikatura të familjes Turkaj në Bregun e Matës vazhduan të mbeten të gjalla dhe të ruhen nga pinjollët e saj, jo vetëm gjatë regjimit komunist, por edhe në ditët e sotme. Simboli kryesor dhe më emblematik i kësaj familjeje, që njëkohësisht përfaqëson edhe një simbol të statusit dhe prestigjit të saj shoqëror, është pikërisht Kulla e Lush Llanit, e njohur kryesisht si Kulla e Turkajve. Ajo ndodhet në pjesën veriore të fshatit Shënkoll dhe në jug të Rrilës, në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Lezhë–Shënkoll, rreth 9 km larg qytetit të Lezhës. Kulla e Turkajve u ndërtua nga mjeshtër dibranë nga Golloborda gjatë viteve 1917–1919 dhe i gjithë procesi i ndërtimit ka zgjatur rreth 2 vite e 3 muaj, duke nisur në fillim të vitit 1917 dhe përfunduar në pranverën e vitit 1919.
Kulla është ngritur mbi themelet e një objekti më të hershëm, të ndërtuar andej nga fundi i shek. XIX nga bajraktari i Nikçit dhe pinjolli i famshëm i kësaj familjeje, Llan Turku. Ajo ngrihet mbi një truall fushor dhe dallohet për një volumetri të qartë: një trup qendror masiv me planimetri katërkëndëshe (16.50 × 12 m), i përbërë nga dy kate të plota, si dhe një kullë imponuese në pjesën jugore me planimetri katrore (7 × 7 m), e zhvilluar në tri kate të plota dhe me lartësi maksimale që arrin rreth 11 m, e cila shërbente si element vrojtimi, identitar dhe prestigji. Kjo ndërtesë përfaqëson një tipologji banese tradicionale me zhvillim të ndarë në disa faza, ku bërthama fillestare është zgjeruar me volume të reja, duke krijuar një planimetri komplekse dhe një çati shumëplanëshe. Ky lloj organizimi përbën një dëshmi të drejtpërdrejtë të mënyrës së jetesës dhe të evolucionit familjar ndër breza.
Kjo formë, shumë e rrallë për rajonin e Lezhës, e afron banesën me tipologjitë urbane të Shkodrës, duke dëshmuar një shkallë të avancuar zhvillimi shoqëror dhe arkitektonik në mjedisin rural të Shënkollit dhe të gjithë Bregut të Matës. Fasadat e suvatuara, sot pjesërisht të degraduara, ruajnë ende simetrinë e elementëve arkitekturorë. Veçanërisht dallohen harqet gjysmërrethore të dritareve në fasadën jugore, të shoqëruara me korniza të theksuara, të cilat dëshmojnë ndikime neoklasike dhe sidomos elementë të arkitekturës së ndikuar nga modeli austriak i fund shek. XIX dhe fillim shek. XX. Pothuajse të gjitha dritaret janë të pajisura me kangjella metalike të punuara me një nivel të lartë artistik, me funksion njëkohësisht mbrojtës dhe estetik. Ballkoni i hekurt në katin e tretë, i vendosur në fasadën lindore të kullës jugore dhe i mbështetur mbi një strukturë konsole, përbën një element me vlera të veçanta kompozicionale dhe lidhet me modelet e banesave të shtresave të konsoliduara ekonomikisht. Muret e katit përdhes, të ndërtuara me gurë gëlqerorë, ndërsa katet e sipërme kryesisht me tulla të kuqe dhe më pas të suvatuara, paraqiten sot mjatt të amortizuara, me zhveshje të shtresës së jashtme dhe ekspozim të materialit bazë.
Trashësia e tyre e konsiderueshme sugjeron një funksion të qartë mbrojtës dhe izolues. Kati përdhes i trupit qendror masiv të ndërtesës paraqet ndërhyrje më të vona, duke përfshirë dy veranda të vogla me soleta betoni, që janë të mbështetura mbi kolona të thjeshta kuadratike, të cilat krijojnë hapësira hyrëse gjysmë të mbuluara. Çatia me pjerrësi të ulët, e mbuluar me tjegulla tradicionale dhe e pajisur me oxhakë monumentalë, përforcon karakterin tradicional dhe qëndrueshmërinë e ndërtesës, ndërsa strehët lehtësisht të dala mbrojnë fasadat nga reshjet atmosferike. Hapësira e brendshme ndriçohet nga një numër i madh dritaresh. Ndërsa, në planin funksional, banesa paraqet një organizim të brendshëm me një holl ose hapësirë qendrore, rreth së cilës shpërndahen dhomat e banimit dhe një ambient i madh për pritjen e miqve, në përputhje me modelin patriarkal dhe mikpritës të shtëpive të mëdha shqiptare. Katet e sipërme shërbenin kryesisht për banim, ndërsa kati përdhes për funksione ekonomike dhe shërbimi. E ndërtuar në një periudhë tranzicioni, në prag të konsolidimit të shtetit shqiptar, Kulla e Turkajve përbën një dëshmi të rrallë të mënyrës se si shtresa e përfaqësuesve të lartë të institucioneve tradicionale afirmoi identitetin e saj përmes arkitekturës. Ndërtesa ruan elementë të dukshëm të trashëguar nga periudha osmane, veçanërisht në strukturën e bazës dhe përdorimin e gurëve gëlqerorë në katin e parë, ndërsa katet e sipërme, ndërtuar kryesisht me tulla të kuqe, shfaqin një ndikim të qartë perëndimor.
Stilistikisht, elementët austriakë spikasin në trajtimin e volumetrisë, simetrinë e fasadave dhe detajet dekorative, duke dëshmuar një ndërthurje të rrallë mes traditës lokale dhe estetikës perëndimore, që rrallë haset në arkitekturën shqiptare të fillimit shek. XX. Kjo banesë përbën një objekt me rëndësi të veçantë, jo vetëm për historinë, arkitekturën dhe trashëgiminë kulturore të Shënkollit dhe Bregut të Matës, por edhe për gjithë rajonin e Lezhës dhe për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, duke pasqyruar vlerat e saj unike dhe rolin e saj të veçantë në identitetin historik dhe kulturor të vendit tonë. Duke marrë parasysh shkallën e lartë të amortizimit dhe nevojën për të parandaluar degradimin e mëtejshëm, ky monument historik duhet t’i nënshtrohet një restaurimi të plotë dhe masave të mbrojtjes konservuese, të cilat duhet të realizohen me urgjencë. Për më tepër, ai duhet të përfshihet në rrjetin kombëtar të trashëgimisë kulturore dhe të turizmit kulturor, duke i siguruar kështu vlerësimin dhe promovimin e merituar në nivel kombëtar.