“Kombet ngrihen dhe mbahen në këmbë vetëm për hir të të vdekurve të tyre të mëdhenj.”– Branko Merxhani/
NGA ANTON ÇEFA/
Kulti i të parëve është një tipar shpirtëror universal për etnitë a grupet etnike të lashta. Në rrafsh psikologjik, ai sendërtohet në zakone, rite, ceremoni, etj., që në përgjithësi i takojnë së kaluares, duke na dëshmuar përbërës të psikës së lashtë të njerëzimit.
Në kohë të hershme, fiset dhe lidhjet fisnore, që shpesh besonin se kishin origjinë hyjnore, e kishin zakon të nderonin paraardhësit e tyre të vdekur nëpërmjet riteve të veçanta, organizimit të ceremonive të ndryshme, etj.
Dëshmi të gjalla të kultit të të parëve ne i gjejmë edhe në zakonet e dikurshme të popullit tonë, ruajtur sidomos në viset e thella malore. Kjo na dëshmohet në mbetje të jetës së përditshme, si edhe në folkor, në mitologji, në veçoritë etiko-morale, në normat juridike, etj.
Në psikën e stërgjyshëvë tanë, ky kult e ka alfën tek respekti me një përkushtim të veçantë i trashëgimisë shpirtërore të të parëve, dhe në radhë të parë tek ruejtja me fanatizëm, dhe nderimi i thellë i asaj substance shpirtërore që përbën tharmin e shqiptarizmit të moçëm, që jetësohet tek virtytet e fisme etiko-morale të mishëruara ndër zakone. Më së miri kuptohet këtu shpjegimi që i ka bërë Niçe kësaj dukurie: moraliteti nuk është gjë tjetër veçse bindje ndaj zakonit; kështu, njeriu më i moralshëm ishte ai që sakrifikonte më shumë për zakonin.
Na përvijohet i qartë ky kult në dy monumentet më madhore të kulturës sonë popullore, në Eposin e kreshnikëve dhe në të drejtën zakonore, ku shprehet me tonalitete të larta krenaria për “kanunin” që kanë trashëguar prej të parëve, dhe e konsiderojnë atë si kredon e jetës e të veprimtarisë së tyre.
Kreshnikët vlerësojnë lart thesarin e çmueshëm të virtyteve fisnike që përbën pajën më të vlertë të psikës së tyre. Emblematike janë gdhendur në rapsodinë “Martesa e Halilit” këto virtyte, në përgjigjen që Halili i jep krajlit, kur ai e pyet: “A p’e shef, Halil, dekën me sy? / Kurr ma ngusht, Halil, a thue je kenë?”:
“Pa nigjo, more krajle kapedane,
S’a ngusht njeri deri n’ditë të dekës:
Deka vjen mbas mikut t’pre,
Deka vjen mbas besës s’thyeme,
A’ i kue (kafshatë) bukë mos t’kesh për mik.” 1).
Është skalitur në këto vargje një përgjithësim tejet artistik i vlerësimit të jetë-vdekjes përballë vlerave shpirtërore dhe konceptimi i botës morale të kreshnikëve. Shqiptari i kanunit gjindet më ngusht se para vdekjes, kur i presin mikun, kur i vjen miku dhe nuk ka bukë me i dhanë, dhe mbas thyerjes së besës. Këtë vlerësim ushqejnë ata edhe për virtytet tjera shpirtërore, që i dallojnë ata prej të huajve si burrninë, nderin, ndoren, faljen, etj.
Një vend të veçantë në psikën e kreshnikëve zë ideali i lirisë së trojeve, gatishmëria për t’i mbrojtur ato qoftë edhe me vetëflijimin sublim. Ata e kanë për nderin më të lartë të japin jetën për to. Halili, i lidhur këmbësh e duarsh, duke pritur të ekzekutohet nga Krajli, nëpërmjet fjalëve të fundit, transmetuar permes këngës, thotë: “Tjeter t’mirë ne t’parët nu’ na kanë lanë, / Kurrnja nesh veç mos me dekë në t’shtrueme, / Por me shpata m’u pre tuj këndue.” 2).
Në një rapsodi tjetër thuren vendosmëria, heroizmi, vetëmohimi për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve: “Tan n’tokën tonë na duem me dekë. / Tokën e babës s’mujm’ m’ e lshue, / rob askuj nuk mujm’ m’ u ba.” 3).
Kjo psikë e konceptimit të vdekjes për atdheun si akti më sublim i njeriut e ka shoqëruar shqiptarin gjatë gjithë historisë së tij. Fjala e urtë thotë: “Ai që vdes per atdhe, nuk ka vdekun por ka le” është kuptimplote në shprehjen e idealit dhe ndjenjës së popullit tonë për këtë dukuri. Për dëshmorin e atdheut është e pavdekshme kujtesa popullore.
* * *
Një aspekt tejet i hershëm i kultit të të parëve tek populli ynë është nderimi për të vdekurit. Një varg ritesh jetësohen që kur njeriu është në grahmat e vdekjes, dhe, sidomos në organizimin e funeralit. Spikat në mënyrë të veçantë gjëma. Në botimet e kanuneve tona janë përfshirë në kapituj të veçantë ritet e vekjes, gjëmës, varrimit të të vdekurëve. Duke bërë fjalë për kultin e të vdekurve në Mirëditë, në Malësi të Madhe, në Dukagjin, Bernardin Palaj shkruan: “Asht teprica ma arkaike e fiseve indo-europjane, ruejtë besnikisht vetëm ndër malet t’ona.”. 4).
Malësorët besonin se që në kohën kur njeriu është në grahmat e fundit, vijnë hijet e të parëve për t’ia bërë vdekjen sa më të lehtë dhe bile të gëzueshme, dhe për t’i prirë në udhën për në botën tjetër. 5). Për mendësinë e malësorëve tanë, shpirtërat e të parëve janë mbrojtës të familjes dhe, në festat familjare, ata i ruajnë një vend bosh atyre.
Por, jo vetëm kaq, ata kanë marrëdhëniet më të çuditshme me shpirtrat e të vdekurve dhe jo vetëm të të parëve. Kadare, në “Eskili – ky humbës i madh”, duke komentuar tragjedinë “Orestia”, shkruan: “Ruajtja e pëlhurës rrjetë prej Klitemnestrës nuk është rastësi, as për arsye efekti, por lidhet me gjithë dinamikën e krimit. Por shpjegimi i saj mund të bëhet vetëm me ndihmën e kodit zakonor shqiptar. Dhe, ja se si: kur në një familje vritej dikush, këmishën e përgjakur e vendosnin në një vend të dukshëm të kullës malësore, në një mënyrë që në bazë të ndryshimit të ngjyrës së njollave të gjakut mbi pëlhurë të hetonin sinjalet, që sipas tyre i vrari dërgonte që nga nëntoka: padurim për marrjen e gjakut, pezmatim apo pikëllim.” 6). Ky padurim për marrjen e gjakut shtyhet më tej, është padurim për vënien në jetë të kanunit, pra të ligjit që i kanë lënë trashëgim të parët.
Malësorët tonë, të vdekurit i futnin në gojë një pare për të paguar urën që do të kalojë për në botën tjetër. Bashkë me kufomën, ndër varre, ata futnin sende të ndryshme të cilat i kishte përdorur i vdekuri kur ka qenë gjallë, vegla pune, armë, ushqime. Një jehonë e largët e besimit se shpirti i të vdekurit ringjallet.
Ky është një zakon shumë i lashtë. Në varrin e një vajze babilonase, është gjetur një rezervë e madhe ornamentesh, lulesh, shishe parfumesh, krehrash, penelash kozmetikë, kallepe të një paste të zezë, me të cilën e kishin zakon të lyejnë vetullat e qerpikët.” 7).
Kulti i të vdekurve ka qenë i zakonshëm edhe në shoqërinë homerike. Yamamoto, duke treguar ritualin e varrimit tek ajo shoqëri, ka hamendësuar edhe kuptimin teorik të tij: “Grupet fisnore që besohet se rrjedhin prej perëndive, kanë detyrimin të varrosin të vdekurit e tyre dhe të organizojnë në këto raste ceremonitë mortore, ku burra e gra qajnë, çjerrin fytyrat e shkulin flokët. Këto grupe i ruajnë lidhjet me paraardhësit e tyre, duke u ofruar ushqime apo duke bërë kurbane për to. Në këtë mënyrë, ato u konfirmojnë paraardhësve legjitimitetin e ekzistencës së tyre në shoqëri. Kështu, grupet fisnore të shoqërisë homerike e ruajnë ekzistencën tokësore, duke zbatuar ritualet e respektimit të të parëve dhe sigurojnë ekzistencën hapësinore, nëpërmjet bashkekzistencës dhe rivalitetit me fise të tjera, jo të një gjaku me to.” 8).
* * *
Nderimi për të vdekurit kap kulmet artistike në organizimin e gjëmëve. Kadare ka shkruar në librin që çekëm më lart: “Një ritual mortor tek shqiptarët, s’është veçse një dasmë e kthyer me kokë poshtë.”. Në tekstet poetike të vajeve sidomos të grave me tone të thekshme vajtimi dhe me melodi karakteristike elegjiake tregohen punët e mira të të vdekurit, vlerat e tij njerëzore, etj.
Vajtimi i të vdekurve me gjamë në Veri dhe me ligje, të qara me logori, në Jug, ka qenë një zakon i të gjithë shqiptarëve. Këtë e kanë vërejtur edhe udhëtarët e huaj, që janë përshkuar në vendin tonë. “Në vitin 1814, në qytetin e Gjirokastrës, udhëtari Hjuz dëgjon të qara me logori, që vinin nga disa shtëpi njëherësh.. . . Ky zakon i grave shqiptare i bën përshtypje të thellë udhëtarit Hjuz dhe i kujton atij se, po në të njëjtën mënyrë, si këto gra shqiptare kishte qarë Uliksin edhe Penelopa e tij besnike” 9).
“Ligjet përbëjnë një nga pjesët më kryesore dhe më të bukura të poezisë popullore të shqiptarëvet. – shpjegon Çabej – Se te këta është i gjallë kulti i të vdekurve e i trimave. Trimat e vdekur përmenden me zemër dhe lartësohen poetikisht jo vetëm në ligjet e grave, por edhe në gostitë e burrave. Momenti psikologjik në një situacion poetik të tillë është prania shpirtërore e të vdekurit; kulti i heronjve pothuajse e bën trimin e vdekur të ngjallet rishtas dhe të marrë pjesë shpirtërisht në këto mbledhje. Është me rëndësi për njësinë shqiptare që nëpër ligjet e krahinave të ndryshme shkon një frymë e njëllojtë dhe e përbashkët shqiptare. Kjo shprehet si në kuptimin e botës si dhe në elementet formale dhe në mjetet e stilit.” 10).
“Thërmijëza të gjëmëve ruhen në kujtesën popullore në mbarë Shqipërinë, por vendi ku dukuria është ruajtur deri vonë ka qenë Veriu i Shqipërisë.” 11). At Zef Pllumi, në “Rrno vetëm për me tregue” përshkruan një gjamë, ndodhur në vitet 50 të shekullit të kaluar në Kir. Gjamën, ai e quan “doken ma të vjetër, pa dyshim parahistorike”. “Jo, na aty nuk ishim ma në shekullin e njizetë! Shqiptari jetonte çastet ma të vjetra të njerëzimit. Kurrë nuk e kam pa vdekjen ose shuemjen e jetës ma të madhe së atëherë, ndër ato çaste: Mrikë Kacelja e Prekalit kje shti në vorr në dhe të Kirit me ma shumë madhshti se Hektori i Trojës tek Iliada e Homerit. Funeralet e lulzueme e shkëlqimtare të kohës së sotme nuk mund i aviten kurrkund asaj madhështie që tundte malet. Kje gjama e fundit në Dukagjin: dita e fundit e epikës së shqiptarëve. Sot ato doke nuk i kupton kurrkush ma.” 12).
Nderimi i të parëve ndër malësitë tona dëshmohet dukshëm në lidhjet e tyre me fisin prej nga e kanë origjinën. “Çdo fis ka një legjendë të caktuar për prejardhjen e vet. Prejardhja ndiqet rreptësisht sipas vijës së mashkullit dhe tradita është trashëguar nga ati tek i biri përmes kujtesës, të paprishur nga trajta e shtypur”, ka shkruar Durham 13). “Ka pak vende të tjera në Europë, ku një njeri mund të japë emrat e pararendësve të vet për treqind vjet” 14).
Duke folur për emrat tripjesësh të personave, emra të cilët përdoren në Veri dhe në Jug të vendit tonë, Çabej ka shkruar “spjegohen me rëndësinë që i jep shqiptari ruajtjes së fisit të vet edhe në emër.” 15).
Shqiptarët edhe larg atdheut, kudo ku i ka hedhur fati i ruajnë me devocion traditat dhe kultin e të parëve. Dora D’Istria ka theksuar faktin që arbëreshët kanë ruajtur me besnikëri e dhëmshuri kultin e të parëve të tyre dhe traditat kombëtare. 16).
Vërtet, ngjarjet dhe format e dëshmive të kultit të të parëve i takojnë së kaluares, por duhet theksuar se nderimi i të parëve merr një kuptim të veçantë, tejet të rëndësishëm, edhe në ditët tona, në mishërimin tek ata të traditës shpirtërore, të kontributeve që kanë dhën ata në fushën e kulturës. Ja çfarë shkruan Branko Merxhani: “Kombet ngrihen dhe mbahen në këmbë vetëm për hir të të vdekurve të tyre të mëdhenj. Të gjallët vetëm i përbëjnë kombet. Ata që i bëjnë, që i shtyjnë përpara, që u japin frymë, erë dhe gjak, janë të vdekurit e tyre të vajtuar e të nderuar.”
Referenca
1). Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta”, Kolana e shkrimtarëve françeskanë “Visaret e Kombit-Kangë kreshnikësh dhe Legjenda”, Botimi III, Mbledhë dhe redaktue nga At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, Botime Françeskane, Shkodër, 2007, f. 39. Në raste të tjera, do të shënojmë vetëm: “Visaret e Kombit”.
2). “Visaret e Kombit”, f.210.
3). Universiteti i Tiranës, Instituti i Folklorit, “Folklori shqiptar”, Shtypur në Stabilimentin e Dispencave, Botim I, Tiranë, 1972, f. 103.
4). At Bernardin Palaj, “Mitologji, doke dhe zakone shqiptare”, Zgjodhi, shtjelloi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë, 2000, f. 22
5). At Bernardin Palaj, po aty, f. 24.
6). Ismail Kadare, Eskili – ky humbës i madh”, f. 117-118.
7). Nathaniel Micklem, “Religion”, Oxford University Press, London, New York, Toronto, 1948, p. 25.
8). Kazuhiko Yamamoto, “The Ethical Structure of Kanun and Cultural Implications – Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore”. Përkthyer dhe përgatitur për botim nga Selahedin A. Velaj & Printed in the United States of America, March, 2005, f. 214.
9). Hughes, Th. S.”Travels in Sicily, Greece and Albania”, v. II, P. 35, London, 1835, Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 129.
10). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f. 43
11). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, zëri “Gjëma”, përgatitur nga Yllka Selimi, f.341
12). At Zef Pllumi, “Rrno për me tregue”, pjesa II, botues “Hylli i Dritës”, Tiranë, 1997, f. 136-140.
13). Edith Durham, “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët”, Shtëpia botuuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, f. 113.
14). Edith Durham, vepër e ciituar, f. 439.
15.Eqrem Çabej, vepër e cituar, f.41.
16). Dora D’ Istria, “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, te Nasho Jorgqi, “Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1979, f. 132.