Dr. Dorian Koçi

In memoriam për Prof Skënder Luarasin
Për vite me radhë shqiptarët u ushqyen mendërisht dhe estetikisht me veprat e letërsisë klasike që sillnin një aromë tjetër në bregun e ashpër të Adriatikut që nuk kish njohur në masën e duhur ose aspak as Rilindjen Evropiane, as Iluminizëm as Revolucion Industrial. Në përpjekjen e tyre për tu përshtatur me një botë që kish ndryshuar dhe vazhdonte të ndryshonte me shpejtësi marramendëse që nga momenti që ata kishin dashur t’i bashkëngjiteshin, kishte çoroditje se kujtonin se kishin gjetur rrugën (koha më vonë e tregoi se s’qe ajo e duhura), kishte utopi se do ndërtonin diçka të re (bota kish vite që ndërtonte gjëra të tilla), kishte iluzion se do viheshin në ballë të botës (botës i ishin dashur shumë vjet për të qenë aty ku ishte) por kishte dhe etje për kulturë dhe këtu bota mund t’i ndihmonte. Në vitin 1955, Skënder Luarasi përfundoi përkthimin e poemës “Shtegtimet e Child Haroldit” të Lord Bajron, ku Kanto II rrëfen për udhëtimin në Shqipëri dhe Greqi në 1809. Një nga pjesët kryesore të Kanto II është takimi i Lord Bajronit alias Child Harold me Ali Pashë Tepelenën. Përshkrimin e këtij takimi e gjejmë dhe tek letra dërguar së ëmës në tetor 1809 nga Preveza. Mes të tjerash Lord Bajron shkruan se… Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Por karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mirë sa e quajnë Bonoparti muhamedan. Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell, etj. Bonoparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij. Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë as për origjinalin . Tre vjet më vonë në 1812, Lord Bajron botoi Canto II , ku rrëfeu poetikisht takimin me Ali Pashë Tepelenën.
Në një qoshk të shtruar me mermer, ku kroi
Me ujë rrjedhës që nga mesi i trollit
Gurgullon freski plot andë, dhe divani
I butë dhe epshor fton mysafirët t’ulen
Rri pshet’Aliu, burrë luftërash mizor;
Po tash kur ëmbëlsia rrezet hedh
Në ballin e nderuar t’atij plaku,
Nëpër tiparet nuk i duken gjurmat
E kobit që fsheh brenda dhe njollos me turp.
…Po kobet q’heshtin zërin e mëshirës,
Dhe s’i kanë hije kujt, sidomos plakut
I kanë vënë damkën e egërsirës.
Gjaku do gjak, e kush në gjak e nis
Do ta mbarojë jetën ca më keq me gjak.
Çfarë i kumtonte Bajroni, Ali Pashës ndërsa shkroi strofkën 62 të Kantos II, sidomos kupletin e fundit, në vitin 1812? A po i parashikonte të ardhmen se do përfundonte si viktimat e tij, i gjakosur mes kujtimit të viktimave të veta? Dhjetë vjet më vonë në 1822 Ali Pashë Tepelena do vritej jo vetëm nga hordhitë otomane por edhe nga vetmia dhe braktisja e miqve të tij më të mirë. Po Skënder Luarasi që e përkthente e botonte këtë strofkë e kuplet në vitin 1956, çfarë i kumtonte lexuesve shqiptarë? Po diktatorit Hoxha që e kishte Bajronin një nga shkrimtarët e vet më të preferuar? Kupleti i sjellë me mjeshtëri në shqip nga Luarasi shprehte thelbin e diktaturës në Shqipëri që në themelet e saj dhjetë më parë se të përkthehej kjo poemë, ishte ndërtuar mbi terror e viktima. Ashpërsitë e sjelljes së Ali Pashë Tepelenës ndaj bashkëatdhetarëve të vet shpesh herë krahasoheshin me ashpërsitë e luftës së klasave nga komunistët shqiptarë. Vet figura e Enver Hoxhës shpesh herë shikohej si një projeksion i figurës së Ali Pashë Tepelenës, përsa i përket krimeve dhe tmerreve ndaj kundërshtarëve politikë.
Përmes letërsisë klasike brezi i ri i shqiptarëve mund të mësonte më tepër se mbledhjet e mërzitshme e të stërgjatura të AGITROP-it komunist për të ardhmen e shoqërisë komuniste. Sfidë e madhe për një poet si Bajroni, për një vepër si “Child Harold” dhe për një letërsi klasike e përkthyer në shqip aq mjeshtërisht nga i paharruari Prof. Skënder Luarasi!