
Hasan Gremi/
Kemi shkruar më parë për prozën e studiueses, krijueses dhe përkthyeses Profesore Klara Kodrës, po këtë herë do të hedhim një vështrim mbi poezinë e kësaj autoreje për të parë risitë që ka sjell në këtë zhanër. Poezia e Klara Kodrës është, sipas mendimit tonë, një dukuri e veçantë në poezinë bashkëkohore shqiptare. Kjo poezi u takon dy periudhave të ndryshme historike, viteve ’60, ’90 dhe viteve pas ’90-ës. Poezia e lartpërmendur nuk mori si model treshen e poetëve të mëdhenj të avangardës së ’60-ës, as poezinë popullore, sipas traditës së gjatë që ka sunduar në letërsinë shqiptare, që u ndoq edhe nga Dritëro Agolli dhe poetë të tjerë. U shfaq si poezi në vitet ’60 (për të qenë të saktë, vjershat e saj të para të botuara i takojnë vitit 1959 në një cikël te revista “Nëndori”, që u ndoq nga vjersha të tjëra të botuara te “Drita”, “Zëri i rinisë”, “Ylli”, “Shqiptarja e re”, tri almanaqe të botuara nga rrethi letrar i Pallatit të Kulturës “ Äli Kelmendi”, rreth letrar ku bënin pjesë Jorgo Bllaci, Piro Kuqi, Bedri Myftari, Zhaneta Ogranaja të cilëve iu ndërpre dhunshëm krijimtaria nga diktatura). Poezia e Klara Kodrës nuk qe, as poezi tipike e realizmit socialist, (ndonëse nuk i shpëtoi ideologjizimit), as poezi moderniste që të shfaqte elementët e saj, fshehur pas pelerinës së realizmit socialist zyrtar, më tepër një poezi realiste me ngjyrim romantik. Si lirikë e prirur nga mendimi, ka diçka moderne. Vëllimi i parë, i plotë i saj u botua më 1968-ën me titullin: “Era e revolucionit” ishte mjaft i krasitur nga censura, aq sa i mungonin fare lirikat intime (të censuruara sipas pohimit të vetë autores). Ky vëllim u prit ftohtë nga kritika, e lodhur nga poezia retorike e viteve ’50 dhe e përqendruar te poezia e avangardës të viteve ’60, qoftë për të debatuar rreth saj, qoftë për ta himnizuar. Një zë i vetmuar, si Dalan Shapllo, e vlerësoi veprën e lartpërmendur për “fjalën tingëlluese”.. Ky vëllim shprehte një aspekt të krijimtarisë së poetes së ardhme, synimin e saj drejt “temës së madhe”, në vazhdimësi të traditës “qëllimore”, të letërsisë sonë që e detyronte në mënyrën e vet. Po, për shkak të censurës, aspekti tjetër i kësaj poezie që ishte shfaqur në vjershat e adoleshencës dhe rinisë së parë të saj, ( nga 13 – 22 vjeçe, të shpërndarë në shtypin e kohës), prirja lirike ndaj temave të dashurisë dhe të humbjes së njerëzve të dashur, mungonte plotësishr. Vjershat e saj të para mund të përkufizohen, si shprehet poeti i atij brezi Pandeli Koçi, “ me tone të sinqerta, po shpesh me teprime ngjyrash romantike”. Poetesha kaloi nëpër një fazë romantike që përjetuan edhe poetët e tjerë të rinj të asaj kohe si Musa Vyshka, Koçi Petriti, Adelina Mamaqi dhe që shprehte dëshirën për të liricizuar poezinë e kohës e prirur ndaj temave “ të mëdha”. Kritika sociologjike e kohës e pengoi evolucionin e natyrshëm të këtyre poetëve të rinj duke ua kundërvënë në mënyrë skematike temën “e madhe” temës “së vogël” intime, pa pasur parasysh se dashuria dhe natyra, si tema pannjerëzore, mund të ngrihen në lartësinë e “temës së madhe”. Tema “e vogël”, sipas konceptimit të atëhershëm, kalonte në plan dytësor. Në këtë mënyrë rrezikohej sterilizimi i poezisë. Kësaj prirjeje të kritikës iu kundërvu Dritëro Agolli në disa vjersha të veta. Vëllimi i dytë “Buzëqeshje”, shprehu një evolucion që u mbështet nga redaktori dashamirës Adem Istrefi, një poet që e kuptonte drejt poezinë, ndonëse me një prirje hermetike më poezinë e vet që ndryshonte nga qartësia e poezisë së Klarës. Në këtë vëllim vëmë re vendosjen e ekuilibrit midis “temës së madhe” dhe “temës së vogël”. Vargjet këtu nuk janë, as të lira, tradicionalisht të rregullta. Në ta mbizotëron vargu i çlirët dhe vargu i thyer. Vargun e lirë të mirëfilltë autorja e kishte lëvruar në një vjershë të rinisë që është si një kredo poetike, “Frymëzimit tim”, te “Buzëqeshje” gjejmë temën e emancipimit të gruas aq të dashur për autoren, temën e shekullit XV, temën e Luftës Antifashiste, temën e industrializimit, karakteristike për kohën, po të përjetuara me ndjenjë, (veçanërisht te poema e quajtur “sintezë” (soditje ose poema lirike mozaikale, “Rruga është e gjatë” që poetesha ua kushton grave shqiptare (titulli është thellësisht realisht). Këtu ndeshim figura të fuqishme simbolike si: “Pranë na ishte toka / e rrudhur si ne / e tharë si ne / e shtypur si ne / e fortë si ne / si ne nuk lodhej së mbajturi në gjirin e pashtershëm jetën”…. Do të thoshnim që simboli i tokës, i ardhur nga tradita dhe i rivitalizuar nga Dritëro Agolli, merr një dritë të re nëpërmjet një ndjeshmërie femërore që përvijon një paralelizëm midis tokës-nënë dhe gruas-nënë Një metaforë e goditur është edhe kjo: “ Ylber / pas shirave të lotëve / ishte për ne buzëqeshja e fëmijëve tanë”. Metafora-simbol për tokën rimerret më poshtë në vijë ngjitëse: “Kemi kaluar ndër kohëra / të heshtura si toka / të fuqishme si toka / jetëdhënëse si toka/ si toka kemi fshehur thellë në gjirin tonë / mijëra burime që prisnin rastin për shpërthim?..”. Në këtë poemë gruaja shihet në aspektin e saj të dyfishtë: në aspektin tradicional të amësisë dhe në aspektin e ri të luftës për lirinë e atdheut dhe për të drejtat e veta. Poema ka një nivel të pabarabartë estetike në ngjitje-zbritje, ku lirizmi dhe figuracioni shprehës ndërthuren me retorikën buçitëse, po përfundon me një mbyllje të bukur, plot besim te e ardhmja, ku vargjet e fundit që shtrihen në bazë planeti : “Dhe ne atëherë/ do të jemi shndërruar në drita/ që të shohin udhën e tyre/ thellë ndër natë/ gratë e gjithë botës”., kanë një reminishencë të lehtë nga poezia arbëreshe, që e deshi aq shumë, se autorja është edhe poete, edhe studiuese. Edhe tema mjaft e njohur e aksionit konkretizohet nga autorja përmes kujtimit të shoqeve që vijnë drejt saj “Mbi urë kujtimesh” dhe në ndonjë rast përmenden edhe me emër ose skicohen përmes ndonjë detaji. Poema është lirike me ndonjë element rrëfimtar dhe mbyllet me një legjendë popullore, ka një romantikë naive. Po krahas këtyre temave, të zakonshme për kohën, gjejmë lirika dashurie dhe pejzazhe, gjejmë figurën e nënës së shtrenjtë të humbur. Befasues është krahasimi për liqenin e Ohrit : “Si një sy i madh/ i kaltër, i dlirtë/ ti pasqyron/ blerim dhe hapësirë”. Dhe konkluzioni meditues: “ …ndoshta/ ke ardhur ti në jetë/ të njohë atdheu / bukurinë e vet”. Krahasimi “sy” rikthehet te imazhi i mimozave si “sy” të artë/ të pranverës. Elegjia “Nënës sime” bazohet mbi një gjetje të goditur: ashtu si nëna e saj i këndonte autores-fëmijë për ta vënë në gjumë, në kohën e mëvonshme autorja i këndon nënës që s’ është më, me synimin e pamundur për ta zgjuar. Figura e nënës vizatohet në mënyrë impresioniste përmes duarëve “ledhatuese” dhe : “buzëqeshjes së kthjellët”. Në këtë vëllim, çuditërisht nuk e gjejmë Tiranën, vendlindjen e autores, të pranishme në vëllimin e parë, po Gjirokastrën, vendlindjen e të atit midis së vjetrës dhe së resë dhe dy qytete, Fierin dhe Shkodrën që shihen në evolucionin e tyre, me tone ekzaltuese, po të çiltra. Vjersha që hap vëllimin: “Duke kërkuar dritën”, i rikthehet një motivi të rinisë së parë, një vjershë me simbole kozmike, “Kur po kërkoja dritën”, po duke e trajtuar tashmë, jo nëpërmjet abstraktsioneve, po në rrafshin konkret të heroizmit njerëzor. Kjo vjershë hapet dhe mbyllet me dy vargje filozofike: “Njeriu lind me etjen për dritë / Mbyll sytë me etjen për dritë”. Një vëllim i poetes Klara Kodrës që u botua në Prishtinë më 1972, “Rrugë të hapura”, shkruan vjershat më të mira të vëllimeve të para dhe nja dy vjersha, të ndaluara nga censura në Tiranë, me temë intime. Vëllimet e mëvonshme: “Ne rendim”, botuar 1974, “Bisedë me vëllezërit”, botuar 1984, shikojmë një pjekuri të re të autores që thellon lirizmin dhe konçizitetin. Mund të përmendim vjershën “Vëllezërve arbëreshë”, veçanërisht sintetike, ku nga njera anë theksohet largësia me vëllezërit e diasporës: në hapësirë (midis nesh një det), në kohë (midis nesh pesëqind vjet), nga tjetra, në mënyrë përmbyllëse afërsia (fytyrat e vëllezërve) si tonat të gdhendura në gur. ”Vjershat e kushtuara poetëve të mëdhenj arbëreshë De Rada dhe Serembe spikasin për freski e ndjenjë. Mund të përmendim disa vjersha me subjekt në vëllimin e tretë dhe të katërt me temë nga Lufta Antifashiste: vjersha që i kushtohet partizanes më të vogël të çetës, me gërsheta të zeza dhe sy të kaltër, që flijohet për të mbrojtur shokun e luftës, (mjaft romantike kjo), më realiste është vjersha për gruan që, pasi ia vranë të shoqin, vajti, si zakonisht, t’u çonte bukë partizanëve: e veçantë është vjersha për djalin që fle pranë shoqes bashkëluftëtare, për të cilën ka një ndjenjë të fshehtë dhe e frenon, nga një anë kodi i fuqishëm moral shqiptar, nga ana tjetër disiplina e rreptë partizane. Është mbresëlënës detaji për “Yllin e kuq” dhe “ flokët e saj”: që “ndrijnë në natën e errët”, gjithashtu edhe detaji tjetër i gjumit të saj të qetë, sigurisht nga lodhja, po edhe nga besimi te djali. Poetesha vazhdon të lëvrojë poemën dhe ka një shpërthim krijues te poema : “Shkëmbi që theu dallgët” ku shkëmbi mund të sintetizojë si Shqipërinë ashtu edhe heroin kombëtar. Kjo metaforë – simbol është trashëguar nga romantizmi dhe nuk përbën risi, po risinë mund ta shohim në vetëndërtimin origjinal të poemës, e strukturuar në mënyrë origjinale në bazë të tablove epike dhe intermexove lirike me monologje, ninulla dhe elegji. Figura e Skënderbeut shfaqet dhe spikat në tri momente: meditimet e tij në oborrin otoman kur heroi merr vendimin e kthimit në atdhe, vetëkthimi në Krujë: netët e tij para betejave dhe veçanërisht nata vendimtare. Mbyllja është veçanërisht e fuqishme: një mesazh shprese dhe besimi që mishërohet përmes figurës së diellit që agon: “Si premtim i ndritur / i purpurt si flamuri ynë / shkrepi dielli”. Zëri kryesor rrëfimtar është në vetë të tretë, po monologjet e Skënderbeut dhe intermexot ku shfaqen figura të ndryshme nga populli i japin karakter polifonik, gjë çka është e re për poemat e asaj kohe. Krijohet kështu një kor zërash të ndryshëm, po të shkrirë në një vullnet të vetëm: një luftëtar që po vdes, një adoleshent që s’i durohet për të nisur luftën, një djalë i ri, që ndahet midis dy dashurive, Shqipërisë (Arbërisë) dhe së dashurës; një nuse e re që, duke i kënduar ninullë të birit, shpreh shpesh që ai të rritet sa më shpejt për të mbrojtur atdheun, një nënë tjetër që, duke vajtuar fëmijën e njomë të vrarë nga ushtarët otomanë, e shndërron dhembjen në dëshirë për hakmarrje, një vajzë në lule të moshës që s’ kërkon të jetë e bukur, po e fortë si burrë për të luftuar. Poema është nga më të realizuarat e autores dhe, mund të shtonim pasurim të letërsisë sonë me këtë temë. Këtë krijim të autores e patën vlerësuar studiuesi i njohur Jorgo Bulo dhe studiuesi austriak Karl Trajmer që në fragmentet e para të botuara në shtyp në vitet 1967-68. Një hop të vërtetë krijues e përbën vëllimi “Fjalë të pathëna” (botuar në Shkodër, më 2001) ku autorja shpalos me të gjitha ngjyrat temat intime temën e dashurisë së cilës i kushtohet një cikël i tërë, temën e njerëzve të dashur të humbur ku rikthehet figura e nënës, tok me atë të babait dhe të një shoqeje të vdekur, temën e fëmijëve dhe brezit të ri që mishëron të ardhmen, midis të cilëve është edhe biri i adoptuar i autores, tema e dashurisë për atdheun e nënës, Italinë që poetesha e zbulon vonë, tema e dashurisë për motrën e vetme, për nusen e dajës që i kujton nënën. Në tërë vëllimin gurgullon një lirizëm i vetvetishëm. Lirika e mendimit bëhet një me atë të ndjenjës. Figurat e nënës dhe të babait gjallërohen përmes detajesh: imazhi i dy mëngjeseve, mëngjesi që lindi autorja dhe mëngjesi i humbjes së nënës; një fakt i vogël jetësor që ngrihet në simbol: i ati i autores po daktilografonte shkrimet e së bijës që vdekja ia la përgjysëm; për herë të parë ai s’e mbajti “fjalën”; e bija i thërret të kthehet, për ta mbajtur besën si në baladën e Konstandinit, po është e vetëdijshme se babai mund të kthehet veç në ëndërr (“Zemra dhe makina”) ; në një vjershë tjetër poetesha sjell ndërmend buzëqeshjen e babait si dikur atë të nënës. Figura e nënës jepet edhe e shkrirë me pejzazhin italian (“Qyteti i nënës sime”.. ”Në këtë qytet”. “Perëndimi në Romë”). Në këtë vëllim ka një larmi temash që krijojnë tablo të shumta, po edhe shtojnë ngjyrat në portretin e autores. Rikthehet edhe lloji i poemës në poemthin “Blerimi i zi” që i kushtohet tragjedisë së Kosovës, temë e re në krijimtarinë e poeteshës, e ndjerë dhe tronditëse. Me temat intime dhe të pejzazhit në lirikat e vëllimit ndërthuren edhe tema politike, sociale, filozofike. Një vjershë simbolike dhe konçize, “Mirazhi” shpreh dramën e një populli të gënjyer nëpërmjet dritës-mirazh të socializmit, ndërsa vjersha “Duhet të rilindim” shpreh shqetësimin për një rilindje të vërtetë politike-sociale-kulturore, pa ngatërruar “gjethet e thata” me “pemën”, dukuri kjo që kishte filluar të verifikohej, “Paradoks” shpreh dramën e brezit të autores “që ü plak / pa u rritur”. Në poezinë e dashurisë poetesha ka shtuar hovet lirike, po duke ruajtuar një vetëpërmbajtje që i kundërvihet një lloj konkretësie të tepruar të lirikës së sotme erotike, pasojë e thyerjes së tabuve, disa detajeve të vrazhda në caqet e banalitetit. Vetëm rrallë kjo poezi përshkohet nga një sensualitet i lehtë si në metaforën dygjymytyrëshe “vera e puthjeve”në vjershën njëstrofëshe “Jam mbushur e tëra me kengë” ku shkrihen dashuria për të dashurin me dashurinë për poezinë. Edhe figuracioni i poezisë së poetes Klara sikur ka rilindur duke marrë aty-këtu ngjyra moderniste (mund të kujtojmë metaforën me të cilën autorja përkufizon njeriun e dashur “Peshku i artë” që ajo s’e kap dot “me rrjetën e krahëve” dhe që me vargje do t’i bëjë “një rrjetë flori”. Kjo metaforë simbol sikur vjen nga bota e përrallave: peshku i artë lidhet me dëshirat e pakufizuara dhe me frikën e humbjes; (ngjan disi e çuditëshme në antropomorfizimin e saj). Për herë të parë në poezinë e poetes së lartpërmendur shfaqet oksimori në ciklin e vjershave të dashurisë (djall-engjëllor). Në vëllim ndeshim edhe temën e amësisë, e jetuar nga autorja, herë në vetë të parë në vjershën e kushtuar birit në shpirt që ka vajtur në emigracion; herë në vetë të tretë, herë shpreh ndjenjat e një nëne të re (“Monolog i një nëne të re”). Poezia e Klara Kodrës vijon të pasurohet me tema, metrikë dhe figuracion në vjershat e botuara në shtyp pas vitit 2001. Për herë të parë poetesha lëvron me sukses haikun në ciklin që ia kushton mbesës së vogël Samanta dhe është thellësisht lirik dhe konçiz. Sonetin ajo e kishte lëvruar në një elegji për të ëmën, e shkruar në kohën e diktaturës, po e botuar në vitet e demokracisë. (“Nënës sime”). Mund të përpiqemi të gjejmë në poezinë e kësaj autoreje disa fjalë-çelës: dielli, deti, burimi, lulet që jepen në mënyrë të larmishme: luleshqerrat, vjollcat, mimozat, trëndafilat, lulet e bajameve, lulet e mollës, zambakët, trëndelina, lulekuqet, lulet e diellit. Në krijimtarinë e kësaj autoreje alternohen vjershat për perëndimin me vjershat për agimin. Në disa raste ndeshim figurën simbolike të kupës që mund të shihet si ndikim nga Naimi. Kupa që autorja pi mbi “sofrën” simbolike të detit dhe “ka aromë, lot e dritë” simbolizon lidhjen e saj me birin e adoptuar që ndodhej në emigracion. Kupa e zjarrit apo e flakës për poeteshën simbolizon rininë me afshin, po edhe përkohësinë e vet. Ndër lulet poetesha parapëlqen mimozën si simbol bukurie të brishtë, po edhe guximin. Klara Kodra është nga të paktët poetë që i këndon detit, ndonëse s’është e lindur në ndonjë vend bregdetar; deti simbolizon për të lirinë dhe rininë e përjetëshme. Fauna në poezinë e Klara Kodrës është e rrallë: përmenden flutura, shqipja, bleta, po mbizotëron figura e maces, ndoshta e lidhur me përjetimet jetësore të autores, ndoshta e parapëlqyer si kafshë që e do lirinë dhe është e bukur dhe elegante. Dihet që kjo temë i frymëzoi simbolistët si Charles Baudelaire. Në poezinë e viteve të fundit shohim një pasurim të leksikut teknologjik me imazhin e kompjuterit. Vëllimi që po bën gati poetesha për botim, ka një titull të veçantë “E shkruar në kompjuterin e qiellit”, përmbledh vjersha të shpërndara në shtyp që i kemi pasur parasysh edhe ne. Lirika e Klara Kodrës është kryesisht një lirikë “urbane”. Mbizotërojnë disa qytete, Tirana, Gjirokastra, Korça dhe Roma që u përgjigjen vendlindjes së saj dhe të prindërve ose shtegtimeve të të atit mësues. Gama e ngjarjeve në këtë lirikë është relativisht e pasur, në të ndeshim, të kaltrën, të kuqen, të bardhën, të zezën, të trëndafiltën, të gjelbrën, të artën dhe të argjendtën. Vihet re një parapëlqim ndaj së kaltrës Kjo poezi, ndonëse shtrihet në një hapësirë gjysëm shekullore, është ende në evolucion. Poetesha bën pjesë ndër ata poetë shqiptarë që evoluan bashkë me atdheun, po rruga e poezisë së saj nuk është drejtvizore, po me ulje-ngritje: mund të veçosh vëllimin e dytë, të tretin dhe të fundit. Klara Kodra është e prirur ndaj lirikës së shkurtër, po e ka realizuar vetveten edhe në poemat. (“Rruga është e gjatë”, “Shkembi që theu dallgët”, “Ditar pas telave me gjemba”. “Rekuiem ose simfoni me shumë zëra”, “Për ty, baba”) është një poezi e qartë, çka s’do të thotë që s’është e thellë. Figuracioni në këtë poezi mbizotëron mbi detajin, ka një prirje drejt meditimit. Kjo poezi, herë-herë është ndeshur me dy rreziqe, retorizmi dhe fluiditeti i tepruar, po nuk do ta quanim si ndonjë kritik dashakeq, “e ftohtë dhe metalike”, dhe as si ndonjë kritik tjetër, “si valë” që s’mund të kapet. Në vjershat më të mira Klara Kodra arrin konçizitetin dhe formën sintetike. Poetesha e ka përtërirë vetveten, pa e tradhëtuar thelbin e vet, pa u dhënë pas modave të errësisë dhe ekstravagancave të kërkuara. Në poezinë e saj, krahas lirizmit meditativ, ndeshim edhe tone polemike, që herë shkrihen me lirizmin, herë jo. Kjo poezi do të meritonte një vëmendje më të madhe nga kritika.
Në këtë vështrim u munduam të fokusojmë disa veçori, pa pretenduar se është thënë gjithëçka për krijimtarinë e kësaj poeteshe të talentuar.