
Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/
Mënyra e përcaktimit të rreziqeve dhe kërcenimeve lidhet me interesat e sigurimit kombëtar, rajonal e global. Çdo shtet harton strategjinë e sigurimit dhe parashikon rrugët për realizimin e objektivave të saj. Problemi themelor i strategjisë së sigurimit të një shteti dhe kombi është përcaktimi i interesave kombëtare, të cilët mund të jenë të mbijetesës, jetësore, madhore apo periferike.
Nëse këto interesa përcaktohen me objektivitet, atëherë edhe rreziqet e kërcenimet që cënojne ato përcaktohen drejt. Vendet kanë interesa kombëtare jo të njëjta, si pasojë edhe rreziqet dhe kërcënimet nuk janë njëlloj për të gjithë. Kuptohet që shtetet e vogla kanë më shumë rreziqe e kërcënime, sidomos kur ato janë shtete të rinj ose kanë pasur shndërrime të rëndësishme. Asnjë shteti nuk i duket e drejtë të trajtohet si inferior, secili synon të konkurojë në politikë, ekonomi dhe fusha të tjera. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo që për një shtet duket e logjikshme, për një shtet tjetër nuk është e tillë. Shtete të ndryshme për vetë kushtet e rrethanat e tyre rrezikohen e kercënohen në mënyra të ndryshme. Por a janë e njëjta gjë rreziku dhe kërcënimi? Rreziku përfshin në vetvete një gjëndje të përgjithshme jo të zakonshme, jo normale, e cila sjell destabilitet apo mënjanim nga zhvillimi normal i ngjarjeve. Ai duhet të merret në shqyrtim për t’u menaxhuar me masa e veprime përkatëse në një kohë të caktuar, me përkushtim të caktuar, për t’u mbajtur në gjendjen ekzistuese duke parandaluar përshkallezimin e mëtejshëm të tij.
Kërcënimi është një evoluim i menjëhershëm ose i përshkallëzuar i një rreziku konkret të paadministruar ose të administruar në mënyrë jo efektive. Ai konkretizohet deri në përdorimin e mjeteve të ndryshme, duke përfshirë mjetet e dhunës, duke vështirësuar dhe vënë në diskutim gjendjen ekzistuese. Kështu kërcënimi mund të përkufizohet si rrezik konkret, i shkallëzuar dhe me objektiva të përcaktuar qartë.
Kërcënimi ndaj sigurimit kombëtar kosiderohet kur një ose disa nga iteresat dhe vlerat më të rëndësishme kombëtare të një shteti ose kombi denigrohen në ekstrem nga veprime të jashtme, të brendshme ose të kombinuara. Ndikim të madh në sigurinë e vendit sjellin ato kërcënime të jashtme, që mund të rezultojnë në konflikt të armatosur. Nisur nga shtrirja, rreziqet dhe kërcënimet mund të jenë globale, kombëtare dhe rajonale. Me të drejtë mund të lind pyetja; Cilat janë rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë tonë kombëtare.
Problemet etnike kanë qenë e janë të pranishme veçanërisht në Ballkan. Por më të mprehta janë ato që lidhen me vëndin tonë. Me probleme të tilla janë të lidhura pothuajse të gjitha shtetet kufitare. Kur kontradiktat ndëretnike nuk zgjidhen sipas normave dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare, ato bëhen shkak për ndërmarrje të vështira, deri ne konflikt të armatosur. Deri më sot janë të rralla ato shtete, ku etnitë janë asimiluar nga njëra- tjetra. Me fjalë të tjera që vlerat kulturore të etnise mbizotëruese të jenë bërë edhe vlera kulturore për etninë më të vogël. Pra, kësaj të fundit t’i jenë asimiluar vlerat e saj, nga vlerat e etnisë e të jetë homogjenizuar me të. Ruajtja e vlerave kulturore të popullit apo etnisë është e drejtë e tyre e natyrshme, që buron nga vetë cilesitë e etnisë. Është pikerisht kjo cilësi, që buron nga thelbi i vetë etnisë, nga natyra e saj që përcakton dallimet e veçoritë nga etnitë e tjera. Cilësitë: si gjuha, zakonet, doket, flamuri, këngët, marredhëniet e jetesës, përbëjnë vlera që të paktën deri tani nuk janë asimiluar, por edhe mbrohen nga normat ndërkombëtare. Në rastet kur etnitë jetojnë në territorin e tyre, forca dhe qëndrushmëria e tyre është vitale dhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare e drejta e tyre shkon deri në vetëvendosje.
Shqiptarët që iu aneksuan në kohët moderne padrejtësisht ish Republikës Federale të Jugosllavisë, janë në lidhje e në vazhdimësi me tërësinë territoriale të shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë. Ata kanë vlerat e tyre kulturore (gjuhën, zakonet, doket, marredheniet, flamurin, këngën) që nuk kanë asgjë të përbashkët me ato serbe, por që u synua të asimiloheshin nga serbët ose të shkatërroheshin me çfardo mjeti e makinacioni. Në qoftë se problemi shikohet me vëmendje, shqiptarët e Kosovës, nga përmbajtja natyrore kanë të gjitha karakteristikat e të gjitha të drejtat që sot nga shtet edhe për tu bashkuar me shtetin amë. Kjo është aresyeja që çdo zgjidhje jashtë logjikës së mësipërme, e pjesshme, asnjëherë nuk do ta zgjidhë problemin dhe githnjë e më shumë do të çojë në ndërmarrje të paparashikueshme, që do të kërcënojë sigurinë siç po ndodh.Tregusi më i qartë i papajtushmërisë ndërmjet etnive është vazhdimi i konfiktit deri edhe në përplasje me armë midis strukturave të sigurisë në Kosovë dhe forcave destruktive serbe të mbështetura nga Beogradi, të cilat me çdo mjet përpiqen të destabilizojn shtetin e Kosovës.
Problemet e kontradiktat etnike janë të lidhura edhe me problemet territoriale. Për etnitë që nuk janë në territoret e tyre, synojnë t’i marrin ata nëpërmjet realizimit të shkëputjes. Kështu mund të themi se çështja e Kosovës, më tepër se çdo gjë tjeter është një çështje territori. Dihet se territori i saj është nga më të pasurit me pasuri nëntokësore, mbitokësore e ujore. Pikërisht këta faktorë janë përcaktues për mbijetesë. Për serbët nuk është problem popullsia e Kosovës, pasi për ta nuk paraqet asnjë interes, prandaj vazhdimisht kanë synuar largimin e saj nga trojet e veta. Territori i saj ishte qendra e rëndesës ekonomike për Serbinë. Është kjo aresyeja që edhe tani që Kosova është shtet, Serbia akoma përpiqet që ta kthejë atë pjesë të saj.
Për analogji, në kushtet tona rrezik mund të përbëjë nxitja padrejtësisht nga segmentet ekstremiste të minoritetit grek në Shqipëri. Dihet se atij i janë plotësuar të gjitha mundësitë për ruajtjen e vlerave të tij kulturore e të kontaktit me shtetin amë. Por pavarësisht nga këto, kjo mundet që forcat ekstreme, siç kanë vepruar në të kaluarën dhe disa segmente të caktuara dashakeqëse edhe sot, në mënyrë të padrejtë, të nxisin probleme territoriale (të ashtuquajtura teori të Vorio Epirit). Këtë gjë mund ta bëjnë nëpërmjet nxitjes deri në shkëputje të minoritetit grek në Shqipëri. Dihet se ato nuk janë në territorin e tyre, por që nga forcat ekstremiste do të mundohet të justifikohet me teorinë e “Veriut të Epirit”. Probleme mund të lindin edhe nga mosnjohja e të drejtave që i takojnë popullsisë çame të përzenë me dhunë dhe për arsye se trojet e tyre iu aneksuan Greqisë.
Nga këta shëmbuj del qartë, se përsa u takon shqiptarëve dhe trojeve të tyre të aneksuara padrejtësisht nga fqinjët, se ata nuk janë shkak për destabilizim, por janë të tjerët. Ishte shteti serb që nuk u lejon atyre të gëzojnë të drejtat që u jep të qënurit komb dhe tani shtet. Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk do të zgjidhë çështjen shqiptare në mënyrë të drejtë e përfundimtare, do të bëhet shkak për tensione e kërcënime deri në konflikt të armatosur, siç ka ndodhur deri tani.
Kuadri i rreziqeve ndaj vendit dhe kombit tonë është i një karakteri tepër kompleks. Shqipëria po kalon një tranzicion kaotik të gjatë e teper të vështirë në kushtet e mungesës së një përvoje historike demokratike. Ky tranzicion pa rregulla loje (ishim i vetmi vend pa kushtetutë pas viteve 90-të) u shoqërua dhe po vazhdon akoma edhe pas 33 viteve demokraci me kriza politike, konstitucionale, ekonomiko-financiare etj. Pozicioni gjeografik dhe shtrirja etnike jashtë kufijve politikë, ku më shumë se gjysma e popullsisë jeton jashtë shtetit amë ka bërë që rreziqet të jenë më të mundshme. Gjithashtu dominimi i popullsisë fshatare, destabiliteti i theksuar politik e prapambetja e thellë ekonomike, ekziszenca e një përbërjeje rajonale heterogjene dhe përzjerje etnike, përplasje të qytetërimeve, kulturave e besimeve fetare në rang kombëtarë e bëjnë spektrin e rreziqeve e të kërcënimeve mjaft të mundshëm e të shumllojshëm.
Shoqëria shqiptare është e rrezikuar në aspektin social për arsye të mbizotërimit të psikologjisë së vjetëruar, e ndërthurur edhe me prapambetjet ekonomike dhe mungesa e kulturës dhe e traditës demokratike në vendet e rajonit. Shqetësuese dhe alarmante është shpopullimi i vendit dhe këto pasoja do të jenë katastrofike pas jo më shumë se 20-30 vite. Akoma më shumë përbëjnë premisa për rrezik disa aspekte të urrejtjes së hershme kombëtare etnike midis vendeve, lëvizja e refugjatëve, terrorizmi transnacional e krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme etj.
Dizinformimi i opinionit publik është një instrument i rrezikshëm për stabilitetin e brndshëm. Në sistemin demokratik ekzistenca e medias së pavarur dhe e gazetarëve të përgjegjshëm për misionin e tyre është domosdoshmëri dhe normë demokratike. Nëpërmjet tyre opinioni publik shqiptar mbahet i informuar me një frymë të pavarur dhe në gjendje të debatojë për interesat e tij.
Situata e sotme e zhvillimeve gjeopolitike dhe gjeoekonomike nxjerr në pah vleresime të reja mbi rreziqet e kërcënimet ndaj sigurimit kombëtar. Ato karakterizohen nga kompleksiteti, natyrat e ndryshme dhe vështirësia e parashikimit. Mjedisi i sotëm dhe i ardhshëm strategjik do të perfshijë një spektër të gjërë të ndryshëm dhe të mpleksur të rreziqeve e kërcënimeve të jashtëme e të brendshme.
Kërcënimet dhe rreziqet e jashtme vënë në rrezik sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit, si rezultat i përdorimit të forcës ushtarake ose formave të tjera që synojnë të njëjtin qëllim. Kërcënim aktual për rajonin tonë është nacionalizmi. Shembulli më tipik i një kërcënimi të tillë ka qënë politika e ndjekur nga Serbia në Kosovë gjatë konfliktit të armatosur në vitin 1999 dhe është për të ardhur keq që po vazhdon edhe sot pas mbi 20 vite që Kosova është shtet i pavarur.
Zhvillimet e atjeshme patën ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Shqipërisë në formën e provokacioneve ushtarake dhe të shkeljes së territorit dhe hapësirës ajrore. Një rrezik i tillë behet më i pranishëm në Ballkan, si pasojë e gjendjes konfliktuale të trashëguar, ekzistenca e një numri të konsiderueshëm nacionalitetesh brenda një shteti, tendencat për krijimin e shteteve-kombe. Aresye tjetër që mud të bëhet shkak për konflikt është niveli i ulët i respektimit të të drejtave të njeriut dhe i zhvillimit ekonomik. Trajtimi i një etnie si qytetarë të dorës së dytë është një shkak tjetër që mund të sjellë konflikt siç ndodhi në Maqedoni.
Një rast tjetër i kërcënimit me natyrë ushtarake mund të jetë kur një shtet ushqehet nga ndjenja nacionaliste të vijueshme dhe strukturat përjetojnë ose udhëhiqen nga këto ndjenja, dhe e çojnë vëndin drejt një konflikti ushtarak për të realizuar qëllime ekspansioniste, siç po përpiqet sot Serbia. Prania e një arsenali të madh armësh në rajonin për rreth vendit tonë përbën një tjetër rrezik.
Siç shihet, rreziqet dhe kërcënimet për sigurimin tonë kombëtar janë mjaft të komplikuara. Nisur nga kjo arsye, në një farë mase është mjaft e vështirë, si përcaktimi ashtu dhe marrja e masave efikase për parandalimin e tyre. Prandaj del i domosdoshëm kombinimi i masave në mënyrë që të minimizohet mundësia e rreziqeve dhe e kërcënimeve deri në parandalimin e tyre ose të arrihet minimizimi i mundshëm i pasojave që ato sjellin.
Nga masat më të domosdoshme mund të jenë stabilizimi i plotë i jetës politike në vënd, bazuar në vlerat e demokracisë, konsolidimi i insitucioneve të shtetit, si dhe rritja e besimit të publikut ndaj tyre. Ka ardhur koha që të kemi një strategji kombëtare gjithëpërfshirëse.
New York, Janar 2024