Nga Fritz RADOVANI/
Nga viti në vit po ndryshohen kalendarët dhe me ta edhe datat…e festave, perkujtimore, dhe të tjera shenja të veçanta që ishin të shenueme aty. Nuk asht problemi tek festat fetare, se ato merren vesh dhe pa kalendar, u mësuem mbas 1967, kur nuk kishim ku me i gjetë të shenueme.
Bashkë me datlindje festohej edhe dita e emnit… Festat fetare ishin të mëshefta!
Kujtoj, shumë vite perpara kur pata lexue një prozë të shkurtë të At Gjergj Fishtës, per Ditën e të Shuemëve, në Rrëmaj të Shkodres. Një kryeveper, si shumë shkrime të tjera të Tij!
Ajo ishte një ditë krejt e veçantë në Shkoder. Edhe pergatitjet në Rrëmaji fillonin disa ditë perpara, ku sejcili, mendonte per një tubë lule apo per pastrimin e vorreve të familjes së vet.
Me datës 2 Nandor, ku shenohej në kalendarin fetar katolik “Dita e të vdekunëve”, ishte fillimi i perkujtimoreve, që vazhdonin deri tek e diela që mbyllej edhe java e atyne kujtimeve…
Disa i thonin “Java e Purgatorëve”, mbasi edhe lidhej me “jeten e lumtur” të Shkodres!
Në Shkoder nuk perdorej fjala e “të shuemëve”, na dukej se tingllon keq, mbasi fjala “me u shue”…sikur, merrte kuptimin e vrashtë të “shfarosjes”…dhe, perdorej per fise që komunistët i kishin “shue”, “qitë fare”, “zhdukë” pra, “pa trashigimtarë”…E këta fise nuk ishin pak! Nuk do ti rreshtoj këtu ata fatzezë që kam mërrijtë me njoh unë, mbasi qellimi i këtij shkrimi nuk asht ai.
Kjo foto që shihni këtu, na kujton një prej ngjarjeve ma të mëdha të Historisë sonë!
Plot 135 vjetë maparë, në vitin 1878, në Prizrenin Shqiptar u krijue “Lidhja e Prizrenit”…
As Kryetari i Delegacionit Shkodres tek ajo Lidhje, Daut Efendi Boriçi, endè sot nuk e ka një bust në qendren e qytetit të Shkodres, edhe pse përfaqsia e Tij atje ishte një nderim per ne!
Prizreni i 1878…
At Gjergj Fishta i këndoi:
Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,
Eja e t’kndojm, oj Zana e malit,
Eja e t’kndojm më Lahutë t’ Malcis,
Si ata Krenët e Shqyptaris
Në Prizren na janë bashkue
Për me folë me bisedue,
Shqyptarinë se si m’e pshtue
***
Sa per Mbretin e Stambollit,
***
Mund t’i thoni, se Shqypnija
Nji shportë fiqash nuk ka qillue,
Per m’u a da miqve peshqesh.
Por asht toka e t’ Parvet tonë,
Asht Atdheu, po i Skanderbegut,
Asht Atdheu, po, i Mojs Golemit
E i atij Lekë Dukagjinit,
Edhe i Kukës edhe i Muzakut
Edhe i Strezës e i Aranitit,
Qi e kan la t’ tanë me gjak t’Turkut.
Prandaj s’ka as Krajl as Mbret,
Qi ket tokë e falë a e shet,…
Dhe pikrisht, në këte 135 vjetor, mendoni Ata Shqiptarë të Prizrenit t’ atëhershëm… me 23 Tetor 2013, të mbledhun me ndigjue nga këta tre “kryeministra” hyqimetesh, një tjeter “vaki”: “Kosova është Turqi e Turqia është Kosovë”…
Nuk deshta me u besue syve… Po, kur lexova deklatën e Imz. Dodë Gjergjit, ku tregon:
“…sikur në fund të çdo dite bie muzgu dhe errësira i vë nën pushtetin e vetë të gjitha gjërat, ashtu ndodhi dje pasdite në Prizren, ku doli në pah ligështia nostalgjike e disa shqiptarëve, ambiciet neotomane të miqëve (“vëllezërve të disave”) dhe dëshira e kryeministrit turk Erdogan, që të jetë padroni i shqiptarëve. Kjo e la një hije të keqe mbi bukurinë e ditës së djeshme…”
Ajo deklaratë ishte: Një qendrim i duhun, në kohë dhe burrnor!
Sa mirë do t’ ishte që politikanët mos të ndotin pusat ku ka pij ujë Nanë Tereza, dhe as rrugët e Dardanisë, ku kanë shkelë të zbathun Atdhetarët tanë! E nuk janë aq pak sa me u harrue!
***
Erdogan kerkon me ngulm nga “vllezërit e vet”: Edhe “Historia e Shqipnisë”…duhet “ndryshuar”, pra, “ngjarjet e ditëve xhuma, duhen vue me datat e kalendarit turk”… Jo, me ate “arnaut”! Një monument i Haxhi Qamilit do të duhej tek Akademia e Shkencave të R.Sh., pranë “pasuesit të vet”, Sabri Godo…që vërtetë me veprat e veta i paraprinte “vllezërve të gjakut”..!
■Mos ndoshta, “Dita e të SHUEMËVE”, me kalendarin turk, bie me 23 Tetor 2013…
KUR “KËTA”… MENDOJNË E VEPROJNË, “ME SHUE” TROJET SHQIPTARE ?
Melbourne, Nandor 2013