-Guvernatori Andrew Cuomo i komentoi shifrat e këtyre ditëve si më të mirat, dhe që shënojnë grafikun më pozitiv ditor në rekordet e deritanishme, që prej 19 Marsit, aty ku filloi situate e tmerrshme, para se New Yorku të futej në humnerën e mistershme të virusit të padukshëm COVID-19.
- Tre rajone të shtetit të New York-ut janë gati për të filluar rihapjen të Premten e 15 Majit. Rihapja ekonomike do të ndodhë në katër faza.
-Kryebashkiaku Bill de Blasio nuk pret që bizneset jo thelbësore të rihapen para qershorit në NYC.
Përgatiti: Dalip Greca
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar të ndjejnë uljen e agresivitetit të koronavirusit.
Sot u regjistruan rreth 3 mijë të infektuar më pak se një ditë më parë, ndërsa numri i viktimave për dy ditë radhazi është nën shifrën 1 mijë, kur jo më larg se 5 ditë të
shkuara shifra ishte mbi 2 mijë.
Në fakt peshën më të madhe të infektimeve dhe të vdekjeve i mbanë New Yorku, i cili ka shënuar 347 mijë e 151 të infektuar dhe ka humbur më shumë se 27 mijë jetë, nga 81 mijë e 759, që kanë vdekur në të gjithë shtetet e tjerë në Amerikë. Nëse New Yorku është mirë, edhe Amerika ndjehet mirë.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo të hënën në mesditë bëri thirrje për parapërgatitje për kalimin në një fazë të re të shtetit që ai qeveris. Jemi në një fazë emocionuese, tha ai, duke përmendur faktin se rastet e infektimeve me Koronavirus vazhdojnë e bien ndjeshëm, dhe spitalet janë në normalitet përsa i përket ngarkesës.
Mjafton të ndjekim grafikun e humbjes së jetëve të pacientëve gjatë javës së fundit për të kuptuar ndryshimin e situatës në New York, qendrën e Pandemisë në SHBA: Me 2 maj New York-u regjistroi 299 viktima, me 3 Maj 280, me 4 maj 296, me 5 maj 260, me 6 maj kurba u ngjit në 752 vdekje, me 7 maj 409, me 8 maj 220, me 9 maj 186, me 10 maj 41, ndërsa ditën e sotme, e hënë 11 maj, shteti regjistroi 191 të vdekur. Po t’i krahasojmë këto shifra me ditët e ngarkuara të fundmarsit dhe përgjatë prillit, me më shumë se 1 mijë viktima 24 orëshe, shifrat e tanishme dëshmojnë për një situatë të stabilizuar, e cila është në kontroll të plotë.
Ishte kjo arsyeja përse guvernatori e përshkroi këtë si emocionuese. Ai raportoi në konferencën para gazetarëve të hënën me 11 Maj se Shteti i New i York-ut kishte vetëm 488 raste të konfirmuara të COVID-19 të raportuara gjatë 24 orëve të shkuara, së bashku me 191 vdekje ,që lidhen me sëmundjen e koronavirusit. Guvernatori Andrew Cuomo i komentoi shifrat si më të mirat, dhe që shënojnë grafikun më pozitiv ditor në rekordet e deritanishme, që prej 19 Marsit, aty ku filloi situate e tmerrshme, para se New Yorku të futej në humnerën e mistershme të virusit të padukshëm COVID-19.
Guvernatori Cuomo gjatë konferencës ditore të së hënës kushtuar COVID-19, tha se tash jemi në anën tjetër të malit. Kjo është një fazë e re emocionuese, të gjithë jemi të shqetësuar për t’u rikthyer në punë, sa më parë, komentoi ai.
Cuomo shprehu bindjen se disa rajone të Nju Jorkut (ato të pjesës së sipërme të shtetit) që kanë treguar përparim në zbutjen e shpërthimit të koronavirusit janë gati të fillojnë përsëri gradualisht aktivitetin ekonomik deri në fund të javës.
Duke bërë bilancin e betejës kundër koronavirusin, që 22 Marsi, kohë kur guvernatori i bëri mbyllje hermetike shtetit, që u bë epiqendra e pandemisë për të gjithë Amerikën, tha se njujorkezët ndjehen të çliruar nga ankthi i virusit të panjohur dhe po bëhen gati të nisin fazën e re, atë të rihapjes.
Ai komentoi se tre rajone në pjesën e sipërme të shtetit kanë përmbushur të gjitha kriteret për hapjen e disa aktiviteteve të biznesit pas 15 majit.
Gjithësesi ai tërhoqi vëmendjen se rajonet e rihapjes ende duhet të përpunojnë logjistikë, për ta patur nën kontroll situatën në rajonin e tyre.
Guvernatori Cuomo solli në kujtesë ato ç’ka kishte kërkuar javën e kaluar,kur tha se rajonet e shtetit duhet të përgatiten për rihapjen dhe duhet të plotësojnë 7 kushtet, që tashëm janë të njohura si: Vdekjet dhe shtrimet në spital të lidhura me COVID-19 duhej të bien në minimum dhe të ketë stabilitet; të sigurohen mjaft shtretër spitalor për të përmbushur kërkesat, nëse do të ketë infektime të reja nga rihapja, rajonet duhet të përmirësojnë testimin dhe gjurmimin e kontaktit për personat e infektuar, si dhe duhet të merren masa të forta nga bizneset për të mbrojtur punonjësit gjatë procesit të punës etj.
Rihapja ekonomike do të ndodhë në katër faza. Bizneset e para që mund të hapen do të përfshijnë ndërtimin, prodhimin, shitjen me pakicë, transportin etj..
Guvernatori u bëri një skanim të detajuar rajoneve dhe tregoi se cili prej tyre i ka plotësuar 7 kushtet dhe cili jo. Ai përjashtoi nga hapja e menjëhershme bashkitë e NYC-. Ai tha se New York City dhe Long Island kanë bërë përparime; së pari specifikuan kriteret e rihapjes rajonale, por asnjëri nuk është gati sepse ende nuk i kanë përmbushur disa nga standartet, që përmbanë urdhëri i tij për parapërgatitje për rihapje.
Natyrisht që New Yorku do të veprojë në bashkrendim me shtetet fqinjë, New Jersey dhe Connecticut, për shkak të komunikimit ndërshtetëror me njeri-tjetrin. Së bashku, zona e tre shtetshit, kanë pësuar 39 mijë e 345 viktima nga COVID-19, ndërkohë që po të tre së bashku, kanë deri tani 521 mijë e 986 të infektuar. Natyrisht se këto shifra të larta e kanë burimin edhe në komunikimin mes tyre. Rreziku i ripërhapjes së infeksionit është me rrisk të madh.
Për shtetin e New Yorkut urdhëri i guvernatorit për mbyllje skadon të Premten. Dhe sipas tij, tre rajonet që i plotësojnë kriteret e rihapjes, do të veprojnë drejt rihapjes. Ndërkohë që Kryebashkiaku de Blasio nuk pret që bizneset jo thelbësore të rihapet në NYC, para qershorit. Ai e tha këtë qartazi të hënën.
Po New Jersey? Shteti që ka deri tani 141 mijë e 70 të infektuar dhe 9 mijë e 332 të vdekur, duket se akoma nuk është plotësisht gati. Edhe Urdhri i mbylljes për New Jersey-n është paravendosur gjithashtu të skadojë në 15 maj; por Guvernatori Phil Murphy thotë se ndoshta do ta shtyjë edhe për pak kohë. Sot, 11 maj 2020, shteti që ai qeveris, kishte më shumë se 1 mijë të infektuar të rinj, ndërsa numri i viktimave pësoi ulje të ndjeshme, vetëm 70, nga 146 që ishte shifra më 10 maj, 132 me 9 maj, 130 me 8 maj, 269 me 7 maj, 280 me 6 maj, 341 me 5 maj etj.
Connecticut duket se do ta respektojë rihapjen për zona të caktuara. Tregusit janë më të stabilizuar dhe humbjet e jetëve njerëzore më të pakta: Shteti ka humbur deri tani 3 mijë e 8 jetë njerëzore, ndërsa sot kishte vetëm 41 të vdekur, me 10 maj 35, me 9 maj 35, me 8 maj 77, me 7 maj 79, me 6 maj 85, me 5 maj 77, me 4 maj 61…
Në fund të kësaj analize: A po ikën kriza e Pandemisë? Duket se endë është shpejt. Natyrisht nuk mund të ushqehemi me iluzione, ndërkohë që ekspertët thonë se kriza nuk do të mbarojë pa një vaksinë ose trajtim efektiv të virusit. Institucionet kërkimore shkencore, Kompanitë farmaceutike dhe qeveria federale janë duke punuar për të gjetur një vaksinë të shpejtë….Le të shpresojmë se e keqja ka mbetur pas!