
Nga Sokol PAJA – DIELLI/
Zakonisht për të vdekurin nuk flitet keq. Por kur i “vdekuri” ringjallet si profet biblik apo kuranor, ai e meriton një “uratë” apo “sure”. Vetëm rilindja e socialistëve arrin ti ringjallë njerëzit që vetë i “vret”. Për interesa të rëndomta politike partia-shtet ringjall “heronj” të cilët pasi i ndërsen në situata të caktuara politike kryesisht zgjedhore, pasi i përdor sipas oreksit politik të çastit i tret në harresë. Zakonisht të ikurit, të larguarit, të humburit, të zhdukurit, të vdekurit nuk janë atje ku i mendojmë, por aty ku flitet për ta dhe aty ku ata shfaqen si hije, si imazhe apo mesazhe. Me qëllim largimin e vëmëndjes publike nga menaxhimi katastrofik i pandemisë globale, me synimin që të shmangë vëmëndjen nga hetimet për lidhjet kriminale të eksponentëve të qeverisë me organizatën kriminale famëkeqe Ndragheta për pastrim parash e kulla mafjoze në Tiranë, partia-shtet ngjalli një hero qimelyer, Fatos Nanon. Një mishërim spektakolar i vesit, korrupsionit, krimit, abuzimit dhe degradimit shtetëror dhe njerëzor kur rilindasit udhëhiqeshin nga filozofi majtist i katarsisit. Për nevoja të partisë apo për fitoren e revolucionit si vëlla komunist, rilindasit e sotëm sjellin nga lartësitë e qiejve edhe ata që vetë i “varrosën” dikur. Të gjitha partitë që burojnë nga filozofia marksiste, heroin komunist e kanë njeriun ideal, njeriun e ri, për manipulim spektakolar të opinionit publik. Komunistët edhe kur nuk e kanë një hero ata e sajojnë, e shpikin, e fabrikojnë dhe e shpërndajnë këtë model për ndjekje masive. Duke nxjerrë Nanon në Tv, Rama tregoi se është vetëm, se nuk e mbështet më askush, se ndër të gjallët s’ka më përkrahje, i duhet forca e një të “vdekuri” për ta mbajtur gjallë. Ky shërbim mediatik dhe politik që ish kryeministri liberal i bëri liderit arrogant e diktatorial ishte një neveri përtej kufijve të arsyes nëse i referohemi konsideratave dhe vlerësimeve në të kaluarën që këto dy dordolecë karnivalesh kanë pasur për njëri-tjetrin. Në spektaklin 3D të qeverisjes shkatërruese të kryerilindasit Rama ndaj qytetarëve shqiptarë, dordoleci i karnivales nuk kishte sesi ti mungonte shfaqjes dhe spektaklit të çmendurisë që qeveris shqiptarët tash 8 vjet. Të mbrosh të keqen je më i keq se vetë e keqja. Nano me daljen e tij publike në televizionin kombëtar Klan i shtoi vetes një njollë turpi duke mbrojtur e promovuar atë që deri dje e përbuzte me neveritje. Hajduti i ikonave të vjedhura dhe thonjëpapreri, papritur si me shkop magjik na del politikani i maturuar dhe modeli i politikanit produktiv i dekadës së fundit. Nano është refuzuar nga shqiptarët 16 vite më pare. Me Nanon në ekran, Rama ua shpifi dhe ua neveriti edhe më shumë shqiptarëve. Edi Rama është kryeministri më i keq në historinë moderne të shtetit shqiptar. Ky huligan, ky dinosaur politik që shpartallon e pushton gjithçka e çdo gjë që i del përpara, prodhoi një qeverisje të tmerrshme për Shqipërinë: shqiptarët gjenden pa shtëpi, shqiptarë që detyrohen të braktisin atdheun, shqiptarë që u vritet shpresa, që u shkatërrohet e ardhmja, që u hiqet mundësia, shqiptarë që mjerohen, shqiptarë që varfërohen, shqiptarë që diskutojnë kafshatën, shqiptarë të harruar, shqiptarë të diskredituar, fshatra që braktisen, qytete që vriten. Pasi zaptoi të gjitha institucionet dhe pushtetet, Rama prodhoi një Shqipëri të varfër dhe të mjerë që zhytet përditë e më keq nën kthetrat e sektit të rilindjes që i pi dhe pikat e fundit të gjakut përpara se të thyejnë qafën një herë e përgjithmonë. Ndryshimi i sistemit qeverisës dhe largimi sa më shpejt i këtij sekti grabitqarësh rilindas neokomunistë, është një frymëmarrje e thellë për Shqipërinë, është një çlirim i madh nga kthetrat e shpopullimit, lidhjes së politikës me mafjen kombëtare e ndërkombëtare, degradimit të shtetit, thellimit të pabarazive shkatërruese, konfliktit social dhe varfërisë.