Arben Iliazi/
Pas Luftës së Madhe, dhe në përfundim të punimeve të Konferencës së Paqes së Parisit (1919), u hartuan Traktatet e Minoriteteve, të cilat lindën si një nevojë për të përballuar tensionet etnike që ishin ndezur për shkak të krijimit të shteteve komb. Shtete të shumta, i kthyen këto traktate pjesë të legjislacionit të tyre të brendshëm, ashtu sikurse dhe Greqia, e cila e ratifikoi këtë dokument në 29 Shtator të vitit 1923. Në prag të hartimit të këtyre marrëveshjeve nga shtetet përkatëse për mbrojtjen e minoriteteve, në një memo* të autoriteteve greke, ndër të tjera, për shqiptarët deklarohej, se:
“Edhe Shqiptarët mund të hapin shkolla speciale (për minoritetet), por ata nuk e kanë parashikuar këtë duke qenë se kanë ndërgjegje të pastër greke dhe dëshirojnë që fëmijët e tyre, pavarësisht se në ambientin familjar flasin gjuhën shqipe, të marrin një shkollim të pastër grek.” Një deklaratë e tillë nuk ishte e bazuar në të dhëna të nxjerra prej popullatës shqiptare, e megjithatë ajo mbeti e pandryshuar në mendimin e qarqeve greke ndër vite. Gjatë kësaj periudhe (1920-1923), çamët (shqiptarët) nuk mund të ankoheshin për shkeljet që autoritetet Greke bënin ndaj tyre, por edhe pas ratifikimit të këtij akti ndërkombëtar, çështjet e çamëve, të cilat dilnin në pah si rrjedhojë e shkeljeve të neneve të kësaj marrëveshje, nuk gjetën zgjidhje as në nivel ndërkombëtar, për shkak të mekanizmave të papërshtatshëm për shqyrtimin e këtyre rasteve. (Fletorja Zyrtare e Greqisë. Nr. 311. (30 Tetor 1923).
Sipas nenit 2 të Traktatit të Minoriteteve (1920), “Greqia merrte përsipër mbrojtjen e plotë të jetës dhe të lirive të të gjithë banorëve të Greqisë, pa dallim vendlindje, kombësie, gjuhe ose feje. Të gjithë banorët e Greqisë mund të ushtrojnë lirisht, në mënyrë publike ose private, çdo praktikë, fe ose besim, të cilat nuk shkojnë në kundërshtim me rendin ose moralin publik.”
Sipas nenit 1, të këtij akti ndërkombëtar, Greqia i njihte nenet 2 dhe 8 (të drejtën e shkollimit dhe të përdorimit të gjuhës amtare) si ligje themelore, mbi të cilat nuk do të dilte asnjë ligj tjetër, e aq më pak akt nënligjor.
Në nenin 8 deklarohej se minoritetet racore, fetare dhe gjuhësore duhet të gëzojnë të njëjtin trajtim prej ligjit si shtetasit e tjerë grekë. Për më tepër, ata duhet të kenë të drejtën të vendosin, administrojnë dhe kontrollojnë, me anë të shpenzimeve të tyre, institucione bamirësie, fetare ose sociale, shkolla dhe institucione të tjera arsimimi me të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre dhe të praktikojnë fenë e tyre në to. Në nenin 3 deklarohej se nënshtetësia shqiptare njihej ipso facto dhe pa asnjë formalitet për banorët të cilët banonin në territoret që iu transferuan Greqisë në Traktatet pas datës 1 Janar 1913.
Sipas nenit 16, të gjitha të drejat që lidheshin me minoritetet racore, fetare ose gjuhësore përbënin detyrime të natyrës ndërkombëtare dhe ishin të vendosura nën garancinë e Lidhjes së Kombeve. Të gjitha nenet e kësaj konvente, të cilat duhet të zbatoheshin mbi çamët, nuk u morën në konsideratë gjatë harkut kohor 1913-1944.
Si paraqitet gjendja sot? Të dhënat zyrtare të Greqisë për numrin e grupeve etnike në këtë vend janë të pasakta. Numri i banorëve që u përkasin grupeve etnike në këtë vend është shumë më i madh se numri i pasqyruar nga politika zyrtare greke. Qeveria greke zyrtarisht njeh vetëm një minoritet – myslimanët e Trakisë.
Të gjitha provat historike tregojnë se në Greqi janë përdorur metoda asimiluese ndaj arvanitasve, apo çamëve, sllavo-maqedonasve, apo minoriteteve të tjera. Atyre u është mohuar etnia dhe në dokumentet zyrtare quheshin dhe quhen ende si “pakicë gjuhësore”, ose “grekë dygjuhësh”. Gjatë historisë, sllavët në Maqedoninë greke, Greqia i ka konsideruar grup linguistik dhe jo kombësi. I ka quajtur grekë sllavofonë ose grekë dygjuhësorë.
Në rastin e arvanitasve, propaganda dhe makineria nacionaliste greke ka funksionuar, duke u munduar që të shkëpusë lidhjet mes tyre dhe shqiptarëve të sotëm. Grekët i quajnë “arvanitas”, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë “alvanos”, si dhe mohojnë me këmbëngulje lidhjen gjuhësore.
Në rastin e çamëve u përdor feja. Myslimanët u quajtën “turq” dhe të krishterët u asimiluan. Pavarësisht të gjitha këtyre masave, në disa fshatra në kufi me Shqipërinë e deri në Pargë flitet ende shqip.
Në fund të shekullit XIX dhe gjatë gjithë shekullit XX, ndaj grupeve etnike jogreke Greqia ka ushtruar gjenocid. Është i njohur në histori projekti i spastrimit etnik ndaj çamëve. Në qershor të vitit 1944, zervistët, të udhëhequr prej gjeneralit Napoleon Zerva (1881-1956), hyrën në Çamërinë e mesme, ndërsa në shtator të po atij viti, pushtuan edhe Çamërinë veriore. Gjatë këtyre ekspeditave vrastare kryen krime çnjerëzore mbi popullsinë e pafajshme shqiptare të Çamërisë, e cila u shpërngul në Shqipëri.
Shënim*- Memo nuk ka datë, as dërgues, as marrës. Nga dosja e shfletuar bëhet fjalë për draftet e paraqitura nga qeveria greke për të pasqyruar, sipas saj, gjendjen e minoriteteve nën qeverisjen e ligjeve greke. Dosja është e vitit 1922 sipas shënimit në fletën e parë, por disa prej dokumenteve janë të vitit 1919. IAYE. Zyra Qëndrore /1922/114/3/1/1/ Memoire sur les Droits des Minorites en Grece. [Memo mbi të drejtat e Minoriteteve në Greqi].