
Armend Baloku/
Para disa ditësh, në New York, një rrugë është emëruar me emrin “Ali Pasha Sabanagić”, duke iu referuar Ali Pashë Gucisë. U befasova kur pashë deri ku mund të arrijë injoranca njerëzore. Në këtë rast, Ali Pashë Gucia paraqitet si boshnjak dhe iniciativa për emërtimin e rrugës në Astoria, Borough of Queens, është ndërmarrë nga komuniteti boshnjak nga Plava dhe Gucia, duke e simbolizuar atë si figurë të tyre kombëtare.
Megjithatë, historia, të cilën e njohin mirë si shqiptarët ashtu edhe boshnjakët, e dëshmon qartë se Ali Pashë Gucia ishte shqiptar, dhe kjo është e padiskutueshme.
Është e vërtetë se ai ka mbështetur edhe Bosnjën në kuadër të Lidhjes së Prizrenit, pasi në atë kohë synimi ishte mbrojtja e territoreve shqiptare në Perandorisë Osmane me shumicë myslimane, përfshirë edhe terene të popullsisë muslimane në Bosnje. Dihet po ashtu se shumë shqiptarë kanë luftuar me armë në dorë kundër forcave sllave në ato treva, deri në Novi Pazar, në luftëra të përgjakshme dhe të ashpra, që nga koha e Lidhjes deri ne luftën e dytë botërore.
Problemi nuk qëndron te fakti që figura e tij vlerësohet edhe nga boshnjakët e Bosnjës, por te mënyra se si një pjesë e komunitetit nga Plava, Gucia apo Rozhaja duket se ka humbur lidhjen me rrënjët dhe historinë e vet. Kjo shpesh nuk vjen nga pamundësia për ta njohur të vërtetën, por nga mungesa e vullnetit apo informacionit.
Para disa vitesh, gjatë një qëndrimi në Guci, pata një përjetim domethënës. Pas xhirimeve, vonë në mbrëmje, u ula me mikun tim Adrin për të pirë nga një birrë. Një kamarier na shërbeu dhe, nga mbiemri që mbante, e kuptova se ishte shqiptar. Ai këmbëngulte se ishte boshnjak, ndonëse gruaja e tij ishte nga një familje e njohur shqiptare. Pas një bisede të shkurtër dhe disa pyetjeve të thjeshta, edhe vetë ai u bind për origjinën e tij. Nuk pashë rezistencë, por një mjegull informimi që mjaftoi të sqarohej me pak kujtesë historike.
Natyrshëm lind pyetja: sa e mundshme është që një boshnjak nga Sarajeva të lërë qytetin e tij për të jetuar në thellësi të bjeshkëve të Gucisë, mes një popullsie shqiptare? Apo anasjelltas, sa shqiptarë nga Prishtina, Tirana apo Shkupi do të zhvendoseshin për të jetuar në Stolac të Bosnjës? Këto pyetje flasin vetë.
Prandaj, më shumë se debat për përkatësi, kjo çështje është një thirrje kundër injorancës. Sepse kur harrojmë historinë dhe rrënjët tona, rrezikojmë të humbasim vetveten.