Aleksandër Çipa/
Idealistët e skajeve të atdheut vuajnë sinqeritetin e dashurisë së tyre për identitetin dhe simbolet kombëtare. “Filozofët” e metropoleve, duke qenë kundër miteve dhe idhujve, shembin pikat mbajtëse të ndërgjegjes atdhedashëse e kombdashëse. Për popujt e mëdhenj, kjo nuk është dramë, por një optikë dhe diversitet për lëvizje prosperuese të shoqërisë së tyre kombëtare. Për popujt dhe kombet e vegjël, kjo është dramë, jo sepse cënohen mitet, por përdhosen referencat.
Një popull i vogël pa të tilla referenca, mbetet, ose më saktë lihet, në varfërinë e referencave të veta, thahet dhe vdes se mbetet pa ushqim trashëgues të vetes.
Për këtë arsye, predikuesit e diversitetit brendashqiptar, për mitizimin ose jo të personazheve më identifikuese kombëtare apo të simboleve tona, në tërësinë e tyre, mund të konsiderohen si keqndikues dhe cënues të “ushqimit të vetëm” për ndërgjegjen, trashëgiminë dhe substancën kombëtare.
Këta cënues të këtij imazhi dhe kritikët e panegociueshëm për shkak se shfaqen si anti- idhuj dhe antimit, në të vërtetë përkojnë padashur me tangenten e kundërshtarëve tanë, kryesisht fqinjë dhe historikë.
Këto kategori të ndryshme, përkojnë në pikëtakime si nihilistë dhe injorues të asaj çka trashëgohet prej genit dhe historisë shqiptare. Zelli e skeptikëve tanë përkon me këmbënguljen dhe kapacitetin kapërcyes të fqinjëve për përvetësim dhe shpesh vënie në dyshim të trashëgimisë dhe identitetit etnik, për shkak të përkatësive entitare të kryesimboleve tona historike dhe shpirtërore.
A nuk ndodh kjo me Skënderbeun, Nënë Terezën, Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Ismail Kadarenë etj., etj?!?!
Mbajtja dhe trashëgimi i këtyre referencave, qoftë edhe në kuadër të imazhit, na bën një shoqëri dhe komb me kapacitete gjeneruese në fushë të identitetit dhe përkatësisë kombëtare. Kësi referencash na duhen dhe lipset t’i lartojmë, për të ushqyer e brumosur gjeneratat tona,( brenda atdheut, trojeve dhe nëpër botë), me ndërgjegjen dhe identitetin tonë kombëtar.
Kombet dhe shoqëritë e vogla nuk mund të sillen dhe aq më tepër të trajtojnë këtë nevojë në njëjtësinë diversitare dhe debatuese si kombet dhe shoqëritë e mëdha. Rreziku ekzistencial është përherë në fuqi për të vegjëlit.
Rreziku i madh, aq më tepër ai shfarrosës, si mësim të parë ka porosinë e filozofit antik: Duaj e respekto vetveten, të ekzistosh!
Apo jo, zoti kontrapedal?!?!