Studimet e Preof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika e botuar në gjuhën shqipe Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re, MEDAUR Tiranë 2007, 503 f. dhe Shën Pali punoi dhe në birgjet e Adriatikut, OMSCA-1 Tiranë 2014, 496 f., u vlerësuan prej Imzot Joahan Pelushit – Metropolit i Korcës, Prof. R. Dean Davis – Shef i katedrës së Teologjisë në Atlanic Union College, Prof. Akademik Jorgo Bulos, etj, por nuk u bënë objekt diskutimesh në simpoziume shkencore. Tani ai po përgatit një përmbledhje rreth 150 faqe, e cila do të përkthehet e botohet anglisht. Ky libër do t’u shpërndahet disa institucioneve shkencore, universiteteve dhe studjuesve amerikanë dhe europianë që merren me studimin dhe botimin e Dhiatës së Re. Pasi të lexohet ky libër autori do të nxisë organizimin e disa simpoziume shkencore ndërkombëtare, ku do të diskutohet për përmirësimin e disa shënimeve shpjeguese për kohën dhe vendin e hartimit të librave të Dhiatës së Re dhe i hartave ku skicohen udhëtimet misionare të Shën Palit edhe në disa fshatra e qytete iliro-shqiptare
Auroti pati mirësinë të na dërgojë për botim hyrjen e këtij studimi, që mban titullin KUR, KU DHE PSE U SHKRUA ‘DHIATA E RE’.
Hyrje
Bibla, për vlerat e shumta morale, fetare, historike, letrare, etnografike, psikologjike është një nga veprat më madhore të njerëzimit. Ajo vijon të jetë vepra më e botuar, më e lexuar dhe më e studiuar në botë e pajisur me një aparat shumë të pasur kritik. Ky aparat përmban shënime sqaruese teologjike, historike, letrare dhe tekstologjike për çdo libër të Biblës (libra quhen edhe letrat e apostujve). Në këto shënime jepen shpjegime për jetën e autorëve, për kohën, vendin dhe shkakun pse u hartua çdo libër. Këto shënime janë më të detajuar në pjesën e dytë të Biblës, që quhet Dhiata e Re (më tej DhR), ku riprodhohen disa harta për të treguar vendet dhe kohën e udhëtimeve misionare të apostullit Pal.
Për rolin e madh që ka luajtur e luan kjo vepër në zhvillimin e mendësisë njerëzore, kjo punë shkencore tekstologjike vlen të pasurohet e të përsoset sa më mirë. Them, të pasurohet e të përsoset sa më mirë, sepse, ndërsa komentet dhe shënimet teologjike janë hartuar me nivel të lartë shkencor, shënimet ku sqarohen problemet se kur dhe ku u hartuan librat e DhR, se kur filluan e kur mbaruan katër udhëtimet misionarë të Shën Palit, si dhe hartat e udhëtimeve III dhe IV, kanë pasaktësi, të cilat hasen si në shënimet e DhR dhe në fjalorë, enciklopedi, artikuj revistash dhe faqe interneti, ku trajtohen fillimet e Krishtërimit.
Në të gjithë botimet e Biblës, në shënimet sqaruese për kohën dhe vendin e hartimit të librave të DhR jepen kohë (data) dhe vende të ndryshëm hartimi për secilin libër. Mirëpo shkencërisht një letër / një libër shkruhet në një kohë e në një vend dhe jo në dy, ose tre kohë dhe as në dy ose tre vende të ndryshëm.
Hartat e udhëtimeve misionare III dhe IV të Palit janë të ndryshme në botime të ndryshme të Biblës. Për udhëtimin e tretë misionar në hartën e aprovuar prej Koncilit të dytë të Vatikanit (Second Council of Vatican, 1962 – 1965) shënohet se Pali pasi shkoi nga Antiokia e Sirisë në Efes, Troas e mbërriti në Thesalonik vijoi rrugën në këmbë derisa shkoi në Korint duke kaluar nëpër Thesali. Gjatë kthimit për në Jerusalem, shënohet se ai kaloi përsëri në këmbë nga Korinti në Thesalonik e Filipi. Pastaj kaloi me anie në Troas, Milet, Patara, Tiro, Ptolemaida, Cezarea dhe mbërriti në Jerusalem.
Mirëpo kjo hartë le jashtë vizitën e Palit dhe të grupit të tij në anën perëndimore të Provincës së Maqedonisë dhe vajtjen deri në Provincën e Ilirikut (Illyricum), fakt që e ka pohuar ai vetë në Rom 15:19. Këtë fakt e kanë pranuar dhe e pranojnë Kisha Shqiptare Katolike dhe Kisha Shqiptare Ortodokse, por këto nuk e pasqyrojnë në harta. Kurse disa studjues e botues të hershëm e të sotëm të Biblës e kanë pasqyruar në harta të ndryshme.
Në këtë studim analizohen të dhënat e shumta që u nxorën nga analiza e tekstit të DhR, nga studimi i veprës Illyricum Sacrum Tomus VII / 1, 1818, i historianit italian Daniele Farlato (Danieles Farlatus), nga një dhënë e historianit shqiptar Marin Barleti në veprën Historia e Gjergj Kastriotit Skëndebeut, nga disa gojëdhëna dhe toponime shqiptare që lidhen me emrin e Sh. Palit dhe nga ndjekja e lëvizjeve të nxënësve të tij si Akuila, Prishila, Sosteni, Apoloni, Luka, Titi etj. Mbi bazën e këtyre të dhënave u hartua në fund të këtij studimi një hartë e përmirësuar për udhëtimin e tretë misionar të Palit. Në këtë hartë, pjesa e parë e këtij udhëtimi, pra kalimi nga Antiokia deri në Efes, është në përputhje me hartën zyrtare. Po kështu është në përputhje me hartën zyrtare dhe pjesa e kthimit nga qyteti Filipi deri në Jerusalem. Ndryshimet janë bërë përsa i përket vendeve që Pali vizitoi gjatë marsit të vitit 55 mb. K., deri në maj të vitit 57 mb. K., kur Pali e Luka kaluan nga porti Kenkrea në qytetin Filipi gjatë kthimit për në Jerusalem.
Para largimit nga Efesi, në hartën e re të këtij studimi shtohet një vizitë që Pali bëri në qytetin Kolose gjatë marsit 55, të cilën Luka e ka përmendur shkurt: “Atëhere dërgoi në Maqedoni dy nga ata që i shërbenin, Timoteun dhe Erastin, dhe vetë ndënji dhe ca kohë në [distriktin e] Azisë (Vep 19:22). Shprehja ndënji dhe ca kohë në [distriktin] e Azisë nënkupton vizitën e Palit edhe në Kolose. Këtu ai shkroi letrën kanonike Galatasve, e cila është letra e dytë që ai shkroi për kishat e Galatisë së Jugut. Letrën e parë për Galatasit, e cila ka humbur, ai e shkroi në Efes para se të shkruante letrën e parë për Korintasit (1Kor 16:1). Pali, pasi u kthye sërisht nga qyteti Kolose në Efes, në Troas, Filipi, Amphipoli, Apoloni (e Egjeut) e ndali në Thesalonik. Këtu kaloi dimrin e viteve 55-56 mb. K (shih kap IV). Pjesa e udhëtimit nga Efesi deri në Thesalonik shënohet sipas hartës zyrtare. Kurse më tej bëhet shtesa më e rëndësishme. Pali pasi dimëroi në Thesalonik, prej ku dërgoi një letër në Korint me Titin, Lukën e një dishepull tjetër, vijoi udhëtimin e tretë duke shkuar në këmbë jo drejt e në Korint duke kaluar nëpër Thesali, por duke kaluar në anën perëndimore të Provincës së Maqedonisë drejt bregut lindor të detit Adria (sot Adriatik). Shënohet vajtja e tij deri në qytetin port-lumor Lissus (sot Lezha në Shqipëri), që ishte kryeqedra e krahinës jugore të Provincës Illyricum. Më tej shënohet vajtja me anie nga porti-lumor Lissus te një qendër banimi në gjirin e kepit të Dyrrachut. Në harta të vjetra ky kep shënohet me emrin Capo di Paolo (Kepi i Palit), kurse populli shqiptar sot e quan Kepi i Pallës, ose Bishti i Pallës. Më tej Pali shkoi në këmbë në qytetin port Dyrrach (sot Durrës i Shqipërisë). Më tej, në këtë pjesë të re të hartës së udhëtimit të tretë misionar të Palit, shënohet kalimi nëpër tokë deri në qytetin Nikopol (Nikopolis) dhe vajtja nga Nikopoli në Korint. Në rrugën e kthimit për në Jerusalem, shënohet se grupi kaloi nga Korinti në Filipi, jo në këmbë, por me anie nga porti Kenkrea në portin Neapolis e pastaj vajtja në këmbë në qytetin Filipi. Kalimi nga qyteti Filipi deri në Jerusalem jepet në përputhje me hartën zyrtare.
Njohja e vizitës së Palit në qytetin Dyrrach lehtësoi analizën e tekstit te letrës kanonike Romakëve. Nga analiza e shumanshme e kësaj letre, doli se pjesa Rom 1-15 është një letër e plotë e shkurar në qytetin-port Dyrrach për të krishterë të panjohur të Romës. Kjo letër iu dha Alikës e Prishilën ta përdornin si material predikimi gjatë punës në Romë. Kurse pjesa Rom 16 është fragment i një letre të shkurtër, që Pali e shkroi për besimtarët e njohur të Romës për t’ua rekomanduar Febën (Phoebe) dhe për t’i porositur ata që ta ndihmonin Febën sepse dhe ajo e kishte ndihmuar atë dhe shoqëruesit e tij për të shpëtuar nga komploti i judenjve (Vep 20:3; Rom 16:1-2).
Njohja e ndalesës së Palit në Dyrrach dhe krijimi i kishës në këtë qytet gjatë udhëtimit të tretë misionar shërbeu si ajo prerja e nyjës gordiane dhe ndihmoi për të kuptuar se ku kaloi Pali me grupin e tij pasi u largua prej Thesalonikut në mars 56 e deri në nëntor 57, kur arriti në Korint, ku kaloi tre muaj derisa u nis për në Neapolis e Filipi (Vep 20:1-3). Ndalesa dhe puna misionare e Palit në qytetin Dyrrach gjatë qershor-korrikut të viti 56 mb. K., ndihmon për të kuptuar se të dhënat e Menologut grek të përkthyer italisht prej Peshkopit Sirletano, janë të të sakta. Aty shënohet se në vitin 58, pra dy vjet pas vizitës së Palit, kisha e krishtere e Dyrrach-ut kishte 70 familje anëtare dhe Apoloni e Cezari ishin peshkopë të saj. Këto të dhëna ndihmojnë gjithashtu për të kuptuar se cilët ishin familjarët e Cezarit, që iu ndodhën pranë Palit gjatë burgimit të parë në Romë (Fil 4:22) dhe se Pali gjatë udhëtimit të katër misionar e mori Apolonin në qytetin Dyrrach, të cilin e përmend te letra Ti 3:13.
Për udhëtimin e katër misionar nuk ka hartë të pranuar zyrtarisht, por në disa botime të NIV SUDY BIBLE Zandervan MI. USA riprodhohet një hartë ku shënohet kalimi i Palit duke shkuar nga Roma në Spanjë e pastaj në Mesdheun Lindor. Kjo hartë është krijuar duke u mbështetur te supozimet e historianëve Rev Conybeare W. J. dhe Rev J. S. Hoswon, të cilët e zgjatën këtë udhëtim deri në vitin 67 mb. K. Pali në letrat e tij nuk përmend asnjë emër qyteti ose personi që lidhen me qytete të Mesdheut Perëndimor dhe, si vërtetohet në këtë studim, ky apostull, kur u lirua nga burgimi i parë i Romës, nuk shkoi drejt Spanjës por shkoi drejt Jerusalemit për të ndihmuar kishën mëmë mbasi judenjtë që nuk besonin kishin vrarë Jakobin peshkopin e asaj kishe. Kjo hartë bie ndesh dhe me faktin se apostujt Pjetër e Pal u martirizuan më 29 qershor të vitit 64. Këtë datë të martirizimit të tyre e kanë celebruar të gjitha kishat e krishtere gjatë njëzet shekujve. Këtë datë e kanë përforcuar Dionisi, peshkopi i kishës së Korintit dhe Eusebi (shih kap VIII Martirizimi i apostujve Pjetër e Pal).
Në këtë studim për udhëtimin e katër misionar të Palit është skicuar një hartë e re, ku shënohen vetëm emra qytetesh të Mesdheut Lindor ku Pali mori, ose la, nxënës të tij, ose shkroi letra (shih kap VII).
Vështirësitë për të përcaktuar sot se kur e ku u hartuan librat e DhR e kanë burimin që në kohën e hartimit të tyre, sepse autorët e tyre nuk shënuan as datën dhe as vendin e hartimit. Ata ua jepnin, ose ua dërgonin, shkrimet e tyre lexuesve të cilët i njihnin personalisht, prandaj nuk e ndjenë të nevojshme të shënonin kohën e vendin e hartimit dhe shpesh herë as emrin e autorit. Përcaktimi i emrit të autorit lindi si nevojë kur u grumbulluan këto shkrime dhe filluan të riprodhoheshin në shek II si libër më vete me emrin Dhiata e Re. Ata, që u kujdesën për grumbullimin dhe riprodhimin e DhR, duke mos qenë të sigurt se kur dhe ku ishte shkruar çdo libër i DhR, u mjaftuan duke shtuar vetëm emrin e autorit, mbështetur në traditën gojore dhe në disa të dhëna që përmbanin tekstet e këtyre librave. Disa gabime për kohën dhe vendin e hartimit të librave të DhR e kanë burimin te libri i historianit Eusebius. Ky e ritregoi historinë e lindjes dhe të zhvillimit të Krishtërimit duke u mbështetur në librat e Lukës e të disa autorëve të tjerë dhe në të dhëna të traditës gojore pa bërë analiza kritike e verifikime.
Disa letra kanonike të Palit kanë problem lidhur me karakterin fragmentar të tyre. Pali i shkroi letrat e veta në pergamena, të cilët hapeshin kur lexoheshin nëpër kishat që ai ua kishte dërguar. Pas leximit pergamenat mblidheshin rollo dhe viheshin mënjanë. Në procesin e hapjes dhe mbledhjes së pergamenave gjatë dhjetëvjeçarëve, derisa u bë grumbullimi i tyre prej kishës së Efesit në vitet 90 mb. K., disa pjesë të fillimit ose të fundit të pergamenave kuptohet se ishin këputur dhe humbur. Për të ndalur procesin e humbjes së mëtejshme, Onesimi, Peshkopi i kishës së Efesit, me ndihmësit e tij, i bashkuan fragmentet e grumbulluar dhe krijuan letra të përbëra. Për këto letra, që nuk ishin letra të zakonshme të Palit, nuk u shtuan shënime për të sqaruar faktin se ato ishin letra të përbëra dhe se ku mbaronte njëra pjesë e ku fillonte pjesa tjetër. Mënyra si janë bashkuar fragmentet, tregon se Onesimi me kolegët e tij i bashkuan pjesët fragmentare për t’u dhënë pamjen e një letre që ka hyrjen, trupin e letrës dhe mbylljen. Kuptohet se po të jepeshin shënime të tillë, mund të lindnin te lexuesit dyshime për origjinalitetin e besueshmërinë e tekstit.
Edhe sot në botimet e Biblës për masat e gjera të lexuesve, nuk sqarohet karakteri fragmentar i letrave të përbëra të Palit. Të gjitha letrat e këtij apostulli trajtohen si letra të zakonshme që kanë tri pjesë përbërëse: adresën, trupin e letrës dhe mbylljen. Mirëpo në disa botime, që u drejtohen lexuesve të kualifikuar, jepen sqarime se midis letrave të Palit, letrat Romakëve, 2Korintasve, 1Thesalonikasve dhe Filipianëve janë letra të përbëra nga bashkimi i dy fragmente letrash të shkruar në kohë e në vende të ndryshëm. Midis këtyre botimeve të përgatitur nga studjues e botues të njohur po përmend disa: James D. G. Dunn, The Word Biblical Commentary Gen. Ed. David A. Hubbard & Glen W. Barker, Word Books Publisher WACO, Texas 1988; Joseph A. Fitzmyer S. J., The New Jerome Biblical Commentary, Edited by Raymond E. Brown S.S. Joseph A. Fitzmyer S.J. Roland E. Murphy O Carm, USA 1990; Carolyn Osiek, The Catholic Study Bible Second Edition New American Bible, Editors Donald Senior & John J. Collins, Oxford University Press 2006. Në këto botime edhe pse pranohet se këto katër letra të Palit janë letra të përbëra nga bashkimi i fragmente letrash, nuk jepen përcaktime të saktë për kohën dhe vendin e hartimit të secilit fragment. Kjo dobësi ka ardhur nga fakti se autorët nuk i kanë trajtuar si duhet të dhënat e brendshme që kanë këto fragmente dhe nuk kanë njohur disa momente të jetës së Sh. Palit, autorit të tyre.
Në këtë studim argumentohet se perveç këtyre katër letrave të përbëra të Palit janë të tilla edhe dy letra të tjera kanonike, letrat 1Korintasve dhe Hebrenjve. Për fragmentet ose pjesët që përbëjnë këto gjashtë letra kanonike është përcaktuar, si për të gjitha letrat e tjera një datë hartimi që shtrihet brenda një periudhe njëmujore dhe si vend i hartimit një qytet i vetëm. Kjo është arritur përmes analizave të të dhënave të brendshme të këtyre letrave, të problemeve që trajtohen në to, të të dhënave biografike të autorit dhe të shkakut / shkaqeve pse u shkrua secila letër.
Për të gjetur se cilat letra të Palit kanë formë kompozicionale të zanonshme dhe cilat letra kanë formë kompozicionale të përbërë, në këtë studim u bë për të parën herë analiza e tipologjisë së ndërtimit të gjithë letrave të tij. Kurse për të përcaktuar se kur dhe ku u shkruan letrat e Palit dhe të autorëve të tjerë të DhR autori i këtij studimi krijoi një pyetësor me nëntë pyetje. Duke ia drejtuar këto pyetje secilës letër dolën përgjigjet që ndihmuan për të dhënë përcaktime të saktë për kohën e vendin e hartimit të çdo letre, pra dhe të letrave të cilave u përkasin fragmentet (Shih: kap I, Metoda jonë e studimit, si dhe analizat e çdo letre kanonike në kapitujt përkatës).
Ndryshe nga studimet e mëparshëm mbi jetën e veprën e apostullit Pal, këtu i është dhënë rëndësi dhe jetës së shoqëruesve të tij dhe faktit se kush e shpinte çdo letër. Po ashtu në këtë studim është pasur parasysh ligji romak i lundrimeve, i cili lejonte lundrimet në detin Mesdhe vetëm nga 10 marsi deri në 10 nëntor, kurse gjatë dimrit nuk kryheshin lundrime, dhe as udhvtime të gjata në tokë, pra nuk kryheshin as komunikime e dërgim letrash.
Me punën e tij misionare dhe veprat e shkruara, Pali u bë misionari më i frutshëm i Krishtërimit. Për vlerat e shumta që ka jeta dhe vepra e tij, ai është vlerësuar e studjuar në shekuj më shumë se misionarët e tjerë dhe do të vijojë të studjohet. Do të vijojë të studiohet, sepse jeta e vepra e tij i vlejnë çdo individi për tu bërë më i ndershëm, më i sjellshëm dhe më i qëndrueshëm ndaj vështirësive të jetës dhe tundimeve të djallit.
- Ky studim, përveç shfrytëzimit të literaturës shkencore e materialeve që nuk i kishin njohur, ose i kishin nënvleftësuar, studjuesit e derisotëm, ka dhe prioritetin se autori i tij ka formim ndërdisiplinor si historian, studjues e komentues tekstesh, gjuhëtar, njohës i mirë i gjeografisë dhe i historisë së Shqipërisë, etj. Ky formim i shumanshëm e ndihmoi atë për të përdorur një metodë të re studimi, metodën kombinatore, e cila e studjon objektin duke përdorur të dhëna të disa shkencave dhe jo të dhëna të një shkence të vetme. Metoda kombinatore u pasurua edhe me analizën tipologjike të formës kompozicionale të letrave të Palit dhe me përdorimin e një pyetësori të krijuar e zbatuar për herë të parë në këtë studim. Kështu u bë e mundur tëpërcaktoheshin më saktë se cili është autori i çdo letre; se cilat prej tyre nga ana kompozicionale janë letra të zakonshme dhe cilat janë letra të përbëra, dhe se kur e ku u shkrua secila letër.
Në këtë studim krahas të dhënave të reja për jetën dhe veprën e Sh. Palit sillen dhe shumë të dhëna të reja për jetën dhe veprën e Sh. Lukës, i cili bashkë me Palin përbën dyshen më të rëndësishëm të autorëve të DhR.
Studjuesit e sotëm të DhR e kanë nëvlerësuar Lukën sepse e kanë keqkuptuar hyrjen e ungjillit të tij. Ata thonë se Luka ishte një i krishterë i brezit të dytë. Mirëpo ky mendim nuk mund të mbështetet nga fjalët që shkruan Luka te hyrja e ungjillit:
Mbasi shumë veta ndërmorën për të renditur tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, ashtu si na e përcollën ata që e panë me sytë e tyre që nga fillimi dhe u bënë shërbyes të fjalës, m’u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t’i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Theofil. (Lk 1:1-3).
Shprehja: shumë veta ndërmorën për të renditur tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, tregon se vetë Luka kishte qenë një nga ata, në mesin e të cilëve kishin ndodhur ngjajet (bëmat e Jezuit), porse ai nuk kishte qenë dëshmitar që në fillim të tyre si kishin qenë nëna Mari, që e lindi dhe e rriti, Jakobi e Juda që ishin rritur me të dhe as si të dymbëdhjetë apostujt, që Ai i zgjodhi që në fillim të misionit të Tij. Këta dëshmitarë Luka i quan ata që e panë me sytë e tyre që nga fillimi dhe u bënë shërbyes të fjalës.
Prania e Lukës pranë Jezusit si dëgjues në disa raste vërtetohet me rrëfimin e hollësishëm të disa ngjarjeve, të mësimeve dhe parabolave të Jezusit, të cilat i ka treguar vetëm Luka në ungjillin e tij. Po ashtu sqarohet se Luka, autori i ugjillit të tretë dhe i librit Veprat e Apostujve, ka punuar si shoqërues i grupit misionar të Palit jo vetëm në pjesët Ne (We sections), por dhe në shumë momente të tjerë ku ngjajrjet tregohen me hollësira, me fjalë që shprehin kohë të saktës si: sot, dje, të nesërmen, pas dy ditësh, pas tre ditësh, tre muaj, një vit e gjysëm, plot dy vjet, etj, ose ka përdorur foljet erdhi (He came), solli (He brought), etj që tregojnë se autori ndodhenj aty ku ndodhnin ngjarjet. Sqarimi shpihet edhe më tej duke vërtetura se Luka i kishte ndënjur pranë Pjetrit në Jerusalem që nga festa e parë e Rrëshajeve derisa u vra Stefani dhe pas kësaj ngjarjeje ai shkoi në Antioki të Sirisë, ku shërbeu si një nga “mësuesit” e asaj kishe. Si shumë studjues edhe unë pranoj se Luka ishte personi për të cilin Pali i sqaroi korintasit: “ai u zgjodh nga kishat që të jetë shoku ynë në udhëtim me këtë dhuratë që ne administrojmë për lavdinë e Zotit ” (2Kor 8:19), dhe se Luka dhe Luci (Rom 16:21) ishin emrat e një personi të vetëm. Duke ndjekur me të tilla prova praninë e Lukës në ngjarjet që përshkruhen në Veprat e Apostijve, u diktua se Luka ka qenë në Antioki të Sirisë që kur u themelua kisha atje si një nga mësuesit e saj dhe se me emrin Luci nga Kirena (Lucius of Cyrene) (Vep 13:1) autori ka përmendur veten e vet.
Në portin Kenkrea Pali, pasi i ndodhi komploti i judenjve, u shkroi besimtarëve të njohur të Romës, ku shtoi dhe përshëndetjen: “Timoteu, bashkëpunëtori im, Luci, Jasoni dhe Sosipatri, kushërinj të mi, ju përshëndesin.” (Rom 16:21). Kjo versë dëshmon se emrat Luka dhe Luci, kanë qenë emra të një personi të vetëm, të cilin Pali e kishte kushëri. Po të ishin Luka e Luci dy persona të ndryshëm, atëhere Pali do t’u dërgonte përshendetje edhe prej Lukës, i cili ndodhej në Korint e Kenkrea. Vlen të sqarohet se emrat Luci nga Kirena dhe Luci janë emrat e një njeriu të vetë, ku një herë jepet dhe origjina e tij dhe herën tjetër jepet emri pa sqarimin se prej nga ishte ai.
Shumica e studjuesve dhe komentuesve të DhR, të djeshëm e të sotëm, nuk pranojnë se Luka / Luci / Luci nga Kirena janë forma të emrit të autorit të librit Veprat e Apostujve dhe vijojnë ta quajnë Lukën një shoqërues me kombësi greke ose siriane. Mirëpo sqarimi se Luka dhe Pali ishin kushërinj, hedh poshtë supozimin e Eusebius-it se Luka ishte një sirian i lindur në Antioki, edhe supozimin e studjuesve të sotëm se Luka ishte me kombësi greke. Në këtë studim pasi vërtetohet lidhja fisnore e Lukës me Palin, hidhet ideja se ai ka qenë bir i një familjeje të përzjerë greko-judaike i diasporës së qytetit Kirenë (Cyrene), se ishte i parrethprerë si Timoteu. Gjuha e librave të tij, si kanë venë në dukje specialistët e greqishtes së lashtë, ishte një greqishte e kultivuar e variantit të qytetit Aleksandria, pra e njëjtë me atë të Kirenës, qytetit ku u lind e u rrit Luka. Ai ka qenë qytetar romak që nga lindja, ashtu si Pali. Kjo shpjegon pse ai kishte dy emra, emrin familjar Loukas të formës greke dhe emrin Lucius / Lucius of Cyrene si emër latinoromak. Ky emri i dytë në librin Veprat e Apostujve, që u shkrua greqisht, u shënua sipas otografisë greke Loukios / Loukios o Kurinaios (shih: kap I, Pasurimi i jetës së Lukës).
Të dhëna të reja sjell ky studim edhe për dy burgimet e Palit në Romë dhe letrat që shkroi ai gjatë këtyre dy burgimeve, si dhe për udhëtimin e katër misionar, kur u largua nga Roma mbas lirimit nga burgimi i parë në mar 62 dhe kaloi në Brundassium, në Dyrrach (ku priti ca kohë Timoteun dhe meqënëse ky nuk shkoi, mori Apollonin), në Nnikopolis (ku mori Titin), në Kretë (ku la Titin Tit 1:5), në Cezarea (ku i shkroi letrën Titit, që ia dërgoi me Apollonin e Zenën Tit 3:13), në Milet (ku la Trofimin të sëmurë 2Ti 4:20 dhe nisi Kreshencin për Galati 2Ti 4:10), në Nikopolis (ku, si e planifikoi (Tit 3:12) kaloi dimrin e viteve 62-63), në Dyrrach (prej ku nisi Titin për Dalmaci 2Ti 4:10), në Brindassium dhe prej këtu në Romë ku e riarrestuan.
Po ashtu në këtë studim sqarohet se cilat letra shkroi Pali gjatë udhëtimit të katër dhe gjatë burgimit të dytë të Romës.
Botimi i këtij studimi në anglisht do të fiksojë më shkurt e më qartë arritjet e mia të dy studimeve Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re MEDAUR Tiranë 2007, 503 f. dhe Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut OMSCA-1 Tiranë 2014, 496 f. Duke u botuar në anglisht dhe duke u shpërndarë në qendra studimore ky studim, shpresoj se do të shërbejë si material bazë për të organizuar simpoziume shkencore ndërkombëtare me pjesëmarrje të studjuesve të DhR. Nga diskutimet shkencore në këto simpoziume shpresoj se do të arrihet unifikimi i shënimeve shpjeguese për kohën e vendin e hartimit të librave të DhR, për ndërtimin kompozicional të letrave të përbëra të Palit, për kohën e fillimit dhe mbarimit të udhëtimeve misionare; si dhe për krijimin e hartave të unifikuara për katër udhëtimet misionare të Palit.
Pasurimi i jetës dhe i veprës së Sh. Palit dhe të autorëve të tjerë të Dhiatës së Re, bashkë me vërtetimin shkencor të vizitave të këtij apostulli në qytete e fshatra iliro-shqiptare, të cilët kanë pësuar shumë shkatërrime gjatë shekujve, ka qenë për mua, një mbështetje shpirtërore për të përballuar vështirësitë e shumta gjatë punës njëzetvjeçare.