Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI
Askush nuk ka të drejtë ligjore, kushtetuese e as të drejtë juridike ndërkombëtare, që pavarësinë e Kosovës ta hedhë në pazarin e plaçkave “buvljak” të Beogradit, qoftë edhe për ndonjë shpërblim të premtuar të “Çmimit Nobel” të ndokujt.
Pavarësisht se çfarë po kërkon Serbia për përmbysjen e shtetit të pavarur të Kosovës, tërë territori i Kosovës, duhet të mbetet i paprekuar brenda kufijve të saj ekzistues, të njohur ndërkombëtarisht nga më se 100 shtete të Kombeve të Bashkuara.
E drejta e Kosovës në pavarësinë dhe në sovranitetin e saj
Kërkesa, diktati, imponimi dhe ultimatumet e trysnisë që po i bëhen Kosovës, që të zhvillojë negociata me Serbinë kinse për “zgjidhjen përfundimtare të statusit”të Kosovës, përkatësisht për “normalizimin e marrëdhënieve” mes këtyre dy shteteve, është kontestim dhe mohim flagrant i së drejtës së Kosovës në pavarësinë dhe në sovranitetitn e saj (2008-2019).
Kjo e drejtë e Kosovës përbëhet nga pavarësia e jashtme, që do të thotë se askush nuk ka të drejtë ta pengojë në ushtrimin e veprimtarisë së mëvetësishme në fushën e së drejtës ndërkombëtare.
Gjithashtt, kjo e drejtë e Kosovës përbëhet edhe nga pavarësia e brendshme, që do të thotë të drejtën sovrane të saj, të mos lejojë dhe të mos pranojë përzierjen e asnjë shteti tjetër në punët e brendshme brenda kufijve territorialë sovranë të saj.
Sipas normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, pavarësia e një shteti, së këndjemi edhe e shtetit të Kosovës , duhet të zhvillohet në mënyrë të pavrur. Kështu që, asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë që, sipas dëshirës apo interesave të ndryshme kolonialiste a hegjemoniste të përzihet dhe të ndërhyjë në ushtrimin e pushtetit të tij sovran qoftë të brendshëm apo të jashtëm.
Në këtë vështrim, koncepti i pavarësisë përfshin edhe të drejtën ekskluzive, autonome, autorizimet dhe kompetecat e plota të qeverisë, që të ushtrojë autoritetin e pushtetit të vet sovran brenda territorit të vet.
-Çfarë do të thotë “pavarësia” dhe “sovraniteti” pilitik, juridik, kushtetues dhe juridik ndërkombëtar për shtetin e ri të pavarur të Republikës së Kosovës?
-Asgjë më pak e as më shumë sesa mospranimin, mosnënshtrimin dhe mosvarësinë nga Serbia, nga një shtet tjetër apo nga ndonjë grup shtetesh të tjera. Ndryshe, do të mbetej vetëm ndonjë hedhurinë vazale dhe koloniale nën protektoratin e ndonjë shtetit të huaj, përkatësisht të Serbisë kolonialiste.
Për të mos përjetuar diç të tillë shkatërrimtare, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, duhet të respektohet dhe të mbrohet (edhe nga politika drejtuese, edhe nga populli) brenda kufijve ekzistues (pa asnjë ndryshim, pa asnjë korrigjim, pa asnjë copëtim dhe pa asnjë shkëmbim) të tërësisë integrale të territorit të Kosovës, pavarësisht nga diktati dhe nga ultimatumet e Serbisë, të Rusisë dhe të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë.
Të gjithë duhet ta mbajnë parasysh faktin se Kosova nuk mund të jetë kurrfarë shteti i pavarur në kuptimin juridik të së drejtës ndërkombëtare e as në atë të Kartës së Kombeve të Bashkuara nëse do të vihej në raport varësie me kolonializmin e Serbisë gjenocidale (1912-1999) apo të ndonjë shteti tjetër, sepse në këtë rast, do të kufizohej dhe, do të pengohej në ushtrimin e pushtetit të pavrur dhe sovran brenda territorit të saj summa potestas.
Pra, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, duhet kuptuar se nuk janë pronë private e as shtetërore as e Serbisë, as e liderëve të shitur politikë të Kosovës, as e Moskës e as Pekinit, etj., por vetëm e SOVRANIT-popullit SHQIPTAR mbi 2 milionë të Kosovës.
Prandaj, mos luani me fatin e Kosovës së pavarur dhe sovrane se mund të digjeni e përvëloheni nga padrejtësia e politikave të vjetra kolonialiste dhe gjenocidale të Serbisë së Madhe (1878-1999) dhe të aleatëve të saj tradicionalë sllavë dhe prosllavë evropianë dhe ndërkombëtarë. Këtë “eskorta drejtuese” shtetërore e Kosovës, duhet ta mbajë parasysh, sepse në çafrëdo forme qoftë, do të copëtohej territori i Kosovës, kjo më nuk do të figurojë si shtet në Ballkan.
Sa më sipër, duhet të kuptohet, të mbrohet dhe të trajtohet drejt pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, JASHTË tutorisë koloniaiste dhe neokoloniaiste të Serbisë dhe të çdo shteti tjetër partner favorizues i mbrojtjes së kolonializimit shekulor të saj.