
Nga Rafael Floqi/
Të Dymbëdhjetë Apostujt luajtën një rol thelbësor në përhapjen e krishterimit të hershëm, ndonëse historitë e tyre shpesh janë objekt debatesh.
Të Dymbëdhjetë Apostujt, të quajtur ndonjëherë edhe dishepuj, ishin një grup ndjekësish të zgjedhur nga Jezusi për të përhapur mesazhin e tij, sipas Dhiatës së Re. Shkrimet e krishtera i përshkruajnë ata si figura kyçe në lëvizjen e hershme të krishterimit.
Kush ishin Të Dymbëdhjetë Apostujt — dhe çfarë thonë burimet më të hershme për ta?
Ungjijtë përmendin Pjetrin, Andrenë, Jakobin (birin e Zebedeut, i njohur edhe si Jakobi/James i Madh), Gjonin, Filipin, Bartolomeun (i quajtur edhe Natanael), Thomën, Jakobin (birin e Alfeut, i njohur si Jakobi i Vogël), Judën (i quajtur edhe Tadeu), Simon Zelotin dhe Judë Iskariotin.
Veprat e Apostujve (1) thonë se Matia u zgjodh për të zëvendësuar Judën pas vdekjes së tij. Pali/Pavli përshkruhet gjithashtu si apostull në Dhiatën e Re, por ai nuk përfshihet ndër të dymbëdhjetët e përmendur në Ungjij.
Apostujt kishin tre detyra kryesore. “Ata udhëtonin në çifte në qytete dhe fshatra përreth për të predikuar fjalën e Perëndisë, për të shëruar të sëmurët dhe për të dëbuar frymërat e liga,” shkruan BBC. Në Dhiatën e Re, shton Ruffin, apostujt përshkruhen si dëshmitarë që ndanë me të tjerët historinë e ringjalljes.
Të katër Ungjijtë e Dhiatës së Re — Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni — si edhe Veprat e Apostujve, i përmendin apostujt, megjithëse disa emra ndryshojnë nga një libër në tjetrin. Shkrimtarë të hershëm të krishterë, përfshirë Klementin e Romës dhe Ignacin e Antiokisë, kanë shkruar gjithashtu për apostujt si persona realë. “Letra drejtuar Korintasve” e Klementit përmend apostujt Pjetër dhe Pavël si të përndjekur, duke u bërë një nga tekstet më të hershme jashtëbiblike që i referohet jetës së tyre.
Fjala “apostull” vjen nga greqishtja apostolos, që do të thotë “i dërguar” ose “lajmëtar”. Megjithatë, fjalët “dishepull” dhe “apostull” nuk janë të njëjta, siç shkruan C. Bernard Ruffin në librin The Twelve: The Lives of the Apostles After Calvary.
Sipas tij, “dishepull” është një term i përgjithshëm për ndjekësit e Jezusit, ndërsa “apostull” zakonisht i referohet dikujt që dërgohet si lajmëtar. Jo çdo dishepull ishte apostull dhe jo çdo apostull ishte pjesë e grupit të njohur si “Të Dymbëdhjetët”.
Cili apostull doli si udhëheqës?
Ruffin e përshkruan Pjetrin si një zë udhëheqës ndër apostujt. “Ai ishte më i hapuri, më kureshtari, më guximtari, edhe nëse ndonjëherë zemra i paraprinte arsyes,” shkruan ai.
Në Ungjillin sipas Mateut, Jezusi citohet të ketë thënë: “Ti je ‘Shkëmbi’, dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën time… Do të të besoj ty çelësat e mbretërisë së qiejve.” Shumë të krishterë e interpretojnë këtë si dhënie e një roli të veçantë udhëheqës Pjetrit.
Cili apostull e tradhtoi Jezusin?
Sipas rrëfimeve biblike, Juda Iskarioti e tradhtoi Jezusin në këmbim të 30 monedhave (aspra) argjendi. Kjo çoi në arrestimin, gjyqin dhe kryqëzimin e Jezusit — ngjarje qendrore në traditën e krishterë.
Ungjijtë japin shpjegime të ndryshme për veprimin e Judës, duke përfshirë lakminë dhe ndikimin e Satanit. Dhiata e Re jep gjithashtu versione të ndryshme për vdekjen e tij: Mateu thotë se ai i ktheu paratë përpara se të vetëvritej, ndërsa Veprat e Apostujve përshkruajnë një vdekje të dhunshme në një arë.
Çfarë ndodhi me apostujt pas vdekjes së Jezusit?
Dhiata e Re jep pak hollësi për fatin e mëvonshëm të apostujve. “Pjetri mori menjëherë drejtimin e bashkësisë së krishterë,” shkruan Ruffin, duke udhëhequr shpejt mijëra besimtarë të bashkohen me lëvizjen. Në Veprat e Apostujve thuhet se Herodi Agripa I ekzekutoi Jakobin (birin e Zebedeut). Pretendime të tjera mbi jetën e apostujve vijnë nga shkrime më të vona të krishtera. Për shembull, teksti i shekullit të tretë Veprat e Thomës e lidh apostullin Thomë me udhëtime misionare në Siri dhe Indi.