
Prof. As. Dr. Hasan Bello/
Pak kush e di se Viktor Hygo, gjigandi i letërsisë franceze, ishte i lidhur përmes letërkëmbimit dhe vlerësimit me Jeronim de Radën, një nga themeluesit e letërsisë moderne shqiptare. Qysh në vitet ’40 të shek. XIX, De Rada këshillohej që veprat e tij, veçanërisht Këngët e Milosaos dhe Këngët e Serafinës, t’ia dërgonte Hygos dhe madje të mendonte për botimin e tyre në frëngjisht, në Paris.
Vlerësimi i Viktor Hygos për De Radën nuk ishte i rastësishëm. Ai e shihte poetin arbëresh si një zë origjinal, me frymë të fortë kombëtare, që sillte në poezinë europiane një botë të re, historike dhe lirike njëkohësisht. Ky vlerësim moral dhe letrar i dha De Radës një legjitimitet të rrallë në rrethet kulturore të kohës.
Në të njëjtën linjë qëndronte edhe Alfons Lamartini, një tjetër figurë qendrore e romantizmit francez, i cili vlerësoi lart Këngët e Milosaos, duke i konsideruar dëshmi të një talenti të veçantë poetik dhe të një shpirti kombëtar të gjallë. Për Lamartinin, poezia e De Radës ishte një poezi e ndjenjës, e kujtesës historike dhe e idealit të lirisë.
Këto vlerësime tregojnë se Jeronim de Rada nuk ishte thjesht një poet i një kombi të vogël, por një autor europian, që u lexua, u çmua dhe u respektua nga mendjet më të mëdha të shekullit XIX. Një dëshmi e hershme se letërsia shqiptare ka qenë pjesë e dialogut kulturor europian.