Nga Ilir Levonja-
Nëse ndalon një shqiptar në rrugë dhe e pyet rreth ndryshimeve në kushtetutën e vendit, nëse është i majtë do të thotë menjëherë që, po, duhet. Dhe kjo kuptohet nga që po e kërkon dhe po e bën Edi Rama. E nëse është i djathtë, menjëherë jo, nuk duhen. Dhe kjo nënkupton faktin që po e kundërshton opozita. Megjithëse të jemi të qartë, në këtë rast opozita po e kundërshton parimisht nga mos’dakortësia në këshillin politik për hapjen 100% të listave dhe absurdit të kufirit në lidhje me koalicionet. Se kushtetuta në vetvete nuk është tabu, ajo mund të preket veç me shumicë të dakortësuar, ose më perfektja referendum. Nga 1991 deri më 1998, pas anulimit të kushtetutës së partisë së punës, Shqipëria operoi me dispozita kushtetuese, ku vendi shkoi edhe në një referendum popullor për forcimin e pozitave të presidentit. Asokohe Sali Berisha. Qe një humbje katastrofike përmes një pjesëmarrje të lartë në votime, megjithatë Berisha ia kërkoi këtë popullit, jo parlamentit. Nëse do kishte vepruar ashtu, sot do kishim një Llukashenko albanez në krye të Presidencës, pra vet shkop e vet zot. Në u bëm me kushtetutë konsensuale në tetor 1998, me votë popullore dhe pjesëmarrje gati historike afro 93%. Dhe po t’i referohesh historisë sonë të re, kjo kushtetutë e miratuar në tetor 1998, prapë është prekur disa herë. Jo vetëm për rolin e KQZ-ës, por edhe numrin e anëtarëve. Eshtë prekur për mandatet kohore të kryebashkiakëve, nga 3 në 4 vjet. Eshtë prekur për zgjedhjen e presidentit, për të rrëzuar shifrën magjike prej 84 votash. Pasi të gjithëve u kujtohet ngërçi presidencial, sa herë afrohej dita e zgjedhjes së presidentit në parlament, vendi shkonte në krizë politike. Pra shifra magjike 84 u hoq, kësisoj presidenti mund të zgjidhej fët e fët, mjafton edhe 1 votë më shumë se kundërshtari. Kjo fuqizonte kompetencat e kryeministrit, madje i jepte atij pushtet deri në shkarkimin e presidentit. Qenë ato ndryshime kur Ilir Meta fluturoi mbi tavolina duke iu hakërryer Jozefina Topallit, mirëpo konsensusi PD-PS apo Berisha Rama qe arritur. U prek edhe për sistemin zgjedhor miks, këtë që po vuajnë sot shqiptarët, që i dha mundësinë e tepsisë Edi Ramës, por që qytetarët kurrë nuk e kuptuan. Aq sa edhe sot ka një konfuzion sa listat e hapura konceptohet si shpëtim nga bota e krimit. Në fakt është një thikë me dy presa, duke i dhënë mundësinë edhe blogerëve, apo trendit në modën e listave ta shfrytëzojnë deri në pikën e fundit anarshinë kombëtare. Gjithsesi është koha ajo që do e dëshmojë dhe ndofta Shqipërisë i duhet të kaloj mes kësaj xhungle politike. Është prekur rishtas për KQZ-ën. Është prekur me presionin e botës, kjo qe prekja në dukje në nerv, e vitit 2012, ajo e heqjes së imunitetit. Ky privilegj absurd që e mbante larg politikanin shqiptar përpara ligjit. Pjesa e shëndetshme e shoqërisë gjykoi se më në fund do fillonte era e demokracisë së vërtetë, por koha vërtetoi se drejtësia kishte vdekur. Nuk ishte vetëm imuniteti, por edhe drejtësia 99% e korruptuar, balanca jetike për funksionimin e shtetit demokratik. Kësisoj po me presionin e botës, kushtetuta u prek rishtas, korrik 2016 kësaj here për reformën në drejtësi, por me konsensus palësh. Një reformë që sot e 4 vjet e ka futur Shqipërinë jo vetëm në krizë politike, por stanjacion, pa institucione funksionale aq sa një shtetar mund të vrasi e të pres si të dojë dhe në emër të ligjit. Dhe kjo jo për faj të botës, jo për faj të reformës, por kulisave të politikës dhe atyre që janë këmbë e kokë fytyra të varfërisë së shqiptarëve të lodhur që shohin liderët e forcave si baballarët e kombit. Megjithatë po ta vini re nga 1998-ta e deri sot, ndryshimet që janë bërë me referendum popullor, u minimizuan në konsensus forcash politike, deri sot në veton e një individi dhe ca deputetëve listash, produktit të dështimit tonë. Mund të fitoj kushdo, por asesi shqiptarët. Afërmendsh nuk ke si fiton kur nuk voton.