
Nga Behar GJOKA*/
Kapërcimi i sprovës, së rileximit të prozës kuteliane, jep dorë për të përthithur ngjizjen e veçantë letrare. Nëse proza e këtij shkrimtari do të interpretohej me një të rënë të lapsit, atëhermë me siguri magjia shkrimore do të shkërmoqej dhe pluhurëzohej si prania e letraritetit si esencë unike. Dihet, në qoftë se ka vend për teoritë letrare, se paprajshmëria e leximit, interpretimit, shqyrtimeve disaplanore, ka jo pak gjasime receptimesh. Ndërmjet gurgullimave përthithëse, nisur vetëmse nga teoria e parashtrimeve, mund të përveçohen disa:
E para: Ta largojë, pa pikën e drojës, deri në skajshmëri prej botës fluide, çfarë plazmon autori si mesazh dhe parafytyrim.
E dyta: Ta prishë dhe shkatërrojë realitetin e projektuar letrar në varësi të rrethanave jashtëletrare.
E treta: Ta dhunojë përvojën shkrimore, pamëdyshje veprën letrare, me njollat biografike.
E katërta: T’i avitesh përngjitas, ndërkaq me ftohtësinë dhe akullësinë e shkencëtarit dogmatik, kinse po ia nxjerr bakrin principeve letrare.
E pesta: T’i qasesh tekstit letrar vetëm si realitet letrar i vetvetishëm, që nënkupton edhe vështrimet kulturologjike apo eseistike.
Mëkatet e teorisë (së gjithë kohërave), padyshim letrare në shpjegimin e natyralitetit specifik të artit, e cila edhe shkatërron letraren, siç shprehet Xh. Culler, janë të vetëkuptueshme, madje ka gjasa se janë thelbi i thelbësores letrare. Pashpjegueshmëria, në rastin e artit dhe letërsisë, krejt e kuptueshme, është vetë kufiri i ekzistencës së magjisë. Nëse do të shpjegohej magjia, atëhere ajo do zhbëhej, mbase edhe do të fshihej si ekzistencë. Teoria letrare, megjithatë na mundëson shansin për ta shijuar, ndjerë dhe prekur, por kurrsesi për ta zhveshur nga lëvozhga mrekullibërëse, emocionale dhe shprehëse, që përjetohet mëvetësishëm nga qenia dhe brezat njerëzorë. Pra, letërsia dhe teoria letrare janë dy realitete të mëvetësishme, që në asnjë rast nuk përputhen, çka nuk do të thotë se nuk kanë pika takimi. Letërsia, është një realitet fundekrye specifik. Teoria letrare, ndërkaq është një realitet më vete, që shenjon ligjësoritë e letërsisë, pra është shkenca që në njëfarë mënyre përndrit vlerat letrare. Ndërkohë që këndshikimet teorike, vetë Kuteli, por ca më tepër krijimtaria e larme letrare, në njëfarë mënyre i ka shijuar dhe shpalosur me tepri. Nëpër të gjitha shqyrtimet, botëperceptimore të gjertashme, tërthorazi apo hapur, lihet të nënkuptohet se proza e tij, është krejt e veçantë. Madje, ngahera shenjohet edhe si gjeniu i rrëfimit në letrat shqipe dhe si mjeshtër i rrallë i artit të fjalës. Ka të vërteta në këto pohime dhe gjykime, të hedhura kohë pas kohe, natyrisht të thëna vetëmse mbas ndarjes nga jeta të shkrimtarit. Bashkë me to, në shumicën e herëve, ka tepri zelli, për ta lexuar vetëm nëpërmjet teoritikës sociologjike. Vetëkuptohet, se leximtaria e tillë, deri në vitet ’90 dhe më vonë, e ka shartuar e futur në ujë veprën letrare, veçanërisht prozën e autorit, jo se mungon tërësisht ky tipar, porse në semantikën letrare, socialja dhe socialiteti, nuk janë thelbësore. Paqartësia dhe deformimi qëllimor, enkas apo rastësor, përpos të tjerash do kërkuar në sqarimin e dy momenteve esencialë:
– Cilës periudhë letrare i përket Mitrush Kuteli? Pandarazi, me të edhe prozëshkrimi i tij unik? Gjithashtu, në mbështetje të kthjellimit të momenteve shkrimore, po në këtë rrafsh, si do të trajtohen shqyrtimet kritike dhe sprovat në lëmin e poezisë? Kjo problematikë e gjerë, patjetër edhe nyjëtime të tjera letrare, do të gjenin shpjegimin e natyrshëm, duke e vendosur figurën e shkrimtarit në konteksin e rrethanave shkrimore. Shkurt, në cilën hark kohor u realizua Kuteli si shkrimtar, prozator e poet, mandej si lëvrues i kritikës letrare?
Fakti kokëfortë, që megjithatë pjesën dërrmuese të krijimtarisë autoriale dhe vështrimeve kritike, autori i ka botuar para viteve 1944, flet vetë. Vepra të kësaj periudhe janë Poeti Lasgush Poradeci -1937, Netë shqiptare -1938, Ago Jakupi e të tjera rrëfime -1943, Sulm e lotë me një fjalë prej Dr. Pas. -1943, Havadan më havadan -pamflete 1943, Këngë e britma nga qyteti i djegur -këngë popullore 1943, Kapllan Aga i Shaban Shpatës -1944, dhe Shënime letrare -kritikë 1944. Edhe nga ky vështrim panoramik, nisur prej vitbotimeve të veprave të autorit, vetiu dalin në fokus tipare përfaqësuese shkrimore:
– Se kemi të bëjmë me një kritik të talentuar, përderisa shqyrtimi i poezisë së Poradecit, Nolit, Emineskut etj. , qëndron edhe sot si interpretim.
– Se është njëri nga lëvruesit më kualitativ si llojeshmëri, i prozës shqipe.
– Se sprovat poetike zënë fill dhe shpalohen pikërisht nëpër ato vite.
– Se është njëri nga publicistët më të shquar të asaj kohe.
– Se ishte një ekonomist i zoti, nga të vetmit doktorantë i shkolluar jashtë.
– Se vështrimi i tij nga krijimtaria gojore, veçmas si mbledhës i zellshëm, e radhit ndër folkloristët më të shquar.
Cilësitë e shpërfaqura, në librat e botuara, deri në vitin 1944, shenjojnë një personalitet të formuar dhe me ndikim. Fushat e lëvruara, si dhe vetitë e dëshmuara ndihmojnë për të përcaktuar vendin, kohën dhe përmasat e shkrimtarisë:
Së pari: Kuteli si figurë shumëplanëshe, më tepër i përket letërsisë midis dy luftërave botërore, pa nxjerrë mendësh ndihmesën në lëmin e përkthimit, në ritregimin e legjendave të epikës shqipe ose përpjekjen serioze në lëvrimin e romanit.
Së dyti: Mitrush Kuteli faktikisht është autori më i botuar në vitet ’30-40.
Megjithëse, duhet qartësuar ky moment, fillesat e prozës kuteliane hidhen në vitet njëzet, posaçërisht e dorëshkruar më 1926, dhe përkitazi viti 1929, koha e botimit në shtypin e kohës e novelës Vjeshta e Xheladin Beut, njërës prej krijesave të autorit, ku shfaqen farfurimat dhe vrundujt e parë të prozës magjike, madje të një realizmi mirëfilli të magjishëm. Gjurmët e shprehësisë artistike, në lëmin e prozës, në lëvrimin e rrëfenjave dhe rrëfimeve, tregimeve dhe novelave, shenjohen prej asokohe. Prandaj, piskama letrare e Kutelit, bashkë me veprën letrare të Ernest Koliqit, paralajmëronte se letrat shqipe kanë hyrë në hullinë e lëvrimit të prozës moderne. . Në kuptimin e personalitetit të formuar, të mjeshtrit të tregimit, përgjithësisht të prozës, kritikut të sprovuar letrar, të botuesit serioz, çka vërtetohet nga shkalla e përkujdesjes së treguar ndaj krijimtarisë poetike të Poradecit e Nolit, ligjëruesit të poezisë atdhetare me Poemin Kosovar, shpërfaqet i plotë qysh herët. Ky fakt nga më themelorët si jetëshkrim ose përmendet shkarazi ose gati anashkalohet. Duke vepruar kështu, madje për një periudhë të tejzgjatur, Kuteli dhe vepra letrare tërësore, padyshim edhe proza nuk vendohet në kontekstin e rrethanave, që u përket më së shumti. Të atmosferës letrare, përplot laryshi, që nxori në pah figura të shquara si Konica, prozator e kritik i rrallë; Fishta, shkrimtar gjithplanësh, prozator, dramaturg, kritik, poet lirik, satirik e mbi të gjitha epik me kryeveprën e tij Lahuta e Malcisë; Poradeci, poetin thinosh të natyrës, dashurisë dhe atdhesisë; Haxhiademi, dramaturgun e shquar; Nolin, përkthyesin dhe poetin; Migjenin, poetin dhe prozatorin e sprovave moderne. Pjesë e përfillshme, e atij mjedisi trëndafilor, letrar dhe kulturor, ndërkohë që ende shkruanin Mjedja, Çajupi, Santori e Asdreni, është edhe Dhimitër Pasko. Pikërisht, kjo aureolë lëbyrëse letrariteti, është më së parmi konteksti thelbësor i ngjizjes dhe mëkimit të Kutelit si shkrimtar. Sprovat e modernitetit, qoftë në poezi, qoftë në prozë apo në kritikën letrare, nuk mund të kuptohen kurrsesi pa praninë e tij, me të gjithë arsenalin e shprehur, e veçanërisht në fibrimet e befta të lëvrimit të prozës. Krahazi, Kuteli dhe Koliqi, kjo dyshe fatlume për letrat shqipe, jo vetëm se hodhën themelet e prozës moderne por, me formatin shprehës, koloritin narrativ, ngjyresat leksikore, shenjëzuan kulmime ligjërimore në lëmin e prozës. Prandaj, mbas viteve ’44, Kuteli vinte si një krijues i pjekur, me personalitet të kristalizuar dhe të shpërfaqur, në disa lami të kulturës. Megjithatë, veçmas viti ’47, a diçka më herët se kaq, ngaqë edhe historiografia nuk ka mbërritur ta përcaktojë ende, në krijimtarinë e Kutelit bart një shenjë të veçantë. Pangjashmërisht në këtë ndërkohë shkrimtari realizon novelën E madhe është gjëma e mëkatit, me gjasë kryeveprën e tij. Në semantikën e përfundimit, të mënyrës shkrimore vetanake, personaliteti i Kutelit natyrshëm shtrihet përtej periudhës së mbarimit të luftës. Të kësaj kohe janë librat: Dashuria e barbarit Artan -1945; Pylli i gështenjave, poezi për fëmijë 1958; Xinxifilua-përralla 1962; Tregime të moçme shqiptare-ritregime 1965, si dhe ripunimet e prozës, në nivelin e varianteve dhe variacioneve. Gjithashtu, një faqe më vete, janë edhe përkthimet e Gogolit, Turgenjevit, Shçedrinit, Ostrovskit, etj. Pas këtij vështrimi të rrethanave që e mbruajtën si krijues i shumëplanësisë, krejt natyrshëm vjen në fokus çështja tjetër esenciale:
– Cilës metodë, drejtim, rrymë apo shkolle letrare i përket veçmas proza e tij? Tiparet karakteristike shkrimore që bart si tharm estetik? Ku dallohet poetika e prozës kuteliane, në përqasje me bashkëkohësit dhe prozatorët e mëvonshëm të letrave shqipe dhe më gjerë se kaq? Shihet qartë se gama e problematikës është e gjerë dhe e ndërlikuar. Përcaktimet e gjertanishme, sa i përket metodës letrare të ligjëruar, e fiksojnë në katër cilësi të gjasshme.
– Se proza e Kutelit përbëhet nga faktura realiste. Pikë referimi për ta shenjuar si të tillë, përgjithësisht është verifikimi tematikës dhe i brendisë, pra si leximi sociologjik i prozës së shkrimtarit. Madje, në shumicën e rasteve, interpretimi i kësollojshëm zbret deri në përcaktime të ndara të grupit të personazheve: vegjëlia nga njëra anë dhe bejlerët e agallarët në tjetrën anë.
– Se proza kuteliane bart edhe atribute romantike. Për të mbërritur në këtë përcaktim, ka gjasa të mjafta, që shqyrtimi të jetë lidhur me praninë e miteve, legjendave dhe gojëdhanave, pra me materien orale. Romantika në prozën e shkrimtarit, herë vështrohet si vlerë, herë tjetër si dobësi. Në njëfarë mënyre, shkolla romantike adhurimin ndaj folklorit e shpërndërroi natyrshëm deri në kult. Veçse, siç e parasheh teoritika letrare dhe praktika shkrimore, për mitet dhe mitologjinë, po kaq interes dhe kërshëri kanë treguar dhe ende vijojnë në këtë linjë edhe shkrimtarët modernë e pasmodernë.
– Se proza e Mitrushit është me tharm fantastik. Ky tipar shenjëzohet nisur nga hapësira që zë e mbinatyrshmja, sidomos nga prania e pikëpjekjes së të gjallit me të vdekurin, esencë bazale në disa krijime autoriale, por e shpërfaqur në faqet e tregim-rrëfenjës Rinë Katerinëza dhe tek novela E madhe është gjëma e mëkatit. Sugjerimi i teorive letrare se animizimi prozopope, domethënë shpirtëzimi i të vdekurit, është vetëm njëri nga elementët e mbinatyrores, do të duhet marrë në shqyrtim.
– Se proza e Paskos i përket realizmit grotesk. Në këtë përpjekje të vonë, përveç faktit të një tentative, për ta kundruar në caqet e realizmit kritik, vihet re edhe një ndërthurje e pagjashme konceptesh. Grotesku si mënyrë shprehje, përpos pranisë në krijimtarinë gojore, faktohet qysh në antikitet me Aristofanin dhe kulmon me veprën e Rabëlesë, në klasicizmin francez. Ndërsa realizmi, që është riosh, me zanafillë në shekullin e 19-të, dhe ekziston në tre forma: realizëm kritik, realizëm socialist dhe realizëm magjik, dhe në të tri rastet shënon metodën, rrymën ose drejtimin letrar dhe në asnjërin rast shprehësinë në kuptimin më të ngushtë të groteskut.
– Se proza e Mitrush Kutelit, një pjesë e saj përkon me realizmin magjik.
Vendi që zë dhe sidomos marrëdhëniet e ndërlikuara në mes reales dhe ireales, të përkohshmes dhe përjetësisë, por pak të lëvruar në letrat shqipe, deri tek proza e Kutelit, ka bërë që të shihet edhe si teksturë e këtij rrafshi. Madje, verifikimi i tillë plazmohet si përqasje e ndërmjetme me autorët më të shquar që e çuan në zenit realizmin magjik, ngandonjëherë edhe si realitet letrar i mëvetësishëm. Ka më tepër arsye të mendosh se qëndron këndshikimi i dytë, pra, si një univers letrar i vetvetishëm, sepse lëvrimi i prozës me përcëllima magjike nga ana e Kutelit faktohet më herët. Me fillesa aty nga viti 1926, koha kur shkruan Vjeshta e Xheladin Beut.
Këto shenja të pranishme në prozën e shkrimtarit, qofshin realiste, romantike, fantastike, groteske apo të realizmit magjik, feksin nëpër gjithë materien, porse ato lëshojnë hije rrezatimesh të gërshetuara, çka e shndërron përpjekjen për të përcaktuar drejtimin ose shkollën letrare që materializoi Kuteli në një makth. Në veprën e shkrimtarit, veçmas në prozën e tij, është krejt e prekshme lënda sociale. Po ashtu, nëpër hemisferat e tekstit, si romantikë apo grotesk, ndërfutet edhe krijimtaria gojore. Rreth qarkëzimeve, të qëmtuara prej historiografisë letrare, pështillet dhe shpështillet edhe diçka më shumë në mënyrën shkrimore kuteliane. Mbase, kjo dëshmi shkrimtarie, shenjon një përvojë personale, ku shkrihen burimet e hamenduara dhe të pashmangshme. Një përvojë tjetër e ndryshme, jo veç me bashkëkohësit, një përvojë shkrimore e komplikuar, në kuptimin e marrëdhënies speciale me lexuesin me lexuesin model, siç emërtohet nga Umberto Eco, që shënon shenjat e strukturës e jo semantikën. Madje, të një raportimi detyrimor jo vetëm si lëçitës i vëmendshëm, por edhe si një dëgjues i përqëndruar, sepse rrëfimtari ngahera ndërron vend, por gjithherët gjellin krejt i dorëzuar në substancën tekstologjike. Duke u bërë kësisoj pjesë integrale e lojës autoriale magjike, ka gjasa e lodrimit të njohur dhe të panjohur, ku mundësohet qartaz ndërkomunikimi me tekstet dhe estetikën, që bartin dhe veçmas mënjanohet çfarëdo shkasi moskuptimi keqkuptimor të shkrimit letrar.
# Autor i libravre Proza e Kutelit, 2004 dhe Kuteli dhe Letrarja, në vitin 2010.