PËRG. NDUE BACAJ
HYRJE
Shqiptarët në përgjithsi nuk ishin pajtuar për asnjë moment me pushtimin turko-osman, ndaj ata kishin zhvilluar aleanca, kuvende e beslidhje duke u përpjekur të organizohen në kryengritje e beteja të tjera, në mbrojtje të lirisë, të drejtave njerzore e jetësore, e deri pë çlirimin dhe mbrojtjen e trojeve të tyre… Ndërsa “laku” i pushtuesit turko-osman shtërngohej shqiptarët, (veçanarisht ata të veriut së Shqipërisë), do të zgjeronin bashkëpunimin edhe me fqinjët e tyre e më gjërë, të cilët ishin të pushtuar apo e konsideronin armike të tyre perandorinë Turke-Osmane. Shekulli i 17-të shënon një nga kulmet e këtyre bashkëpunimeve me kuvende e aleanca ballkanike. Kuvendi ballkanik i Kuçit i 15 korrikut 1614 është “simbol” i këtij bashkëpunimi ballkanik e më gjërë…
DISA NGA KUVENDET QË I PARAPRINË KUVENDIT TË KUÇIT:
Para Kuvendit Ballkanik të Kuçit (15 korrik 1614), prijësit dhe krerët shqiptar (kryesisht ata të veriut) kishin zhvilluar disa kuvende, me qellim organizimin e kryengritjeve kundër pushtuesve shekullor turko-osmane.
Me 7 qershor 1594 u mblodhen në manastirin e Shën Mërisë në Mat një kuvend i përgjithshëm shqiptar. Pjemarrësit në kuvend vendosën që të organizohej kryengritja e përgjithëshme çlirimtare. Peshkopi Nikollë Mekajshi, Tomë Plezha dhe Mark Gjni u ngarkua të hynin në bisedime me Papen për të sigurua ndihmën e nevojshme. Megjithatë përfaqësuesit shqiptar nuk arritën të siguronin ndihmën e kërkuar në perendim, pasi Papati ishte angazhuar në luftën antiosmane në Hungari. Nga ana tjetër, republika e Venedikut, e cila nuk ishte e interesuar për këto nisma të shqiptarëve, u përpoq me të gjitha mënyrat që t’i paralizonte aksionet e tyre, duke nxitur përçarjen ndërmjet krerëve…. Me 1601 u mblodh në fshatin Dukagjin të Matit një kuvend tjetër i përgjithshëm. Në këtë mbledhje moren pjesë 2 654 delegatë nga 14 krahina shqiptare. Vendimi i kuvendit për organizimin e një kryengritje të përgjithshme edhe këtë herë nuk arriti të siguronte përkrahjen europiane, për shkak të qendrimit negative të Venedikut.1. Më 13 dhjetor 1608 në manastirin e Moraçës, pranë liqenit të Shkodrës, nën drejtimin e patriarkut të Pejës, u mblodhën krerë serbë, shqiptarë, bullgarë, boshnjakë, hercegovinas e serbë ku u diskutua për dëbimin e osmanëve dhe iu kërkua ndihmë dukës së Savojës. Kjo mbledhje shërbeu si pikënisje për organizimin e disa kuvendeve ballkanike.2. Kështu krerët e krahinave të Mbishkodrës më 1610 shpallën bashkimin nën emrin ,,Malet Shqiptare. (Ndërsa dhjetë vjet më vonë në Shqipërinë e Mesme u krijua edhe bashkimi shqiptarë nën emrin Lidhja e Arbërit)…3.
KUVENDI I KUÇIT, 15 KORRIK 1614
Kuçi nuk ishte zgjedhur rastësisht si vendi ku do të zhvillohej kuvendi i parë ballkanik. Kuçi shte vendi historik i njërit prej fiseve autokton Iliro-Shqiptar , ku kishte qënë edhe kryeqyteti rezervë i Ilirisë, Meduni. Kuçi ndër mote e shekuj kishte pasur toponime (emertime) të ndryshme si Chuci, Chucchi, Cucci, Cuchi, Cuchii, Cucçi, Cusi, Cussi, etjerë që i kishte imponuar historia, por pa i ndryshuar historinë dhe autoktoninë Iliro-Shqqiptare…4.
Kuvendi i Parë Ballkanik u mbajt në Kuç të Malësisë Madhe me 15 korrik 1614. Në këtë Kuvend morën pjesë përfaqësues shqiptar, serbë, malazezë dhe maqedonas.5. Ndërsa në një histori të vjetër të Shqipërisë (me autor Zhan Klod Faveirial) shkruhet se në kuvendin e Kuçit të Shqipërisë me 1614, muaren pjesë (perveç perfaqesuesve shqiptarë, serbë e malazezë) edhe përfaqësues nga Bullgaria, Hercegovina dhe Dalmacia… Qellimi i kësaj mbledhje ishte të gjente mënyren për t’i dhënë fund mbipagesave dhe taksave të padurueshme, viktimë e të cilave ishin të krishterët. Duket se turqit nuk ishin në dijeni as për këtë mbledhje e as për qellimin e saj. Plani i kësaj kryengritje të mrekullueshme u gjend në dokumentin e Karlit II, dukes së Neversit. Gjithshka ishte parashikuar: ushtria kryengritëse do të përbëhej prej 160 mijë trupash, do të pritej një monedhë e përkohëshme dhe e pranushme pas luftës, do të marshohej drejtë Kostandinopojës dhe, përgjatë rrugës, do të merreshin kjo apo ajo fortesë. Perandori i Gjermanisë dhe princët e Moldavllahisë do të mbështesnin kryengritjen. Nuk bëhet fjalë për Venedikun, por ai ishte tepër i interesuar për një kryenritje të përgjithshme, kështu që nuk është e mundur të ketë qënë jashtë saj. Veç, ndërkohë vetëm bashkëpunimi i Francës mund t’i jepte kësaj kryengritje një shans suksesi, por Franca, qysh prej kohe të gjatë ishte në mardhënie shumë të mira me perandorinë Otomane…6.
44 KRENË QË MORËN PJESË NË KUVENDIN E KUÇIT:
1.Gradam (Gradan) vojvoda i Novogostës
2.Konti Lala Drekali prej Kuçit
3.Konti Vojo nga Rizano
4.Konti Vojo nga Mali i Zi
5.Gjeç Bardhi prej Mirdite
6.Prototopi Ivanoviq
7.Konti Nikolla prej Piperit
8.Konti Selak (Shllak?) prej Grie?
9.Vojvoda Raic Palabardhi (Bjelopavliq)
10.Rade Vojvoda prej Planit (Plavës?)
11.Konti Petar prej Plushive (?)
12.Konti Stepan Raceçi
13-Konti Drahigo Geleci
14.Konti Menzita Serciza
15. Konti Nikolla Negushi
16.Gjin Gjergj Dukagjini
17.Konti Vule Dubigini (Dubinjë?)
18.Konti Radosava Bronci (Bonci?)
19.Konti Mark prej Malit të Zi
20.Konti Gjon nga Zupa e Epër
21.Vojvoda Vuka (Vuk Keqi apo Vuka Gjeçi prej Kelmendit
22.Konti Thoma prej Vershevo
23.Konti Parvo (Pavlo?) nga Prizreni (?)
24.Vjovoda Sekuli (Gjek Kuli apo Gjek Culi) nga Boga
25.Konti Milia nga Bjela (Bardha e Kuçit?)
26.Konti Gjon Plesisi (Lleshi i Zi?)
27.Konti Dragoi nga Rudina
28.Konti Mileta Rigano
29.Konti Gjon Mustaki
30.Konti Millosh Çekanji (Çekaj?)
31.Konti Mihal prej Prejs
32.Konti Thoma i Kostas
33.Konti Vuisko nga Biloshi
34.Konti Vigio Ravan nga Griniqi (Grigjaniku?)
35.Konti Vukigj (Vuk Keqi?)
36.Konti Voin nga Balea (Baleza?)
37.Konti Andria nga Zupa e Poshtme
38.Konti Mile nga Kupe (Prokupi?)
39.Konti Thoma nga Podgorica (?)
40.Konti Cepivo nga Ljeshkopolje (Fusha e Ljeshkës)
41.Konti Vule nga Zeta (Genta)
42.Vukoshanga Trepsha (?)
43.Konti Andria nga Plesiuvci
44.Popo Voin nga Zaravina (Rasanina? Eosavina?)7.
Në vitin 1614 nga kuvendi i Kuçit do të nisej nga zotërit e beslidhur të mbretërisë së Shqipërisë dhe Serbisë, kapedani Gjon Renesi, pranë fort të kthjellëtit zot dukë të Parmës, me të cilin bisedoi gjatë mbi qellimin e atyre zotërve të besëlidhur, dhe pastaj qe nisur prej lartësisë së tij nga i cili u shprehen qellime shumë të mira. Dhe prandaj me letra, me të holla e përkrahje (Gjon Renesi) u kthye në ato anë ku i bëri një parashtrim shumë të gjërë Kuvendit….8. Duhet qartësuar se burimi kryesor i informacionit për Kuvendin e Kuçit janë relacionet e kapedanit Gjon Renesit, i cili tregon takimet e tija me kontë e pjesmarrës të kuvendit si Lala Drekalin nga Kuçi, Kontin Vojo nga Mali i Zi, Gjin Gjergjin e Dukagjinit e tjerë, si dhe princër e dukë të vendeve të tjera europiane me të cilët mendohej të lidhnin aleanca dhe të perfitonin ndihma për kryengritjen kundër turke-osmane. Gjithashtu nga relacionet e kapedan Gjonit mësojmë se 25 veta janë përfaqesuesit kryesor që morën pjesë në Kuvend, ndërsa të tjerët që nuk mund të vinin për shkaqe shumë të rëndëshme të tyre do të dërgonin sekretarët e tyre me vulat e veta dhe me betimin, dhe këta qenë 19 veta, dhe pastaj u bë një Kuvend shumë besnik, në të cilin unë (Gjon Renesi) referova gjithë ato që sillja nga takimet me princër e dukë të vendeve të tjera jashtë Ballkanit , si me ata të Parmës, Venedikut, Spanjës, Neversit, Francës, Selisë së Shenjte, me Perandorin e Gjermanisë dhe princët e Moldavllahisë… që mendohej se do të mbështesnin kryengritjen. Gjithashtu në relacionet e kapeden Gjon Renesit mësohen edhe hollësi të tjera në lidhje me sasinë e burrave të armatosur që mund të ngriheshin në këmbë , ku ai jep një shifer “interesante” dyqind bile treqindmijë burra të gatshëm e të sigurt për t’i sherbyer lirisë… Në relacione ndonjëherë shkruhet se Kuvendi është zhvilluar me 14 korrik, 15 korrik e deri me 25 korrik, por që në fund “konkludohet se kuvendi i parë ballkanik i Kuçit është zhvilluar me 15 korrik, datë tashma e pranuar…9. Në fund të relacioneve jepen disa të dhëna moshe e fizike për kapedan Gjon Renesin, ku thuhet: “Kapedan Gjon Renesi është një burr rreth pesëdhjetë vjetëve, më fort i madh se i vogël, me trup të thatë , me mjekër të zezë, me ngjyrë të zbetë, i cili sot vishet në mënyrën frenga.10. Vlen të cilësohet se edhe historiani e studiuesi amarikan (E.Jacques) shkruan për kuvendin e Kuçit e planet e tij pa datë, por shënon vetëm vitin (1614). Mbasi ajo çfar shkruan ky historian më duket se ka diçka më shumë se referencat e tjera mendova t’a citoj: “Me 1614 në Kuç të Shqipërisë së Epërme u mbajt një kuvend , ku moren pjesë patriarku i Serbisë dhe prijësat e të gjitha mbretërive europiane të pushtuara nga Turqia. Ata dërguan te Papa kapitenin Xhovani (Gjon) Renes, që të paraqiste planin që do t’u sillte çlirimin nga Turqia. Lenormanti ka lënë një përshkrim të planit. Armët do tu jepeshin malësorëve.. Dukagjinit dhe Himarës, gjithsei 30.000 ushtarë të zot. Nga Himara 8300 burra do të zaptonin kalanë dhe qytetin e Vlorës, gjë do të jetë e lehtë pasi rojet e kalasë janë të krishterë dhe prijësit e tyre kanë rënë në ujdi me himariotët. Dukagjinët do të marrin me lehtësi Krujën duke qënë se turqit e kishin lënë pas dore rindertimin e një pjese të rrëzuar. Të tjerë do të shkonin në Shkodër dhe Kastelnovo , ku punët ishin ujdisur me rojet e natës , që ishin të krishterë. Pastaj ushtritë fitimtare do të shpartallonin turqit në vend, duke e përdorur plaçken e luftës, të rrëmbyer turqëve apo çifutëve për mirëmbjatjen e ushtrisë e, madje, duke i shporrur turqit fare nga Kostandinopoja…”. Kuvendi do të vendoste të dërgonte Gjon Renesin në Francë për t’u marrë vesh me dukën e Neverës, i cili po përgatiste një ekspeditë për të zbarkuar në Ballkan. Por edhe këtë radhë shqiptarëve nuk u erdhi ndihma e shpresuar. Duka i Neverës ishte akoma larg nga përgatitjet për të vënë në jetë projektin e tij…. Një tjetër kryengritje e organizuar mirë ngjalli shpresat e shqiptarëve në veri e jug. Planet e saj i kristalizoi Karli II, Duka i Neversit në Francën qendrore….11.
KUVENDE TË TJERA , SI VIJIM I KUVENDIT TË KUÇIT TË 15 KORRIKUT 1614
Pa kaluar dy muaj nga kuvendi i parë, me 8 shtator 1614 në Kuç u mbajt Kuvendi i Dytë Ballkanik, i cili perpiloi edhe një projekt konkret për një kryengritje të përgjithshmee përqendruar në katër zona.12. Njëra nga këto do të kishte qëndrën në Himarë dhe do të synonte çlirimin e Vlorës, e dyta në Dukagjin me synim Krujën, e treta në Malsinë e Madhe me drejtim Shkodrën dhe e fundit në Mal të Zi me synim çlirimin e Kastelnovos. Në të njëjtën kohë do të hidheshin në kryengritje edhe metropoliti i Durrësit, me të cilin do të bashkoheshin edhe peshkopët orthodoksë të Janinës e të Artës, si dhe prelatë e krerë të tjerë të krahinave të ndryshme të Ballkanit..13. Më 11 nëntor 1616 në Prokuplje të Serbisë u mblodhë Kuvendi i tretë, ku morën pjesë siç thotë një burim bashkëkohës, zotnitë kryesorë të mbretërisë së Bosnjës, të Kosovës, të Serbisë, të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Arkidukatit të Hercegovinës. Për shkak të kushteve të reja që ishin krijuar me rritjen e rolit të Austrisë si kundërshtari kryesor i Perandorisë Osmane, këtë herë kuvendi nxori në plan të parë si detyrë për të çliruar së pari Bosnjën, meqenëse kishte mundësi më të mëdha të ndihmohej nga ana e Austrisë. Megjithëkëtë edhe në këtë kuvend u pa i nevojshëm një zbarkim në Shqipëri, sepse kryengritjet shqiptare mbanin vazhdimisht të hapur një plagë në anët më të dobëta të Perandorisë Osmane. Në bregdetin shqiptar, prej nga niseshin rrugët drejt viseve të brendshme të Ballkanit dhe se, siç thuhej në vendim, një pjesë e popullit të këtij vendi nuk i bindet sulltanit dhe jeton i lirë, (siç janë – shën. i aut.), zotnitë e Dukagjinit, e Kelmendit, e Piprit, e Palabardhit dhe të Malit të Zi”. Prandaj në çdo plan ushtarak, si më përpara edhe tani, Shqipëria zinte një vend nga më të rëndësishmit. Me të zbarkuar flota evropiane në brigjet shqiptare, 10 000 burra do të bashkoheshin me forcat hercegovinase. Me 40 000 veta nga Dukagjini, Kelmendi, Pipri, Palabardhi e nga Mali i Zi do të merrnin kështjellën e Shkodrës e prej andej do të shkonin drejt Sofjes, ku do të bashkoheshin me forcat e tjera për të parashtruar planin për marrjen e Stambollit. Projekti mbeti përsëri në letër. Duka i Neverit e zgjati shumë përgatitjen e ekspeditës. Në pragun e nisjes flota u dogj. Spanja i druhej luftës me shtetin osman…. Një dëshmi tjetër e lëvizjes çlirimtare ballkanike u bë kuvendi i Beogradit, 18 nëntor 1620…14. Nga të 24 krerët e kuvendit të Beogradit, që nënshkruan planin e luftës, më të rëndësishmit ishin Lala Drekali i Kuçit, Gjin Gjergji i Dukagjinit dhe Vuk Gjeçi i Kelmendit, pas të cilëve vinin krerët e tjerë të ardhur në kuvend nga malet shqiptare. Të bashkuar në “Lidhjen e Arbënit”, Dukagjini, Pipri e Kelmendi do të nxirrnin 14 000 luftëtarë. Të gjithë do të grumbulloheshin në Pejë, ku do të krijohej një ushtri prej 50 000 këmbësorëve e 30 000 kalorësve prej forcave të Shqipërisë, Maqedonisë e Serbisë. Edhe këtë herë kuvendi zgjodhi shqiptarin Gjon Renësi si njërin nga të dërguarit e vet për në oborret evropiane. Por, ndihma e kërkuar me armë dhe zbarkimi në brigjet shqiptare nuk u siguruan as këtë herë.
Kuvendet ndërballkanike nuk arritën të organizonin një aksion të përbashkët për dëbimin e osmanëve nga Evropa. Popujve ballkanas e në radhë të parë kryengritësve shqiptarë iu desh të luftonin duke u mbështetur në forcat e veta. Shkaqet e dështimeve të përpjekjeve për organizimin e një aksioni të përbashkët kryengritës ballkanik ishin kryesisht kontradiktat midis shteteve evropiane, të cilat ishin në rivalitet me njëra-tjetrën në zotërimet osmane…15.
Në vitin 1621, ipeshkëvi Pjetër Budi hartoi një relacion me të cilin përkrahte projektin dhe raportonte se rreth 30 000 shqiptarë (të krishterë e myslimanë), u treguan të gatshëm të rrëmbenin armët kundër turqve, me të zarkuar në Shqipëri një ekspeditë ushtarake europiane. Ai kërkoi pa u lodhur forca e municione nga Spanja, Italia e Franca, mirpo një ndihmë e tillë nuk u matrializua kurrë.16
“EPILOG”:
Fatkeqësisht kuvendet, aleancat dhe projektet duke përfshirë edhe atë të Kuvendit të Kuçit 1614 e të tjerë si vijim të këtij kuvendi, thuajse nuk u matrializuan kurrë. Ky dështim i projekteve për kryengritje të përgjithëshme kundër turke-osmane ballkanike e më gjërë, ka mbi të gjitha edhe “vulen” e aleatëve “europian” (të sipercituar…), të cilët këto projekte ose nuk i përkrahen, ose i “perkrahen” vëtëm si projekte me fjalë dhe në letër. Përkundër kësaj ne shqiptarët edhe të vetëm vijuam me vite e shekuj luftën dhe përpjekjet tona kundër pushtuesit turko-osman, në mbrojtje të lirisë, të drejtave njerzore e kombëtare dhe troje etnike iliro-shqiptare, por mjerisht edhe të armiqëve të tjerë të shtuar (si ish “aleatët” e kuvendëve të më “spërme” si Serbia e Mali i Zi), derisa me 28 nëntor 1912 shpallem mvehtësinë, por deri atëherë kishim humbur rreth dy të tretat e trojeve tona etnike, edhe me “bekimin” e një pjese të Europës plakë e “shake”…
Malësi e Madhe, 15 korrik 2023.
REFERENCAT:
1.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.73, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994.
2.https://www.shqiperia.com/Kuvendet-nderballkanike.206/.
3.https://kosovare.albanianforum.net/t3914-shqiptaret-pas-skenderbeut.
4.Më hollësisht shih Giuseppe Valentini, Il Dirito Delle Comunita, nelle tradizione giuridica Albanese, fq.293-294, Universita di Palermo,Facolta di Lettere, printed in Italy, Firence 1956.
5.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.73, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994.
6.Zhan Klod Faveirial , Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, fq.327-328, Plejad 2004.
7. Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, vëllimi III (1603-1621), perg. nga Innjac Zamputi, fq.289-290.
8.Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, vëllimi III (1603-1621), perg. nga Innjac Zamputi, fq.295-297.
9.Më hollësisht shih dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, vëllimi III (1603-1621), perg. nga Innjac Zamputi, fq.291-298.
10.Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, vëllimi III (1603-1621), perg. nga Innjac Zamputi, fq.299.
11.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.273, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995.
12.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.73, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994.
13.http://www.letersia.fajtori.com/Historia/Sundimi_turk/ekspeditat_turke.php.
14.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.73, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994.
15.https://www.shqiperia.com/Kuvendet-nderballkanike.206/
16.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.274, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995.